Mendime
Feti Tunuzliu: Të flaken latinizmat nga Legjislacioni Penal i Kosovës
E merkure, 02.10.2024, 05:56 PM
TË FLAKEN LATINIZMAT NGA LEGJISLACIONI PENAL I KOSOVËS
Nga
Feti Tunuzliu
Shkurtimisht rreth historikut të
fjalëtermave juridike latine
Nga të dhënat e dala prej historisë së
shtetit dhe të së drejtës, përkatësisht të drejtës romake, fjalët dhe shprehjet
e gjuhës latine gjatë rrugëtimit juridik nëpër kohë i kanë rezistuar gjuhëve
dhe kulturave të ndryshme juridike përgjatë 20 shekujve duke u ngulitur nëpër,
norma, rregulla, ligje, praktika juridike vepra juridike teksa i shërbenin
sistemeve të nduarnduarta juridike.
Të shkruara me alfabetin latin, ato
kanë prejardhjen nga e drejta pandekte, përkatësisht nga të ashtuquajtura
Digestat e Justinianit, Codexet e Theodosieut, Institucionet e Gajit (!).
Ndonëse paraqesin një relikt të së kaluarës së largët, fjalët dhe
shprehjet e tilla latine i përgjigjen edhe sot të drejtës përgjithësisht dhe të
drejtës sonë penale (materiale e procedurale) posaçërisht.
Veçoria e këtyre gjedheve latine është
fakti se ato patën këtë jetëgjatësi për faktin se shprehnin në mënyrë të
shkurtër, të qartë dhe të saktë rregulla, fjalë e togfjalësh sikundër në të
drejtën procedurale penale ashtu edhe në degë të tjera të sistemit juridik, siç
janë: e drejta civile, e drejta trashëgimore, e drejta familiare, e drejta
ndërkombëtare private, etj.
E konkretisht në literaturën shqipe
juridike procedurale penale (tekste universitare, komentare, leksikone,
revista, biltene, monografi, artikuj), pastaj në praktikën gjyqësore,
prokuroriale, avokatore, policore në komunikimin profesional e bisedor, kanë
hyrë në përdorim të gjerë fjalët dhe shprehjet juridike latine, të cilat,
lejohen të përdoren.
Ndërsa, në sferën legjislative
është Kodi nr. 08/L-032 i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPK) ai
dokument ligjor i cili përshkohet me fjalë dhe ndërtime të gjuhës
latinishte, gjuhë kjo e vdekur e familjes indoeuropiane e cila flitej nga
romakët.
Procesi i shqipërimit të latinizmave
juridik
Tani le t'më lejohet të ngre
kuintesencën e çështjes për të cilën dedikohen këta rreshta duke theksuar se
për dallim nga literatura e mësipërme juridike procedurale penale, aktin e
përdorimit të gjedheve të huaja jo shqipe në sferën e legjislacionit
procedural penal, në KPPK e quajmë fare të panevojshëm. Pretendojmë fuqishëm
se, ky përdorim fjalësh e shprehjesh latine në legjislacionin penal të gjuhës
shqipe bie ndesh drejtpërdrejt me parimin (postulatin) e gjuhësisë shqiptare:
Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj !
Ndërlidhur me këtë të themi se, për
zëvendësimin korrekt të fjalëve dhe shprehjeve juridike latine përmes
përkthimeve dinjitoze nga gjuha latine në gjuhën shqipe ka ndihmuar
tejkalimi i vështirësive nga njohësit e ndërgjegjshëm dhe solid të gjuhës
latine dhe të literaturës juridike penale, falë sasisë së fjalëve dhe
shprehjeve të gjuhës sonë amtare, gjithnjë duke u përkujdesur për nuancat
kuptimore, për stilin dhe për teknikën e përkthimit.
