E merkure, 11.12.2024, 06:01 PM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Në datëlindjen e Natasha Lakos

E hene, 26.08.2024, 05:50 PM


NË DATËLINDJEN E NATASHA LAKOS

Nga Timo Mërkuri

Poezia "Në datëlindjen time" e Natasha Lakos kategorizohet si poezi lirike e mendimit, me elemente të reflektimit dhe të momentit të frymëzuar, por përmban ndjenja të forta personale dhe një ton emocional, që është karakteristikë e poezisë lirike. Poetja shpreh ndjenjat e saj për jetën, përvojat e kaluara dhe sfidat që ka hasur dhe pikërisht këto elemente personale e emocionale janë tipike për poezinë lirike.

Në poezi, autorja përjeton një moment frymëzimit, që është dita e saj e lindjes dhe është ky moment që e shtyn atë të reflektojë mbi të kaluarën dhe të ardhmen e saj në një mënyrë që mund të cilësohet si metaforike dhe simbolike, për shkak të përdorimit të metaforave dhe simboleve të forta në  pasqyrimin e përvojave dhe ndjenjave të saj në një mënyrë që përmban një shkallë të lartë abstraksioni.

I- Duke qënë një poezi moderniste, ajo ka një qasje me ekspresionizmin, rrymë që ka ndikuar në letërsinë botërore në fillim të shekullit të 20-të, e cila përqendrohet në shprehjen e ndjenjave shpirtërore të individit dhe e shpreh botën nëpërmjet një perspektive subjektive e dramatike. Qasja e poezisë "Ne datëlindjen time" me rrymën e ekspresionizmin dallohet në elemente të përdorura dhe karakteristikat që përshtaten me këtë rrymë:

a)-Poezia përdor një gjuhë të ngarkuar emocionalisht për të shprehur intensitetin e  emocioneve të poetes. Ato (emocionet) janë të ndjeshme, dhe paraqesin një eksperiencë shpirtërore të thellë, e cila është karakteristikë e ekspresionizmit. Psh vargu befasues: "Dhe burrat nuk ma dhanë të gjithë kupën me helm", që shpalos një ndjenjë zhgënjimi dhe vuajtjeje. "Kupa me helm" është një metaforë e fuqishme për përvojat e hidhura që poetja ka përjetuar. Intensiteti i emocionit në këtë varg është shumë i lartë, një tipar i rëndësishëm i ekspresionizmit, i cili shpesh eksploron anët e errëta të jetës dhe emocionet e thella. Po ashtu vargu: "Tani edhe kamxhiku i jetës po fle, / Në një gotë vere." shfaq një tjetër metaforë sa të fortë aq dhe të bukur, ku "Kamxhiku i jetës" simbolizon goditjet e jetës, ndërsa ideja që ai tani "po fle në një gotë vere" sugjeron një përkohësi  qetësie pas vuajtjes. Ky kontrast dhe përdorimi i figurave të forta stilistike për të shprehur gjendjen shpirtërore është tipik për ekspresionizmin, duke e bërë të dukshme ndikimin e ndjenjave të brendshme në perceptimin e botës.

Te bën përshtypje  pse poetja kujdeset të tregojë se burrat nuk ja dhanë të gjithë kupën (plot) me helm, madje është pikërisht kjo përkujdesje e saj që na shtyn drejt mendimit se  këto vargje kanë dhe interpretimin tjetër, karakteristikë e poezisë moderne në përgjithësi dhe e ekspresionizmit në veçanti. Kështu vargu "Dhe burrat nuk ma dhanë të gjithë kupën me helm" interpretohet  në tjetër kontekst, i cili nxjerr në pah një dimension të ri, ku vargu mund të sugjerojë momente mirëkuptimi të vonuar nga ana e burrave, pas një kundërshtimi apo kundërvënie jo të vogël për ta thyer atë shpirtërisht, për ti vrarë dëshirat, synimet, ëndrrat apo ambiciet e heroinës.  Në këtë kontekst duhet të sqarojmë se fjala “burra” nuk është e barazvlefshme më fjalën “meshkuj” pasi mund të ketë dhe kuptimin e “burrave shtetarë apo partiakë”. Pavarësisht gotës plot apo përgjysëm, gota ka qenë me helm dhe jo me ndonjë “trëndafil në gotë” duke nënkuptuar se burrat kanë mbajtur një qëndrimin negativ, refuzues ndaj aspiratave të heroinës, tipik qëndrimi patriarkal i burrave ndaj grave intelektuale.

