Kulturë
Anton Nikë Berisha: 'Netët e Karadakut', nismë e mbarë e shtegtimit poetik të Ibrahim Kadriut
E hene, 19.08.2024, 07:50 PM
“NETËT E KARADAKUT” NISMË E MBARË E SHTEGTIMIT POETIK TË IBRAHIM KADRIUT
–
Parathënie –
NGA
ANTON NIKË BERISHA
Më
1969 Ibrahim Kadriu, njëzetekatër vjeç[1],
botoi përmbledhjen e parë me poezi “Netët e Karadakut”[2],
e cila zgjoi vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës së kohës[3].
Me titullin e librit (që të kujton ciklin me poezi të Azem Shkrelit “Shënime
natën”) e sidomos me poezinë “Elegji ditës”, që është hyrje poetike e veprës,
autori shenjëzon, në një mënyrë ose në një tjetër, atë që do të rrëfejë në
poezitë e tjera. Dukuritë dhe idetë që poeti i ri i bën objekt të vështrimit
ndërlidhen me dhimbjen, me plagët dhe me pësimet në kohën konkrete, në të cilën
gjallon ai dhe njerëzit e tij: Do të
mbesin pjellë e ditës së sotme, e jo e ndonji dite tjetër (Elegji ditës).
Ajo është kohë, siç do të thoshte Azem Shkreli, Kishte koha ethe, kishte koka frymë[4], ose Visat Zhiti “Kohë e vrarë në sy”[5] ose siç
dëshmohet edhe nga titulli i përmbledhjes me poezi të zgjedhura të Ibrahim
Kadriut: “Kohë e djegur në bebëza”[6].
Poezitë
e veprës “Netët të Karadakut” përshkohen nga dy dukuri: vetmisë dhe heshtjes.
Domosdoja e heshtjes në rrethana të caktuara jetësore dhe politike dhe
pamundësia që të veprohet dhe të thuhet fjala e lirë, e shkakton vetminë,
ndërsa kjo i jep jetë heshtjes.
Në
këto poezi Kadriu dëshmon se jeton dhe frymon me tundjet, vështirësitë dhe
pësimet, dhe se rrethanat përkatëse janë përcaktuese e asaj që ndodh dhe
shprehet në tekst. Shkrimtari i shquar gjerman, Tomas Man, thoshte: “Që një
vepër e shkruar me kulturë të lartë të ketë sukses, duhet të ketë një afërsi të
fshehtë, të ndjehet lidhja midis fatit personal të autorit dhe fatit të brezit
të tij”[7].
Pra,
poeti jeton me dukuritë e kohës së vet, po njëherit edhe me të kaluarën, e cila
është thellë e pranishme në të tashmen. E tashmja dhe e kaluara janë të
ndërlidhura dhe bashkëjetojnë në vetëdijen e në shpirtin e poetit dhe si të
tilla shprehen fuqimisht në poezinë e tij.
Kadriu
i kthehet të kaluarës për arsye se, siç thotë shkrimtari italian, Francesco
Grisi (Françesko Grizi), ajo “është një e tashme që duhet zbuluar[8]”.
Pikërisht pse e kaluara bën bazën e ekzistimit të së tashmes, zbulimi i
veçantive të saj përmes tekstit poetik të hartuar, kushtëzon njohjen e
mirëfilltë të së tashmes (e cila, në një mënyrë ose tjetër, e përcakton dhe të
ardhmen). Në këtë mënyrë, poezia e Kadriut bëhet mjet i pasurimit shpirtëror
dhe i gjakimit të vetëdijesimit të njerëzve për vetveten dhe për botën që i
përkasin, përkatësisht për domosdonë e vijimit të mbijetesës përkundër
vështirësive dhe pësimeve me të cilat ata ballafaqohen në përditshmëri.
