Kulturë
Prend Buzhala: Figura dhe kulti i rapsodit në traditën shqiptare
E merkure, 07.08.2024, 07:55 PM
FIGURA DHE KULTI I RAPSODIT NË TRADITËN SHQIPTARE
Nga
Prend BUZHALA
Ndër
shekuj e mileniume, që nga kohët e lashta ilirike e deri më sot, populli ynë,
krahas Kultit të Luftëtarit dhe Heroit, ka ngritur edhe Kultin e Rapsodit. Ka
ndodhë kështu, sepse rapsodët ishin figura kyçe në ruajtjen dhe transmetimin e
traditës gojore dhe muzikore të popullit tonë. Dikur rapsodi ishte artisti që
recitonte ose këndonte këngët epike, i shoqëruar nga instrumente tradicionale,
si fyelli e lahuta e më vonë edhe çiftelia. Rapsodi është jo vetëm një
këngëtar, por edhe një ruajtës i historisë dhe kulturës shqiptare. Ata i kanë
transmetuar këto tradita brez pas brezi. Janë edhe kujdestarë të një pasurie të
madhe të folklorit dhe legjendave shqiptare.
1. Rapsodët, bartës të
një pasurie të madhe folklorike dhe legjendave shqiptare
Rapsodët
janë figura të nderuara dhe respektuara në shoqërinë shqiptare. Si dukur dhe
ende edhe sot, ata janë të ftuar të prezantojnë dhe këndojnë ngjarje të
rëndësishme historike, kulturore, familjare dhe kombëtare. Respekti ndaj tyre
buron nga njohuritë e tyre të thella për historinë dhe kulturën kombëtare, si
dhe nga aftësitë e tyre artistike. Përmes këngëve të tyre, rapsodët kanë
ndihmuar në krijimin dhe ruajtjen e kujtesës kolektive të popullit shqiptar.
Këngët e tyre përfshijnë histori të luftërave, trimërisë dhe sakrificës, duke
ndihmuar në formësimin e identitetit kombëtar. Rapsodët janë edhe krijues të
vetë këngëve që i interpretojnë. Ata bëjnë edhe improvizime dhe përshtatje
tekstesh e këngësh për të paraqitur e shprehur ngjarjet dhe ndjenjat aktuale të
kohës së tyre. Kjo pirrje për improvizim. ka krijuar mundësinë që këngët epike
të mbeten të gjalla dhe të rëndësishme në një kohë që ndryshon vazhdimisht.
Përmes këngëve të tyre, rapsodët kanë pasqyruar jo vetëm historinë, por edhe
emocionet dhe përvojat e përditshme të njerëzve, duke krijuar një lidhje të
thellë mes së kaluarës dhe së tashmes.
Në
historinë e muzikës shqiptare ka pasur rapsodë të shquar që janë bërë figura
emblematike dhe kanë lënë gjurmë të thella në kulturën kombëtare, të cilët janë
përkujtuar dhe respektuar për kontributet e tyre të jashtëzakonshme në ruajtjen
e trashëgimisë kulturore. Ky kult i rapsodit ndër shqiptarë, është shprehje e
vlerësimit dhe e respektit të madh për ta që kanë ruajtur dhe transmetuar
historinë, kulturën dhe traditat e popullit shqiptar përmes artit të këngës
epike., kanë shërbyer si ura lidhëse mes së kaluarës dhe së tashmes.
Jo
pak rapsodë kanë qenë trima, luftëtarë, dëshmitarë dhe pjesëtarë ngjarjesh të
rëndësishme. Dervish Shaqa thoshte:
“Kangëtari
duhet të jetë trim, se duhet t’i trimnojë edhe të tjerët me kangë. Kur këndoj
shpesh i mbyll edhe sytë, hupi krejt, dal prej kangës e më duket se dëgjoj dikë
tjetër që këndon, zërin e atij që këndoj për të… Unë sa të jam gjallë e deri në
ma të mbramën frymë të shpirtit, deri që të vdes, i palodhun, do t’i këndoj
kombit.”
