E merkure, 11.12.2024, 12:08 AM (GMT)

Kulturë

Adil Fetahu: Arben Kondi, shkrimtari bashkëkohor që ecën gjurmëve të rilindasve tanë

E merkure, 28.08.2024, 05:55 PM


ARBEN KONDI, SHKRIMTARI BASHKËKOHOR QË ECËN GJURMËVE TË RILINDASVE TANË

Nga Adil Fetahu

Vepra letrare e Arben Kondit është e pasur dhe e shumëllojshme. Eshtë një mozaik me vlera të veçanta në prozë e poezi, ese e publiçistikë. Por, Kondi veçmas shquhet për prozën e gjatë, për romanet me tematikë historike. Në letërsinë tonë bashkëkohore këtë temë e kanë trajtuar shumë shkrimtarë si në Shqipëri e në Kosovë, por Kondi me romanet e tij kushtuar Çamërisë e Kosovës është më i plotë nga të gjithë të tjerët. Duke u nisur nga ky këndvështrim gjykoj se kjo vepër e zgjedhur (botim special), mbetet një ngjarje e shënuar jo vetëm për autorin, por edhe për vetë letërsinë bashkohore shqiptare. Arben Kondi është dëshmuar një çamolog i përkushtuar dhe i vendosur në të drejtën e çamëve për të jetuar në tokën e tyre stërgjyshore, të cilën e kanë trashëguar dhe për të cilën kanë luftuar brez pas brezi, prej pellazgëve, ilirëve, arbënorëve deri te shqiptarët e sotëm. Sikurse shqiptarët e Kosovës që luftuan për vendin e tyre dhe me ndihmen e botës demokratike e me shumë sakrifica, fituan lirinë dhe pavarësinë.

Që Çamëria dhe gjithë Epiri, historikisht, prej antikës, ishin toka shqiptare, kjo është vërtetuar e dokumentuar nga historianë, shkrimtarë e shkencëtarë të shumtë, kryesisht të huaj. Edhe historianë a gjeografë të lashtë helenë si Herodoti, Tukididi, Straboni, Demosteni,etj.  Çamërinë (Thesprotinë) dhe gjithë Epirin e përjashtojnë nga Greqia, dhe popullsinë e Epirit e quajnë “barbarë”, për shkak se flisnin një gjuhë të pakuptueshme për ta, pra johelene. Po kështu edhe në mesjetë dokumente të rëndësishme si “Kronika e Janinës” dhe “Kronika e Tokove”, jetësojnë karakterin etnik shqiptar të popullsisë së Epirit. Autoktoninë shqiptare e vërtetojnë edhe defteret osmane nga regjistrimet e popullsisë së Epirit (1480, 1583), në të cilat del qartë se emrat e kryefamiljarëve (antroponimet) dhe emrat e vendeve (toponimet) ishin shqiptare. Historiani, juristi e shkrimtari gjerman  Theodor Mommsen (1817-1903), nobelist (1902), në veprën e tij “Romische Geschichtie” (Historia e Romës), shqiptarët e Epirit të Ri e të Vjetër i quan “barbarë autoktonë”, ndërsa grekët në atë krahinë i quan emigrantë. Në Epir e Çamëri grekët erdhën si punëtorë e barinjë edhe në kohën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës. Sado që politika gjenocidale greke është përpjekur dhe gjithnjë përpiqet ta mohojë të vërtetën.

Pas botimit të veprës së zgjedhur në gjashtë vëllime me titullin domethënës “1000 vjet Çamëri”, me rastin e 73 vjetorit të genocidit grek mbi Çamërinë martire (1944-2017), në 80 vjetorin e po këtij genocidi (1944-1924), Arben Kondi na vjen me një kolanë të re prej dhjetë vëllimesh të titulluar thjesht:“Çamëria-Çamëria”. Në këtë përmbledhje të re veç gjashtë romaneve të parë si “Gjin Bue Shpata”, “Dionisi i Paramithisë”, “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”, “Shqiptarovrasësi Napoleon Zerva”, “Persekutimi apo Mëhhalla e Muhaxhirëve” dhe “Rikthimi në Çamëri” përfshihen edhe tri romane të rinjë me tituj “Shën Bartolomeu i Çamërisë”, “Vasiliqia e Ali Pashit”, si dhe romani i sapo botuar “Dëbimi” që trajton periudhën e Çamërisë në vitet tragjike 1923-1926. Natyrisht nuk mund të harrojmë kurrsesi këtu romanin “Djaj në Valadon” i botuar në vitin 2011, i cili i kushtohet ortodoksisë së pastër shqiptare me Fan Stilian Nolin e Madh në krye. Me këto vepra, Arben Kondi shfaqet si një meteor i pashuar që nuk pushon së ndriçuari mbi qiellin e Çamërisë martire. Dhe, derisa meteorët zbresin e shuhen, Kondi ngrihet lart e më lart dhe ndriçon në letërsinë tonë e në të drejtën e popullit të Çamërisë për të jetuar i lirë në vendin e vet dhe në pronat e veta. Në romanet për Çamërinë, autori ka trajtuar në mënyrë emocionuese martirizimin e një populli e të një krahine të lashtë shqiptare, e cila as më pak e as më shumë na sjell ndër mend hisotrinë e vjetër e të re të Kosovës sonë. Në të gjitha këto romane pasqyrohet realiteti i mijëvjeçarëve përmes ngjarjeve dhe personazheve reale. Po le të shohim më poshtë përmbajtjen e këtyre romaneve për Çamërinë, me porosinë që romanet pastaj t’i lexoni vet.

1. “Gjin Bue Shpata”

Serbët, që kur kanë ardhur në ujdhesën Ilirike, gjithmonë kanë pasur synime pushtuese. Politika e genocidit dhe e pastrimit etnik i ka udhëhequr ata që prej kohës së sundimit të Stefan Dushanit, i cili arriti të bëjë një shtet të madh serb me dalje në det (Adriatik, Jon, Egje). Në vitin 1340 ai hyri edhe në Epir. Pas vdekjes së car Dushanit (1355), froni i Epirit ishte bërë objekt konfliktesh dhe arenë luftërash mes pasardhësve të carit serb, trashëgimtarëve bizantinë si dhe feudalëve shqiptarë.  Në Epir dhe në Çamëri, qysh prej fillimit të shekullit XIII ishin shquar disa familje feudale shqiptare si Shpata, Zenevishi, Losha, Araniti, Malakasi, Mazareku, etj, të cilat ishin faktorë i rëndësishëm politik dhe ushtarak. Shqiptarët të udhëhequr nga Gjin Bue Shpata, u shkëputën nga sundimi serb. Ata u bënë zot të Epirit, përveç Janinës. Madje zotëronin Etolinë e Akarnaninë e arrinin deri në Korinth. Për ta rivendosur autoritetin bizantin, në vitin 1358, në Epir i shoqëruar nga mercenarë turq e grek hyn Niçifori II, i cili ishte pasardhës i perandorit bizantin. Por në luftë me shqiptarët afër lumit Akeron (Akeroni i famshëm i Homerit), pësoi disfatë të rëndë, ku ai u vra edhe vet. Më 1361 u formuan dy shtete shqiptare, me despotë shqiptarë. Gjin Bue Shpatën zotëronte Etolinë Jugore, me qendër në Angjelokastër, kurse Pjetër Losha si kryeqëndër të tij kishte Artën.