b)-Në këtë kontekst vjen edhe interpretimi i vargut të parë: Unë nuk jam mësuar me tepër përkëdheli”, që sigurisht  nuk duhen interpretuar në kuptimin e literal të përkëdheljeve, por në kuptimin që poetja nuk ka çarrë lehtësisht në jetë, ose siç thuhet zakonisht: jeta nuk e ka përkëdhelur. Në qoftë se kthejmë shikimin pas, Natasha Lako ishte një poete e cila quhej: “e talentuar por e errët”, “ e vështirë për tu kuptuar”, “poezi e mbyllur” etj., nofka që ja atribuojnë edhe sot çereklexuesit dhe gjysëmlexuesit e poezisë. Sikur të mos e kishin mbështetur Kadare, Agolli, Moikom Zeqo, më pas dhe Rudolf Marku, Preç Zogaj, Sadik Bejko dhe pak të tjerë vështirë do ta kishte patur të arrinte të bëhej kjo Zonjë poezie që është sot. Problemi tjetër është se të gjithë këta mbështetës dhe inkurajues të saj janë goditur në monizëm për njerën apo tjetrën arsye, kështu që dhe mbështetja ndaj Lakos shpesh herë ka qenë e rezervuar, më shumë për të mos e dëmtuar me praninë e tyre, ndaj Lakos i është dashur të rezistojë dhe të ecë përpara falë forcës shpirtërore dhe talentit të saj. Prandaj thotë se ajo nuk u rrit “me tepër përkëdhelje”.

c)-Po ashtu, vargu "Tani edhe kamxhiku i jetës po fle, / Në një gotë vere" përmban disa elemente kyçe që pasqyrojnë stilin ekspresionist dhe konkretisht:

Simbolizmi i fortë është karakteristikë e rrymës ekspresioniste dhe në këtë varg shprehet te”kamxhiku” si simbol i qartë i vuajtjeve dhe sfidave që jeta mund dhe i ka sjellë. Duke përdorur këtë simbol, poetja shpreh idenë e vuajtjeve që kanë qenë pjesë e jetës së saj, ndërsa kur thotë se "kamxhiku i jetës po fle", ajo nënkupton një moment pushimi, lehtësimi apo shpëtimi nga këto vuajtje. Pra, “kamzhiku” është një përdorim i fuqishëm i simbolizmit për të treguar një gjendje të ndryshuar të ekzistencës.

Ekspresionizmi shpesh përdor kontraste të fuqishme për të theksuar emocionet dhe tensionet shpirtërore dhe në këtë varg, kontrasti midis kamxhikut (simbol i dhimbjes) dhe gotës së verës (simbol i kënaqësisë dhe relaksit) krijon një dualitet që pasqyron kompleksitetin e përjetimeve njerëzore dhe ndjejmë se ky kontrast thekson momentin e paqes dhe qetësisë pas një periudhe vuajtjesh.

Duke thënë se kamxhiku i jetës "po fle", poetja përdor personifikimin për t'i dhënë një cilësi njerëzore një objekti të pajetë. Kjo teknikë e bën më të gjallë dhe më të prekshme përvojën e pushimit të vuajtjeve, duke e bërë lexuesin të ndjejë më thellë këtë ndryshim të gjendjes emocionale. Si pjesë e ekspresionizmit, ky varg reflekton një gjendje të brendshme qetësie dhe pajtimit pas një periudhe tensioni dhe vuajtjesh duke dhënë një shprehje të drejtpërdrejtë të një emocioni të thellë personal, një temë që është qëndrore në poezinë ekspresioniste.

Si dhe vera, që shpesh është një simbol i gëzimit, shoqërisë dhe kënaqësisë, në këtë kontekst mund të përfaqësojë një formë ngushëllimi ose shpëtimi. Ideja që vuajtja ("kamxhiku") po "fle" në një gotë vere mund të nënkuptojë se poetja ka gjetur një farë ngushëllimi ose paqeje në këto momente të veçanta ditlindjeje.

ç)-Në poezinë e Natasha Lakos, vargjet "Gëzuar thoshte i shtrenjti Sadi / Dhe dashuria ishte nomade" ofrojnë një pamje të ndjeshme dhe reflektive që mund të analizohet thellësisht në kontekstin e rrymës ekspresioniste.