Rapsodët
kanë qenë përherë figura të dalluara në traditën shqiptare. Përmes këngëve
epike që përmbajnë histori të heronjve legjendarë, betejave dhe ngjarjeve të
rëndësishme historike, ata kanë mbajtur gjallë një pjesë të rëndësishme të
identitetit kombëtar. Këto këngë kanë shërbyer si formë për ruajtjen e kujtesën
kolektive. I kanë sjellë ngjarjet e së kaluarës në të tashmen dhe iu kanë dhënë
një kuptim të thellë jetës së përditshme të shqiptarëve. Kanë qenë bartës të
një pasurie të madhe të folklorit dhe legjendave shqiptare. Përmes këngëve
epike, ata kanë ruajtur dhe transmetuar histori të lashta, tregime për heronj
dhe ngjarje të rëndësishme historike që kanë formuar identitetin kombëtar
shqiptar. Për shembull, përmes këngëve për Skënderbeun, shqiptarët kanë mbajtur
gjallë kujtesën për heroin kombëtar dhe betejat e tij kundër osmanëve. Rapsodët
kanë qenë përherë në roje të kujtesës kolektive të popullit tonë, duke e
pasuruar atë me detaje dhe emocione të gjalla që nuk do të mund të gjendeshin
në tekstet historike të shkruara. Përmes këngëve të tyre, rapsodët kanë
përcjellë vlera dhe norma të rëndësishme kulturore dhe morale. Këto këngë
përmbajnë mesazhe për trimëri, nder, besnikëri dhe dashurinë për atdheun. Duke
i kënduar këto vlera, rapsodët kanë ndihmuar në formësimin e identitetit
kombëtar dhe në ruajtjen e një ndjenje të fortë të përkatësisë dhe krenarisë
kombëtare. Kjo ka qenë veçanërisht e rëndësishme në periudha të vështira
historike, kur uniteti dhe solidariteti kombëtar ishin të nevojshme për
mbijetesë dhe rezistencë.
Prirjet
improvizuese, që i përmendëm më lart, kanë reflektuar ngjarjet dhe emocionet e
kohës së tyre; prirje që ka bërë të mundshme, që këngët epike të mbeten të
gjalla dhe të rëndësishme, duke iu përshtatur realitetit të ndryshueshëm dhe
duke e mbajtur të gjallë interesin e dëgjuesve. Përshtatja e këngëve për
ngjarjet aktuale, ka krijuar një tjetër lidhje të fortë mes së kaluarës dhe së
tashmes, duke i bërë këngët epike të ndjehen të afërta dhe relevante për çdo
brez të ri.
Një
aspekt i rëndësishëm i transmetimit të traditës, ka qenë forma gojore e
përcjelljes së këngëve. Rapsodët i kanë mësuar këngët nga brezat e mëparshëm
dhe i kanë transmetuar ato te brezat e ardhshëm përmes interpretimeve të
drejtpërdrejta. Kjo trajtë e përcjelljes ka bërë që këngët ta ruajnë një ndjesi
të gjallë dhe autentike, duke e mbajtur të gjallë traditën e rrëfimit dhe të
interpretimit folklorik.
Rapsodët
kanë qenë figura të rëndësishme në rrethet e tyre. Ata merrnin pjesë në ngjarje
të rëndësishme shoqërore, tradicionale apo kulturore. Kanë kënduar e performuar
në dasma, festa dhe ngjarje të tjera të rëndësishme përkujtimore, duke sjellë
këngët e tyre në jetën e përditshme të njerëzve. Përmes këtyre interpretimeve,
ata kanë krijuar dhe forcuar lidhjet mes njerëzve dhe kanë ndihmuar në ruajtjen
e një ndjenje të përbashkët të identitetit dhe traditës. Transmetimi i traditës
nga rapsodët ka qenë një proces jetësor për ruajtjen e historisë dhe kulturës
shqiptare.
