Mendime
Arben Kallamata: Edi Rama - Diktatoruc i konfirmuar
E enjte, 26.09.2024, 06:58 PM
Nga Bujar Kapexhiu
Diktatoruc i konfirmuar
Nga Arben Kallamata
Kur
dëgjon se Rama po mendon të krijojë një SHTET bektashi në Shqipëri, dy gjëra të
venë në mendje, ky njeri ose është krejt i çmendur, ose tallet. Por shpejt
kujtohesh se këto të vijnë në mendje me çdo gjë që bën Kryeministri i
Shqipërisë. Pastaj të kap trishtimi, sepse cilado prej tyre të jetë e vërtetë,
ose edhe sikur asnjëra prej tyre të mos jetë e vërtetë, ti e kupton se
Shqipëria ka rënë përsëri në diktaturë, pas tridhjetë vjetësh ajo është kthyer
aty ku ishte në vitin 1985, pavarësisht se forma e ushtrimit të pushtetit
absolut është e ndryshme.
“Deri
tani, thotë Z. Rama, që vetë është katolik jo praktikan, vetëm disa nga
ndihmësit e tij më të afërt kanë dijeni për planin…” shkuran Endru Higins për
Nju Jork Taims, në raportimin e 21 Shtatorit të titulluar “Shqipëria planifikon
një shtet të ri musliman brenda kryeqytetit të saj”.
Plani
për krijimin e një shteti fetar brenda kryeqytetit është paraqitur si ide vetjake
e Ramës, e pabazuar në ndonjë kërkesë të shoqërisë shqiptare, e pa konsultuar
me asnjë forcë politike, duke përfshirë këtu edhe partinë e kukullave që
drejton vetë ai, e pa votuar në asnjë referendurm apo plebishit popullor, e pa
mbështetur në asnjë nevojë ekonomike, politike, apo shpirtërore të ndonjë
shtrese, le më pas të shumicës apo të gjithë popullsisë së Tiranës a
Shqipërisë. Është thjeshtë ideja e një njeriu që e sheh veten si diktator,
sundues të vetëm, të madh, të pavdekshëm, të pagabueshëm, i cili, për çudi, ka
arritur në një çast historik kur mendon se diktatorllëkun e vet mund t’ua shesë
pa vështirësi edhe vendeve që mburren me sistemet e tyre demokratike.
Ideja
e krijimit të një mikro-shteti fetar brenda kufijve të kryeqytetit të një
shteti laik nuk është origjinale e Udhëheqësit të Lavdishëm dhe të Pagabueshëm
Edi Rama. Një tjetër “udhëheqës i madh”, një tjetër diktator i ka paraprirë
atij. Në 11 shkurt 1929 Benito Musolini, Kryeministër i Italisë i hapi rrugën
një monstruoziteti të tillë duke nënshkruar Traktatin Lateran në bazë të të
cilit Mbreti Viktor Emanueli III pranonte themelimin e Shtetit të Qytetit të
Vatikanit nën drejtimin e kryetarit të tij Papës Piu XI.
Musolini
kishte shtatë vjet që kishte hipur në pushtet dhe gjente një mënyrë për
konsolidimin e pushtetit të tij absolut në një nga fuqitë më të mëdha ekonomike
të kohës dhe për të siguruar përkrahjen e qindra milionë katolikëve në botë.
Edi Rama ka 11 vjet që i ka hipur kalit mbrapsht në një vend të vockël të
Ballkanit dhe duket se ka gjetur një mënyrë për të shpallur statusin e tij si
diktatoruc dhe për t’u marrë si i mirëqënë në këtë status nga diplomacitë e
shteteve të mëdha që mesa duket nuk e vrasin më mendjen fare se çfarë sistemi
politik apo shoqëror, çfarë statusi mendor apo psikologjik e sundon ai atë një
pëllëmb vend me popullsi të përgjysmuar.
Për çfarë i duhet Edi
Ramës një shtet bektashi në mes të Tiranës?