Këtej, pse të mos thuhet se edhe sot
vazhdojnë të kapërcehen ato sfida sepse përgjegjëset e fushës së juriprudencës
të hedhura në përdorim duke tingëlluar pastër shqip, jo vetëm që objektivisht i
përafrohen, por edhe përkojnë semantikisht me ekuivalentin gjuhësor latin. Në
fakt, duke gërmuar në botën e gjuhës shqipe shumë sosh janë zgjëruar me kuptime
a me ngjyrime të reja kuptimore gjë që është e domosdoshme por edhe e
kuptueshme për t'iu reshtur fjalëve e shprehjeve të gjuhës latine në kuadër të
legjislacionit procedural penal kosovar.
Në këtë proces pastërtie e kthjelltësie
të gjuhës juridike shqipe, s'do mend se përkthyesit mund t'ia dalin në krye
vështirësive edhe në të kuptuarit tradicional edhe në të interpretuarit e
drejtë të fjalëtermave të latinishtes për t'i cilësuar ato të qëndrueshme në
gjuhën juridike shqipe e t'mos ngelin monopol i juristëve profesionist.
Përtej kësaj, edhe kur përdoren si fjalë
e shprehje ndërkombëtare (internacionalizma), ato ndihmojnë sikundër që edhe
lehtësojnë ndjeshëm jo vetëm shfrytëzimin e literaturës së të drejtës së
procedurës penale por edhe komunikimin shkencor e profesional mes penalistëve
zonash nga më të ndryshme gjuhësore.
Latinizimi i panevojshëm i KPPK
Marrë shkas nga lansimi i fjalëve dhe
shprehjeve latine në KPPK, dëshira jonë këtu është të shpalosim dukurinë e
problematikës së përdorimit të panevojshëm të fjalëve e shprehjeve latine mu në
dritën e KPPK. Tutje, të vëmë në pah kritikisht traditën juridike të përdorimit
krejt të panevojshëm të fjalëve e shprehjeve juridike të gjuhës latine në vend
të prurjeve të qarta e të thjeshta fjalësh e njësish frazeologjike me
mbështetje të shëndosh pikërisht në brumin e gjuhës shqipe, duke shtuar se jemi
më se të vetëdijshëm se nuk mund të ekzistojë purizëm gjuhësor në shkallë
absolute.
Madje, fjalët dhe shprehjet juridike të
dala nga fondi i fjalësit, frazeologjisë dhe thënieve latine me të
cilat tërheq vëmendjen konkretisht KPPK, shpërfaqin natyrën e një
paradoksi të llojit të vet. Ç'është e vërteta, ato reflektojnë akt sa të
çuditshëm e të papritur aq edhe të pabesueshëm sepse promovojnë parime
(postulate) themelore procedurale penale dhe e dyta, emërtojnë dispozita të
natyrës procedurale penale. Të tilla latinizma janë: In dubio pro reo; Ne Bis
In Idem; Reformatio in Peius dhe Beneficium cohaesionis.
In dubio pro reo - Legjislatura aktuale
kosovare këtë shprehje latine e ka vendosur në Pjesën e parë (Dispozitat
e përgjithshme), Kapitullin e parë (Parimet themelore dhe përkufizimet) dhe me
te ka titulluar normën e nenit 3 të KPPK që pasohet me tekstin e normës
procedurale penale.
A thua, përse kjo shprehje shkruar në
gjuhën latine të mos zëvendësohej me fjalë nga visari i begatshëm i
gjuhës shqipe kur pa asnji dyshim ka spektër të gjerë fjalësh e shprehjesh
për t'i hedhur ato në qarkullim e për t'i përdorur natyrshëm në jetën
juridike penale përgjithësisht dhe në atë procedurale penale posaçërisht.
Përndryshe, në literaturën juridike
shqipe të së drejtës procedurale penale, shprehja e mësipërme latine (In dubio
pro reo) gjendet e shqipëruar në disa versione të barasvlefshme, p.sh.: Në rast
dyshimi në favor të palës; Çdo dyshim në interes të të pandehurit.