2. Rrënjët e thella: që
nga këndimi i rapsodëve ilirë për bëmat heroike të të parëve
Rapsodët
kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe përcjelljen e traditës dhe
historisë shqiptare që nga kohët ilire e deri në ditët e sotme. Edhe pse
informacionet për rapsodët në periudhën ilire janë të kufizuara dhe shpesh të
bazuara në burime indirekte, disa aspekte të rëndësishme të rolit dhe
funksionit të tyre mund të përfshihen në një analizë të tillë.
Në
shoqërinë ilire, rapsodët kanë luajtur një rol të ngjashëm me atë të rapsodëve
në periudhat e mëvonshme.
Etnomutziologu
ynë i shquar, Ratnadan Sokoli te veprat
e tij “Vallet dhe muzika e të parëve tanë", apo te veprat "Folklori
muzikor shqiptar-organografia", "Figura e Skënderbeut në
muzikë", "Gjurmime folklorike", "Veglat muzikore të
popullit shqiptar", "16 shekuj", etj. kur merret me format
muzikore në folklorin shqiptar, paraqiti një tezë bindëse se shfaqja e muzikës
polifonike në jug dhe i asaj homofonike në veri të Shqipërisë, shpreh
ndryshimet që në muzikën popullore të ilirëve kanë ekzistuar qysh në periudhën
parahistorike. Ndërkaq, kur flet për Shën Niketë Dardann, për himnin e tij
botëror kishtar “Te Deum” vë në dukje se
aty gjenden "nënshtresa e elementëve të traditës vendase”. Sipas Zef Mirditës,
te veprat e tij të shumta për dardanëlt, e, sidomos sipas ilirologut botëror
arbnesh-kroat Alekandar Stipçeviç, "këndimi i këngëve epike me fyell - kaq
karakteristik për ballkanasit e sotëm - i ka rrënjët e veta të thella në
këndimin e rapsodëve ilirë për bëmat heroike të të parëve. Në shumë pjesë të
Ballkanit, melosi folklorik ilir jeton në vazhdimësi të pandërprerë deri më
sot, , ashtu si edhe instrumentet mbi të cilat muzikantët ilirë interpretonin
meloditë e tyre."
Cvjetko
Richtman, etnomuzikolog dhe kompozitor kroato-boshnjak, për trashëgiminë
muzikore ilire, vuri re se polifonikja dhe format që shfaqen, nuk gjenden në
kombet e tjera sllave; ai arriti në përfundimin se këto ishin format që gjetën
sllavët kur u shpërngulën. Madje, dikur Çabej theksonte se shumë rite e fjalë
që nuk gjenden te popujt tjerë sllavë, por gjenden te sllavët e ardhur jugorë,
ato i gjetën e i morën këtu. Kështu do të ketë ndodhur edhe me epikën
legjendare, edhe me lahutën e lahutarët. Kur
i përshkruan doket e dardanëve, Straboni i moçëm thotë se ata, ndonëse
doket i kanë plotësisht të egra gjithnjë e kanë kultivuar muzikën dhe kanë
përdorur instrumente me frymë dhe me harqe. Dashurinë ndaj muzikës tek ilirët e
dëshmojnë edhe autorë të tjerë antikë, për shembull, përmendet një instrument -
sirinku (syrinx) – që ka qenë i njohur në tërë territorin ilir. Pamja e këtij
instrumenti me shumë gypa paraqitet në situlën e bronzit nga Vaça (shek. V para
e.re.) prandaj mund të mendohet se ishte përdorur qysh në atë kohë. Në
monumentet nga periudha romake sirinku është atribut i rregullt i hyjnisë
vendase të pyjeve dhe të kullotave Silvan-it, ose të pandanit të tij ilir,
Vidasus-it. Ky instrument është shumë i njohur edhe në civilizime të tjera (në
Ballkan haset qysh prej kohës së Homerit si instrument tipik i barinjve) mund
të supozohet se e kanë njohur edhe ilirët para se të vinin në kontakt me
kulturën helene dhe romake.