Pas vdekjes së Pjetër Loshës (1374), Gjin Bue Shpata i bashkoi dy krahinat me qendër Artën. Ndërkohë, në Janinë ishte vendosur despoti serb, Thoma Preluboviq, i cili bëri mizori të papara kundër popullsisë shqiptare në despotatin e tij, dhe për këtë mori epitetin - shqiptarovrasës. Këtë urrejtje ndaj shqiptareve e kishte edhe për shkak se shqiptarët ia kishin vrarë të atin (Grigorin) në një luftë në vitin 1355. Burgjet e Janinës i kishte mbushur me shqiptarë të marrur peng, të cilët i torturonte mizorisht.  Mizoritë e tij arritën deri aty, sa që fëmijët e shqiptarëve, i gjymtonte dhe i hidhte poshtë mureve të kalasë. Madje i kishte dërguar si “peshqesh” Gjin Bue Shpatës edhe një shportë të mbushur me vesh të prerë e sy të nxjerrur të fëmijëve shqiptarë. Shqiptarët disa herë tentuan për ta marrë Janinën, por nuk arritën, për shkak se despoti i Janinës kishte bërë aleancë me otomanët dhe me grekët kundër shqiptarëve. Për ironi të fatit, pas vrasjes së Preluboviqit, pushtetin mbi Janinën e mori italiani Ezau Boundelmonte, pasi u martua me të vejën e despotit të vrarë, Marijen. Shqiptarët nuk reshtën në përpjekjet për ta marrë Janinën, por nuk arritën, sepse edhe Ezau kishte bërë aleancë me ushtrinë osmane. Në vitin 1390 Ezau sulmoi Gjin Bua Shpatën, por ushtria e tij u shpartallua. Ezau nuk rreshti së sulmuari princin shqiptar, në koalicion me grekë, turqë e italianë, por në betejën e Mesopotamit afër Delvinës (më 9 prill 1399), shqiptarët thyen ushtrinë e tij dhe zunë rob edhe vet Ezaun, të cilin e lëshuan pasi morën një kundërshpërblim prej dhjetëmijë florinjë. Historia e Gjin Bue Shpatës, mbyllet me vdekjen e tij (29 tetor 1399), njërit nga figurat më të mëdha të mesjetës, i cili tërë gjysmën e dytë të shekullit XIV luftoi njëkohësisht kundër serbëve, grekëve, osmanëve dhe latinëve. Përkrahësi dhe ndihmësi më i madh i tij ishte princi Gjon Zenevishi me kryeqëndër Gjirokastrën, dhëndërri i tij trim e besnik. Pas vdekjes së Gjin Bue Shpatës, vendin e tij e zuri i vëllai, Zguro Shpata, e një vit më vonë i biri i Gjinit, Maurik Shpata, i cili pushtoi Janinën dhe mbajti deri në vitin 1418. Zotërimet e pushtetit të Shpatajve shtriheshin prej Tepelenës e deri në Korinth, dhe ato zgjatën për afro 60 vjetë. Gjin Bue Shpata ishte një prijës trim e strateg, dhe në politikën e jashtme ishte diplomat që krijoi marrëdhënie me princër, mbretër e perandorë të kohës: bizantinë, venedikasë e fiorentinasë. Me romanin e tij, Arben Kondi na e riportretizon të gjallë princin e madh shqiptar.

2.  Dionisi i Paramithisë”

Në fillim të shekullit të shtatëmbëdhjetë, fushata e dhunës për ndërrimin e fesë, nga krishtenizmi në muhamedanë kishte përfshirë Çamërinë. Pushteti osman përdori “kulaçin dhe kërbaçin” për të arrirë synimin. Në këtë fushatë më agresivë tregoheshin disa paramithiotë të islamizuar. Në vitin 1601, në Thesali shpërtheu një kryengritje, të cilën e kishin udhëhequr dy klerikët ortodoks, kryesuar nga kryepeshkopi i Paramithisë, Dionis “Filozofi”, por kryengritja u shtyp në mënyrë të përgjakshme, dhe dy klerikëve (Serafimit dhe Pakoit) iu pre koka, sikur u veprua edhe me shumë kryengritës të tjerë. Patriku i Stambollit, që për hirë të privilegjeve që gëzonte dhe bashkëpunonte me pushtetin osman, e shkarkoi Dionisin nga pozita e kryepeshkopit, sepse nuk po e lente në paqe me Sulltanin. Dionisi s’mund të rrinte më në Epir, por i shoqëruar nga kryemurgu Gjoleka dhe katër murgjër tjerë niset për në Europë. Rrugës u ndal e bujti në “stanin” e një bariu shqiptar, afër Dodonës pellazgjike, ku përjetoi emocione. Në qendër të Paramithisë u takua me popullin dhe u tregoi qëllimin e udhëtimit, duke i bërë me dije se do të luftohej kundër turkut, e jo kundër vëllezërve shqiptarë të islamizuar. Derisa Dionisi, përmes Korfuzit kishte arritur në Napoli, kryepeshkopi i Peloponezit greku Maksim, e njoftonte patrikun e Stambollit se Dionis “Skylozofi” po përgatiste me shqiptarët e tij një kryengritje të re. Me të marrë vesh, Ozil pasha që ishte i ngarkuar për çështje fetare në Perandori, ia tërheq vërejtjen patrikut, që në qoftë se ndodhë edhe një rebelim si ai i Thesalisë, përveç Dionisit do t’ia presë kokën edhe patrikut. Ndërkohë (25 gusht 1603) Dionisi kishte arritur në Këshillin e shtetit në Spanjë prej të cilit kërkoi armë, 500 kalorës dhe 5000 këmbësorë. Maksimi i Peleponezit me njerëzit e tij (Konstandini e Dario), kishin thurë plane, intriga e kurtha për ta likuiduar ose penguar Dionisin edhe në rrugën nëpër Europë. Vetëm falë ndihmës së kardinalit arbëresh (Pjesta), Dionisi shpëtoi nga një kurth i tillë dhe u takua edhe me Papën (Klementi i tetë), nga i cili kërkoi përkrahje dhe i premtoi se shqiptarët ortodoksë të Epirit e më gjërë do të shkëputen nga kisha ortodokse greke, e cila ishte në shërbim të turkut e kundër shqiptarëve. Ndërkohë, Osman pasha po bënte trysni në popull për ta islamizuar dhe si hap i parë e këtij “transformimi” mjaftonte ta ndërronin qylafin e bardhë, me fesin e kuq, si shenjë dalluese vizuele. Një djali të ri që nuk pranoi ta ndërrojë qylahin, iu pre koka në trungun pranë Rrapit të Paramithisë, ndërsa një gjyshi iu desh ta ndërrojë, për ta shpëtuar nipin e vogël (7-8 vjeçe). Kur u kthye Dionisi nga Europa, formoi shtabin e kryengritjes në Manastirin e Shën Mërisë, dhe aksionin e parë të kryengritjes prirë nga  Tagani, e kryen në Gliqi, ku vranë shtatë roje dhe dogjën vendkombandën turke. Forcat turke nga Janina, Preveza e Paramithia iu vërsulën Sulit, por aty e pësuan keq nga trimat e Taganit, ndërkaq morën hak në popullin e pambrojtur. Osman pasha që po vinte nga Vlora në Janinë, duke kaluar nëpër Labëri digjte shtëpi e vriste njerëz. Në Janinë mblodhi parinë e qytetit, njerëz të vet e spiunë, dhe nga Maksimi i Peloponezit kërkoi t’iu mbante meshën, për ta qetësuar popullin që të mos rebelohej, siç po kërkonte atë djall Dionisi, i cili madje ishte takuar edhe me Papën në Romë. Njerëzit e Jeronim Kombit, që kishin sjellur ca armë nga Europa bien në pritë në Kofruz dhe ju vriten dy trima. Ndërsa armët konfiskohen. Në Manastirin e Shën Mërisë, nga fundi i gushtit 1611 mbahet mbledhja për të caktuar vendin dhe kohën e kryengritjes. Donisi i porositi të kenë kujdes me shqiptarët muhamedanë se ata i kemi vëllezër prej rrënje, gjaku e gjuhe. Kryengritja shpërtheu shpejtë, dhe atë e përkrahu populli i më se shtatëdhjetë fshatrave të Sajadhës, Margëlliçit, Paramithisë, Sulit, me çka kishin: pushkë, shpata, shtiza e sëpata. Në mesin e kryengritësve kishte edhe fshatarë të islamizuar me dhunë. Derisa Dionisi u printe nja dymijë kryengritësve drejtë Janinës, një grup sish, në të cilin ishin disa grekë në krye me avokatin Samaras, bënë masakra në dy fshatra myslimane (Zaravusë e Turkogranicë). Janina u pushtua nga kryengritësit e Dionisit pasi Osman pasha ishte larguar nga sarajet e veta. Kryengritësit ishin enthusiazmuar aqsa planifikonin të çlironin gjithë Epirin, madje të gjitha trojet shqiptare deri në Tivar. Po Osman pasha, me taborrin e Prevezës u kthye heshtasi natën, ripushtoi Janinën, dogji të gjallë rreth dyqint kryengritës, urdhëroi xhelatët që Dionisin ta rrjepin të gjallë dhe lëkurën e mbushur me kashtë, bashkë me kokën e prerë t’ia dërgojnë dhuratë Sulltanit! Për terrorin e ushtruar pas shtypjes së kryengritjes, dhe të tjerat, lexonie vet romanin historik “Dionisi i Paramithisë”. Më këtë roman, Arben Kondi jo vetëm që na jep rizgjimin e vetëdijës kombëtare shqiptare pas periudhës së lavdishme të Skëndërbeut, por figurën martire të Dionisit e shkëput prej kthetrave greke për tu a kthyer atyre të cilëve ai ju përkiste, pra shqiptarëve.