Ne bis in idem – Sikurse shprehja
pararendëse latine, edhe këtë shprehje, përkatësisht princip procedural-penal,
ligjbërësi kosovar e ka vendosur në KPPK, po në atë Pjesë dhe Kapitull si
më lartë, duke e emërtuar me te dispozitën e nenit 4 ku zbërthehet përmbajtja e
emërtimit.
Të njejtin emërtim e ndeshim të
përkthyer në literaturën shqipe juridike procedurale penale përmes togfjalëshve,
p.sh.: Jo dy herë për të njejtën çështje; Ndalimi i gjykimit dy herë për të
njejtën vepër.
Reformation in Peius – paraqet
shprehjen e tretë latine të cilën ligjvënësi kosovar e ka vendosur në KPPK,
tani në Pjesën II (Procedura penale), Kapitulli XXI (Mjetet juridike),
Nënkapitulli III (Ankesat kundër aktgjykimit) dhe me te ka titulluar normën e
nenit 395, normë, ku shprehet përmbajtja e titullit.
Me këtë shprehje latine edhe
proklamohet parimisht pengesa procesuale duke ndaluar zhvillimin e procedurës
së re lidhur me çështjen e njejtë.
Shprehja e sapotheksuar latine
(reformacio in peius) në literaturën shqipe të shkencës procedurale penale,
gjendet e përkthyer, veç tjerash, me sintagmën terminologjike: ndryshim i
vendimit në dëm të palës.
Beneficium cohaesionis – paraqet
shprehjen latine të katërt e të fundit të cilën ligjdhënësi kosovar e ka
vendosur në KPPK në Pjesën dhe Kapitullin e sapocekur, Nënkapitulli III, duke
emërtuar me te normën e nenit 397 e cila zbërthehet në vijim.
E zëvendësuar me leksikun shqip,
shprehja e tillë latine në literaturën juridike procedurale penale shqipe në
pikëpamje semantike do të thot shtrirje e efektit të ankesës apo kërkesës sipas
detyrës zyrtare kundër ndonjë aktgjykimi apo aktvendimi ushtruar nga ana e një të
pandehuri në dobi edhe të bashkëpandehurëve të cilët nuk i kanë bërë
këto.
Neglizhenca e strukturave aktuale
qeveritare e legjislative me rastin e miratimit të KPPK
Referuar kësaj amalgame të fjalëve dhe
shprehjeve sintaksore dhe frazeologjike latine që kanë depërtuar krejtësisht pa
nevojë në tekstin shqip të KPPK, gjykojmë se ato fjalë e shprehje latine duhet
flakur, hedhur në procedurë parlamentare. Mirëpo, paraprakisht pashmangshëm
ngacmojnë vëmendjen këto çështje retroaktive:
si kanë arritur këto fjalë e shprehje
latine të përvijohen në projektin e KPPK që nga njësia më e ulët organizative,
Divizioni për hartimin dhe harmonizimin e legjislacionit i Ministrisë së
Drejtësisë. Për ç'arsye është dashtë të propozohen (madje) si parime
themelore procedurale penale dhe si tituj duke i shkruar në gjuhën latine në
vend se të propozohen si parime themelore dhe tituj duke u shkruar në gjuhën
shqipe.
Është shumë shqetësues fakti se
Departamenti Ligjor (Ministria e Drejtësisë) nuk ka ndërhyrë fare me dhënie
këshillash apo rekomandimesh të duhura, për t'iu shmangur përdorimit të
sajesave të frymës së huaj (latine) në tekstin ligjor shqip të KPPK. Këto
fjalë e shprehje latine, për ç'arsye nuk janë cilësuar të panevojshme kur në
vend të tyre ka patur mjaftueshëm njësi adekuate leksiko-gramatikore në
thesarin origjinal e të pasur të fjalëve, frazeologjisë e të thënieve të gjuhës
sonë amtare.
Tutje, vërejmë me keqardhje se si është
lejuar shkrimi e përdorimi i fjalëve dhe shprehjeve të gjuhës latinishte nga
ana e Komisionit për legjislacion ... (Kuvendi i Republikës së Kosovës).