Në
“Netët e Karadakut” shqiptohet sidomos vendlindja dhe atdheu. Kadriu që në nismë të veprimtarisë së tij letrare[9] ishte i vetëdijshëm se, siç thoshte Teodor Strom (Shtrom), “Kein
großes Dichter ohne Vaterland” (Asnjë poet i madh pa atdhe), prandaj fatin si
krijues e lidh me fatin e njeriut të tij. Këtë traditë shkrimtarët tanë të vjetër e përmblodhën me togfjalëshin Atme e fé, gjë që vazhdoi edhe tek
shkrimtarët e Rilindjes dhe tek ata bashkëkohorë, të dëshmuara me veprat të
llojeve të ndryshme.
Në
shqiptimin e dukurive Kadriu niset nga rrjedha e përditshme dhe nga bota e
brendshme, nga e veçanta e asaj që ndjen dhe përjeton ai vetë, po në të njëjtën
kohë edhe nga e përgjithshmja, që lidhet me njeriun, kudo qoftë ai. Vepron në
këtë mënyrë për shkak se, siç theksonte Freud-i (Frojdi), “Shqiptimi i botës së
brendshme të njeriut është pikërisht fusha e veçantë e poetit dhe ai është
përherë pararendës i shkencës, pra dhe i shkencës psikologjike[10]”.
Në botën e brendshme gjallërojnë dukuritë më të qenësishme dhe më të fshehta
dhe kur ato shprehen përmes artit të fjalës, përmes leximit, kthehen sërish tek
njerëzit dhe bëhen pjesë e botës mendore e shpirtërore të tyre.
Duke
i mishëruar e shprehur në poezinë e tij këto dukuri, Kadriu bën të mundur që
ato të receptohen dhe të vënë një komunikim më gjallërik dhe të bëjnë ndikim më
të madh te lexuesit, jo vetëm të brezit të tij. Ernesto
Sabato thoshte: “Janë të paktë ata që
rrëfejnë: ata që ndjejnë nevojën e errët, por obsesive, për ta dëshmuar dramën
e tyre, fatkeqësinë e tyre, vetminë e tyre. Janë dëshmitarët, martirët e një
epoke. Janë të destinuar për një mision superior, nuk i përkasin asnjë
kishe letrare apo grupimi dhe, për këtë, s’kanë si pikësynim qetësimin e individëve
të mbyllur në një famulli, por atë të shembjes së të gjitha komoditeteve, duke
na kthyer kuptimin e gjendjes sonë tragjike humane”[11].
Dhembja e heshtjes dhe
pasojat e vetmisë
Poeti
Kadriu është i njësuar shpirtërisht me tokën dhe me botën ku jetojnë njerëzit e
tij që kanë vuajtur kanë pësuar në rrjedhë të kohëve – peng i kohëve në gjunjëzim – dhe ku ka gjalluar fjalë e plagosur, e përgjakun si koha. Ato vuajtje dhe pësime të
shkaktuara nga të huajt ishin të vijueshme. Poeti niset nga vetvetja, nga ajo
që ai e ndien dhe e jeton, për ta shtrirë e për t’u njësuar pastaj dhe me
njerëzit e botës që i përket. Këto dy përmasa në kumtin poetik të Kadriut dalin
të ngjizura. Së këndejmi, vuajtjet, pësimet dhe fatkeqësitë vetjake janë dhe të
njerëzve të tij për arsye se nuk ekziston kufi i prerë midis tyre.
Poeti
u qaset dhe i shqipton ndodhitë nga jeta pa zbukurime, ashtu si i ndjen dhe si
i përjeton: Kam provuar të jem unë.
Kjo nuk është as mendjemadhësi, as kryeneçësi, po aftësi të ballafaqohesh me
veten dhe me ashpërsitë e jetës e të botës ku jeton. Tragjikja që e ka cilësuar
vendlindjen (Karadakun po dhe Kosovën, dhe më gjerë) në të kaluarën, përsëritet
edhe në kohën e poetit. Kjo dëshmohet nga bubullimat e rrufetë, nga kamxhiku,
ku as ëndrrat nuk janë të lira. Kanë
ndërruar vetëm brezat e personat: ata që i nxitën të këqijat, dhunën, mënyrat e
vuajtjes dhe pësimet (Në një varg të Azem Shkrelit thuhet: Kemi ardhur vetëm t’i ndërrojmë gjeneratat) dhe ata që i përjetuan
ato. Secili i huaj që e mësyni vendlindjen, Karadakun e poetit dhe vendin e
tij, erdhi “me uri ujku” dhe bëri gjithçka që t’i zhbëjë njerëzit, historinë
dhe vendin e tyre.