Ne,
sot, traditën e aedëve të dikurshëm, poetë dhe këngëtarë shtegtues në shoqëritë
e lashta, e takojmë në mënyrën më tipike te rapsodët shqiptarë të kohëve
moderne, të cilët si dikur në antikë, ftohen për të marrë pjesë në dasma, gosti
e festivale (festivalet kanë ekzistuar edhe në antikë). Sikundër në kohët
ilirike, edhe sot ata luajnë ende një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe
transmetimin e historisë, traditave dhe legjendave të përmes tekstit poetik dhe
këngës. Aedët dikur mbanin pozita të nderuara në oborret mbretërore dhe ishin
të njohur për aftësitë e tyre në krijimin e vargjeve poetike dhe recitimin e
tyre në mënyrë dramatike.
Ndërkaq,
në shoqërinë keltike, aedët ishin gjithashtu përgjegjës për ruajtjen e ligjeve
dhe përkujtimin e ngjarjeve të rëndësishme historike, duke qenë kështu një lloj
kujtese kolektive për komunitetin e tyre. Ata kishin një status të veçantë dhe
shpeshherë gëzonin privilegje të veçanta për shkak të rolit të tyre të
rëndësishëm kulturore dhe sociale.
3. Figura që bëjnë pjesë
në kujtesën tonë kolektive të traditës gojore
Një
aspekt thelbësor i kulturës rapsodike, ka qenë transmetimi gojor i traditës. Në
kohët ilire, si edhe në periudhat e mëvonshme, rapsodët mësuan këngët dhe
rrëfimet nga paraardhësit e tyre dhe i përcollën ato brez pas brezi. Kjo mënyrë
e transmetimit siguroi që historia dhe kultura të mbeten të gjalla dhe të
pashkëputura nga e kaluara.
Rapsodët
luajtën një rol të rëndësishëm në strukturën shoqërore të kohës ilire. Ata
ishin figura të respektuara dhe të nderuara, të cilët kishin një ndikim të madh
në rrethin shoqëror e më gjerë. Përmes këngëve të tyre, ata ndihmonin në edukimin
e të rinjve dhe në ruajtjen e normave dhe të vlerave shoqërore. Rapsodët
konsideroheshin si mësuesit dhe historianët e asaj bashkësie, që përmes artit
të tyre ruanin dhe transmetonin dijen dhe përvojën e brezave të mëparshëm.
Sado
që studiues të ndryshëm, bie fjala, pohojnë se këngët legjendare për Mujin e
Halilin janë përfaqësues të trimërisë shqiptare muhamedane kundër shqeve
(Çabej, Ernest Koliqi), ata shohin analogjinë e lashtë ilire të atij çifti
vëllezërish trima, me motivet e lashta e shtresat mitologjike popullore, si
orët, zanat, qeniet mitike të etnokulturës shqiptare. Këtë çift vëllezërish e
kanë vetëm popujt e lashtë autoktonë si grekët e vjetër, keltët, indasit e
vjetër apo grekët e armenët e vjetër, por jo edhe popujt tjerë, pra nuk e kanë
sllavët, sado që në Bosnje e te sllavët tjerë të jugut këndohen këto këngë, që
i gjetën këtu (Çabej). I tillë është motivi i Konstantinit, pos Odisesë, që më vonë del në varantet e
islamizuara si ajo e Ago Ymerit. Së këndejmi, në të gjitha kohët rapsodët janë
figura të nderuara dhe respektuara në shoqërinë shqiptare.
Rapsodët
janë quajtur e quhen kangëtarë, si interpretues të jashtëzakonshëm të këtyre
këngëve, por gjithashtu janë edhe ruajtës të kujtesës kolektive të popullit
shqiptar. Një nga arsyet kryesore pse rapsodët janë figura të respektuara është
për shkak të njohurive të tyre të thella për historinë dhe kulturën kombëtare.
