Mendime
Albert Zholi: Ngjarja makabre, 10 tetor 1947, dita kur u vra opozitarizmi shqiptar
E enjte, 10.10.2024, 06:00 PM
Ngjarja makabre, 10 tetor 1947, dita kur u vra opozitarizmi shqiptar
Atë
ditë iu shkul Shqipërisë një grusht intelektualësh të diplomuar në Oksford,
Torino, Strasburg, Lion, Monpelje
Përgatiti:
Albert Z. ZHOLI
Sot
77 vjet nga vrasja e 5 deputetëve dhe 11 intelektualëve që ishin ose
cilësoheshin kundërshtarë të regjimit komunist dhe politikës së tij të
brendshme dhe të jashtme. Pinjollë të familjeve të njohura e me tradita
patriotike, u nxorën para gjyqeve politike, në përpjekje për të shkatërruar
njëherë e mirë çfarëdolloj opozite që mund të prodhonte shoqëria shqiptare ndaj
sistemit diktatorial komunist që po impononte klika e ardhur në pushtet me
dhunën e pushkës. Një datë kur u bë fakt vrasja e opozitës në diktaturë . 77
vjet më parë, u ekzekutuan nga regjimi 16 deputetë dhe intelektualë të cilësuar
bashkëpunëtorë të tyre. Por nuk ishte vetëm kaq. Atë ditë iu shkul Shqipërisë
një grusht intelektualësh të diplomuar në Oksford, Torino, Strasburg, Lion,
Monpelje dhe bijsh të familjeve patriote. Disa u vranë, disa u burgosën gjatë,
duke u eliminuar nga jeta publike ku mund të jepnin kontributin e tyre të vyer.
Grupet e deputetëve
Megjithëse
njihen si "grupet e deputetëve", në këto grupe që u gjykuan dhe u
dënuan nga viti 1946-1948 vetëm një pjesë ishin deputetë, por duke qenë ndoshta
pjesa më e zëshme, u dhanë emrin gjithë proceseve. Akuza formoi tre grupe të
tilla. Grupi i parë u akuzua pas Lëvizjes së Postribës, në shtator 1946 dhe u
quajt "grupi i Riza Danit". Më pas u akuzua "grupi i Shefqet
Bejës", të cilët u gjykuan dhe u dënuan më përpara. Në vitin 1948 pati
edhe një grupim të tretë, pa asnjë deputet në përbërje, por që akuzohej për
marrëdhënie me të dënuarit e dy grupeve të para. Gjyqi ndaj grupit të Shefqet
Bejës u zhvillua në kinema "17 Nëntori" gjatë shtatorit 1947. Në atë
proces u gjykuan 24 vetë, nga të cilët 16 vetë u dënuan me vdekje. Pesë nga të
dënuarit me vdekje ishin deputetë: Shefqet Beja, Sheh Ibrahim Karbunara,
Dr.Enver Zazani, Selaudin Toto dhe Irfan Majuni. Tre u dënuan me varje: deputeti
Shefqet Beja në Tiranë, inxhinier Sulo Klosi në Rubik, diplomuar në Fakultetin
e Gjeologjisë së Naftës në Strasburg dhe inxhinier Riza Alizoti në Kuçovë,
diplomuar në Oksford, specializuar për shfrytëzimin e minierave në Strasburg;
13 të tjerët me pushkatim. Ky proces pati edhe një viktimë të 17-të, babanë e
dy dëshmorëve, deputetin Kolë Kuqali, i cili vdiq në hetuesi më 30 maj 1947 nga
torturat, pa mundur të dilte në gjyq, por zyrtarisht e shpallën të vetëvarur në
spitalin ushtarak të Tiranës. Grupi i deputetëve akuzohej për formimin e një
organizatë tradhtare-sabotatore, të lidhur me kriminelët e luftës jashtë dhe
brenda Shqipërisë dhe të shtyrë e të ndihmuar nga agjentët e imperializmit
anglo-amerikan. Akuzoheshin për krijimin e një Komiteti Qendror, kryesuar nga
Shefqet Beja. Akuzoheshin se kishin kryer akte sabotazhi, spiunazhi, terrorizmi
për rrëzimin me forcë të pushtetit popullor dhe për sjelljen në fuqi të
regjimit shtypës të Ballit e Legalitetit. Akuzoheshin si të lidhur me Misionin
Amerikan në Shqipëri dhe aspirantë për një demokraci perëndimore, etj... Ata
ishin pjesë e grupimit të vetëm që përbënte Kuvendin, "Frontit
Demokratik", të ftuar në zgjedhjet e dhjetorit 1945, për meritat dhe
vlerat e tyre, që do e bënin edhe më të besueshëm këtë grupim para zgjedhësve.