Gjithë
këtë gjendje dhe pësim e ndien thellë në shpirt poeti i ri, Kadriu, po nuk mund
ta thotë haptas fjalën e tij, ta thotë e të mos ketë pasoja, madje dhe të
rënda. Për këtë arsye fatkeqësinë dhe pësimet i lidh me veten e vet: M’i mbaj qerpikët të mos ngritën se shohin
vetëm errësi; Vjeshtë e quejta
veten... pa gjak – të verdhë (Misteret e natës); gjallimi dhe frymëmarrja
përshkohen nga vetmia dhe nga heshtja.
Rri këtu n’vetmi, por
nënkresa më thërret...
duket se belbzon fjalën
“fli” e unë mallëngjehem,
me andrrime të kota që
s’ua di fundin as vetë,
me të cilat formoj botën
e me ato ideale dehem.
Po rri me natën këtu në
dhomë, me katër mure
e me heshtje i rrethuem,
e me nji gotë përbri,
tue u mundue ndjenjat me
i shndërrue në nji lloj ure
tani mbi të me e bartë
veten me këtë pak dashni!
(Buzëqeshja
e gotës...)
Pra,
brenda heshtjes gjallojnë gjërat dhe
se Jashtë meje e teje vetëm shikimet
dijnë të flasin (Halucinacione mbramjesh), ndërsa vetmia përshkohet nga
dhimbjet, vuajtjet dhe fatkeqësitë e përjetuara. Në një jetë të tillë poezia
shfaqet si prehje dhe ngushëllim shpirtëror. Poeti vepron kështu nga se “Ajo
çka ishte jetë, ishte vetëm tym” dhe
kur tymi valëvitej mbi
portretin tim,
I cili si re, më dukej
se dëshironte me derdhë...
Pika shiu, e m’i la sytë
e ajun nga ky pikëllim.
(Misteret
e natës)
Gjendja
e rëndë dhe shqetësuese ka ndikuar që poeti të ndryhet në vete dhe në vetmi: E për çudi: askush nuk ma prish qetësinë e
dëshpërimit (Pesha e kësaj nate) dhe nuk i beson askujt dhe nuk beson në
asgjë: Në veten time jam ndry dhe nuk
besoj në asgja (Ti di mëshehtësi, por s’më njeh n’mbrendi) nga se valët e
lumit: [...] mbas po e lanë vetëm gjamën (Ti
di mëshehtësi, por s’më njeh n’mbrendi); poeti përngjan në oazën e
shkretëtirës: se i gjasoj oazës në shkretinë...
dhe E ti, kangët kah po i çon, / moj
fjalë e lulishtes, e natës dhe e vuejtjes?! (Halucinacione mbramjesh)
Gjithë
ajo që ndodh brenda Kadriut, u ndodh dhe njerëzve të gjuhës dhe të gjakut të
tij për arsye se është rrjedhojë e: Se
n’sytë e mi t’paverbët, kanë lanë njolla gjaqesh të tjerët dhe O, nata ime, natë e varun për qerpikët e mi
të verdhë... Kjo gjendje është shtrirë në gjithë Karadakun e tij: Në ty Karadak, / bjeshkët qenë mësue me
kangët e rafalëve (Karadak, o skenë e mëkatorëve). E keqja dhe ligësia që
shkakton i huaj me veprimet e përmbysura dhe të dhunshme ka depërtuar në çdo
pore të jetës, edhe në dashuri: Tue u
përvjedhë përmes buzëve tona të humbuna në natë (Kanga e quejtun vorr).