Ata kanë një kuptim të thellë të ngjarjeve historike, heronjve dhe legjendave
që përbëjnë pjesën më të madhe të këngëve epike. Ata janë burim i një
trashëgimie të pasur të folklorit shqiptar, duke i ruajtur dhe përcjellë ato
brez pas brezi.
Së
këndejmi, në të gjitha kohët rapsodët janë figura të nderuara dhe respektuara
në shoqërinë shqiptare.
Ata
hyjnë ndër ato figura që bëjnë pjesë në kujtesën tonë kolektive të traditës
gojore dhe në thesarin me traditave tona popullore. Emrat e tyre, si rapsodët e
Llapushës, Sali e Feriz Krasniqi, Sefë Mleqnai me bijtë e tij etj. janë shenjë
e identitetit tonë. Dhe kujtesa kolektive i regjistron në mbamendjet e saj
vetëm vlerat monumentale që janë të denja për t’u kujtuar. Përfaqësojnë, siç i
quan populli ynë, pra, kangëtarin ose atë aed-in antik oral e endacak, që
rrëfen e këndon ngjarje historike, këngë legjendare e epike, këngë lirike që
janë pjesë e kujtesës etnike shqiptare. Sokrati sikur rapsodët i cilësonte si
transmetues të frymëzimit hyjnor , frymëzimit origjinal, që e frymëzon edhe
dëgjuesin, audiencën, me aftësinë që komunikon me perënditë dhe njerëzit dhe
ata i lidh në këtë komunikim.
Te
të gjitha traditat e letërsitë botërore është krijuar edhe Kulti i Rapsodit,
njësoj si ai Poetit, i Poetit Hero a i bardit nacional. Nga ana tjetër, edhe
vetë rapsodët janë krijues, dhe jo vetëm transmetues tekstesh.
4. “Po i kan hallet
çiftelia”
Shaban
Baksi tek tri vëllimet e tij, “Rapsodët e trojeve shqiptare”, thekson: “Të
ndodhesh në mesin e rapsodëve, është vërtet kënaqësi, ata nuk janë vetëm
interpretues të mirë, të lindur si të tillë, por janë edhe artstë të mirëfilltë,
të përkushtuar për këngën, profesionin, origjinalitetin e krijimtarisë së
tyre.”
Rapsodët
janë konsideruar edhe mësues të energjisë jetësore dhe mbretër të shpirtit...
Po qe se përgjithësisht frymën shpirtërore e kuptojmë si një unitet të mendimit,
vullnetit, përqendrimit dhe intuitës, atëherë kjo do të thotë se një biografi e
tillë poetike shpirtërore nuk mund të shkruhet për secilin, shkruhet vetëm për
ata njerëz që kanë dhunti të jashtëzakonshme shpirtërore, dhe të cilët kanë
vepruar e veprojnë që kjo dhunti e brendshme të zhvillohet dhe të realizohet,
qoftë në veten e tyre, qoftë në marrëdhënie me botën e jashtme. Nga ana tjetër,
duke i mbetur besnik edhe pamjes së jashtme, veshjes shqiptare, ata
përfaqësojnë edhe këtë traditë jo thjesht me pamjen, sa me thelbin etnik të
tyre. Edhe kënga, edhe traditat, edhe veshjet, edhe zakonet, ishin ai ledhi i
fortë që nuk e ka lejuar këtë popull të asimilohet në kombe pushtuese, sado që
pushtuesit i përcollën, me anë të armës e besimit zakonet e veta, shprehjet e
veta, mënyrat e veta të sjelljes dhe mendimit. Rapsodët japin edhe shembullin e
madh të shoqërimit e vëllazërimit, pajtimit dhe vlerave të tjera etnike, siç
janë nderi, mikpritja , miqësia , toleranca etj.