3. “Vasiliqia e Ali Pashait”

Jam i mendimit se “Vasliqia e Ali Pashait” është romani më poetik i Arben Kondit. Kjo për faktin e thjeshtë sepse personazhi kryesor i tij, paçka se përjeton një jetë të trishtë arrin të shpërndaj në libër një aromë të butë fisnikërie, prej një gruaje të bukur që diti ti qëndroj pranë të shoqit (plot dritëhije) deri në çastin e fundit të jetës së tij. Hera herës flitet e shkruhet se ajo e tradhëtoi të shoqin duke i ngritur grackën e vrasjes në ishullin e vogël të liqenit të Janinës. Po kjo akuzë bie poshtë pasi në të gjithë letërsinë gojore të shqiptarëve, apo në këngë, por edhe ne letërsinë tonë si edhe në atë europiane figura e saj trajtohen me shumë simpati e respekt. Të mos harrojmë se Vasiliqia nuk ishte greke siç mund të thuhet apo mendohet për të. Ajo ishte dhe do të mbetet një vajzë e bukur ortodokse shqiptare prej fshatit Pleshavicë, ku edhe sot e kësaj dite flitet qartazi shqip. Pleshavica ndodhet vetëm një apo e shumta dy kilometra larg Vërvës, fshatit më të fundit brenda kufirit shqiptar. Mes Pleshavicës dhe Vërvës, poshtë në fushë gjëndet Koska e Muharrem Rrushitit (Isa Buletinit të Çamërisë) që luftoi aq shumë për Shqipërinë. Koska heroike sot nuk është tjetër veçse një fshat gërmadhë që dëshmon dhimbshëm genocidin grek ndaj Çamërisë e që kujton natyrshëm genocidin serb ndaj Kosovës në vitin e paharruar 1999.

Por le të qëndrojmë më gjatë tek romani. Subjekti i tij përqëndrohet në kalanë e Janinës, por edhe në harremin e Aliut. Vasiliqia pasi merret nga Aliu përballet me vështërësi të jashtëzakonshme të krijuara nga gratë e para të Pashait, të cilat arrijnë deri në helmimin e saj. Por ajo mbijeton falë kujdesit të të shoqit dhe njerëzve të tij e pas kësaj vijon ti qëndrojë me besnikëri atij. Aq shumë është i ndjeshëm Aliu ndaj saj, saqë edhe në çastet më të rënda, ngushullimin e shpirtit e gjen veçse në preherin e saj. Eshtë për t’u çuditur fakti se si një luan aq mizor, i egër siç konsiderohej Aliu gjente qetësi të plotë tek e shoqja, gjë kjo që gjatë leximit të romanit merr vetiu ngjyrimin e një marrëdhënie jo thjesht mes një burri dhe një gruaja, por edhe të një babai me të bijën. Ky mendim të përqaset edhe nga vetë mosha përmbi gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë-tetëdhjetë vjeçare e Vezirit plak të Janinës. Kjo ide bëhet më e prekshme në fund të faqeve të romanit, kur Ali Pashai largohet nga kështjella duke u vendosur në ishullin e vogël të liqenit, ku mbyllet edhe vetë jeta e tij. Natyrisht edhe në këto ditë të vështira, Vasiliqia do ti qëndrojë gjithmon pranë, në krahë. Por Aliu Pashë Tepelena do mbetet deri në fund të jetës njeri mizor. Jo më kot në çastet e fundit të saj, madje duke dhënë edhe shpirt, urdhëron prerë Thanas Vajën që ta vrasë, ti marrë jetën Vasiliqisë, për të mos e lënë të bjerë në dorën e turqve. Mizori ngjethëse, tepër kriminal ky urdhër, apo mos ndoshta kjo lloj mizorie mund të shpjegohet, mund të ketë ngjyrimin e një dashurie të madhe të Pashait ndaj Vasiliqisë. Mundet. Kjo edhe mund të mirret parasysh sepse dobësia e tij ndaj Vasiliqisë ishte edhe më e madhe se sa vetë ajo ndaj Eminesë, vajzës së Pashait të Dlvinës, që i dha dy djemtë e tij të parë, Myftarin dhe Veliun, bashkëluftëtar e në të njëjtë kohë tradhëtarë. Pikërisht për këto të papritura emocionuese, libri i Arben Kondit lexohet me një frymë.

4. “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”

