Mendime
Llesh Ndoj: Salianji është në burg, por 'salianizmi' është mendësi
E hene, 30.09.2024, 06:50 PM
SALIANJI ËSHTË NË BURG, POR “SALIANIZMI” ËSHTË MENDËSI
Nga
Llesh Ndoj
Nuk
ia uroj burgun askujt, as atyre që përkrahin tezën arkaike “burgu për burra
është!” Në kohët kur jetojmë edhe kjo tezë është përbuzur fort, aq sa ajo është
bërë e pakuptimtë. Në kohët e sotme, në burg nuk po shkohet më për gjëra që
“s’ia vlen më liria”, por për vjedhje të pështira, për shpifje, për
fallsifikime dokumentash, për prostitucion, shpërdorim pushteti e të tjera
kategori si këto, që hyjnë jo tek burrnia kurrsesi, as tek pamundësia për të
jetuar si njeri në se nuk e kryen veprimin që ligji e dënon, por thjesht janë
vese njerëzore, të cilat para se të dënohen me burg, duhen dënuar me izolim e
përbuzje nga shoqëria. Nganjëherë burgu, për veprën e vjedhjes e të
korrupsionit shtëtërorë më përfitime të mëdha ekonomike bëhet kategori
“burrnore”, e tillë që thuhet se “ia vlen” t’a bësh, pasi masa e dënimit është
e vogël e nuk shoqërohet me masa të tjera shoqëruese si konfiskimi i pasurisë,
ose heqja e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike, apo profesioneve të
keqshfrytëzuara për të vjedhur. Unë do isha që kësaj kategorie t’i rëndonin më
shumë masat e karakterit “dytësorë” si më sipër, se sa burgu! Të bësh 1, 2 apo
pak më shumë vite burg, ndërkohë që me vjedhje ke siguruar jetesën tënde e të
familjes përgjithmonë, është e drejtë që të quhet “burrni”…, ndërkohë që disa
vepra të tjera si shpifja, sajimi i fakteve të gënjeshtërta, vetëm për të
dëmtuar kundërshtarin etj, janë kategori që duhen shpërfill më shumë se duhen
dënuar, si kategori që e shvleftësojnë jo burrninë, por edhe normat njerëzore
dhe shoqërore.
Salianji,
tashmë ish - deputet i Kuvendit të Shqipërisë, u dënua pas një kalvari
gjashtëvjeçar dështimesh të drejtësisë, për t’i dhënë secilit atë që meritonte
dhe në masën që e meritonte. Sikur të mos mjaftonin kaq shumë angazhime e orë
pune të organeve të drejtësisë (jo për fajin e Salianjit, por për paaftësinë e
saj!), ky episod për gjashtë vite dominoi skenat parlamentare, angazhoi
deputetët e grupimit politik të cilit i përkiste ai, solli protesta e trazira
të zhurmëshme e plot dëme të parikuperueshme. Madje kjo levizje vazhdon edhe
tash, e ka gjasa të vazhdoje gjatë si “kauzë e pakauzë” e të njëjtave skena,
vetëm pa Salianjin në kuvend, në ekranet e pështira televizive ku “shkëlqen”
klientelizmi, servilizmi, mediokriteti etj. Nuk më gëzon e keqja ndaj askujt,
por më dhemb e keqja që vjen nga veprimet e gjithkujt, sidomos atyre që janë të
mandatuar apo të emëruar për të ndikuar për të mire, në jetën publike të
njerëzve dhe që bëjnë të kundërtën me veprimet apo mosveprimet e tyre, për më
tepër të atyre që ne “barkthatët” u japim edhe “kafshatën e fundit”, vetëm e
vetëm që ata të jenë të lirë për ta kryer detyrën e tyre. Pa folur pastaj për
mendësinë tonë që “s’duam asgjë, veç ju (ata) të jeni mirë”, apo “marrsh nga
ditët tona” (na marrshin të keqen!), etj. Pra, dënimi i Salianjit nuk më
hidhëron, ndonëse ndjej keqardhje, sidomos për moshën e për faktin se ai është
viktimë e mendësisë “salianiste”, as më gëzon, por as nuk më thotë gjë që
situata në këtë vend pas kësaj, do të bëhet më e mirë. Pse?