Referenca për "të shtrenjtin Sadi" ka një rëndësi të veçantë. Sadiu (Saadi) është një poet dhe filozof persian i njohur për urtësinë dhe vargjet e tij mbi dashurinë dhe jetën. Përmendja e tij sugjeron një qasje të vargjeve të Saadiut “Kthe kupa e puth çupa/se ke shekuj për të fjetur në qetësi”. Në kontekstin e ekspresionizmit, kjo mund të interpretohet si një përpjekje për të përfshirë një urtësi të lashtë në përvojën personale të heroinës. Fjala "Gëzuar" ka një nuancë  festive e kënaqësie, por në kontekstin e ekspresionizmit, kjo përshëndetje mund të jetë ironike, duke përbërë një kontrast me sfidat dhe vuajtjet e përmendura më parë në poezi, duke theksuar dualitetin e përvojave njerëzore.

Metafora "Dhe dashuria ishte nomade" paraqet dashurinë si një entitet në lëvizje të vazhdueshme, pa një vend të përhershëm. Kjo metaforë e përfytyron dashurinë si një nomad, një person që nuk ka një vend të përhershëm banimi dhe që është në lëvizje të vazhdueshme, duke pasqyruar idenë se dashuria është e ndryshueshme dhe vazhdimisht në kërkim të një vendi të ri, një simbolizëm që nënkupton një mungesë  stabiliteti dhe  përhershmërie në marrëdhënie dhe ndjenja dhe që ne na përforcon idenë se poetja me termin dashuri nuk e ka fjalën vetëm për ndjenjat ndaj partnerit, por për dashuritë e shumta të saj si intelektuale, për të cilat jemi shprehur edhe më parë.

Në kontekstin e rrymës ekspresioniste, kjo metaforë reflekton një ndjenjë të përhershme të kërkimit dhe të pasigurisë emocionale. Ekspresionizmi synon të shprehë emocionet e brendshme dhe përjetimet subjektive në mënyrë të fuqishme dhe shpesh dramatike dhe kjo metaforë është një shembull i mirë i kësaj qasjeje.

d)- Në vargjet "Tani, ku tjetër strehë do të gjej, / Do të mplakem" ofrojnë një pasqyrim të ndjenjave të pasigurisë dhe reflektimit mbi jetën, të cilat janë të lidhura ngushtë me rrymën ekspresioniste.

Vargu "Tani, ku tjetër strehë do të gjej" shpreh një ndjenjë pasigurie dhe kërkimi të vazhdueshëm për një vend të sigurt ose një kuptim të qëndrueshëm në jetë. Kjo strehë nuk përfaqëson thjesht një shtëpi banimi fizike, por më shumë një vend emocional ose intelektual ku heroina ndihet e përmbushur dhe e sigurtë. Në këtë kontekst, strehëza mund të interpretohet si një fushe arti, një aspekt i fushës intelektuale ose një mënyrë për të kuptuar dhe përballuar botën. Poetja, duke e pyetur veten ku mund të gjejë një strehë të tillë, shpreh një kërkim të pafund për identitetin dhe përvojat që e mbushin jetën me kuptim. Në rrymën ekspresioniste, ky lloj kërkimi për kuptim dhe identitet shpesh është një temë themelore, pasi ekspresionistët përqendrohen në shfaqjen e emocioneve të brendshme dhe në përvojat e individit në një botë që është e paqëndrueshme dhe e pafavorshme. Prandaj, kjo ndjenjë e pasigurisë dhe kërkimi për strehë është një aspekt thelbësor i ekspresionizmit në poezinë e Natasha Lakos.

Një reflektim të drejtpërdrejtë mbi kalimin e kohës shpalos  vargu "Do të mplakem".  i cili mbart një peshë të madhe simbolike dhe filozofike. Ky varg nuk është thjesht një deklaratë për moshën fizike, por një reflektim i thellë mbi kalimin e kohës dhe procesin e plakjes si një pjesë integrale e përvojës njerëzore. Me këtë varg, poetja nënvizon pashmangshmërinë e kalimit të kohës, duke përfaqësuar një pranim të realitetit të jetës ku secili prej nesh duhet të përballet me procesin e plakjes. Qasja ekspresioniste në poezinë e Lakos, veçanërisht në vargun "Do të mplakem", shfaqet përmes thellësisë emocionale dhe përshkrimit të ndjenjave të brendshme të heroinës. Vargu përfundimtar "Do të mplakem", përmban një reflektim mbi ekzistencën njerëzore dhe kalimin e kohës, duke e lidhur drejtpërdrejt me ndjenjën e pashmangshmërisë së plakjes dhe fundin e jetës. Kjo sjell një dimension të thellë filozofik dhe emocional, të cilin ekspresionistët kërkojnë ta eksplorojnë.