Pas një çerek shekulli të pavarësisë së Greqisë, në rrethin e Artës kishin filluar trazira kundër pushtuesit osman. Greqisë iu kishin rritur apetitet për pushtim të tokave të reja dhe rikthim të Perandorisë bizantine. Konsulli grek në Prevezë, Rosetos, një urrejtës i shqiptarëve, bashkë me mikun e tij sekretarin e konsullatës (Lefteris), ditën e tregut dolën në pazarin e dominuar nga tregtarët shqiptarë dhe artizanatet e tyre, veçmas veshjet e bukura shqipare, të cilat ia vrasin syrin konsullit. Sidomos i lanë shije të hidhur djepet suliotë, me figurën e Skënderbeut e të Marko Boçarit, të gravuara në ballë të tyre. Kryeveziri Mustafë Arnauti, shqiptar nga rrethi i Korçës e kishte urdhëruar valiun e Epirit dhe të gjithë Shqipërisë, Ismail pashait, të merrte masa kundër trazirave në rrethin e Artës. Për këtë qëllim, Valiu e kishte ftuar Ibrahim bej Dinon, që me autoritetin e tij e të miqve, të ndikonte te shqiptarët myslimanë ta mbajnë krahun e Perandorisë. Duke ditur se shqiptarët e krishterë Valiu i konsideronte grekë, Ibrahim beu nuk i kishte premtuar Valiut përkrahjen e shqiptarëve. Pas bisedës me Valiun, Ibrahim beu ishte takuar me Halit bej Frashërin, i cili kishte ardhur në Janinë për ta regjistruar djalin e tij, Naimin, në Gjimnazin “Zosimea”. Halitit i tregoi për bisedën me Valiun dhe konkluduan se duhet të merren vesh me krerët e familjeve më të njohura të Çamërisë, me Grivajt, Shpatajt, Çaparenjët, për të mos rënë në gracka për interesa të grekut as të turkut. Kishte dështuar biseda e Ismail pashës edhe me konsullin grek Rosetos, për ruajtjen e qetësisë dhe paqes në vend.  Çelo Picari, Halit Frashëri e Ibraim Dino shkuan në Sarajet e Hasan Çaparit për të biseduar për fatet e vendit, e sidomos për rrezikun e përçarjes fetare. Kërkohej mençuri dhe unitet i shqiptarëve. Përgatitja e grekëve për revolucion nuk kishte të ndalur. Ishin formuar çeta të shumta të ushtrisë, studentëve dhe andartëve kriminele të liruar nga burgu. Edhe në shtabin e kryengritësve, gjenerali Griva, që ishte shqiptar dhe mik e shok lufte me Hasan Çaparin, i kishte porositur komandantët e rinjë që të mos i ngacmojnë e trazojnë shqiptarët e islamizuar. Në një betejë  midis kryengritësve dhe ushtrisë turke te Pesë Puset, kryengritësve u ishte lënë qëllimisht rrugë e hapur për të depërtuar në Çamëri, duke ditur se aty  andarët do të bënin kërdinë mbi shqiptarët myslimanë, dhe kështu të krijohej përçarje fetare midis shqiptarëve. Kryengritësit grekë të udhëhequr nga komandantët e rinjë, vërtetë bënë mizori: vrasje, djegëje, dhunime, plaçkitje, mbi popullsinë myslimane. Ndërmjetësimi i konsullit anglez (Longford) dhe atij francez, në një takim me Ismail pashën dhe konsullin Rosetos, dështoi pa një marrëveshje për armpushim. Teodor Grivës, kryegjeneral i ushtrisë greke, dhe Kiço Xhavellës, kryeministër i qeverisë greke, Marko Boçari po iu shfaqej në ëndër, si i vrarë dy herë, me dy plumba në ballë, që ende mbahej në këmbë, por nuk po iu fliste asnjenit. Ishte i hidhëruar, për tradhtinë dhe masakrat që kishin bërë kryengritësit grekë kundër shqiptarëve, të cilët pavarësisht se kishin pranuar një fe tjetër, ata me rrënjë, gjak e gjuhë ishin shqiptarë. Marko kishte luftuar për çlirimin edhe të grekëve edhe të shqiptarëve nga pushtimi otoman. Po kjo që kishin bërë grekët mbi shqiptarët e Çamërisë (1854) ishte vrasja e dytë e Marko Boçarit, pas asaj vrasjes së parë të vërtetë, në luftë (1823). Në bisedën rreth kësaj tradhëtie, Theodor Griva e Kiço Xhavella ishin ndarë diametralisht në koncepte për luftën e nisur. Pas masakrave që bënë kryengritësit, në sarajet e Ahmet Çaparit u mblodh paria e Çamërisë, për të biseduar për luftën kundër grekëve. Përfaqësues të krahinave të ndryshme, raportonin për forcat e tyre që ishin të gatshme të luftonin. Ismajl pasha kishte dërguar njerëzit e vet të cilët premtonin të ndihmonin luftën e shqiptarëve kundër grekut, por që lente të kuptohej se çamët e krishterë i konsideronte gjithashtu grekë. Paria e Çamërisë nuk e pranoi ndihmën e pashait dhe porositi që në luftën që do zhvillohej, të kenë kujdes ndaj shqiptarëve të krishterë. Në betejen e fundit në mes Petes dhe Artes, kur forcat shqiptare i përzunë ato greke përtej Epirit, duke parë shqiptarë të vrarë në dy anët e kundërta, Çelo Picari po i thoshte Ahmet Çaparit: - deri kur shqiptarët do vritën kështu me njeni-tjetrin? – Deri kur ta bëjmë shtetin tonë, nga këtu ku jemi e deri te Molla e Kuqe, tha Halit Frashëri. Me romanin “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”, Arben Kondi thekson të vërtetën e madhe se Marko Boçari, ky symbol i lirisë përpara se të jetë hero i Greqisë është hero i shqiptarëve që nën Ali Pashë Tepelenën luftoi edhe për lirinë e tyre.

5.Shqiptarovrasësi Napoleon Zerva”

Pavarësisht se edhe Shqipëria ishte e pushtuar nga fashizmi dhe nazizmi, në periudhën 1941-1944 ishte krijuar njëfar qeverisje dhe administrate shqiptare në të gjitha trojet shqiptare. (Gjatë dhe pas Luftës së Dytët Botërore, në Kosovë qarkullonte një ironi historike që thoshte:  “tre gjermanë me një motor të zi, çliruan Kosovën dhe viset tjera me shqiptarë, krijuan shtetin etnik shqiptar me 74 mijë kilometra katrore”). Në Çamëri ishte formuar Këshilli Kombëtar, në rolin e qeverisë, me në krye Xhemil Dinon. Në maj 1942, kryeministri dhe ministri grek i mbrojtjes e kishin ftuar në një takim kolonelin Napoleon Zerva, që e quanin gjeneral edhe pse kishte grada të kolonelit, dhe ia besuan detyrën e komandantit të ushtrisë greke, i dhanë detyrë të shkonte në Çamëri, për ta penguar bashkimin me Shqipërinë. I dhanë para dhe i premtuan ndihmë gjithëfarësh, me synimin që ta pushtonte edhe Epirin e Veriut. Zerva u betua para tyre: “O unë, o Çamëria do të vdesë”! U kthye në vendlindje (fshati Zervë). Me paratë që mori,  angazhoi oficerë të demobilizuar dhe andartë kriminelë të liruar nga burgjet e Kretës. Theodori Viti, një ish-oficer, e informoi Zervën për gjendjen në Çamëri dhe një aksionin që po zhvillohej për pajtimin e çamëve myslimanë e të krishterë. Aksionin e pajtimit po e udhëhiqte Jasin Sadiku, të cilin e ndihmonte avokati i krishterë Spiro Çollaka. Në takimin me Zervën, u morën vesh për mënyrën e luftimit kundër Çamëve. Shumë shpejtë vranë Jasin Sadikun dhe dy rojet e tij, për çfarë kriminelët tërë natën festuan bashkë me Zervën në shtëpinë e tij. Të nesërmen Zerva u takua me kryesuesin e Misionit anglez në Greqi, kolonelin Vaudhhauz, i cili i premtoi Zervës bashkëpunim dhe ndihmë në luftën kundër gjermanëve, ndërsa për Çamërinë ia la duartë e lira, si çështje e brendshme e Greqisë. Komandantët e andartëve vrisnin e plaçkitnin nëpër Çamëri. Një bari 12-13 vjeçar (Basriun), Vasil Buraci e kishte hedhur të gjallë në furrën e bukës. Pa kaluar dhjetë ditë, njerëzit e Gani Rizait, babait të Basriut, e kishin kapë dhe ia dorëzuan Ganiut djalin e Vasilit, të moshës së njëjtë, të cilin Ganiu e mbaji një muaj, e ushqeu mirë dhe ia dërgoi të jatit me porosinë: “Shqiparët nuk hakmerrën ndaj kërthinjëve”. Në janarin e dyzetetretës, andartët zunë dy kasapë që po ktheheshin nga Parga, i çveshën lakuriq, lidhën shpinëpërshpine, i keqtrajtuan psiqikisht e fizikisht, i prenë në fyt dhe i rropën, siç kishin rrjepur ata kafshë si kasap që ishin.Në një pritë të dasmorëve vranë dhëndërrin e plagosën nusën. Krimet e andartëve nuk kishin të sosur. Në takimin e Zervës me kryeministrin Rallis, i ishin garantuar ndihma të reja me ushtarë e mjete dhe bashkëpunimi me gjermanët që Rallisi kishte akorduar me Nojerbah. Zerva nga ana e tij e kishte informuar kryeministrin, se me Misionin anglez kishte arritur marrëveshje për shpërnguljen e të gjithë myslimanëve prej Çamërisë, me hirë apo pa hirë. Kur u kthye në Epir, Zerva ishte gjindosur kur mori vesh se xhandarmeria çame i kishte vrarë dy bashkëpunëtorët e tij: Jorgon e Petron. Mblodhi shtabin e luftës, për t’u hakmarrë. Së shpejti vranë Harun Demën, Sotir Këtupin e shumë personalitete të shquara.Vranë edhe tre barinjë (Eqremin, Hamitin e Sulejmanin), të cilëve ua morën kopenë, afro njëmijë dele, si ushqim për forcat greke. Në shtator 1943 Italia kapitulloi pa kushte, kështu që Zervës i duhej të rregullonte marrëdhëniet me gjermanët. Në Paramithi, padashur, në vend të italianëve ishin vrarë gjashtë gjermanë. Gjermanët u hakmorën 6:1. Në takimin që Zerva pati në shtabin e tij me kolonelin ESES, kërkoi falje për incidentin dhe u orvat që fajin t’ua hidhte shqiptarëve. Aty premtoi se një çetë apo një batalion andartë të zgjedhur t’i jepte në ndihmë për kalimin e gjermanëve nëpër Shqipëri, duke synuar që kështu me ndihmën e gjermanëve ta pushtonte Epirin e Veriut. Mirëpo, batalioni i andartëve shpejtë u detyrua të kthehej, me shumë humbje që kishte pësuar nga batalioni partizan “Çamëria”. Pjesa tjetër e andartëve të avokatit Lefter Shtrugari, sulmoi fshatrat Gardhiq e Dhrahomenë, të cilat i shndërruan në flakë e ferr, shkrumb e hi. Në shtabin e Zervës ishin marrë vesh të likuidojnë sa ma shumë nga njerëzit me autoritet në mesin e çamëve. Në rend të parë ishin vëllëzërit Dino, pastaj avokati Spiro Çollaka, etj. Spiuni i Zervës, Sarantisi, në kishën e Paramithisë u takua me dhespotin Dorothej, të cilin e pyeti nëse takonte dhe nga lëviznin ata persona. Dhespoti e këshilloi Sarantisin që të likuidonte vëllezërit Dino, por jo edhe Çollakën, sepse do të bashkonte të krishterë e myslimanë, që të gjithë e respektonin avokatin. Me ndihmat e reja që erdhën në janar 1944, ushtria e Zervës arriti mbi dhjetëmijë veta. Malet ishin mbushur me andartë të Vasil Kamaras. Në takimin e radhës së Zervës me kolonelin Vaudhhauz, britaniku ia kishte përsëritur qëndrimin e shtetit të tij, se “çështja çame është problem i juaj, po unë nuk mund të ju them hapur të bëni gjenocid mbi shqiptarët”. Forcat e shumta të andartëve nisën masakrën në natën e 27 qershorit 1944 në Paramithi, që atë ditë u bë qyteti më i përgjakur në botë, dhe llahtaria vazhdoi pastaj në qytetet dhe fshatrat tjera të Çamërisë martire, deri sa nuk mbeti më në Çamëri asnjë shqiptar myslimanë! Kryekrimineli Zerva, para se të vdiste (1957), i kishte shkruar një miku të tij: “Vdes i qetë, se bëra atë që doja. Pasi lash rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha, uturima fëmijësh, nuse e gra nudo që futeshin në furrat e nderzura, që të mos pillnin më shqiptarë…, burra të varur e të shpuar me bajonetë. Gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën tonë helene. Kjo më kënaqë mua, ashtu siç kënaqë tërë shpirtërat helenë”!