Ftesë që si duket e pranuan duke besuar në kontributin që mund të jepnin për
rindërtimin e Shqipërisë, por kur vendimet e qeverisë po preknin interesat e
vendit, ata ishin të parët që ngritën zërin duke krijuar një opozitë brenda
parlamentit, ndaj së cilës vetë diktatori Hoxha kërkoi marrjen e masave me anë
arrestimesh dhe dënimesh.
Ata kishin qëndrime
proamerikane
Ata
kishin qëndrime proamerikane, kishin kontakte me aleatët, dëshironin bashkimin
e Shqipërisë me Kosovën, ndryshe nga orientimi lindor i qeverisë shqiptare,
kishin një vizion perëndimor, pra ishin kundërshtarë të linjës së politikës së
brendshme dhe të jashtme të Partisë Komuniste, por asnjë nga këto nuk mjaftonte
për t'i dënuar ata me varje, pushkatim e burgim. Po të mjaftonte, për deputetët
do të shërbenin si provë fjalimet në sallën e parlamentit siç ishte fjalimi i
bujshëm i Riza Danit që kundërshtoi me argumente Hoxhën dhe projektkushtetutën
e parë dhe as ata, as të tjerët, nuk do ishte e nevojshme të torturoheshin për
të pranuar akuza të tjera. Akuza që do të përdoreshin për t'i dënuar, por që
ishin të sajuara. Manipulimi i hetimimit dhe torturat e përdorura dalin nga
raportet e oficerëve hetues dhe nga dëshmitë e të dënuarve të mbijetuar.
Të destinuar për t'u
eliminuar me çdo kusht
Ish
I dënuari politik Agim Musta para 8 vjetësh
ka sjellë në kujtimet e tij për Telegraf, dëshminë e profesor Foto
Balës, të dënuar me burgim të përjetshëm në gjyqin e deputetëve. "Më 1945
më caktuan profesor në gjimnazin e Gjirokastrës, duke më survejuar natë e ditë,
derisa më arrestuan nga mesi i vitit 1946. U akuzova se kishim krijuar grupin e
Neoballistëve, se ishim lidhur me misionet anglo-amerikane dhe plot marrëzira
të këtij lloji, që jo vetëm s'i kishim bërë, por as në ëndërr s'i kishim parë.
Më dërguan në Tiranë. Në fillim më trajtuan butë, por kur unë nuk pranova të
pohoja ato që më servirnin, hetuesit xhahilë filluan torturat nga Mihallaq
Zixhishti, Stavri Xhara, Kadri Hazbiu e të tjerë, që tmerrohem dhe sot kur i
kujtoj. U thashë se isha gati të pranoja çfarë të donin, vetëm t'i ndalonin
torturat. U ndritën sytë dhe filluan menjëherë të mbushnin procesverbalet. Nën
këtë trysni shkrova se isha anëtar i kryesisë së komitetit neoballist, se isha
agjent anglo-amerikan-francez, se do të vritnim gra, pleq dhe fëmijë, madje
edhe Krishtin dhe Muhametin po të ishin gjallë dhe plot marrëzira të
neveritshme, që vetëm mendja e komunistëve mund të shpikë. I ndjeri Enver
Sazani, me të cilin qëndrova disa ditë në qeli, më tregoi se hetuesi Mihallaq Zixhishti
i kishte djegur dhe sytë me cigare, gjersa i kishte marrë pohimin se ishte
agjent anglo-amerikan-francez. Doktor Sazani më tregonte gjatë ditëve të fundit
të jetës së tij se hiena Mihallaq i kishte pasë thënë se këto pohime i donin
shokët jugosllavë për të demaskuar imperializmin..."