Duhet
thënë se të shprehurit e gjendjes në të cilën frymojnë njerëzit në kohën e
botimit të librit “Netët e Karadakut” (1969), do të ishte me pasoja të
pazakonshme për autorin, po rrëfimi i tij poetik përftohet në atë mënyrë, ku
kufiri mes njëmendësisë dhe ëndrrës, mes zhgjëndrrës dhe ëndrrës është shkrirë.
Është vepruar mbi parimin: Të piqet
mishi, po të mos digjet helli. Në çastin kur fiton përshtypjen se çdo gjë
ngjet dhe dëshmohet mirëfilli në lakuriqësinë e jetës së përditshme, rrëfimi
mbështillet me përmasën e ëndrrës, del si gjendje ëndërruese. Kjo dëshmohet dhe
në vështrimin e dashurisë në disa poezi, ku ajo ka një kuptimësi të gjerë; sa
lidhet me kohën e poetit, me të kaluarën; sa më dashurinë ndaj vendlindjes,
ndaj Karadakut e atdheut, me dashurinë për vashat, siç thotë poeti me një
metaforë fort të rrallë: Ku vashat dje të
tana këto lule me puthje i kanë ujitë (Kërkova n’ketë natë gjithçka, edhe
ty). Gjithë kjo të kujton “Këngën e këngëve” dhe shumësinë kuptimore që
dashuria ka në tekstin e saj[12].
Jetën
me pësime dhe tragjikë të shumëfishta Ibrahim Kadriu nuk e shpreh në mënyrë të
njëtrajtshme; ai nuk i pohon dukuritë dhe gjërat, po nëpërmjet rrëfimit poetik
e ballafaqon lexuesin me to dhe e vë atë në komunikim; jep variante të asaj
jete, që mund të shtrihet e degëzohet në kohë e në rrethana të ndryshme.
Në
moshën e re, mbase i rrëmbyer nga imagjinata dhe nga ëndërrimet, poeti s’ka
besuar në bukurinë dhe në dashurinë. Mirëpo, me kalimin e kohës, me pjekurinë
fizike e mendore, gjërat kanë ndryshuar, sidomos kur, si shprehet ai
metaforikisht, shfaqen “kalorësit e pran-verës”.
Kam andrrue, e nuk kam
besue n’bukuri
derisa kalorsit e
pranverës luftuen pranë
dhe në mbrendinë e
krahnorit tim
për ate – prej së cilës
përherë kam kërkue
gjurmat dhe shijen e
jetës...
(Hijet
e syve të saj)
Kadriu
e vështron dhe e shpreh dashurinë si ndjenjë të fuqishme dhe gjithë pushtuese.
Nuk e pohon me fjalë të mëdha, nuk e shpreh me ndjenja të forta e të
papërmbajtura, po përmes rrëfimit të mëvetësishëm dhe poetikisht të ngritur.
E
dashura e tij është, sa e rëndomtë, aq dhe e veçantë. Ajo është e bukur dhe e
dashur, dy tipare të lidhura ngushtë njëra me tjetrën. Poetit i bëhet se lahet
në sytë e saj dhe pikërisht kaltërsia e syve i jep dashurisë përmasën e
magjisë, por edhe të shprehurit poetik:
më bahet se jam la në
sytë e tu
që kurrë s’janë
shterrun,
ngulfatem...
A nuk do të më mbesin ma
rrugë e po mbytem?
N’bukurinë tande e
n’shemtinë e kësaj nate
kohë e bjerrun:
m’gjelbro, m’i shndërro
kambët n’flatra,
n’kthjellsi t’syve të
zhytem.
(Nuk
munda pa të quejtë dashuni)
²
Kaherë, më kujtohet, kam
pi nji gotë dashuni
Në kaltrinë e syve të
tu…
Dhe jam dejë – si bleta
mbi lule
(Vegime)
²
Nga
gjithë ajo që thashë më lart, ku ndriçova disa nga vlerat e kryesore të
përmbledhjes së parë me poezi të Ibrahim Kadriut – “Netët e Karadakut”, vendimi
i tij që ta bëjë botimin e dytë me disa ndryshime, është plotësisht me vend dhe
jam i bindur se do të mirëpritet edhe nga lexuesi. Edhe me këtë libër të botuar
para 55 vitesh (më 1969) dëshmohet se e kaluara është brenda të tashmes dhe se
tashmja pa të do ishte një vlerë pa themel.