Mungesa e një përqasjeje aktive nga ky Komision, prandaj, ka pasuar edhe me
mungesë të shkrimit e përdorimit të një ortografie dhe konstrukti
sa më të pastër të gjuhës juridike shqipe në projektin e KPPK. Pra, gjatë
analizës dhe vlerësimit të projektit të KPPK, ky Komision ka dështuar së
parandaluari nxjerrjen jashtë KPPK të fjalëve e shprehjeve të gjuhës latine të
cilat pa nevojë ua kanë zënë vendin fjalëve e shprehjeve që janë pjesë e pandarë
e fondit leksikor e frazeologjik të gjuhës shqipe.
Duke u kthyer dy vite e gjysmë pas,
mësojmë se anëtarët e Komisionit për legjislacion, ... dhe deputetët e
Kuvendit të Kosovës, (në radhë të parë juristët e gjuhëtarët), pra, kishin
zgjedhur heshtjen duke mos artikuluar zërin e ndërgjegjes për ta thyer
këtë heshtje të niveleve të mësipërm që të merren si duhet me këtë çështje e
për ta zgjidhur duke shfrytëzuar visarin autentik e të çmueshëm të gjuhës
shqipe. Duket se këta, nuk e vritnin mendjen për një heshtje të tillë, së
këndejmi shpërfaqën jo vetëm papërgjegjësi të skajshme por edhe dështim serioz
drejt një leksiku të pranueshëm juridik në përgjithësi dhe procedural-penal në
veçanti. Pra, reflektuan shkujdesje fare rreth pastrimit të gjuhës juridike
shqipe nga fjalë e shprehje plotësisht të panevojshme të trashëguara nga gjuha
latine.
Teksti i tillë i KPPK, çuditërisht, ka
kaluar edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës ashtu që është miratuar më 14
korrik 2022 dhe sot e gjithë ditë gjen zbatim gjithandej në kuadër të sistemit
të drejtësisë kosovare.
Pasojat e latinizimit të KPPK
Në përgjithësi, çdo ligj, përkatësisht
kod, sikundër edhe çdo normë apo rregull juridike shkruhet për institucione dhe
qytetarë. Kur bëhet fjalë për qytetarë, këto akte juridike gjithnjë e më shumë
duhet t'i afrohen gjuhës së popullit që qytetarët të njihen me përmbajtjen
kuptimore e tyre. E gjuha juridike latine dhe terminologjia e saj mund të mos
kuptohen fare apo mund të kuptohen fare pak nga ana e turmave të gjëra (popullore).
Pikërisht për shkak të këtyre vështirësive që pamundësojnë njohjen e
mirëfilltë të aktit konkret juridik ato fjalë e shprehje latine të
sipërpërmendura, duhet flakur, hedhur si të panevojshme nga KPPK në mënyrë që
të mos kultivohen tutje në fjalorin legjislativ proceduralo-penal. Përndryshe
mosnjohja e kodit, ligjit, normës, rregullës shkakton pasoja ligjore sepse,
fundja, kjo mosnjohje jo që nuk e fal askend – në njerën anë, por për çdo
shkelje ndëshkon çdo shkelës ligji – në tjetrën anë.
Mbase nuk e teproi nëse e përmendi një
fakt nga përvoja legjislative e shtetit shqiptar: Kodi i Procedurës Penale i
Republikës së Shqipërisë (Ligj nr. 7905, datë 21 mars 1995 i ndryshuar e
plotësuar disa herë), shprehjen latine të tipit Ne bis in idem ka zgjedhë ta
shqipëroi tekstualisht kësisoj: Ndalimi i gjykimit dy herë për të njejtën
çështje (neni 7). Pikërisht ndërlidhur me këtë që sapo u tha, fare në fund,
shtrohet pyetja kureshtare: përse vallë nuk janë shfrytëzuar praktikat
legjislative shqiptare të shqipërimit të latinizmave gjatë procedurës
legjislative të miratimit të KPPK ?