Po ashtu intensiteti emocional që krijon vargu "Do të mplakem" është një shenjë e ekspresionizmit, pse ky varg specifik reflekton qasjen ekspresioniste përmes shfaqjes së ndjenjave personale dhe reflektimit shpirtëror mbi kalimin e kohës dhe plakjen. Intensiteti emocional që bart ky varg shpreh frikën, pranimin dhe reflektimin mbi pashmangshmërinë e plakjes, duke shfaqur emocionet në formën e tyre më të papërpunuar dhe të drejtpërdrejtë. Ky reflektim mbi ekzistencën dhe kalimin e kohës përçon ndjenjën e pashmangshmërisë të mplakjes, një element thelbësor i ekspresionizmit që merret me temat ekzistenciale dhe pyetje mbi kuptimin e jetës dhe vdekjes. Përshkrimi i një realiteti të përbashkët njerëzor, si plakja, është një qasje dramatike dhe e ndjeshme që është karakteristike për ekspresionizmin. Pra, vargu "Do të mplakem" pasqyron qasjen ekspresioniste përmes intensitetit emocional, reflekti-mit ekzistencial dhe përshkrimit dramatik, duke e bërë këtë varg një përfaqësues të qartë të kësaj rryme artistike.

II- Poezia "Në datëlindjen time" e Lakos përmban shumë elemente të rrymës së ekspresionizmit, duke shfaqur një gjendje shpirtërore të përzierë me ndjenja të pasigurisë, izolimit dhe kërkimit për kuptim, kështu që analiza e aspektit psikologjik të kësaj poezie në kontekstin e rrymës së ekspresionizmit përfshin identifikimin e ndjenjave dhe perceptimeve, si dhe përshkrimin e tyre nëpërmjet vargjeve që reflektojnë intensitetin dhe pasigurinë e brendshme të poetes.

Kështu psh, ndjenja e pasigurisë dhe izolimit shfaqet nëpërmjet vargjeve si:"Unë nuk jam mësuar me tepër përkëdheli,/Dhe burrat nuk ma dhanë të gjithë kupën me helm." ku ky përshkrim i shkëputjes dhe ndjesive të brishta tregon për një perceptim të pasigurisë dhe mosbesimit në shoqërinë dhe mbështetjen njerëzore, tipike për shumë shkrimtare ekspresionistë.

Reflektimi i brendshëm dhe ndjenja e humbjes shprehet te vargjet: "Tani, ku tjetër strehë do të gjej,/Do të mplakem." pasazh që tregon për një kërkim të vazhdueshëm për identitet dhe kuptim të qëndrueshëm në jetë, por edhe për një pranim të ngadalshëm të procesit të plakjes dhe humbjes së rinisë të jetës.

Po kështu si element psikologjik ankthi dhe tensioni emocional shfaqen në poezi te vargjet:"Gëzuar thoshte i shtrenjti Sadi,/Dhe dashuria ishte nomade."ku, personazhet dhe imazhet janë përdorur për të paraqitur një botë të turbullt emocionale, ku dashuria dhe gëzimi janë të pasigurta. Pra, te poezia e Lakos dhe elementët e aspektit psikologjik kanë natyrë të rrymës së ekspresionizmit poetik.

III-Poezia "Në datëlindjen time" e Natasha Lakos përmban një sërë simbolesh e metaforash që reflektojnë qasjen ekspresioniste, duke shfaqur ndjenjat shpirtërore  dhe përjetimet subjektive të heroinësës. Ekspresionizmi është i njohur për përdorimin e simboleve dhe metaforave të ngarkuara emocionalisht dhe me dramacitet për të shprehur gjendjen e brendshme të individit, por ajo që është karakteristike në këtë poezi (dhe në përgjithësi në poezinë e Lakos) është mënyra eshfaqies së simboleve në mënyrën metaforike që përthyhet në imazh poetik. Ja se si simbolet dhe metaforat në këtë poezi pasqyrojnë qasjen ekspresioniste:

Simboli”Kamxhiku i jetës” përfaqëson vuajtjet dhe sfidat e jetës ku vetë  përdorimi i "kamxhikut" evokon një ndjenjë dhimbjeje dhune dhe imponim, duke theksuar intensitetin emocional të përjetimeve të heroinës. Në kontekstin ekspresionist, ky simbol shfaq në mënyrë të qartë gjendjen shpirtërore të saj dhe përballjen me vështirësitë e jetës. Mirëpo”kamzhik” shfaqet si metaforë në përshkrimin dramatik dhe të fuqishëm të vuajtjeve dhe sfidave që poetja ka përjetuar në jetën e saj. Përdorimi i fjalës "kamxhik" sugjeron dhimbje dhe dënim, duke krijuar një imazh të fortë vizual dhe emocional jo vetëm me formën e kamzhikut. Kjo është tipike për ekspresionizmin, që shpesh përdor metafora të tilla për të shfaqur intensitetin e ndjenjave të brendshme dhe për të shprehur gjendje emocionale të thella dhe të vështira.