ANTON NIKË BERISHA
Prishtinë, qershor 2024
[1] Punimi i parë
letrar poetik i botuar i Ibrahim Kadriut është një poezi për të rritur, botuar
në vitin 1962 në revistën letrare “Jeta e re”, ndërsa vepra e tij e dytë
letrare e botuar është përmbledhja me tregime për fëmijë ”Qyteti i luleve”
(1970), e ndjekur nga ”E lumi rridhte” (novelë dhe tregime për fëmijë (1973),
roman për fëmijë ”Pas kthimit” (1975) dhe “Kroi i ilaçit” (1983) roman për të
rritur etj.
[2] Për këtë vepër studiuesi ynë i njohur i letërsisë, Mensur Raifi, shkruante
(vitin kur u botua libri): “[...] shumica e vjershave na duken këngë
elegjiake kushtuar ditëve të paharrueshme për autorin” (Shih Qasje veprave të Ibrahim Kadriut. Nga
autorë shqiptarë dhe të huaj. Zgjodhi dhe përgatiti për botim Dr. Labinot
Berisha, Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2015, f. 8.), ndërsa shkrimtari
Teki Dervishi theksonte se vepra: “[...] dëshmon për një rrugë të filluar kah
lartësia”. (Shih Qasje veprave të Ibrahim
Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Zgjodhi dhe përgatiti Dr.
Labinot Berisha, vep. e përm., f. 14 – 15.).
[3] Shih disa nga punimet për këtë vepër në Shtojcën e këtij botimi.
[4] Azem
Shkreli, Rrënjë të gurta. “Shpresa –
Kuvendi Salezian”, Prishtinë 2001. Botimi i dytë i rishikuar, Shtëpia e
kulturës, Pejë 2012, botimi i tretë Argeta LMG, Tiranë 2023
[5] Visar Zhiti, Kohë e vrarë në sy.
Zgjodhi, përgatiti për shtyp dhe parathënien Anton Nikë Berisha, “Rilindja”, Prishtinë
1997.
[6] Ibrahim Kadriu, Kohë e djegur në bebëza. Poezi e zgjedhur.
Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha, Faik Konica, Prishtinë 2013;
Ibrahim Kadriu, Tempo incenerito nelle pupille. Poesie scelte. Scelta e la prefazione a cura di Anton Nikë Berisha, La
traduzione a cura di Albana Alia, Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2014.
[7] Tomas Man, Vdekja në Venecie. E
përktheu Beatriçe Balliçi. Shtëpia botuese Beqir Musli, Gjilan 2017, f. 15.
[8] Francesco Grisi, Corrado Alvaro e la
Calabria. Zaffiri 16. Pellegrini Editore. Cosenza
Elioti thoshte:
“Koha e tashme dhe koha e shkuar /
Ndoshta që të dyja janë në të ardhshmen”. Shih Ibrahim Rugova, Strategjia e
kuptimit. Faik Konica. Prishtinë
[9] Për veprimtarinë letrare të Ibrahim Kadriut kanë shkruar një varg
autorësh, ndërsa unë pata botuar dy punime për romanet e tij: Mitizimi dhe demitizimi i realitetit.
Rreth romanit “Kroi i ilaçit”, botuar në “Zëri i rinisë. 14 maj
[10] Shih Francesco Grisi, I Sigari di
Brissago. L’anti personaggio della maschera letteraria. Bietti, Milano
[11]Ernesto Sabato, Para fundit. Ese. Përktheu
nga origjinali spanjisht Orjela Stafasani. OM, Prishtinë 2018, f. 63 – 64.
[12] Kënga e këngëve –
kryevepër poetike e dashurisë dhe e jetës. Me përkthim të ri të tekstit. “Faik Konica”, Prishtinë 2015, botuar më
parë në revistën “Fjala Hyjnore”, Prishtinë – Shkodër 2013.