Mendime
Florim Zeqa: Pse pacientët kosovar shkojnë për shërim në spitalet e Serbisë?!
E merkure, 16.10.2024, 05:51 PM
Pse pacientët kosovar shkojnë për shërim në spitalet e Serbisë?!
Shkruan:
Florim Zeqa
Gjatë
një debati në një studio televizive për shëndetësinë, derisa politikani
shpaloste premtimet elektorale për përmirësimin e sistemit shëndetësor në
sektorin publik, nuk e di, rastësisht apo qëllimshëm në ekran shfaqeshin
reklamat ofertuese për vizitat specialistike në sektorin privat, si në vijim;
"Pako e Kolonoskopisë me anestezion në vlerë 130+45 euro Biopsia
Endoskopike", "Egzaminime Endoskopike me Kapsule Endoskopike nga 1650
euro në 870 euro", "Pako Reumatologjike në Spitalin Amerikan (mjekët
shqiptar) 2 nga 180 euro në 45 euro", "Rezonancë Magnetike një zonë
90 euro" dhe reklama të tjera të njëpasnjëshme që ua kanë bërë jetën ferr
qytetarëve të vendit tonë, të cilët më lehtë gjejnë shërim jashtë vendit sesa
në spitalet tona!
Zori thonë t'çon në derë
të armikut!
Edhe
pse Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka buxhetin për
barna me të lartin ndonjëherë, barnat esenciale mungojnë. Prej muajsh, klinikat
e spitalet rajonale nuk janë furnizuar mjaftueshëm me ampula dhe antibiotik.
Sipas një burimi, vetëm mungesa e njërës prej ampulave, pacientëve që e kanë të
përshkruar në terapi u kushton deri në 200 euro në ditë.
Pacientët
me sëmundje të rënda, në pamundësi të mbulimit të kostos financiare në vendin e
tyre, përkatësisht në shtetin e lirë të Kosovës për të cilin derdhën gjak, janë
duke shkuar në Spitalin e Mitrovicës Veriore dhe në qendrat spitalore në Serbi,
në të cilat priten dhe trajtohen më mirë sesa në QKUK!
Zori
thonë t'çon në derë të armikut!
Për
këtë nuk janë fajtorë pacientët që kërkojnë shërim jashtë vendit, e në veçanti
në Serbi, por ata që i sollën në këtë gjendje qytetarët e këtij vendi pas 25
vjetësh në liri!
E
këta janë politikanët e të gjitha llojeve e ngjyrave politike që nuk bën asgjë
për të mirën e qytetarëve që 16 vjet në shtetin e pavarur!
Përveqse
nuk u ndërtuan spitale të reja, nuk u mirëmbajten si duhet këto ekzistuese nga
koha e ish Jugosllavisë!
Në
spitalet tona publike trajtohen mirë vetëm pacientët që shkojnë përmes lidhjeve
nepotike dhe ata që i kanë xhepat plot, të varfërit i detyrojnë të presin
korridoreve derisa të mërzitën për t'u larguar vet apo të alivanosen në
dyshemetë e korridoreve gjatë pritjeve të gjata në spitalet tona!
Vërtetë
e dhëmbshme dhe trishtuese të dëgjosh rrëfimet e pacientëve për keqtrajtimet
dhe ferrin e përjetuar në spitalet tona publike!
Por,
akoma më e dhëmbshme kur dëgjon që ata priten dhe trajtohen më mirë në 'shtetin
armik' sesa në shtetin e tyre!
Spitalet
private janë 'mollë e ndaluar' për shumicën e qytetarëve të Kosovës!
"Spitali
Amerikan" vetëm emrin e ka ashtu, pasi të gjithë mjekët (mjekë që punojnë
në QKUK) janë shqiptarë që rrjepin pamëshirshëm qytetarët e varfër të këtij
vendi!
Tek
ne, përveqse mungon përkujdesja dhe trajtimi i mirë i pacientëve nga mjekët dhe
infermierët, mungojnë të gjitha barnat esenciale dhe materiali i nevojshëm
sanitar, filluar nga gjërat elementare. Përveç antibiotikëve, mungojnë edhe
barnat esenciale për trajtimin e pacientëve në mjekimin intenziv.
Tek
ne mungojnë të gjitha për fajin e politikanëve të papërgjegjshëm dhe mjekëve të
pangopshëm që e kanë harruar 'Betimin e Hipokratit', të cilët së bashku janë
fajtorë pse pacientët kosovar kërkojnë shpëtim (shërim) në spitalet e Serbisë!
Florim Zeqa
11.10.2024