Mendime
Florim Zeqa: Mrekullia vetëm një herë ka zbritur nga qielli për shqiptarët!
E shtune, 14.09.2024, 06:55 PM
Mrekullia vetëm një herë ka zbritur nga qielli për shqiptarët!
Shkruan:
Florim Zeqa
Pas
kërkesave 7 pikëshe të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe shpërndarjes së
pamfleteve luftënxitëse në veriun e vendit, Qeveria e Kosovës duhet të merret
seriozisht e jo ta neglizhojë situatën e krijuar pas konferencës për media të
presidentit serb. Nuk mjaftojnë deklaratat e kryeministrit Albin Kurti në
rrjetet sociale se “Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga
kërcënimet e Serbisë”, etj.
Qeveri të Shpëtimit
Kombëtar për t’i dalë zot vendit
Menjëherë
dhe pa humbur kohë, kryeministri Albin Kurti duhet të thërrasë një mbledhje
urgjente me Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe me forcat politike në vend për
të shqyrtuar ndërmarrjen e veprimeve të duhura dhe të koordinuara me të gjitha
forcat politike në vend, e jo t’i tregojë opinionit se “sa larg është Serbia
nga vlerat demokratike dhe njerëzore!
Për
arsye se Serbia është duke e ashpërsuar fjalorin luftënxitës në Kosovë,
ndërkohë që bashkësia ndërkombëtare është duke qëndruar indiferente ndaj
veprimeve të shtetit serb. Merreni me mend sikur të njëjtën gjë ta bënin
liderët e shtetit të Kosovës, menjëherë do të alarmohej bashkësia
ndërkombëtare, Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të mblidhej urgjentisht për ta
qortuar, e mbase edhe për ta ndëshkuar Kosovën.
Pavarësisht
se kemi garanci mbrojtëse nga faktori ushtarak ndërkombëtar mobilizimi i
forcave të sigurisë së Kosovës dhe krijimi i një qeverie të shpëtimit kombëtar
karshi situatës së krijuar, është i domosdoshëm dhe imperativ i ngutshëm kohor.
Edhe
pse Kosova ndjehet e mbrojtur dhe e siguruar me prezencën e forcave të NATO-s,
assesi nuk bën të neglizhohen kërkesat e Vuçiçit, për faktin se veprimet e
fundit të Qeverisë së Kosovës në veri i kanë dhënë alibi të mjaftueshme Vuçiqit
për realizimin e shpejtë të disa prej kërkesave të parashtruara!
Politika
e gabuar e kryeministrit Albin Kurti, e cila i dëmtojë seriozisht raportet e
shtetit tonë me aleatët strategjik, në veçanti me SHBA-të, e ka trimëruar
Aleksandër Vuçiqin, i cili pandërprerë provokon destabilizim në pjesën veriore
të vendit tonë, duke i paraqitur serbët si “viktima të rrezikuara nga pushteti
në Prishtinë”!
Pas
zhvillimeve të fundit në veri dhe lansimit të 7 kërkesave të presidentit serb,
shumë lehtë mund të ndodhë që agresioni politik i Serbisë të kthehet në veprime
ushtarake, të cilat nuk do të ndaleshin aq lehtë dhe aq shpejtë siç e mendon
një pjesë e politik-bërjes kosovare.
Që
kjo të mos na zë në befasi, duhet mobilizim i përgjithshëm në nivel vendi dhe
bashkërendim i veprimeve i të gjitha forcave politike, qoftë nevoja edhe për
krijimin e një ‘Qeverie të Shpëtimit Kombëtar’, për të shpëtuar atë që e kemi
fituar me gjak dhe sakrifica të panumërta.
Nuk
është koha e thurjes së lëvdatave nga qeveria dhe as e kritikave nga opozita.
Por
është koha unifikimit të faktorit politik dhe shoqërorë në Kosovë në
përballimin e situatave të (pa)pritura, të cilat mund të jenë afër, madje edhe
shumë më afër se që mendohet nga ekspertët e sigurisë shtetërore!
Serbia
nuk do t’na pres derisa ne të mbajmë zgjedhje dhe të konsolidohemi si shtet, sikurse
që nuk do t’na pres derisa ne të forcohemi në aspektin ushtarak dhe ekonomik.
Do të mashtrohemi keq nëse rrijmë duarkryq dhe presim vetëm nga ndërkombëtarët.
Mrekullia
vetëm një herë ka zbritur nga qielli për shqiptarët! (Ak. Prof. Mark Krasniqi)
Arusha
nuk trembet me shoshë o bashkatdhetarët e mi!
Kështu
e shoh unë situatën e krijuar, qofsha gabim në konstatimet e mia!