Mendime
Llesh Ndoj:'Reformë', fjala shqipe e keqpërdorur
E marte, 03.09.2024, 06:56 PM
“REFORM?” – FJALA SHQIPE E KEQP?RDORUR
Nga
Llesh Ndoj*
Në
se ka një fjalë shqipe apo të shqipëruar të shumë dëgjuar ndër vite, të bërë
thuajse “popullore”, por realisht të keqkuptuar dhe të keqpërdorur, fjala
“reformë”, pa asnjë dyshim, do të zinte “vend nderi”. Ne që i përkasim sistemit
të shkuar, jemi mësuar me këtë fjalë si me ajrin që thithnim çdo ditë në
mushkëri. Forca drejtuese politike e kohës gjithnjë pretendonte se kishte bërë
reforma të thella në të gjitha fushat e jetës, bile “reformimin” nuk e
barazonte me një apo disa akte, por e kishte promotorin e atyre ndryshimeve që
i mendonte si më të mirat, duke bërë të sajën teorinë e njohur të “revolucionit
permanent”. Po kush ishte “etaloni” me të cilin ato krahasoheshin, në mënyrë që
produkti i tyre të mund të etiketohej “i mirë”, “i keq”, “më i mirë se…”, apo
“më i miri”? Realisht nuk përdoreshin si të tillë (etalonë) tregues konkret që
lidheshin fort me mirëqënien e masave punonjëse dhe që ishin të prekshëm për
këdo, por ata tregues ishin pjesë e krijesave ideologjike dhe e objektivave që
u shërbenin drejtuesve të kohës, shpesh “të padukshëm” e “të paprekshëm” për
masën. Duke mos përdorur si “etalon” krahasues tregues konkret e të prekshëm
lehtësisht nga njerëzit, “reformat” e bënin ciklin e tyre deri në fund pa u
kuptuar nga shumica dhe pastaj gjendeshim përballë humnerave, në emër të
kapërcimit të të cilave shpikeshin reforma të reja. Nisi e përfundoi ajo
periudhë në proces reformimi, por rezultati ishte ndërtimi i një fiaskoje të
gjithanshme që u shemb si “tigër prej letre”, e na kushtoi pesëdhjetë vite
vendnumëro në jetën e vendit. Objektivi ishte krijimi i klasës së re
udhëheqëse, kurse justifikimi e gjen shprehjen e vet më së miri, në thënien e
Ramizit: shkelim në rrugë të pa shkelura, kurse rezultati dihet…
E
di se në këtë pikë ka nostalgjikë që do të më kundërshtojnë, bile fuqishëm,
duke më përmendur artitje në sektorë të caktuar e disa edhe në tërësi, duke
bërë krahasime me tridhjetë e tetën etj, por analiza reale të orienton tek
mirëqënia e gjithanshme, tek zhvillimi i qëndrueshëm, tek përparimi shoqërorë,
të cilat ose munguan, ose erdhën me pikatore. Kur punët nuk ecnin, shpikeshin
institucione të reja, shpalleshin reforma të shumta, e në se duhej, mbusheshin
edhe burgjet.
Reforma
“në emër të politikës” vazhdon.
Kalimi
në rendin e ri, të ashtuquajtur demokratik pluralist, apo i ekonomisë së
tregut, natyrshëm që kërkoi (edhe kërkon!) reforma të gjithanshme, por a u
kryen ato sipas ligjeve të zhvillimit ekonomiko – shoqërorë apo sipas modelit
ideo - politik ramizist “shkelim në rrugë të pa shkelura”! Më së shumti anoj
nga kjo e dyta. U prish ekonomia e përbashkët, por u kalua ajo në pak duar që
krijuan klasën e re “kapitaliste”, e cila më së shumti nënkuptonte pushtetarët
e rinj (dhe ata të vjetër të konvertuar!), por prona nuk shkoi tek ata që e
krijuan atë me e pa bukë në bark, as tek ish pronarët e vërtetë, as tek ata që
e kishin konceptin e kapitalit e të kapitalizmit. U braktis sistemi ekonomik që
i jepte përparësi industrisë së rëndë e minerare, po a u ndërtua sistemi i
duhur i ekonomisë që ka si promotor industrinë e lehtë dhe ushqimore, turizmin
e bujqësinë? Po koncepti i pasurive kombëtare të paripërtëritshme si mineraret,
apo me cikël të ngadalshëm përtëritje, si pyjet, ç’rrugë mori? Shteti hoqi dorë
nga këto pasuri dhe mirë bëri, por ato u lëshuan në duar të matrapazëve vendas
e të huaj, duke bërë dëme të pallogaritshme.