Simbolika e "gotës së verës" mund të interpretohet si  moment qetësie dhe lehtësimi të përkohshëm nga vuajtjet. Por gjithashtu shfaqet si një imazh, që krijon një kontrast të fuqishëm me "kamxhikun e jetës", duke treguar se edhe në mes të dhimbjes, ka momente të përkohshme paqeje dhe gëzimi. Ekspresionizmi shpesh përdor kontraste të tilla për të shfaqur kompleksitetin e përjetimeve njerëzore.

Kupa me helm” është një simbol që përfaqëson marrëdhëniet e hidhura dhe përvojat negative që kanë lënë gjurmë të thella te heroina, por ndërkohë shfaqet si një imazh që evokon ndjenja të forta zhgënjimi dhe trishtimi, duke pasqyruar ndjenjat e brendshme të heroinës në një mënyrë dramatike, tipike për qasjen ekspresioniste. Mirëpo Kupa me helm” shprehet si metaforë që përfaqëson marrëdhëniet e hidhura dhe përjetimet negative që heroina ka kaluar. "Helmi" është një simbol i fuqishëm për diçka të dëmshme dhe të hidhur, duke theksuar ndjenjat e zhgënjimit dhe trishtimit. Në kontekstin ekspresionist, kjo metaforë përdoret për të shfaqur në mënyrë të papërpunuar dhe dramatike efektin e këtyre përjetimeve mbi gjendjen emocionale të heroinës.

Në të njëjtën mënyrë mund të flasim edhe për metaforën ”dashuria nomade” që simbolizon natyrën e lëvizshme dhe të përkohshme të dashurisë në jetën e heroinës. Kjo metaforë shfaq dashurinë si një imazh, diçka që lëviz pa qëllim dhe pa një qëndrim të qëndrueshëm Ekspresionizmi shpesh fokusohet te ndjenjat e pasigurisë dhe të përkohshmërisë, dhe ky simbol e pasqyron këtë ndjesi, duke treguar  përjetim personal të heroinës me dashurinë si diçka të paqëndrueshme dhe të lëvizshme. Vargu përfundimtar "Do të mplakem" shfaqet si symbol dhe shprehet si metaforë e pashmangshmërisë së kohës dhe reflektimit mbi ekziste-ncën , duke pasqyron një ndjenjë introspektive dhe filozofike.

Pra, metaforat, simbolet dhe imazhet në poezinë "Në datëlindjen time" të Natasha Lakos janë karakteristika të rëndësishme të rrymës ekspresioniste, pasi ato përforcojnë dhe shfaqin ndjenjat dhe përjetimet e thella shpirtërore të heroinës në një mënyrë dramatike, emocionale dhe filozofike. Këto elemente në ndërveprim midis tyre ndihmojnë në krijimin e një poezie të prekshme dhe të ndjeshme, që reflekton përvojën dhe përjetimet njerëzore në mënyrë të fortë dhe të thellë.

IV- Thamë se poezia "Në datëlindjen time" e Natasha Lakos është një poezi lirike që shpreh thellësisht ndjenjat dhe emocionet personale të autores dhe se kjo poezi është më tepër lirike sesa poezi e mendimit për disa arsye kryesore.

-Së pari, poezia shpreh ndjenja dhe përvoja personale të autores, flet për mungesë përkëdheljesh dhe për sfidat që ka kaluar në marrëdhëniet e saj me burrat, duke e shprehur këtë me një ton emocional dhe të ndjerë: "Unë nuk jam mësuar me tepër përkëdheli, / Dhe burrat nuk ma dhanë të gjithë kupën me helm." Kjo shprehje intime e ndjenjave dhe përjetimeve personale është tipike për poezinë lirike.

-Elemente të jetës së përditshme përmenden në poezi, si "dita e lindjes," "gotë vere," dhe "kamxhiku i jetës" detaje konkrete këto që e bëjnë poezinë të jetë më shumë një reflektim emocional mbi jetën sesa një analizë e thellë filozofike: "Tani edhe kamxhiku i jetës po fle, / Në një gotë vere."