6. “Shën Bartolomeu i Çamërisë”

Gjatë leximit të romanit “Shën Bartolomeu i Çamërisë” kam përjetuar emocionet që më ka dhënë romani “TMERRI” po i Arben Kondit, por këtë herë me subjekt nga lufta e fundit në Kosovë. Qysh në krye të herës theksoj me bindje të plotë se romani “Tmerri” është më i arriri nga të gjithë romanet e krijuara deri më sot përsa i takon luftës së Kosovës në vitet 1998-99. Për këtë arsye, në mediat e Kosovës si dhe të Shqipërisë shumë herë herë është theksuar se ai jo vetëm që duhet të përkthehet në gjuhë të huaja, por duhet të bëhet edhe film me qëllim që mbarë bota duhet ta njohë patjetër genocidin serb mbi Kosovën. Ky roman e nderon letërsinë shqiptare. Do të thoja se po i të njëjtit nivel është edhe romani “Shën Bartolomeu i Çamërisë” që për subjekt ka krimet greko-zerviste në Çamëri. Në këtë roman, qyetet e Prishtinës apo të Gjakovës tek romani “Tmerri” janë qytetet e Paramithisë dhe të Filatit në Çamëri, që për fat të keq pësojnë po të njëjtën tragjedi nga shovenizmi genocidial i fqinjëve tanë si në veri e po ashtu edhe në jug të trojeve tona etnike. Me këtë rast përmëndim se në Filat u vranë e u prenë mbi 1200 shqiptarë, kurse në Paramithi brenda pak netësh, tamam si në netët e Shën Bartololomeut të Francës u masakruan afërsisht 800 njerëz. Pa përmendur këtu vrasjet si edhe vdekjet për gjatë rrugëtimit biblik të shqiptarëve të Çamërisë për drejt atmëmëdheut. Veç ndryshe nga romani “Tmerri” ku në qëndër të subjektit është një çift serbo-frances që shkon deri në konflikt të thellë, në romanin “Shën Bartolomeu i Çamërisë” është një çift të rinjsh çam, njëri i krishterë dhe tjetra muhamedane, dashuria e të cilëve sido që triumfuese nuk mbetet jashtë krimit grek. Romani “Shën Bartolomeu i Çamërisë” ngre në piedestal idenë se shqiptarët sado që janë muhamedanë, katolik dhe ortodoksë mbeten përmbi të gjitha shqiptarë. Aq më tepër kur në ditët e sotme kjo e vërtetë e madhe fiton përmasa mësimdhënëse në këtë botë kaq shumë të trazuar. Pikërisht në kërkim, në realizim të kësaj dashurie, si në një film të vjetër bardhë e zi na shfaqet krimi i llahtarshëm zervist që nuk merr parasysh as atë plakun e sëmurë e ulok në shtratin e tij, as edhe foshnjen në bark të nënës që egzekutohet pa mëshirë me bajonetë nga andartët grek. Në këtë roman zë vend lufta e përgjakshme dhe heroike e shqiptarëve të Çamërisë, e cila nuk ka asnjë ndryshim me luftën e UÇK-së në Kosovë. Gjykoj se i vetmi ndryshim i saj me luftën tonë në Kosovë qëndron në faktin se në vitet 1944-45 çamët nuk e kishin mbështetjen ndërkombëtare siç e pati Kosova në vitin 1998-1999 me SHBA-në krye. Në këtë mes, me siguri ndikoi edhe pozicioni komunist që morri Shqipëria e Enver Hoxhës, ndërkohë që Greqia e shihte perspektivën e saj në Perëndim dhe jo në Lindje. Sidoqoftë jeta triumfon mbi vdekjen. Dashuria e çiftit çam mbijeton mbi genocidin, krimin duke gjetur më së fundi shtegun e emigrimit për në Amerikën e largët demokrartike. Krahas përmbajtjes, tërheqëse mbetet në roman edhe forma e tij. E shkuara dhe e sotmja pleksen këndshëm në penën e Arben Kondit. Ndërkohë që të gjithë personazhet, qofshin ata pozitiv apo negativ janë të kristalizuar qartë dhe të mbeten gjatë në mëndje. Figuracioni dhe gjuha në të gjithë librin mbeten emocionuese. Për më tepër që çamërishtja e sotme apo thesprotishtja e vjetër shkrihen bukur në një të vetme në këtë vepër ngjethëse.