Rapsodët
janë edhe edukues të kombit në çaste të vështira, kur mungonte dora e
përkujdesjes:
Eeee ej N'qifteli kur
knohet kanga
Shpesh here knohen fjalt
e rana
Ka dikujt nashta s'ja
kana
Por me knu duhet pa qare
Doken t'kqija e dalin
t'mara
Si per shembull per me
marr
O kto vlla vrasje naper
shqiptar
Herën
e fundit e kam takuar në një emisionin ODA E LALËS në Dobërdol, rapsodin Ali
Krasniqi,... dhe malli nostalgjik i rapsodit, me portretizimin aq të ndjeshëm
të rapsodit shqiptar :
Ka dal dal po vjen
pleqnia
po i kan hallet
çiftelia.
Kanë nise gishtat e s'po
m'punojnë
edhe zani mirë s'po
m'shkon.
Oh trupi jem kurr
s'ashtë ba rahat
Tuj kendu qytet e në
fshat
Po më kujtohen fjalët e
plakut
kur mi thojke rreth
oxhakut.
Kur jam kanë në ditët e
mia
mallë e kishin me më pa
te shpia.
Këto fjalë që ja u thashë
ma së pari
kanë me i ra nërmend ddo
kangtari.
Ju bin mend këto fjalë e
mia
Se kështu vjen e shkretë
pleqnija.
Nuk
janë të pakta librat e tërë që iu kushtohen rapsodëve. Nuk është e rastit pse
rapsodët këndojnë për rapsodët, për t’i regjistruar ata në këtë kujtesë e që
përjetohet si Këngë Mbi Këngë...
Në odën e vjetër një
kangë t're e nisa
Qysh me knu kjo zemër,
përballë â Isa
Ma shumë digjet zemra se
zjarmi n'oxhak
Se m'ka mbetë sharkia pa
dostin n'konak
5.
“Hej rapsod, ndejë bri oxhakut”
Te
vëllimi me-rapsodi "Tinguj çiftelie" të Isa Behramit , e gjejmë këtë
tekst rapsodik:
Hej rapsod, ndejë bri
oxhakut,
Shtrëngo' telat e
çiftelisë;
Kujto' bamat e
Gjeneralit,
Tfillo kangën e
trimnisë!
Historinë mirë tue
qëmtue,
Stintë që vinë mos me
t'qortue.
Çifteli moj bijë malsie,
Që nga sot e kësaj dite,
Banu motër e ktij
rapsodi
Dhe me tinguj ambëlsimi,
Përcill krismën prej
agzoti,
T'Isa Begut nga
Boletini;
Që na u ba nder
historie,
Që na u ba Flamur
trimnie.
Hajt rapsod, pra, të
lumtë goja,
T'ndihmoftë Zoti edhe
Ora,
Shtjello kangën për do
sokola!
Pushk' e tyne oshtimë
moti;
Mal'e vrri' veç po mban
vesh
M'e ndëgju' kët' jehonë
baroti
Në krejt vendin, cep me
cep,
Që nga Shala e deri
n'det...
Kur shtie zânin, ti,
n'çifteli,
Herojtë e moçëm na i ban
t'ri,
Na i ban t'ri e i vesh
me nur
Dhe i blaton mu
n'Flamur;
N'zemër t'Shqipes, synin
gacë,
Ku pushojnë e s'dinë me
u mplakë!
Rrinë krenarë n'për
histori,
Flakadanë n' shekujt t'
ri'...
Veç me gaz, pashë kangën
tande,
Pashë at' zâ që dehë
n'dashni;
Krisja kangës t'lashtë
dardane,
Pashë at' çerdhe me
filiza t'ri;
Që s' na e lanë fisin me
u fikë,
Që s'na i lânë kullat me
u rrzbitë,
Që s'na i lânë armët me
u ndryshkë...
Unë t'përcjell me mall
në gji,
Ndonjiherë me lot në sy,
T'këndoftë zemra, si
djalit t'ri!