Salianji
është thjesht një individ, që ndoshta në kushte normale as që duhej të njihej
prej shqiptarëve, përtej familjarëve, shokëve e miqve dhe një rrethi të ngushtë
shoqërorë. Ai dhe shumë të tjerë, jo vetëm në PD, por edhe në PS e në
dreqpartitë tona të pafundme, nuk janë modelet që duheshin promovuar në kushte
normale demokratike, pasi janë nën mesataren e shoqërisë në shumë aspekte, por
shquhen, ndoshta, pikërisht në aftësinë, që për partinë e drejtuesin e saj
“japin edhe jetën”, e kujtdo që s’është si ata, t’i thurin çdo lloj rrjete
fjalësh, akuzash, shpifjesh të pështira e me mjete aspak njerëzore, mjafton që
lider(r)i t’i evidentojë e t’i mbaje ata në “oborrin” e pushtetit të tij
kriminal. Salianji është personi tipik i mendësisë “sali-aniste”: kujtoni
ngjarjet në selinë e PD-s, krahasoni me protestat poshtë ballkonit në rrugën e
“shpresës së bjerrun”, apo në s(t)allën e kuvendit e kudo. Salianji nuk është
në shoqërinë shqiptare një individ, por një mendësi që meriton të thirret
sali-anizëm, mendësi e cila nuk i përket vetëm asaj partie politike (ndoshta e
përdor pak më shumë ajo!), por edhe PS – së e partive fantazma me kryetarë të
përjetshëm, disa dhe familjare, që kanë mbirë si kërpudha në trupin e kalbur të
demokracisë sonë “sui generis”. Jo për ekulibër fjalësh, por ky fenomen vërehet
edhe majtas, me të vetmin ndryshim se këta, të mbingarkuar nga pushteti i
tepërt, hanë veten e mendësia salianiste e fabrikimit të gjërave të paqena,
zhvillohet brenda llojit. Ka shembuj plotë, por rasti i dashuri - urrejtjeve me
të ashtuquajturin tigër (prej letre), disa herë ministër në ministritë kyçe, që
administronin llokmat më të ëmdha qeveritare, e deri zëvendëskryeministër
fuqiplotë, apo në kokën e reformës në shëndetësi, sot është në burg, me ish -
ministra e kryetar të bashkive tashmë të abandonuar, janë tipike. Jo se Saliu
mbetet pas! Kujtoni ish - presidentin Bamir Topi, që u shndërrua me katapultin
e tij mendorë, në “horr” e ish - kryeprokuren Rama, që përnjiheri “kaloi
ylberin” e u shndërrua në “lavire bulevardi”, apo ish - kryetarët kukulla të PD
- s, Selami e Basha. Kujtoni marrëdhënit dashuri – urrejtje - krim me Metën, po
të doni. Merrni, po të doni, edhe dashuri - urrejtjet me amerikën e largët,
Anglinë, Greqinë e Europën demokratike. Ashtu si i ngriti në qiell për t’u bërë
i besueshëm në udhën e konsolidimit të pushtetit të vet jodemokratik, ashtu
edhe “i dërmoi” me grusht të hekurt kur ata ia “çjerrën” maskën. Edhe në “të
majtë” shpifin e fabrikojnë sa të duash, bile dy herë: herën e parë duke i
dhënë grada e merita të pamerituara individëve pa personalitet, për t’i ngritur
në detyrë, e herën e dytë për t’i “zhytur” ata në llumin e vet e për t’i
vërtetuar elektoratit se “janë ata, jo ne” të tillë. Rilindja e ka përdor
masivisht këtë për “blerjen e kundërshtarëve”, fillimisht duke i “pompuar” deri
në qiell për merita, që vetë ata “s’i kishin parë as në ëndërrat e tyre më të
diellta”, e pastaj për t’i mohuar krejt “si trupa të sëmurë” në organizmin e
shëndoshë të qeverisjes socialiste. Salianizmi ka baza të hershme në shoqërinë tone,
e nuk i përket vetëm kësaj periudhe. Kujtoni me radhë ngritjen e goditjen me
shpatën e mprehtë të udhëheqësit të kohës të “grupeve armiqësore” në ekonomi,
kulturë, ushtri e kudo! Nuk mund të harrohet Mehmeti legjendë e Mehmeti
poliagjent, e kështu me radhë, Balluku, Ngjela, Paçrami, Theodhosi etj. Kujtoni
“vllazëritë” e shpifura me jugosllavët, rusët e kinezët që u shndërruan brenda
natës në armiqësi të përbetuara, vetëm për të ruajtur lulëzimin e pushtetit
personal të njëshit.
Kjo
mendësi, salianizmi, do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Salianji e siguroi
“truallin e begatë” për të, edhe të paktën për 1 - 2 vjet. Tani ka ngritjen e
kurbës, për të kulmuar si flamur i rremë për vota, në fushatën e ardhshme
elektorale e vazhduar, besoj unë, me një kurbë rënëse si justifikim i humbjes
së pritshme të forcës politike të cilës ai i përket. Edhe majtas kjo periudhë
është “shtrat” i rehatshëm, për të ulur e ngritur jesmenë në prag të fushatës e
pas saj. Veçse pa zhurmën e zhvillimeve qendrore se salianizmi është prezent
edhe në bashkitë e shumta, sidomos ato të mëdhatë, e kudo pasi nuk është
aksident, por mendësi e të dashuruarit pa kusht dhe të luftuarit pa skrupuj
moral, në përputhje me humorin e “liderëve”!
Si
mendësi popullore, ajo gjen shprehjen e vet më të plotë tek thënia: “Me e pas
t’a presin, mos me e pas t’a ngjesin”, ndërsa në luftën “e ftohtë” për pushtet,
ku është përdorur si armë më efektive dhe më e paskrupullt, duke shkelë me
këmbë edhe rregullat e luftës “së nxehtë”, materializohet në shprehjen: “O me
ne, o kundra nesh, rrugë të mesme nuk ka!” Hapja e shoqërisë shqiptare, të
shikuarit e vetvetes para të tjerëve, të shijuarit e fryteve të djersës së
punës e meritës, jo të mekanizmave të pafe, që s’njohin as Krisht as Muhamed,
as Baba, as…, të pranuarit e tjetrit me të mirat e të këqijat që ai manifeston,
apo edhe “të luftuarit” kundra tij me mjetet e njohura e brenda rregullave të
përcaktuara demokratike të shkruara ose jo, ndoshta mund të jetë çelësi që kjo
mendësi të venitet në vijimësi. Por një realitet i tillë, fatkeqësisht, duket
utopi në këtë vend, ku të gjithë e gjejmë më të lehtë me i hap udhën të keqes
që merr dhenë, e askush nuk kujdeset për ta kultivuar të mirën, që kërkon mund
e djersë e shumë kohë të dominojë.
Salianji
është në burg, viktimë e kohës së vet. Edhe Saliu është as i lirë, e as i
dënuar, atje në ballkon, por salianizmi është i lirë, sepse ai ka ardhur para
Saliut e Salianjit, e në se nuk merret seriozisht, rrezikon të mbetet gjatë në
shoqërinë tonë.
Llesh Ndoj, Intelektual e studjues
Lezhë, fundshtatori 2024