Koha
e re, përveç shkatërrimit e kalimit në duar të pamerituara të ekonomisë së
përbashkët, bëri edhe shpikje origjinale politike për të “justifikuar” të
ashtuquajturat reforma, si neni famëkeq 24/1, me të cilin hiqeshin nga puna
krejt ata që “i përkisnin të shkuarës” (a thua këta zbritën nga qielli!). Në
thelb, e keqja nuk u luftua, por produkti i saj ndryshoi kahje, e rezultati
mbeti thuajse i njëjti: një ekonomi e deformuar dhe e dominuar nga të njëjtat
motive politico - ideologjike, si në të shkuarën. U shpikën tenderat,
koncensionet, partneritetet publike - private, monopolet e shumë forma të tjera
që rezultatin e kanë të njejtë: niveli i mirëqënies së njerëzve ishte larg asaj
që mund e duhet të ishte, ekonomia ishte e bazuar në “tregëti bananesh” e jo në
prodhimin e qëndrueshëm vendas, më të pasurit në vend janë pushtetarët,
ndërkohë që e vetmja meritë e tyre është shpërdorimi i pushtetit për favore
personale e grupime politike. Në konkluzion, të ashtuquajturat reforma, dje dhe
sot, janë bërë gjithnjë me motive politike, nën maska ekonomike.
Shtrohet
pyetja: A kemi bërë ndonjëherë reforma të vërteta politike që t’u hapin udhë
zhvillimeve ekonomiko - shoqërore drejt barazimit me popujt e qytetëruar e të
zhvilluar të botës? Dyshoj se jo!
Koncepti
“gjithshka i takon fituesit”, ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol frenues, duke
bërë që realisht të sillemi rrotull pa e gjetur asnjëherë rrugën e ritmin e
duhur. Shteti, si dje edhe sot, të bën gjëmën, ndonëse me metoda të ndryshme e
të maskuara, shumica nën emrin “reformë”. Rezultati: rinia ka marrë udhët e
botës, fatkeqësisht pa kthim, duke e kthyer vendin në një “azil” të stërmadh
pleqsh pa shërbime… Për çudi, e vetmja gjë që mbetet “mirë me shëndet” është
qeverisja me të gjitha hallkat e saj. Vazhdojmë të kemi një “parlament” (që për
çudi as emrin nuk e justifikon!) me 140 kukulla të cilëve nuk u mjafton rroga,
por qëndrojnë stoikë prapa përfitimeve pa fund nga të gjitha “vrimat” që vetë i
hapin, ose ka nga ata që u mjafton rroga e flenë në kuvend, pasi as në ëndërra
nuk e kanë parë veten në atë pozitë. Këtyre nuk u duhet të bëjnë asgjë,
përveçse të duartrokasin të madhin e tyre. Kishte (dhe ka patur vazhdimisht)
një studim me vlera nga një institut vendës i pavarur me të dhëna konkrete për
aktivitetin e deputetëve në legjislaturën e fundit, të dhënat e të cilit e
argumentojnë sa thamë më lart, por edhe ngrenë alarmin.