7. “Mëhalla e muhaxhirëve” ose “Persekutimi

Pas njëzet vjetë të kaluara në kurbet, Pirro kthehet në Mëhallën e Muhaxhirëve, në Tiranë, banorët e së cilës kishin qenë çamë e dibranë. Aty gjenë shtëpi të braktisura e të prishura. Porta e shtëpisë së vet, si porta e ferrit, që kur hapet “i kërcasin kockat prej dhimbjes”. Fushën e sportit, ku dikur luanin fëmijët e shkollës, e kishin copëtuar e ndërtuar godina të larta. I kujtohen shokët dhe shoqet e klasës e të lojës: Gimi, Timi, Moza, Abi, dhe mësuesja Mynevere; prindët, motra, vëllai, gjyshja, fqinjët. Nga gjendja që sheh dhe kujtimet që i vijnë në ato momente, përmallohet sa që lotët i pikojnë, si pikat e çezmës në oborrin e mbetur shkret. Pirro mbanë mend ngjarje të dhembshme qe kishte dëgjuar e parë në kohën e fëmijërisë së tij. Në vitin 1960, Teme Sejko, Tahir Demi dhe një grup prej 63 vetash, elita e çamëve në Shqipëri, u arrestuan nën akuzën si komplotistë dhe spiunë të imperializmit amerikanë, revizionizmit jugosllav dhe monarkofazhismit grek. Teme i akuzuar si udhëheqës i grupit dhe disa tjerë u pushkatuan në fund të majit 1961. Të tjerët u gjykuan me 1250 vjet bugim, u torturuan në mënyrë çnjerëzore dhe disa “u vetëvranë” në burg! Jo vetëm të akuzuarit dhe të ekzekutuarit, por edhe familjet e tyre përndiqeshin, torturoheshin e internoheshin. Familjen e Teme Sejkos, nga Mëhalla e Muhaxhirëve e shpërngulën me dhunë dhe internuan. Pirro atëherë ishte nxënës në klasën e parë, dhe u mërzit shumë për shokët e tij: Timin e Gimin që i internuan. Të nesërmën në shkollë, kur mësuesja Mynevere mori vesh për shkakun që ata kurrë më nuk do vinin në shkollë, e lëshuan këmbët dhe u ul në bankën bosh të tyre. Fqinja e tyre, Nu-ja, që jetonte e vetme, sepse djalin Kudretin e kishte ushtar, çdo mbrëmje ndizte qirinjë para derës së mbyllur të familjes Sejko. Nga bisedat që zhvilloheshin, Pirro kishte dëgjuar se asaj grekët ia kishin vrarë e masakruar burrin, ndërsa vajzën katërmuajshe në djep e kishin shkuar në bajonetë e ngritur lart si flamur. Edhe gjyshës Teto ia kishin vrarë burrin, Ademin, ndërsa babain e paralizuar ia kishin djegë bashkë me shtëpinë. Në Mëhallën e Muhaxhirëve, kishte fqinjë të mirë, si Donika e Tomori që ishin profesorë universiteti, dhe Pirro vajzën e tyre Mozën e kishte shoqe të bankës në shkollë. Por kishte edhe njerëz të këqij, siç ishte kapter Feridi dhe i biri i tij Beqiri, një djalë i mbrapshtë e grindavec, sikurse edhe disa tjerë të lidhur me pushtetin. Në shtëpinë e boshatisur të Sejkove ishte vendosur nëndrejtoresha e shkollës (Dita), një grua e pështirë, sekretare e organizatës bazë të partisë, me të shoqin (Vironin) dhe dy fëmijët e tyre. Nëndrejtoresha bashkë me kapter Feridin dhe ca të tjerë, gati i përjashtuan prej shkolle Pirron dhe villain e tij më të madh, Turin, për shkak të një ngatërrese me djalin e Feridit. Motra e Pirros (Ela) që ishte gjimnaziste, shoqërohej me djalin nëndrejtoreshës (Pandin) që ishte student, dhe kjo kishte shkaktuar një paknaqësi e shqetësim në familjen e Pirros. Për ta tejkaluar situatën, e ëma e Pirros bashkë me tre fëmijët vajti për dy javë, gjatë pushimit dimëror, te e motra (teta Sheqo) në Markat të Konispolit. Në ndërkohë, i ati i Pirros (Didi) dhe i ati i Pandit (Vironi), ishin marrë vesh që Ela e Pandi, sapo ta kryejnë shkollën, të fejohen e martohen dhe të jetojnë të ndarë, sepse ndëndrejtoresha Dita nuk donte që djali i saj të martohej me një vajzë çame, madje familja e saj do kishte telashe me pushtetin. Nu-ja ishte merakosur që prej disa muajsh nuk kishte marrë letër prej të birit ushtar, vajti në Konispol, por nuk e gjeti. E kishin vrarë në kufi, e kishin tërhequr zvarrë rrugëve të Sarandës për ta shikuar populli, si të ishte kriminel. Me të marrur vesh për djalin, Nu-ja ishte çmendur e sillej rrugëve të Sarandës si lypsare, ku e takoi e ëma e Pirros me fëmijët, që ishin tronditur për gjendjen e Nu-jes, e cila  as që i kishte njohur fqinjët. Në shtëpinë bosh të Nu-jës ishte vendosur një familje fisnike kolonjare. Ata kishin një djalë të sëmurë (Talon), të cilin e ngacmonte djali i kapter Feridit, ndërsa Pirro dhe Turi e mbronin sa mundnin. Gjyshi i Talos kishte qenë një ndër kapedanët kryesor në çetat e jugut dhe ishte vrarë e masakruar nga grekët. Pirro ishte bërë sy e vesh kur dëgjonte me vëmendje për ngjarjet që tregonin më të vjetrit për luftërat me grekët, masakrat, vuajtjet e çamëve.  Didi, ati i Pirros, po shpaloste kujtimet nga lufta e mbi dymijë luftëtarëve trima çamë kundër forcave të Zervos e Kranjit, në korrik të vitit 1944 për çlirimin e Paramithisë e të Pargës, ku Didi ishte plagosur dhe akoma vuante nga plaga. Ishte tepër i prekshëm kujtimi i Didit, kur kishte parë një nënë në ikje e sipër, për t’u çliruar nga barra që s’mund ta bartte më, në vend se ta hidhte boshçën, e kishte hedhur foshnjën nga ura mbi lumin Kalama! Pas aq vjetëve që kishte punuar  e jetuar jashtë vendit, Pirro e gjeti Mëhallën e Muhaxhirëve krejtë të ndryshuar: shtëpitë e vjetra ishin rrënuar, e në vend të tyre ishte ndërtuar pallat i madh që ia kishte zënë frymën shkollës së vjetër. Në klubin afër shkollës takohet me Abin, shokun e fëmijërisë, të cilin nuk e njohu, derisa ai  tregoi se cili ishte, dhe se ishte bërë gjysh. Edhe Pirro i tregoi se  gruan e kishte nga Çamëria dhe se kishte një djalë, Arbërin, dhe  ishte bërë gjysh. Kujtimet e dhimbshme të  Pirros dhe Abit ndërroheshin si sekuencat e një filmi bardhezi, për egërsinë e një kohe.

8. “Djaj në Veladon”

Ndërsa në librin “Djaj nën veladon”, mes tisit të letërsisë, Kondi akuzon hapur tentativat e vazhdueshme të qarqeve shovene greke, për të zaptuar fronin e kulteve fetare në Shqipëri, në emër të ëndrrës së vjetër të Vorio-Epirit. Forma artistike e romanit, ndërthurja mjeshtërore e personazheve kryesore, na zbulon qartë qëllimin djallëzor të tyre si dhe të politikës së shtetit grek për helenizimin e jugut të Shqipërisë. Në libër paraqiten një sërë personazh real të fesë e politikës, ku me penën e tij, Arben Kondi çjerr maskën e buzëqeshjes së tyre, duke ju nxjerr sheshit thikën apo kamën e përgjakur, që e mbajnë herë të fshehur e herë në dorë. Shqiptarët nuk duhet të harrojnë kurrsesi gjakun e Papa Kristo Negovanit, të Petro Nini Luarasit, të At Stath Melanit e sa e sa korifejve të tjerë ortodoksë shqiptarë që bën aq shumë për kombin.