Vështirë
të përcaktosh se si veprom mendja diabolike e një diktatori, qoftë ky i
përmasave minimale si Edi Rama. Sidoqoftë, një nga përfitimet tashmë është
shprehur në pasqyrimin që i është bërë idesë së tij, domethënë që shtypi dhe
ndoshta opinion diplomatik në Perëndim e merr si të mirëqenë statusin e tij si
diktatoruc i Shqipërisë dhe nuk iu bëhet shumë vonë për këtë. Është, si të
thuash, një miratim i heshtur për kalimin e Shqipërisë nga një demokraci me
zgjedhje të lira në diktaturë absolute, ku një dorë e fortë ideon dhe përcakton
ecurinë e vendit.
Për çfarë i duhet botës
një shtet bektashi në Tiranë të Shqipërisë?
Për
hiç asgjë. Veçse për ndonjë humor të rastit, për botën nuk ka pikë rëndësie se
ç’bën një vend pa pikë rëndësie me një pjesë të besimetarëve të vet. Për botën
nuk ka pikë rëndësie nëse Rama iu jep besimtarëve të vet statusin e shtetit,
mbretërisë apo edhe perandorisë.
Për
çfarë iu duhet besimtarëve bektashij të Shqipërisë një shtet brenda kufijve të
Tiranës? Po të nisesh nga lajmet në përgjithësi, besimtarët bektashinj dhe
baballarët e teqeve në Shqipëri as që duhet të kenë dijeni se çka bluajtur
kryegjyshi i tyre Mondi me Kryeministrin Edi Rama. Ndoshta k-gjysh Mondit mund
t’i guduliset sedra personale me një status të ri. Mbase atij vetë mund t’i
shtohen edhe të ardhurat duke qenë edhe k-gjysh dhe k-ministër i një entiteti
sado absurd që të jetë ai. Megjithatë, vështirë të thuash që ideja e një
mikro-shteti bektashi pajtohet me parimet e fesë bektashjane, pavarësisht se
përgjigjen përfundimtare për këtë mund ta japin vetëm teologët bektashjanë.
Çfarë i duhet
shqiptarëve një shtet bektashi në Tiranë?
Absolutisht
për asgjë. Shqiptarët nuk po bëjnë dot një shtet, le më pastaj të bëjnë edhe
një tjetër brenda tij. Sidoqoftë, Edi Rama mund ta shesë idenë si një marifet
interesant për të promovuar turizmin, por nuk mund të fshehë idenë që në këtë
rast ai po vepron si diktator absolut.
Pyetja
e vërtetë në këtë rast është: A mund ta përballojnë shqiptarët “luksin” e
lidhjes së fatit të tyre me një diktator të ri? Nga historia dihet se
diktatorët e shfrytëzojnë vendin e tyre ose deri në vdekje, ose derisa gjindet
dikush apo diçka që i heq qafe. Musolini, diktatori që krijoji Shtetin e
Qytetit të Vatikanit brenda kufijve të Romës përfundoi i varur me kokë poshtë.
Sadam Huseni, diktatori i Irakut, përfundoi në një vrimë nën tokë. Kadafi
hëngri plumb pas qafe. Noriega dhe Milosheviçi i kaluan ditët e fundit të jetës
të sëmurë nëpër burgje. Por, që të arrinin deri aty ku arritën ata i sollën
popujve të tyre me qindra-mijëra viktima luftrash idiote, shkatërrim ekonomik
dhe mjerim, i sollën trauma të vërteta shoqërore që nuk harrojnë lehtë. Lidhjet
e forta me diktatorët janë gjithmonë në dëm të popujve që i krijojnë. Edi Rama
mund të arrijë të mbijetojë si diktator për sa kohë të jetë gjallë, por, ashtu
si edhe nga paraardhësi i tij enver hoxha, Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk ka
për t’iu ardhur asgjë e mirë. Atij mund të vijë dita edhe të rrëzohet, ndoshta
edhe me dhunë, siç janë rrëzuar shumë të tjerë, pavarësisht përkrahjes që iu
është dukur se kanë pasur nga Perëndimi. Por këtë rrëzim, të dhunshëm apo jo,
është më mirë t’ia sjellin vetë shqiptarët, sepse po iu la në dorë të huajve,
ata e bëjnë pa shumë konsideratë për atë që ata e quajnë “collateral damage”.
Edi
Rama tashmë e ka konfirmuar veten si diktator. Është koha që shqiptarët të
fillojnë të mendojnë seriozisht për heqjen e tij.
https://www.facebook.com/benkallamata