Ah, moj Shalë, vatër
Ilire,
Ti besnikja jonë pa
hile,
Moj besnikja e
përjetshme,
Nëpër shekuj e
pavdekshme...
Bjeshkët tua, shpatet
ngarkue
Me lisa t'gjatë, degtë
ngatrrue.
Teksti,
pothuajse, te shumica e vargjeve the4kson krenarinë dhe ndjesinë për traditat
dhe heronjtë tanë, në këtë rast, për Isa Boletinin. Është Poema duket një
thirrje për ruajtjen dhe përjetësimin e trad9tës dhe historisë kombëtare përmes
folkorit. Teksti fillon me një ftesë për një rapsod. Çiftelia, një instrument
tradicional shqiptar, përfaqëson simbolin e ruajtjes dhe përçimit të traditës
dhe historisë shqiptare. Thekson rëndësinë e ruajtjes së këtyre traditave për
ta mbajtur gjallë kujtimin e heronjve dhe ngjarjeve të kaluara. Është zëri historisë dhe epopesë: Ky teskt rapsodik e
lëvdon këngën tradicionale dhe tingujt e çiftelisë që rikthejnë kujtimet për
heronjtë e kaluar dhe bëjnë që ata të duken si të rinj dhe figura të ndritshme.
Përmend Shalën si një vatër të rëndësishme të traditave luftarake dhe
besnikërisë shqiptare, duke e himnizuar atë për qëndresën dhe pavdekësinë e saj
nëpër shekuj. Është ky tekst, një homazh i bukur për traditat shqiptare. Figura
e rapsodit në këtë këngë ka një rëndësi të veçantë dhe shënjuese. Ai është
përfaqësues i kulturës dhe traditës shqiptare, dhe roli i tij është t'i ruajë,
përçojë dhe përjetësojë ngjarjet historike dhe heroizmat përmes folkorit. Këtu
ai luan gishtat në çifteli dhe këndon për heronjtë e kalur dhe ngjarjet e
rëndësishme.
Me
këngët e tij, rapsodi kontribuon në ndihmën dhe shpërndarjen e ndjenjave
kombëtare dhe krenarisë për historinë e atdheut, në ruajtjen e identitetit dhe
bashkimin e popullit përmes traditave dhe këngëve. Është Figura e Rapsodit si
Simbol: rapsodi është një simbol i lidhjes së fortë me të kaluarën dhe me rrënjët
kulturore. Ai përfaqëson lidhjen midis traditës dhe brezave të rinj, duke
ruajtur dhe përçuar këto vlera dhe histori. Çiftelia dhe kënga janë mjete të
fuqishme për ta krijuar këtë lidhje emocionale dhe historike me të kaluarën
përmes artit të tij.
Hej rapsod, ndejë bri
oxhakut,
Shtrëngo' telat e
çiftelisë;
Ky
varg e thërret rapsodin që të ekzekutojë në çifteli dhe të krijojë një
atmosferë të ngrohtë dhe intime pranë oxhakut, si shenjë entke e amentit të
brendshëm: rapsodi është në rolin e ruajtësit të kulturës dhe traditave
Kujto' bamat e
Gjeneralit,
Tfillo kangën e
trimnisë!
iu
referohet ngjarjeve historike dhe heroizmit të Isa Boletint, të shquar si Gjeneral. Rapsodi ka për detyrë
të përkujtojë dhe të nderojë heronjtë e kaluar.
Çifteli moj bijë malsie,
Që nga sot e kësaj dite,
Banu motër e ktij
rapsodi
Çiftelia,
si një instrument tradicional, është thirrur të bëhet "motër e këtij
rapsodi", duke theksuar lidhjen e ngushtë shprtërore e frymëzuese mes
instrumentit dhe rapsodit. Këto vargje e nderojnë instrumentin dhe rapsodin si
një çift që punon së bashku për të ruajtur dhe përçuar tarditën dhe historinë.
