Kulturë
Prend Buzhala: Realiteti alternativ - enigma e përsosjes së botës
E shtune, 17.08.2024, 07:51 PM
REALITETI ALTERNATIV-ENIGMA E PËRSOSJES SË BOTËS (1)
Mehmetali
REXHEPI: LËKURA E GURIT, SHB ROZAFA; Prishtinë, 2024
Nga
Prend BUZHALA
Që
në fillim le të na lejohet t'i theksojmë dy gjëra. Në radhët të parë, kur
autori nis romanin e tij me një citat të Orwell-it: "Tortura më e madhe
për njerëzit inteligjentë është të jetosh sipas rendit të preferuar nga
injorantët", na sinjalizon se në një mjedis, ku njohuritë dhe analiza janë
zëvendësuar me të pavërtetën dhe stereotipet, njerëzit inteligjentë ndjehen të
izoluar, të pa kuptuar dhe të frustruar, për të cilët, përvoja e të jetuarit në
një mjedis ku injoranca favorizohet dhe mënyra e mendimit të tyre është
shpërqendruar nga çështjet kyçe, është sfiduese dhe shkakton ndjesi të thellë
të izolimit dhe moskuptimit. Thënia si e tillë, na sugjeron që në fillim se
përgjatë gjithë veprës, dëshmohet në shumë situata, përfshirë jetën nacionale,
politikën, kulturoren, si dhe shoqërinë në përgjithësi, ku qëndrimet dhe
veprimet e injorantëve mbizotërojnë në vend të logjikës dhe të arsyes së
thellë. Në këso rrethanash, për një person inteligjent, të cilit i mungon
bashkërendimi midis vlerave dhe realitetit të jashtëm, ndjehet si një formë e
torturës emocionale.
Kjo
torturë jetësore e emocionale sugjerohet edhe te titulli i veprës "Lëkura
e gurit". Në një vend personazhi i romanit kumton: "Urrejtja e
veriorëve rridhte jugut sikur uji i lumit. Ai e dëftonte etikën e vet: -E kam
lëkurën të fortë si të gurit!" Metaforikja e lëkurës sikur ta kujton atë
romanin e Balzakut "Lëkura e Shagrenit", kur personazhi heq dorë nga
gëzimet, që, me anë të lëkurës magjike t'i përmbushte dëshirat e tij. E vërteta
është se te romani i Mehmetali Rexhepit, ka një tjetër filozofi jetësore, siç
është ajo e qëndresës, kurse ironia e lëkurës së gurtë, (të humbasësh gjithçka
për hir të lirisë dhe të triumfit të saj), rikthehet si ironi e jetës. Lëkura e
gurtë bëhet sinonim i njeriut që vuan shumë, që duron shumë dhe që triumfon.
Mirëpo,
mu këtu na shfaqet karakteri i fortë i Idealistit, i personazhit të Motit, por
i shumëzuar si personazh kompleks, nëpërmes Dytëshorit (një tjetër gjetje
psiko-figurative e autorit), e, sidomos, të figurës së Shkrimtarit. Na
paraqitet idealisti me karakter të fortë dhe rezistent ndaj sfidave të jetës...
Përdorimi i metaforës së "lëkurës të fortë si të gurit," përforcon
idenë e një karakteri të fortë dhe rezistent ndaj përbaltjeve të jetës. Kjo lëkurë
e fortë simbolizon aftësinë e personazhit për të përballuar vështirësitë dhe
sfidat me vendosmëri dhe guxim. Ai nuk dorëzohet, edhe kur ballafaqohet me
pengesa të mëdha, ka një ndjenjë të fortë të integritetit dhe të krenarisë,
mban kokën lart dhe ndjehet krenar për vlerat dhe veprimet e tij, siç janë
përkushtimi jetësor, që nga bankat e shkollës fillore, nëpër veprimtaritë
jetësore, kryengritjeve studentore, luftës e pasluftës. Gjithnjë shohim një
karakter në rritje, që mëson nga përvojat e jetës... Krye-personazhi i
Idealistit përfaqëson një përpjekje të palodhur për të sjellë ndryshime dhe për
ta kuptuar botën. Përshkrimi i tij si një personazh i gjallë, por shpesh i
ndaluar sugjeron një konflikt thelbësor midis fuqisë dhe pasigurisë.
Romani
i ngjan një mozaiku, pasi paraqet skena të ndryshme dhe fragmente të jetës së
personazheve që më në fund, formojnë një tablo të plotë dhe të kuptueshme.
Përmes trajtës së romanit mozaik, diskurseve të llojllojshme, (që nga bio-jeta
narrative deri tek ato të përsiatjeve, shkoqitjeve, diskursit të kronikës,
etj.); autori arrin të depërtojë nga koha në
kohë; me një fjalë, romani na shfaqet si pergamenë e historisë më të re
të Kosovës, gjatë një gjysmëshekulli të shekullit të kaluar, përmes
biografemave autoriale.
Vepra
trajton tensionet midis intelektualitetit dhe mungesës së kuptimit nga ana e
shumë mjediseve e njerëzve, duke sjellë një pikëpamje të thellë për sfidat dhe
vështirësitë, që shpesh hasin ata që shohin botën ndryshe.
Ka,
në këtë roman, shumë shpalosje filozofike, duke shqyrtuar temat e shpirtit,
universit dhe misterit të ekzistencës. Përshkruan vështirësitë e kapjes së
thelbit të bukurisë dhe të shfaqjeve të pashpjegueshme të natyrës. Përdorë
metafora dhe imazhe poetike për të shprehur vështirësitë e kuptimit të
thellësisë së realitetit. Krijohet një realiteti alternativ, përkatës, përmes
Enigmës së Përsosjes (së Botës, Natyrës, të Bukurës, etj.); me kontrastive nga
realiteti historik, shoqëror, jetësor e estetik. Protagonisti shpesh shfaq një
përgjigje të theksuar ndaj mundësisë së kuptimit të thellë të botës duke
përdorur frazemat si "Enigma e Përsosjes së Botës", dhe duke
reflektuar për rolin e letërsisë dhe të shkrimit në këtë kërkim. Pasazhet e
tilla përfshijnë thellësi dhe një ndjesi të theksuar të filozofisë, duke e bërë
atë jo vetëm një përshkrues, por edhe një reflektues të thellë.
Pjesë
të ndryshme të veprës përfshijnë një gamë të gjerë temash dhe imazhesh duke
eksploruar bukurinë, kërkimin e identitetit, dashurinë dhe shpirtëroren në një
mënyrë të pasur dhe të hollësishme. Autori shpreh ndjenja dhe përjetime
nëpërmjet vargjeve dhe pasqyrimeve poetike.
Ndodh
që në jo pak raste protagonisti shpreh dyshimet dhe kërkesat për të kuptuar
vlerën e krijimtarisë së tij duke qëmtuar sfidat dhe gëzimet e shkrimtarit, në
kërkimin e një shprehjeje të përsosur. Një temë e rëndësishme është edhe lidhja
midis bukurisë dhe dhimbjes si dy koncepte që shpesh ndërthuren dhe shfaqen
bashkë në përvojën e njeriut, me përpjekjet të kapërcejë një kërkesë të
brendshme për vetë-kundrimin dhe njohjen e vetvetes nëpërmjet shkrimit. Ka
evokime të bukura të dashurisë duke kërkuar "çelësin për hyrje në kopshtin
e dashurisë së Vijores."
Shkurt, 2024