Autori përshkruan me vërtetësi të padiskutueshme të gjitha parpaskenat që po vazhdojnë t’i bëhen kombit tonë, nga njerëz të fshehur poshtë veladonëve të zinj. Natyrisht, në qendër të këtyre prapaskenave është kryepeshkopi grek, Anastas Janullatos, i cili e ka kthyer kishën ortodokse në një bunker krimi, duke arritur deri aty sa të hedhë baltë edhe mbi figura madhore të kombit tone, siç është ajo e Fan Stilian Nolit. Në roman, Noli është antiteza e Janollatosit. Ai shfaqet aq natyrshëm nëpërmjet ëndrrës. Fisnik, intelektual i kalibrit të lartë e po aq edhe atdhetar. Me shqetësimet ndaj ofensivës greke në jugun e Shqipërisë, Kondi e sjell Fan Nolin të gjallë e me vërtetësi deri në ditët tona. Ballafaqimi i tij me Janollatosin është tepër emocional. Noli edhe sot e kësaj dite, mbetet jo vetëm simboli i klerikut të dëshiruar prej të gjithë shqiptarëve ortodoksë e jo ortodoksë qofshin ata, por dhe një nga njerëzit më të ditur të hapësirës shqiptare gjatë shekullit XX e më gjerë. Ky libër, në formë kronike, i bën apel politikës shqiptare që të pastrojë veladonët e kishës nga agjentët e asfalisë greke, të cilët janë pa moral dhe pa fé, por të brumosur me synimin shovinist për realizimin e ëndrrës së vjertër të MEGALAIDESË.

Në libër zbulohet fakti se, Janollatos, si dikur babai i tij shpirtëror, Kozma Etoliani, bashkë me shpurën e servilëve dhe agjentëve që e ndjek nga pas, flasin për Zotin, por në fakt thurrin plane për Vorio-Epirin, duke i ngulur kamën pas shpine Shqipërisë. Libri ngjall emocione të forta dhe rrëfen me imtësi, se ata që kërkojnë të shfaqen si engjëj të ortodoksizmit, në fakt janë disa mashtrues bastardë, të cilët duhen larguar një orë e më parë nga Shqipëria jonë. Po kush e dëgjon thirrjen, zërin e shkrimtarit tonë politika shqiptare vazhdon të mbetet inferior ndaj synimeve të shtetit grek. Ky libër, ky roman kaq i arrirë na bën të ditur se në fronin klerikal të ortodoksisë shqiptare duhet ta zërë medoemos një Fan Stilian Nol i ri.

9.Rikthimi në Çamëri”

Romani historik e udhëpërshkrues “Rikthimi në Çamëri”, është një histori e plotë e të kaluarës dhe të tashmës së Çamërisë. Nuk është çudi që ky roman është ribotuar njëzet herë dhe është përkthyer edhe në anglisht. Në roman autori përshkruan mbresat, përshtypjet, peripecitë, trishtimet e udhëtimit dhe të qëndrimit në qytete të ndryshme të Çamërisë e të Greqisë gjatë qëndrimit dyjavor, me bashkëshorten Mirelen dhe djalin Arbërin, gjatë festave të Vitit të Ri 2000. Trishtimin e parë e hasë në “portën e ferrit”, në pikën kufitare në Kakavijë, ku shqiptarët trajtohen në mënyrë shtazarake nga autoritetet greke. Aty sheh se si policia greke e rrahë brutalisht dhe përgjakë një djalë të ri shqiptar, ndoshta nuk paska qenë në rregull me letrat, po cili ligj ndërkombëtar justifikon veprimet e policit barbar, pyet autori. Gjatë udhëtimit për në destinacionin e parë, Janinë, autori tretë sytë dhe mendjen në token nënë dhe historinë e saj, ngjarjet dhe personalitetet në luftërat e zhvilluara në vitin 1912 e 1913 për mbrojtjen e Janinës e gjithë Çamërisë, por  jo se nuk mund u mbrojt Janina, e cila ra nën pushtimin grek më 7 mars 1913, veçse ishte pushtuar gjithë Jugu i Shqipërisë dhe në shkurt të vitit 1914 në Gjirokastër ishte shpallë “Republika Autonome e Epirit”. Pas shkëmbimit të pak fjalëve “çamçe”me një janjiot  të moshuar, bënë një foto familjare pranë godinës klasike të Gjimnazit “Zosimea”, në të cilin janë shkolluar figura të shquara të Rilindjes sonë kombëtare, midis të cilëve edhe tre vëllezërit Frashëri. Në autobusin e linjës Janinë-Athinë, nervozën dhe tronditjen ia shkakton një plakë, mjerisht me origjinë çame nga Konica, e cila gërthet e bënë me dorë: “pisu alvanis, pisu” (mbrapa shqiptarë, mbrapa), ngase shqiptarët (emigrantë) duhej të shkojnë në fund të autobusit, duke lënë dy rreshta ndarës bosh në mes të autobusit, për t’i diferencuar udhëtarët shqiptarë prej atyre grekë!  Rrugës i vijnë në kujtesë gjithë ngjarjet dhe personalitetet historike, si dhe Ali Pashë Tepelena e Mustafë Pashë Bushati, dy pashallarë të fuqishëm të kohës, të cilët edhepse patën mundësi, nuk e bënë bashkimin e Shqipërisë. Në kalim, kur sheh qytetin e Artës, i kujtohet se thonë që aty në çdo tre banorë , dy flasin shqip, dhe i kujtohet që para nëntë vjetëve me shokun e tij, Çimin, kishin punuar e ishin mirëpritur në një familje vendase shqiptare. Po, kënaqësinë e shikimit të bukurive të detit dhe pejsazheve, ia prishin tabelat e emrave të helenizuara të vendbanimeve çame, dhe parullat e shumta antiamerikane e anti-NATO, paçka se Greqia vet është anëtare e NATO-s dhe se Amerika e ka nxjerrë nga kthetrat e komunizmit dhe e ka ndihmuar zhvillimin e saj. Në Athinë, qytet që dikur dominohej e qeverisej nga shqiptarët, i bëhet një mikpritje e paharruar te miqtë e vjetër, Shyqa me të shoqen Fluturën, që punojnë atje. Gjatë vizitës së Akropolisit, amfiteatrove e muzuemeve të vjetra, takon bashkatëdhetarë të njohur, ndër të cilët edhe shkrimtarin Visar Zhiti. Kur me grekët komunikon në italisht, ata sillën me një servilizëm. Vitin e Ri 2000 e pret në Tripoli, te tezja e Mirelës (Ledi me të shoqin Beni, e me disa mysafirë tjerë). Aty llafosin për shumë ngjarje e personalitete nga historia dhe aktualiteti i marrëdhënieve shqiptaro-greke. Historia e qytetit shqiptar të Filatit është e lidhur ngusht me luftërat dhe trimat çamë, si Muharrem Rushiti, Abedin Dino,Halit bej Frashëri, Çelo Picari, Ahmet Çapari etj,  të cilët bënë çmos për ta mbrojtur vendin nga kriminelët grekë. Autorit Kondi ia bënë ditën më të rëndë të  atij udhëtimi e të asaj vizite dyjavore në Greqi, telashet që përjetoi në Margëlliq një grua plakë, e cila si foshnje ishte përzënë me familje nga ai qytet, e që tash jo se nuk i ndihmoi kush ta gjente shtëpinë e saj, por nuk e lanë të vendosej as në hotel, veçse e urdhëruan të kthehej në Shqipëri, nëse nuk do të përfundojë në polici, vetëm për shkak se në pasaportë i shkruante: vendlindja – Margëlliç! Porosinë e një plake tjetër, që nga vendlindja e saj, Gumenica, t’ia sillte një grusht dhe, autori e kishte kryer duke e fshehur dheun në këllëfin e fotoaparatit. Vizitën qytetit të Pargës, autorit ia kishte rekomanduar madje një punëtore e sigurimit grek (“Asfalia”), duke thënë se Arta është më e bukur se Saranda, të cilën ajo e kishte vizituar.  Duke parë Prevezën, që dikur ishte kryeqytet i Çamërisë, autori kujton  janarin e  vitit 1879, kur ishin mbledhë gjithë paria shqiptare për  t’u marrë vesh për fatet e Shqipërisë, në shtëpinë e Abedin Dinos së njohur për rolin pozitiv në mbrojtjen e Çamërisë (1878) edhe si ministër i jashtëm i Perandorisë. Në të kthyer, sheh gërmadha në fshatin Koskë e të tjera, si ato në qindra fshatra të djegura në Kosovë gjatë vitit 1999. Disponimin e udhëtimit ia prishin edhe xhipat e policisë që lëvizin pa ndërprerë, dhe autori nuk guxon të fotografojë gërmadhat. Në kufirin shqiptaro-shqiptar e çamo-çam, në Qafë Botë, përsëri skena trishtuese, ku policia greke e tërheqin zvarrë për flokësh një djalë të ri, e goditin në çdo pjesë të trupit derisa e dërmojnë dhe përgjakun. Autori, për ta kaluar kufirin më lehtë, doganierëve iu flet italisht, dhe ata me servilizëm e marrin pa pritur në radhë. Por, kur nga pashaporta shohin se është shqiptar, e kthejnë të fundit në radhë. Kësi trajtimi kanë shqiptarët nga autoritetet greke: edhe nëse shpëton nga dajaku ose nga vrasja, të paktën nuk shpëton nga përçmimi e nënçmimi!