-Toni i poezisë është tepër emocional dhe intim,i ulët, si një e folur me vete, madje autorja i drejtohet vetes dhe lexuesit me një ton që shpreh një ndjeshmëri dhe një përjetim personal të ndjeshëm: "Gëzuar thoshte i shtrenjti Sadi, / Dhe dashuria ishte nomade." Kjo ndjenjë intime dhe emocionale e bën poezinë të jetë më shumë një shprehje e ndjenjave të brendshme sesa një reflektim racional.

Pikërisht këta element që përbëjnë lirizmin e poezisë e bëjnë këtë poezi që të jetë më shumë lirike se sa poezi e mendimit. Psh :a)-poezia është më shumë lirike sesa e mendimit për shkak të fokusimit të saj në emocionet dhe përvojat personale të autores,ndërsa poezia e mendimit shpesh fokusohet në ide abstrakte dhe analiza logjike. b)-Metaforat e përdorura në poezi, si "kamxhiku i jetës" dhe "kupën me helm" kanë  ngarkesë emocionale dhe shprehin përjetimet e dhimbshme dhe sfidat e jetës në mënyrë të ndjeshme. Këto metafora janë më të lidhura me emocionet sesa me mendimin abstrakt.c)-Toni i poezisë është personal dhe i drejtpërdrejtë, duke shprehur ndjenja të thella dhe intime. Kjo i jep poezisë një karakter të fuqishëm lirik, duke e bërë më shumë një shprehje emocionale sesa një reflektim racional.

V- Lirizmin e poezisë e rrit edhe muzikaliteti i saj i brendshëm që konsiston në disa elemente të veçanta të gjuhës dhe strukturës poetike.

Së pari, muzikaliteti në poezi krijohet nga ritmi dhe kadenca e vargjeve. Poezia ka një rrjedhshmëri të natyrshme në vargje, ku ritmi i fjalëve dhe frazave tërheq lexuesin. Psh, përdorimi i fjalëve dhe frazave të shkurtra, si dhe vendosja e tyre në mënyrë ritmike, kontribuon në krijimin e një muzikaliteti të brendshëm:"Unë nuk jam mësuar me tepër përkëdheli,/Dhe burrat nuk ma dhanë të gjithë kupën me helm,/Tani edhe kamxhiku i jetës po fle,/Në një gotë vere."Të duket se këtë tekst mund ta këndojnë shumë bukur Anita Take me atë që quhet “muzikë dhome”.

Së dyti, përsëritja e disa fjalëve dhe frazave krijon një efekt muzikor dhe e bën poezinë më melodioze. Psh, përsëritja e fjalës "tani" në fillim të dy vargjeve të ndryshme krijon një ndjenjë të ritmit dhe e lidh poezinë në mënyrë harmonike: "Tani edhe kamxhiku i jetës po fle,/Në një gotë vere.”...”Tani, ku tjetër strehë do të gjej,/Do të mplakem."

Gjithashtu, muzikaliteti konsiston në përdorimin e metaforave dhe figurave të tjera letrare që kanë një tingëllim të veçantë dhe e pasurojnë gjuhën e poezisë. Përdorimi i fjalëve si "kamxhiku i jetës" dhe "gotë vere" krijon imazhe të fuqishme dhe e bën gjuhën e poezisë më të larmishme dhe më melodioze.

Toni emocional dhe intim i poezisë kontribuon gjithashtu në muzikalitetin e saj. Ndjenja e përjetuar në poezi transmetohet përmes zërit të butë dhe të ndjerë të autores, duke i dhënë vargjeve një melodi të brendshme:"Gëzuar thoshte i shtrenjti Sadi,/Dhe dashuria ishte nomade,/Tani, ku tjetër strehë do të gjej,/Do të mplakem." U thoni disa kompozitorëve që ta lexojnë këtë poezi e ta kompozojnë se na lemerisin disa tekste këngësh.

Sarandë, maj 2024

Natasha Lako

Në datëlindjen time

Unë nuk jam mësuar me tepër përkëdheli,

Dhe burrat nuk ma dhanë të gjithë kupën me helm,

Tani edhe kamxhiku i jetës po fle,

Në një gotë vere.

Gëzuar thoshte i shtrenjti Sadi,

Dhe dashuria ishte nomade,

Tani, ku tjetër strehë do të gjej,

Do të mplakem.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora