Mendime
Shpetim Beqiri: Mbrojtja e të Dhënave Personale, dallimet midis Ligjit Shqiptar dhe GDPR
E shtune, 21.09.2024, 06:56 PM
Mbrojtja e të Dhënave Personale, dallimet midis Ligjit Shqiptar dhe GDPR
Nga
Av. Shpetim Beqiri
Në këtë artikull, do të
shqyrtojmë dallimet kryesore dhe rëndësinë e harmonizimit midis Ligjit
Shqiptar për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Rregullores së Përgjithshme
për Mbrojtjen e të Dhënave (General Data Protection Regulation (GDPR).
Të dy këto ligje kanë për qëllim mbrojtjen e të dhënave personale, por në të njëjtën
kohë kanë disa dallime të rëndësishme në zbatimin dhe kërkesat e tyre. Si
fillim dua të theksoj se Shqipëria akoma nuk e ka përshtatur dhe harmonizuar
ligjin mbi të dhënat personale me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të
Dhënave Personale (GDPR) duke bërë të vështirë operimin e kompanive shqiptare
në tregun evropian, të cilët mund te përballen me sfida ligjore deri në gjoba
administrative, gjithashtu mungesa e harmonizimit mund të dëmtojë besimin e
konsumatorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në aftësinë e Shqipërisë për të
mbrojtur të dhënat personale. Dallimi i parë midis ligjit shqiptar dhe GDPR
është fusha e zbatimit. Ligji Shqiptar zbatohet për të gjitha entitetet që
përpunojnë të dhëna personale brenda territorit të Shqipërisë, ndërsa, GDPR
zbatohet për të gjitha entitetet që përpunojnë të dhëna personale të individëve
që ndodhen në Bashkimin Evropian, pavarësisht se ku ndodhet entiteti. Kjo
nënkupton se Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) ka
një gamë të gjerë aplikimi dhe nuk është e kufizuar vetëm në organizatat brenda
Bashkimit Evropian (BE). GDPR zbatohet për çdo organizatë që ofron mallra ose
shërbime për individët në BE. Kjo do të thotë se çdo organizatë, pavarësisht se
ku ndodhet fizikisht, nëse ofron mallra ose shërbime për individët që ndodhen
në BE, duhet të respektojë rregullat e GDPR-së. Për shembull, një kompani
amerikane që shet produkte online për konsumatorët në BE duhet të përmbushë
kërkesat e GDPR-së. Gjithashtu ky ligj
aplikohet edhe për ato organizata që monitorojnë sjelljen e subjektit të të
dhënave personale brenda BE-së, p.sh. nëse një organizatë nuk ofron
drejtpërdrejt mallra ose shërbime, por monitoron sjelljen e individëve brenda
BE-së (p.sh., përmes analizave të trafikut në internet ose përdorimit të
cookies), ajo gjithashtu duhet të respektojë GDPR-në. Në thelb, GDPR ka për
qëllim të mbrojë të dhënat personale të individëve në BE dhe të sigurojë që
organizatat që ndërveprojnë me këta individë të ndjekin standarde të larta të
privatësisë dhe sigurisë së të dhënave. Një dallim tjetër janë Parimet e
Përpunimit të të Dhënave, të dy ligjet theksojnë rëndësinë e ligjshmërisë,
drejtësisë dhe transparencës, GDPR shkon një hap më tej duke përfshirë parimet
e minimizimit të të dhënave dhe saktësisë. Këto parime shtesë ndihmojnë në
sigurimin që të dhënat personale të përpunohen në mënyrë më të përgjegjshme dhe
të mbrojtura më mirë. Në lidhje me të Drejtat e Subjekteve të të Dhënave
Personale ligji shqiptar përfshin informimin, aksesin, korrigjimin dhe fshirjen
e të dhënave, ndërsa GDPR i zgjeron këto të drejta duke përfshirë
portabilitetin e të dhënave dhe të drejtën për të kundërshtuar përpunimin e të
dhënave. Ky parashikim i GDPR synon të
zgjerojë e të rrisë kontrollin e individëve mbi të dhënat e tyre personale dhe
të sigurojë një mbrojtje më të madhe të privatësisë. Persa i përket Njoftimit
për Shkeljet e Sigurisë ligji shqiptar nuk përmban kërkesa specifike për
njoftimin e shkeljeve të sigurisë. Megjithatë, ekzistojnë disa udhëzime për
entitetet e mëdha të përpunimit të të dhënave. Udhëzimi Nr. 47, sipas këtij
udhëzimi, entitetet e mëdha të përpunimit të të dhënave duhet të njoftojnë
oficerin e mbrojtjes së të dhënave për çdo rrezik të shkeljes së të drejtave të
subjekteve të të dhënave. Nëse problemi nuk adresohet, oficeri duhet të
njoftojë Komisionerin. Ndërsa, GDPR kërkon që shkeljet e sigurisë të njoftohen
brenda 72 orëve nga zbulimi i tyre. Kjo kërkesë është e detyrueshme dhe synon
të sigurojë që autoritetet dhe individët të jenë të informuar sa më shpejt të
jetë e mundur për të marrë masat e nevojshme. Njoftimi rrit transparencën dhe
përgjegjësinë e organizatave. Kjo ndihmon në mbrojtjen e të dhënave personale
të individëve dhe në minimizimin e dëmeve të mundshme nga shkeljet e sigurisë.
Dallime të mëdhe midis GDPR dhe ligjit shqiptar i gjejmë në sanksionet dhe
gjobat. Në Shqipëri gjoba më e lartë për shkeljet e ligjit mbi të dhënat
personale është 10,000 deri në 50,000, nësë shkeljet kryhen nga persona
juridikë gjoba dyfishohet dhe mund të arrijë deri në 100,000 lekë. Rregullorja
GDPR parashikon gjoba shumë më të larta, deri në 20 milionë euro ose 4% të
qarkullimit vjetor global. Mendoj se gjobat e larta të GDPR-së janë një hap i
domosdoshëm dhe pozitiv drejt mbrojtjes së të dhënave personale. Në një epokë
ku të dhënat personale janë bërë një nga asetet më të vlefshme, është e
rëndësishme që kompanitë të kenë një përgjegjësi të madhe për mbrojtjen e tyre.
Gjoba të larta jo vetëm që parandalojnë shkeljet, por gjithashtu nxisin një
kulturë të përgjegjësisë dhe transparencës. Gjithashtu, proporcionaliteti i
gjobave siguron që kompanitë më të mëdha, të cilat kanë më shumë burime dhe
potencialisht më shumë të dhëna për të mbrojtur, të mos mund të shpëtojnë me
gjoba të vogla. Kjo krijon një ndjenjë drejtësie dhe barazie në treg. Në lidhje
me përpunimin e të dhënave personale të ndjeshme dhe mbledhjen e tyre, ligji
shqiptar parashikon që pëlqimi i dhënë nga subjekti duhet të jetë i qartë dhe
qe duhet të informohet në lidhje me përpunimin e të dhënave personale. Ndërsa,
GDPR kërkon që pëlqimi për përpunimin e të dhënave të ndjeshme të jetë i qartë,
i veçantë, i informuar dhe i dhënë me vullnet të lirë. Pëlqimi duhet të jetë i
ndarë nga pëlqimet e tjera dhe të jetë i shprehur në mënyrë të qartë, duke
përjashtuar çdo formë të pëlqimit të heshtur ose të nënkuptuar. Mendoj, se
kërkesat për pëlqim të qartë dhe të veçantë për përpunimin e të dhënave të
ndjeshme janë thelbësore për mbrojtjen e privatësisë së individëve. Të dhënat e
ndjeshme kanë potencialin të shkaktojnë dëme të mëdha nëse bien në duar të
gabuara, prandaj është e rëndësishme që mbledhje dhe përpunimi i tyre të bëhet
me kujdes të madh dhe me pëlqimin e plotë të individëve të prekur. Një temë
tjetër e rëndësishme është transferimin e të dhënave personale jashtë vendit,
ligji shqiptar nuk përmban rregulla të detajuara për transferimin e të dhënave
personale jashtë vendit. Kjo do të thotë që nuk ka udhëzime specifike për
mënyrën se si duhet të trajtohen të dhënat personale kur ato transferohen
jashtë kufijve të Shqipërisë. Kjo mungesë e rregullave të detajuara mund të
krijojë pasiguri për kompanitë dhe individët që përpunojnë dhe transferojnë të
dhëna personale ndërkombëtarisht. Nga ana e tjetër GDPR ka rregulla shumë
strikte për transferimin e të dhënave personale jashtë Bashkimit Evropian (BE)
dhe Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE). Sipas GDPR-së, transferimi i të dhënave
personale jashtë BE-së lejohet vetëm nëse vendi marrës siguron një nivel të
përshtatshëm mbrojtjeje. Kjo mund të arrihet kur Komisioni Evropian vendosë që
një vend i tretë ofron një nivel të përshtatshëm mbrojtjeje ose kur transferimi
bëhet në bazë të garancive të përshtatshme, sic janë Klauzolat Kontratuale
Standarde (Standard Contractual Clauses (SCC) të mbrojtjes së të dhënave
të detyrueshme për korporatat. Midis kompanive të së njëtit Grup transferimi
jashtë BE kryehet në bazë të rregullave
detyruese të korporatës (Binding Corporate Rules (BCRs). Këto
janë rregulla të brendshme të miratuara nga një grup kompanish për të lejuar
transferimet ndërkombëtare të të dhënave personale brenda të njëjtit Grup, duke
siguruar një nivel adekuat të mbrojtjes së të dhënave. Për transferimin jashtë
BE ekzistojnë edhe mekanizmat e certifikimit, që do të thotë, Organizatat mund
të marrin certifikata specifike që demonstrojnë përputhjen me standardet e
BE-së për mbrojtjen e të dhënave. Mendoj se rregullat strikte të GDPR-së për
transferimin e të dhënave personale jashtë BE-së sigurojnë një nivel të lartë
mbrojtjeje për të dhënat personale të individëve. Nga ana tjetër, mungesa e
rregullave të detajuara në ligjin shqiptar për transferimin e të dhënave
personale jashtë vendit mund të krijojë pasiguri dhe rreziqe për mbrojtjen e të
dhënave personale. Në Shqiperi Autoriteti Mbikëqyrës për Mbrojtjen e të Dhënave
Personale (Komisioneri) është përgjegjës për mbikëqyrjen dhe zbatimin e
ligjit. Çdo shtet anëtar i BE-së ka një
autoritet mbikëqyrës të pavarur që bashkëpunon me autoritetet e tjera në BE për
të siguruar zbatimin e rregullores. Në rreguloren e BE cdo shtet anëtar i
Bashkimit Evropian ka një autoritet mbikëqyrës të pavarur për mbrojtjen e të
dhënave personale. Këto autoritete janë përgjegjëse për zbatimin e GDPR-së në
vendet e tyre përkatëse dhe për të siguruar që të dhënat personale të
përpunohen në përputhje me rregulloren. Autoritetet mbikëqyrëse në BE
bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të siguruar një zbatim të njëtrajtshëm të
GDPR-së në të gjithë BE-në. Kjo bashkëpunim përfshin shkëmbimin e
informacionit, koordinimin e hetimeve dhe marrjen e masave të përbashkëta kur
është e nevojshme. Në përmbledhje, mund të themi se dallimet midis Ligjit
Shqiptar për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Rregullores së Përgjithshme
për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) janë të dukshme dhe të rëndësishme. Ndërsa të
dy ligjet synojnë mbrojtjen e të dhënave personale, GDPR vendos standarde më të
larta dhe më të detajuara për përpunimin dhe mbrojtjen e këtyre të dhënave.
Harmonizimi sa më i shpejt i ligjit shqiptar me GDPR është thelbësor për të
lehtësuar operimin e kompanive shqiptare në tregun evropian dhe për të rritur
besimin e konsumatorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në aftësinë e Shqipërisë
për të mbrojtur të dhënat personale. Kjo do të ndihmojë në krijimin e një
mjedisi më të sigurt dhe më të besueshëm për të gjithë. Në një epokë ku të
dhënat personale janë bërë një nga asetet më të vlefshme, është e rëndësishme
që të gjitha vendet të ndjekin standarde të larta për mbrojtjen e tyre. Gjoba
të larta dhe kërkesa të rrepta për pëlqimin dhe transferimin e të dhënave janë
hapa të domosdoshëm për të siguruar që të dhënat personale të trajtohen me
kujdesin dhe respektin e duhur. Në fund, një sistem i fortë dhe i pavarur
mbikëqyrjeje, si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, janë çelësi për një mbrojtje
efektive dhe të qëndrueshme të të dhënave personale. Harmonizimi i ligjeve
kombëtare me GDPR do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi dhe në sigurimin e
një mbrojtjeje më të madhe për të gjithë individët.