Mal'e vrri' veç po mban
vesh
M'e ndëgju' kët' jehonë
baroti
Këtu
përmenden malet që dëgjojnë jehonën e këngës së rapsodit, duke theksuar që
kënga dhe historia janë të pranishme dhe të përjetuara në të gjitha qoshet e
vendit. Kënga e rapsodit është e fuqishme dhe e gjerë në ndikim, duke përçuar
ndjenjat dhe ngjarjet e kaluara në të gjithë territorin shqiptar.
Kur shtie zânin, ti,
n'çifteli,
Herojtë e moçëm na i ban
t'ri,
Vargjet
flasin për mënyrën se si rapsodi, përmes këngës e melodisë së tij, i bën
heronjtë e kaluar të duken si të rinj dhe të ndritshëm.
Pashë kangën e trimnisë,
Krisja kangës t'lashtë
dardane!
Theksohet
fuqia e këngës së rapsodit për t'i rikthyer në kujtesë trimërinë dhe heronjtë e
kaluar përmes muzikës e këngës së lashtë dhe tradicionale dardane. Rapsodi
përdor këngën për ta lidhur të kaluarën me të tashmen dhe për ta mbajtur të
gjallë trashëgiminë kulturore dhe historike, duke e bërë atë të rëndësishme dhe
të prekshme për brezat e rinj.
Pashë at' çerdhe me
filiza t'ri;
Që s' na e lanë fisin me
u fikë
vargje
që simbolizojnë vazhdimësinë dhe përjetësimin e kulturës dhe traditave, duke e
mbajtur fisin dhe identitetin shqiptar të gjallë. Rapsodi ndihmon në mbijetesën
e identitetit kombëtar përmes këngëve dhe muzikës.
"Që s'na i lânë
armët me u ndryshkë..."
Ky
varg thekson se traditat foklorke dhe luftarake shqiptare janë të ruajtura dhe
të ndihmuara nga rapsodi, i cili frymëzon që armët dhe pasuritë kulturore të
mos kalben e të mos harrohen.
Unë t'përcjell me mall
në gji,
Ndonjiherë me lot në sy,
T'këndoftë zemra, si
djalit t'ri!
Ka
te këto vargje ndjesi të thella të mallëngjimit dhe përkushtimit për rapsodin,
duke shfaqur dëshirën që ai të këndojë me zemër dhe pasion si një djalë i ri.
Ai është një figurë që, përmes artit të tij, frymëzon në ruajtjen dhe
përjetësimin e traditës dhe historisë, dhe kështu është i dashur për popullin.
Ai i jep një rëndësi të veçantë besnikërisë dhe qëndresës historike.
Në
tërësi, figura e rapsodit në këtë tekst rapsodik, është e përshkruar si një
ruajtës dhe përçues i thellë i traditës dhe historisë sonë. Ai është një hero i
kulturës dhe traditës, një udhëheqës në ruajtjen e kujtimeve dhe ngjarjeve të
rëndësishme përmes artit të tij dhe këngëve tradicionale.
6.
Rapsodët
janë mjeshtër të interpretimit muzikor, janë figura të respektuara në shoqëri.
"Këngëtari dhe kënga e tij dëshmojnë se shumë gjak të shqiptarëve është
derdhur për Kosovën" , thotë folkloristi Dr. Rrustem Bersha.
Respekti
dhe nderimi ndaj rapsodëve në shoqërinë shqiptare është një dëshmi e rëndësisë
së madhe që ata kanë në ruajtjen dhe përcjelljen e kulturës dhe historisë
kombëtare. Përmes njohurive të tyre të thella për historinë dhe kulturën,
aftësive të tyre artistike dhe pjesëmarrjes në ngjarje të rëndësishme, rapsodët
kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol të pazëvendësueshëm në traditën e
popullit shqiptar. Ata janë figura të nderuara që mbajnë gjallë traditat dhe
kujtesa kolektive, duke ndihmuar në formësimin dhe ruajtjen e identitetit
kombëtar .
Qershor 2024