10 .”Dëbimi”

. Subjekti i këtij romani trajton një periudhë tepër të vishtirë për shqiptarët e Çamërisë, vitet 1923-1926, kohë kjo kur pas luftës greko-turke e pas nënshkrimit të marrëveshjes së Lozanës (janar 1923), popullsia çame nëpërmjet dhunës e dinakërisë greke detyrohet të lëshojë vatrat amtare dhe të mërgojë në Turqi, në Anadollin e largët. Të kihet parasysh fakti se plot dhjetë vjet më parë, kësaj krahine kaq vitale të kombit tonë i qe vënë thika në grykë në pikën e quajtur Qafë Botë, fare pranë Konispolit. Pushtimi shoven rëndonte fort. Megjithatë, Athina zyrtare nuk kishte të ngosur me rrëmbimin e Çamërisë dhe përgjakjen e shqiptarëve, por synonente përfundimisht që ti shkulte me rrënjë ata prej tokës së tyre amtare. Pikërisht në këto vite kaq të vështira për Çamërinë, detyrën e Ministrit fuqiplotë të Tiranës në Athinë do ta kryente një ndër figurat me të shquara të kombit tonë siç ishte Mit’hat Frashëri, i biri i Abdylit dhe nipi i Samiut dhe i Naimit. Personazhet të tjerë të rëndësishëm të librit janë Dhimitër Popa, ndihmësi i Mit’hatit, Musa Demi, politikanë e diplomat ndërkombëtarë, ish kryeministri apo Presidenti i Greqisë, arvanitasi Pangallos si dhe Presidenti e kryeministri shqiptar Ahmet Zogu.

Në këto tri vite tepër të vështirë Çamëria mitike do të pësojë një goditje aq të fortë që i kushtojnë largimin e mijra e mijra bijve të saj drejt Turqisë. Pikërisht mes kësaj tragjedije kaq të rëndë lartosohet figura e Mit’hat Frashërit dhe e bashkëpunëtoreve të tij, që nëpërmjet një luftë të ashpër dipllomatike arrijnë më së fundi të frenojnë përzënien për drejt Anadollit të plot 15000 shqiptarëve të Camërisë. Një luftë po të këtillë pati bërë Mit’hat Frashëri gjatë kësaj periudhe edhe për frenimin e përzënies po nga trojet e tyre amtare të shqiptarëre të Maqedonisë greke në qytetet e Kosturit, Follorinës, rrethinave të tyre etj. Edhe në këtë hapësirë thjesht shqiptare detyrojnë të mërgojnë drejt Turqisë me mijra e mijra shqiptarë autokton. Në roman, një figurë interesante mbetet edhe ajo e Prisidentit apo kryeministrit grek Teodor Pangallos. Me siguri i ndikuar edhe prej rrënjëve, prej gjuhës dhe gjakut të tij arvanitas, ai arrin të ndërhyjë dhe ta frenojë hemoragjinë në Çamëri. Dhe jo vetëm kaq. Në fund të romanit, në bashkëbisedim me Mit’hati Frashërin dhe Dhimitër Popën, ai deklarohet për një fqinjësi tepër miqësore midis Greqisë dhe Shqipërisë në Ballkanin e trozuar, që konsiderohej si një fuqi baroti e që këto marrëdhënie të reja do ti shërbente me siguri paqes. Një qëndrim i tillë kaq i përparuar tingëllon sot si një shuplak apo një mësim i duhur ndaj politikës aktuale greke që për fat të keq nëpërmjet çështjes shovene e të sajuar “Bejleri” thjesht kërkon të rizgjas kthetrat e përgjakshme e vrastare të Megalaidesë drejt jugut të Shqipërisë apo të ashtuquajturit Vorioepir. Pra, në thelb ky roman jo vetëm që na jep në pëllëmbë të dorës situatën tragjike të Çamërisë në vitet 1923-26, por shërben edhe si një mesazh për Athinën zyrtare që marrëdhëniet fqinjësore me Shqipërinë të mos i shohi përmes lupës shovene, por në frymën mirëkuptuese të Europës, ku ajo vetë është pjestare e para shumë e shumë viteve. Theksoj me kënaqësi se fryma pellazgjike e Çamërisë në faqet e këtij libri na puhis këndshëm shpirtin për gjatë gjithë leximit të tij.

* * *

Përmes romaneve të përmendura, autori pasqyron realitetin e kohës, në mënyrë letrare-artistike, me përshkrim të hollësishëm të personazheve, vendeve e ngjarjeve, të cilat të krijojnë emocione të të gjitha ngjyrave, dashuri, krenari e dhembje, gëzim e vuajtje, ngritje e rënie, respekt e urrejtje. Këto romane krijojnë një simbiozë midis lexuesit e autorit, me të njëjtat ndjenja, që të prekin thellë në shpirt e në zemër. Nga lënda e shtjelluar në romane, lexuesi bindet pa mëdyshje se Arben Kondi është një shkrimtar i ditur, me një kulturë universale e talent të admirueshëm, dhe përherë i preokupuar dhe përkushtuar kauzës kombëtare në përgjithësi, e kauzës çame në veçanti.

Nga përmbajtja e romaneve të Arben Kondit, nga ngjarjet dhe personazhet reale gjatë historisë tetëshekullore, shihet tendenca e vazhdueshme sllave e greke, po edhe ajo latine dhe otomane, për zhdukjen ose asimilimin e shkombëtarizimin e shqiptarëve autoktonë. Greqia e Serbia ishin (dhe mbetën) shtete ku projektet e gjenocidit i bëjnë akademikët, klerikët dhe politikanët, ndërsa i zbatojnë forcat më të errta të shoqërisë së tyre.

Arben Kondi vazhdon të shkruajë, botojë e ribotojë pandërprerë dhe të përhapë librin në të gjitha trojet shqiptare, në radhë të parë përmes panaireve të librit, në stendin e tij standard “ÇAMËRIA”, në Tiranë e Prishtinë, Shkup e Tetovë, Ulqin e kudo tjetër ku flitet e lexohet  gjuha shqipe. Po këto libra kalojnë dorë-përdorë nga një lexues te tjetri, dhe numri i lexuesve gjithnjë është shumë më i madh se tirazhi i shitur ose i shpërndarë gratis nga autori.

Botimi i këtij kompleti me dhjetë romane historike, me titull: “Çamëria, Camëria” është jo thjesht një ngjarje e shënuar letraro-kulturore gjithkombëtare, por mbi të gjitha është një thirrje e fuqishme për veshët shurdhan të politikës sonë. Në fund autorit i urojmë që opusin e tij letrar ta pasurojë edhe me shumë vepra tjera. Fatmirësisht ai është ende i ri.

ADIL Rr. FETAHU

studjues nga Prishtina



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora