Mendime
Florim Zeqa: Skandali i "kryezotit" të hetohet nga Prokuroria Speciale!
E enjte, 10.10.2024, 05:44 PM
Skandali i "kryezotit" të hetohet nga Prokuroria Speciale!
Shkruan: Florim Zeqa
Mbyllja para
kohe e thirrjes publike ndaj qytetarëve për aplikim për subvencionim për
pajisjet efiçiente për ngrohje nga ana e kryeministrit, përveçse paraqet
shkelje ligjore është edhe fyerje ndaj qytetarëve të cilët nuk trajtohen në
mënyrë të barabartë nga shteti i tyre, në këtë rast nga 'Qeveria e Kosovës'!
Skandal
që ka mjaft argumente të hetohet nga Prokuroria Speciale
Vendimi
i "kryezotit" Albin Kurti që të mbyllet para kohe thirrja publike
ndaj qytetarëve, ka ngjallë shumë dyshime tek këta të fundit për abuzim me
listën e përfituesve, siç ka ndodhur paraprakisht me të gjitha konkurset dhe
tenderët, pa ju dhënë mundësi konkurrimi të gjithë të interesuarve!
Mbyllja 6 ditë para kohe e thirrjes
publike, të cilën mund ta quajmë 'Konkurs Publik' për subvencionimin e
efiçiencës së energjisë, i mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian, është dashur
të zbatohet në përpikëri nga Ministria e Ekonomisë, përfshirë afatet kohore, të
cilat janë esenciale për qytetarët e vendit, kur dihet se jo të gjithë
qytetarët kanë qasje në rrjetet sociale dhe përcjelljen e trukeve të qeverisë.
Privimi 6 ditë para kohe i qytetarëve nga
e drejta për aplikim është shkelje e rëndë ligjore, me të cilën duhet të merret
Prokuroria Speciale, pasi kjo ngre dyshime të bazuara që përfituesit e
subvencionimit për pajisjet efiçiente për ngrohje janë militantët dhe
anëtarësia partisë në pushtet e jo edhe qytetarët me bindje dhe përkatësi
tjetër partiake.
Mbyllja 6 ditë para kohe e një konkurrimi
të hapur publik, është e njëjtë sikur ta mbyllësh një proces zgjedhor 6 orë
para kohe!
Që i bie, nuk ka rëndësi kush kandidoi
fituesit i përcaktojmë ne, të tjerët le t'i bien kavallit e të ëndërrojnë për
vitin tjetër!
Ky mentalitet qeverisës të kujton kohën e
sistemit të kaluar monist, në kohën kur hapeshin konkurset për vende të punës,
njerëzit (e pushtetit) ishin duke punuar. Pra, konkursi hapej sa për sy e faqe,
për të mbuluar abuzimet me konkursin. Ngjashëm ka bërë edhe kryeministri apo
siç e quajta në fillim "kryezoti" i shtetit të kapur, i cili nuk
përfill rregulla dhe ligje në këtë vend.
Arsyetimet absurde të Qeverisë, "se
Komisionet për vlerësimin e aplikacioneve kanë filluar punën e tyre të procesit
të verifikimit të aplikacioneve dhe dokumentacionit të nevojshëm" pa u
mbyllur aplikimi, e vërteton konstatimin tim për shkelje ligjore të Ministrisë
së Ekonomisë me urdhrat e kryeministrit Albin Kurti.
Ndërsa paralajmërimi se "të gjithë
ata që kanë aplikuar do të njoftohen për ecurinë e procesit përmes mjeteve të
informimit dhe rrjeteve sociale të Ministrisë së Ekonomisë" e tregon
papërgjegjësinë dhe mungesën e transparencës, e cila përkthehet në abuzim dhe
mashtrim të qytetarëve, dhe përfitime personale në këmbim të dhënies së subvencioneve.
E cila gjë, e bënë përgjegjëse 'Qeverinë e Kosovës' për shkelje të rënda
ligjore, për korrupsion dhe krim të organizuar të udhëhequr nga "njeriu me
duar të pastra" në sytë e qytetarëve! Drejtësia vonon, por nuk harron!
Florim
Zeqa
07.10.2024