Mendime
Enver Bytyçi: Pse veriu i Shqipërisë është rajoni më i varfër i Europës?
E enjte, 03.10.2024, 06:58 PM
Pse veriu i Shqipërisë është rajoni më i varfër i Europës?
Nga
Enver Bytyçi
Sipas
Eurostat veriu i Shqipërisë, së bashku me rajonin e Vanit në Turqi, janë dy
zonat më të varfëra të Europës. Nuk ka varfëri më të madhe sesa në veri të Shqipërisë.
Nuk gjendet asnjë rajon I tillë në Kosovë, në Moldavi, në Bjellorusi e as në
vetë Rusi dhe Ukrainë të përfshira në luftë.
Kjo ndodh me veriun e Shqipërisë, I cili i jep vendit, pra rajoneve më
të pasura të tij, 90 përqind të energjisë elektrike dhe minerale të shumta për
eksport.
Nëse
Vani i Turqisë është një rajon i varfër, kjo ndodh për shkak të mungesës së
resurseve të atij rajoni. Por nuk ndodh në asnjë vend të Europës që një zonë
t’i japë shtetit e vendit të tij gjithë ato resurse e pasuri dhe vetë të
katandiset në rajonin më të varfër në kontinent. Ndodh vetëm në një vend si
Shqipëria, ku zhvillimi i pabarabartë është strategji shpopullimi dhe spastrimi
etnik. E gjitha për shkak të politikave të rilindjes dhe agjendës së saj për
shkretimin e zonave veriore të vendit.
Rilindja
merr nga veriu i Shqipërisë të ardhura të jashtëzakonshme. Madje i grabit ato
përmes aferave korruptive, deri te shitblerja me çmime më të ulëta se tregu të
energjisë elektrike. Ndërkaq investimet e saj në veri janë zero. Banorët e
veriut vuajnë edhe për investime elementare. Për një rrugë ose rrugicë për të
lehtësuar transportin. Për ujin e pijshëm, megjithëse ujë ka me shumicë. Për
rrjet energjitik të sigurt. Për donacione në bujqësi e madje edhe për hapjen e
një kanali vaditës të domozdoshëm për rritjen e prodhimit. Për pasojë
vështirësohet jeta e banorëve të tij. Vështirësohet kujdesi arsimor e
shëndetësor, shtohet papunësia dhe ulën të ardhurat.
Qeveria
e Rilindjes në 12 vite në pushtet ka investuar katër-pesë herë më pak për një
banor në veri sesa në jug të vendit. Dhe kush beson se kjo ka ndodhur për
pakujdesi, ai është naiv i lindur. Ka ndodhur për shkak të agjendës së
Rilindjes për shpopullimin e veriut. Në konceptin e rilindasve veriorët
(malokët) janë njerëz të “pagdhendur”, “të pabindur” ndaj pushtetit e për
pasojë ata duhen asgjësuar fizikisht nëpërmjet spastrimit krahinor. Asgjësimi
realizohet përmes metodës së njohur serbe të elaboruar nga akademiku Vasa
Çubrilloviç, pra varfërimit të popullsisë. Skemat serbe të shpërnguljes së
shqiptarëve në Kosovë tashmë prej 12 vitesh zbatohen në veriun e Shqipërisë.
Eurostat
e konfirmon plotësisht këtë të vërtetë të pamohueshme! Prandaj dhe duhet
reagim. Jo thjesht protesta e mosbindje civile. Por presion për politika të
zhvillimit të barabartë të Shqipërisë e për luftë kundër diskriminimit
krahinor. E nëse ky presion nuk bën punë, atëherë duhet një lëvizje për një
autonomi ekonomike e financiare të veriut të vendit. Modele për këtë ka shumë
në Europë. Me rëndësi është që rajoni më i varfër I Europës të përpiqet vetë e
të gjejë modelin më të mirë për zhvillim e progres.