Mendime
Florim Zeqa: Nuk ka vota pa përfshirjen e mërgatës në listat zgjedhore!
E hene, 07.10.2024, 05:50 PM
Nuk ka vota pa përfshirjen e mërgatës në listat zgjedhore!
Shkruan:
Florim Zeqa
Mërgimtarët që vrapojnë pas eskortave politike,
pas liderëve shtetërorë dhe partiak, pas përfundimit të zgjedhjeve do të
harrohen nga të njëjtit sikur të mos i kishin parë asnjëherë!
Këto parti politike dhe këta liderë që e harruan
mërgatën pas çlirimit, do ta harrojnë edhe pas këtyre zgjedhjeve!
Lehtë harrohet buka e
mërgimtarëve
Mërgimtarë
të cilët më së shumti harxhojnë kohë e mund, shpenzojnë mjete financiare dhe
sakrifikojnë më së shumti për t'i pritur dhe përcjellur në aeroporte
politikanët e Kosovës, do të jenë të parët që do të harrohen nga ta!
Ikja
e elektoratit të partive politike në shtetet evroperëndimore, ka bërë që të
gjitha partitë politike pa dallim pushtet dhe opozitë, ja kanë mësyer mërgatës
shqiptare të Kosovës me qëllim të grumbullimit të sa më shumë votave për
forcimin e pozicioneve të tyre politike.
Liderët
e partive politike, sikurse qytetarëve të Kosovës ashtu edhe mërgimtarëve gjatë
fushatës zgjedhore ju premtojnë përmbushjen e të gjitha kërkesave dhe zgjidhjen
e të gjitha problemeve!
Sikurse
në të kaluarën, edhe tani partive politike nuk ju intereson kualiteti i
pjesëmarrjes, por kuantiteti i pjesëmarrjes së mërgimtarëve nëpër tubimet e
tyre, që i bie, qëllimshëm harrohen veprimtarët më të devotshëm të çështjes
kombëtare, e në veçanti veprimtarët e viteve të '90-ta, ata të cilët e kanë
mbajtur gjallë jetën dhe shtetin paralel të Kosovës përgjatë viteve të okupimit
klasik të Serbisë!
Pse nuk ftohen në
tubimet e partive politike veprimtarët dhe intelektualët?!
Nuk
ftohen për faktin se veprimtarët e viteve të '90-ta dhe intelektualët e
kalibrit nuk i thonë të zezës e bardhë dhe anasjelltas, por i thonë gjërat
ashtu siq janë dhe i nxjerrin në sipërfaqe të gjitha problemet e mërgatës.
E
pikërisht kjo, iu bëhet pengesë politikanëve dembela dhe karrierist, të cilët
nuk duan të merren me mërgatën pas zgjedhjeve, por duan që atyre t'ua grabisin
vetëm votën për t'i harruar menjëherë pas zgjedhjeve!
Sikur
të ishte ndryshe, secili subjekt politik do të interesohej për përafrimin rreth
vetes të vlerave të mërgatës sonë. Kjo nuk ndodhë për faktin se intelektualët
mërgimtarë ngrisin çështje madhore, e dihet, që çështjet madhore kërkojnë mund
e sakrifica për t'u zgjidhur!
Këtë
që e themë dëshirojë ta ilustroj me një shëmbull personal. Nga viti 2011 e
këndej, nuk ka qeveri dhe as ministër të diasporës që nuk Ju kam drejtuar me
kërkesën për hapjen e Konsullatës së Republikës së Kosovës në pjesën veriore të
Italisë, por asnjëri prej tyre nuk e ka marrë mundin të merret me këtë temë
jetike për mërgimtarët!
Dhe,
për ironi të faktit, asnjëri prej tyre as përgjigje nuk më ka kthyer, e lerë më
të merret me çështjet e ngritura nga unë!
Partive politik nuk ju
intereson mërgata, ju intereson vota e tyre
Për
të kuptuar se vërtetë partive politike dhe politikanëve kosovarë në përgjithësi
nuk ju intereson mërgata, mjafton t'i shikoni listat zgjedhore. Asnjëra nga
partitë politike nuk e ka prioritet përfshirjen e intelektualëve nga mërgata në
listat e tyre zgjedhore!
Meqenëse
tani me ligjin e ri për zgjedhjet, çdo votues ka të drejtë t'i votoj 10
kandidat në listë, pse partitë politike kosovare nuk i vendosin në listat e
tyre prej 110 kandidatëve së paku 10 kandidat nga diaspora, në mënyrë që mërgimtarët
t'i votojnë kandidatët apo përfaqësuesit më besnik që i mbrojnë interesat e
tyre në Parlamentin e Kosovës?!
Logjika
e të menduarit pozitiv e thotë të vërtetën, që më mirë është për mërgimtarët
t'i votojnë përfaqësuesit e tyre për Parlamentin e Kosovës sesa kandidatët e
deritanishëm apo anonimët të skenës politike kosovare!
Unë
e thashë 10 kandidat, por secilit subjekt politik do t'i bënte nder që në
listat e tyre zgjedhore t'i kenë më shumë se aq, pse jo 20, 30 apo më shumë
kandidat, për faktin se vetëm kështu do të shfrytëzohej truri kombëtar i
Diasporës dhe do të freskohej Parlamenti i Kosovës.
Pjesëmarrja
e mërgatës përveq në listat zgjedhore të partive politike duhet të jetë edhe në
aspektin diplomatik, respektivisht të përfaqësimit të elitave intelektuale të
mërgatës nëpër përfaqësitë diplomatike në shtetet evro-perëndimore, gjegjësisht
në Ambasada dhe Konsullata të Republikës së Kosovës, ngase askush më mirë se
vet mërgimtarët nuk i kupton problemet e bashkatdhetarëve në emigracion.
Vetëm
në këtë mënyrë do të kthehej besimi i vërtetë i mërgatës dhe do të rriteshin
investimet kapitale të bizneseve të shumta të mërgimtarëve në vendlindje. Nuk
mjaftojnë spektaklet televizive me kinse pritjen e mërgatës në vendlindje.
Mërgatës duhet dhënë më shumë mundësi dhe hapësirë veprimi për të mirën e
shtetit.
Mërgata
nuk është më si parë kur nuk kishim shtet në vitet e '90-ta, tani gjërat kanë
ndryshuar. Mërgata ka filluar të vetëdijësohet dhe të mendoj seriozisht për të
ardhmen e saj në shtetin e Kosovës. Ndryshe, mërgata më nuk do të jepë për
shtetin pa marrë diçka në këmbim nga shteti! Dhënja e mundësive të mërgatës në
përfaqësim zgjedhor dhe diplomatik do ta shtonte dashurinë për shtetin dhe
interesimin për kthim të mërgimtarëve në vendlindje.
Florim Zeqa
03.10.2024