Ne
kemi nevojë vërtetë emergjente për reformë kushtetuese reale, larg atyre që
mbeten kalkulime meskine me prapavijë përfitimet ekonomike e politike, për një
grupim apo klasë të caktuar. Na duhet një kuvend me më pak se 100 deputetë, që
zgjidhen me sistem proporcional kombëtar e me lista të hapura, ndoshta si
fillimi i një reforme të vërtetë, duke hapur udhën për zgjedhjen deputetë të atyre përfaqësues të popullit, që
janë shpirtërisht ajka e kombit e që kombin, atdheun e përparimin e tij e kanë
pasurinë më të madhe, duke lënë në punën e tyre “kooperativistë” pa
kooperativa, barinj pa tufa, intelektualë pa intelekt, shkencëtarë pa diploma,
që ka vite që i kanë uzurpuar ato karrike. Na duhet një President që të
zgjidhet nga populli, e të jetë realisht “me b..le” për të qenë mbi palët, e jo
sistemi aktual që prodhon presidentë “kukulla” në duart e shumicës. Na duhet
një qeverisje ekonomike, e vogël në numër dhe e përcaktuar në kushtetutë, dhe
jo qeveri “plasteline” të cilën e “formaton” sa herë të doje e si të doje
kryeministri, në interesat e tij personale e të grupimeve politike dhe
ekonomike, na duhet një administratë shumë më e vogël në numër, me struktura
dukshëm të lehtësuara e të orientuara në zgjidhjen e problemeve e jo të tilla
që përbëjnë problemin vetë, shumë më e aftë, më e përgjegjshme, më e paguar dhe
e mbrojtur, e jo një thes pa fund, në të cilin fut e nxjerr kë e sa të doje
ministri, kryetari apo…, thjesht për interesa politike dhe si “vegla” të
përfitimeve ekonomike prej tyre. Duhet reformë reale në organet e pushtetit
vendorë, me kompetenca për zgjidhjen e problemeve të të qeverisurve prej tyre,
por edhe me kufizime ndaj abuzimeve që rezultojnë jo më të pakta, as më të
vogla se ato të qeverisjes qendrore. Duhet reformë reale në arsim, ku shteti
s’ka pse merr përsipër kthimin e gjithë popullatës me diploma, por në një
popullatë ku analfabetizmi funksional e real të zhduket e ku universitetet të
orientohen drejt nevojave reale të ekonomisë e shoqërisë, ku degë të tëra,
sidomos në fushën e mësuesisë, por edhe të bujqësisë e industriesë, rrezikojnë
të mbeten shumë shpejt pa specialist. Në shëndetësi, na duhet vërtetë ndarja e
shapit nga sheqeri, nënkupto: e asaj që paguhet nga ajo që sigurohet nga shteti
dhe sidomos dhënia përparësi e fushës së shëndetit publik, sipas parimit “është
më lehtë të parandalosh se sa të kurosh”. Na duhet e çfarë nuk na duhet, por
asgjë s’kemi pse “të shpikim” e të shkelim në “rrugë të pa shkelura”, pasi
rruga në të cilën kemi zgjedhur të ecim është autostradë e shtruar nga bota
prej shume dekadash e shekujsh dhe është më e vështirë, me e ngatërruar me
“kinezërira” shqiptare tipike se sa me e vazhdu atë duke rritur ritmin.
“Ujët
tu u shterr, e njerëzit tu u mbyt brenda”, pati thënë dikush në vitet e
socializmit, në një periudhë kur partia - shtet kishte hapur një fushatë të
madhe të pranimeve të reja në parti, fjalë për të cilën si “shpërblim” pati
bërë edhe ca vite burg. Kështu mund të portretizohet pa asnjë frikë edhe koha e
sotme, vijuese nga e djeshmja. Sot ndoshta nuk bën burg, por në se je intelektual,
të mbyllet çdo derë, në se je nëpunës, të flakin si të pavlerë, në se je
biznesmen, organet tatimore “të mbijnë” në derë… Njerëzit pakësohen, ndërsa
qeveria rritet në numër e majmet. Sot ka fshatra e qytete të mbetura bosh, por
me administratë përgjegjëse, ka shkolla pa nxënës, por ka me mësues që paguhen,
ka qendra shëndetësore që ngrihen e ringrihen, po nuk ka mjekë dhe infermierë,
ka rrugë “të mbetura rrugëve”, që shtrohen e rishtrohen për të mos mundur të
qarkullojnë kurrë normalisht njerëzit dhe mjetet, ka parlament ku vetëm pjesa e
parë ka kuptim (parla), por me pak mend, ka institucione vendore e qendrore,
por as ata vetë nuk e dinë se cili është objekti i punës dhe aktivitetit të
tyre, ka punë, por jo punëtorë, ka votime, por jo zgjedhje, ka zgjedhje, por jo
zgjidhje… Ka e çfarë nuk ka në këtë vendin tonë, a thua jemi Republika e Kinës,
por mungojnë njerëzit, e duket se do të mungojnë gjatë! Kërkohet pra që fjala
“reformë” të kthehet në kuptimin e saj të parë e të vërtetë, pa tjerrje e stërtjerrje
që s’të çojnë askund, por nga kush? A mundet kjo klasë politike të ndërmarrë
qoftë edhe njëherë të vetme një transformim që t’a justifikojë fjalën
“reformë”? Jo!
Pse?
Sepse fjala “reformë” për shumicën e tyre do të thotë humbje e karrikes, e
privilegjeve, sekuestrim i pasurisë së vënë në udhë të paligjshme, e për disa
prej tyre (e këta janë jo pak!) edhe mbyllje në qeli. Ç’të bëjmë? Ndoshta duhet
rilexuar Lenini, pa teorinë leninizmin që e pasoi…
* Intelektual e
studjues, Lezhë