Viktimat e 10 tetorit
1947
Shefqet
Beja 35 vjeç, tregtar, demokrat e patriot. Lindur në Durrës e banues në Tiranë.
Sulo Klosi 36 vjeç, i ati, Ismail Klosi, hapi shkollën e parë shqipe në
Mallakastër. Gjatë luftës është i lidhur me forcat nacionaliste. Viti 1947 e
gjen kryeinxhinier në Rubik. Dënohet me varje. Riza Alizoti 37 vjeç, kryen
filloren ne Kolegjin Robert të Stambollit. Vazhdon Tekniken e Fultcit në
Tiranë. Sheh Ibrahim Karbunara 67 vjeç. Një ndër ata patriotë që me Ismail
Qemalin firmosën Shpalljen e Pavarësisë (1912). Dr. Enver Sazani 37 vjeç.
Mbaron shkëlqyeshëm gjimnazin e Korçës. Kryen studimet e larta për mjekësi, dy
vjet në Monpelie, pjesën tjetër në Lion. Salim Kokalari 50 vjeç. Kryen filloren
në Gjirokastër. Në vitin 1916 emigron në Amerikë. Në vitet 1920-1924 është
pedagog në Liceun Francez të Gjirokastrës. Selaudin Toto 33 vjeç. Vëlla i Ethem
dhe Ismet Totos, të vrarë nga Zogu si kundërshtarë të tij. Kryen Shkollën
Teknike të Fulcit shkëlqyeshëm. Muhamet Prishtina, më i riu 22-vjeç. Ndoshta do
të flijohej në atë moshë të njomë vetëm e vetëm pse ishte djali i patriotit
Jahja Prishtina, njëri nga anëtarët themelues të Komitetit për Mbrojtjen
Kombëtare të Kosovës dhe nip i kryetarit të këtij Komiteti, patriotit Rexhep
Kadri Prishtina. Paolo Saggiotti, 40 vjeç nga Gova e Italisë. Pasi kreu
studimet ne Institutin Industrial, vjen me 1931 për të punuar ne AIPEN e për të
gjetur "pushkatimin" në Kuçovë. Irfan Majuni, 36 vjeç nga Dibra
banues në Tiranë, nëpunës, i martuar me fëmijë. Deputet i legjislaturës së
parë. Dënuar me vdekje. Tefik Deliallisi, 37 vjeç nga Shijaku, banues në
Durrës, mësues, i martuar me fëmijë. Dënuar me vdekje. Hysen Shehu, 35 vjeç
(djali i Sheh Karbunarës), i martuar e me fëmijë. Dënuar me vdekje. Beqir Qela,
34 vjeç nga Durrësi, mësues, i martuar e me fëmijë. Dënuar me vdekje. Abdyl
Kokoshi, 37 vjeç nga Vlora, me arsim të lartë (fakultet drejtësie), banues në
Tiranë, i martuar e me fëmijë. Dënuar me vdekje.Pertef Karagjozi, 39 vjeç nga Gjirokastra,
banues në Tiranë, nëpunës, i martuar e me fëmijë. Dënuar me vdekje. Agathokli
Xhitomi, 59 vjeç, nga Përmeti banues në Përmet, shkrues publik, i martuar e me
fëmijë. Dënuar me vdekje.