E shtune, 03.05.2025, 10:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Hasan Hasanramaj: Sinan Gashi - Gjimnazi 'Gjergj Kastrioti - Skënderbeu'

E marte, 30.07.2024, 07:50 PM


Monografi kushtuar Gjimnazit “Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në Drenas të Drenicës

Vepër e shkruar me përkushtim të madh, dije dhe profesionalizëm ...

Studiuesi i përkushtuar Sinan Gashi, i cili deri tashti ka botuar dyzet e një vepra letrare e shkencore, monografi  këto ditë doli në opinion me veprën kushtua Gjimnazit të “ Gjergj Kastrioti – Skënderbeut në Drenas

Nga Hasan Hasanramaj

Studiuesi i përkushtuar mr. Sc. Sinan Gashi, i cili deri tashti ka botuar dyzet e një  vepra letrare e shkencore, monografi  këto ditë doli në opinion me veprën kushtua Gjimnazit të “ Gjergj Kastrioti – Skënderbeut në Drenas - monografi tejet e rëndësishme për sferën e saj, përkatësisht për arsimin e mesëm në  Gllogovc rë Drenicës, në kohëzgjatje prej pesë dekadash. Autori i saj, mr.sc. Sinan Gashi, i njohur gjithandej më në letrat shqiptare, tashti na paraqiti një vepër me të dhëna të sakta për historikun e shkollës së mesme në Gllogovc, që nga viti shkollor 1967/1968 – 1999/2000.. Duke e pas fatin që të ishte më dekada të tëra profesor i gjuhë-letërsisë shqipe në këtë gjimnaz e së fundi, në kohët më të rënda nën dhunën e pushtetit serb, drejtor deri më lirimin e Kosovës, kishte njohuri të plota për ecurinë e zhvillimit të kësaj vatre arsimore, pa lënë gjë mangut në evidencimin e fakteve dhe rrjedhave kronologjike vit pas viti.

Përkujtues i domosdoshëm për ecjen dhe ngritjen e arsimit të mesëm në këtë komunë

Autori i librit mr. sc. Sinan Gashi, duke qenë i kujdesshëm në evidencimin e të dhënave dhe fakteve, jep datën e nismës së paraleleve të para, që në fakt ishin në kuadër të Gjimnazit “Ivo Lllollo Ribar” të Prishtinës, duke shpjeguar vështirësitë fillestare, si me infrastrukturën e munguar e po ashtu edhe me kuadrin e mangët. Krahas këtyre vështirësive ishte edhe pengesa e akterëve politikë serbë, të cilët kundërshtonin nisjen e gjimnazit këtu, duke arsyetuar së është komunë një nacionale dhe nxjerr probleme të ndryshme. Pastaj janë dhënë emrat e disa arsimtarëve nismëtarë, vetëm me shkolla të larta, qoftë edhe vetëm më një vit fakulteti, që kishin marrë ditarin në duar këtu. Pastaj renditen profesorët e mirënjohur që vinin nga Prishtina, duke pas vështirësi edhe udhëtimi, sa shpesh e bënin më këmbë, edhe në kohë dimri, atë ecejake vetëm që të vihen bazat e kësaj vatre të diturisë në këtë lokalitet.

Rrjedhat e ngjarjes veç tjerash rrëfejnë përparim të dukshëm, si në infrastrukturë, me ngritje të objektit modern, e gjithsesi edhe në plotësimin e kuadrove vendore me  diploma fakulteti dhe më shumë. Duke qenë përcjellës syri i sistemit, ata provokonin në mënyra të ndryshme, si me ndërrimin emrit të heroit tonë me atë jugosllav, së urryer nga vendësit, pastaj me dhunën e shumëfishtë të treguar me rastin e heqjes së autonomisë së Kosovës, duke mbyllur edhe shkollat e mesme shqipe, duke ndërprerë edhe financimin tërësisht, e si kapak i së keqes edhe dhunën psikike e fizike ndaj personalet arsimor dhe nxënësve, të cilët për asnjë çast nuk e ndaluar marshimin kah drita e diturisë.

Drejtori i kësaj kohe, mr.sc. Sinan Gashi, pasi ishte marrë në pyetje informative nga milicia më se gjashtë herë, kishte përjetuar edhe dhunë fizike deri në verbim syri, mu pse nuk kishte pranuar të ndërkrente punën dhe të respektonte plan programet e Serbisë.

Aktivitet e lira si dëshmi talenti dhe relaksi

Që nga fillimi i punës, këtu ishin formuar grupet letrare, teatrale, të fiskulturës, të artit figurativ, të muzikës e të historisë. Përmes tyre janë të dukshme aktivitetet përkatëse, sa edhe dalja në sipërfaqe e talenteve të ndryshme. Ndër vite ishin përgatitur pjesët teatrale “Vëllazëri e interes” e Kristo Floqit. “Toka jonë” e Kolë Jakovës, “Nora” e Andrea Skanjetit dhe “Megjithatë, vetëm krismë” e Sinan Gashit, ku edhe regjisorët ishin mësimdhënës të shkollës. Ishin  hapur disa ekspozita, pastaj koncerte dhe ushtrime fizkulturore ‘slete’ për ditët e shkollës. Historianët e rinjë kishin nxjerr fletushkën “Skënderbeu”, ndërsa letrarët e rinjë fletushkën “Zërat e kohës”.

Duhet përmendur këso radhe edhe një vizitë në Shqipëri në vitin 1972, ku ishin vëllazëruar me gjimnazin e Durrësit, i cili mbante emrin Skënderbeu.

Evidencë e punëtorëve arsimorë që dhanë kontribut për mirëvajtjen e punës në gjimnaz

Veç tjerash, në fund të librit janë dhënë listat e të gjithë mësimdhënësve për pesë dekadat, duke u sistemuar në bazë të lëndëve mësimore, të cilët fillimisht ishin edhe nga qytetet e tjera të Kosovës por edhe nga Maqedonia, Mali i Zi e tjerë.

Kjo punë behët për nderimin e atyre, që të mos zhduken nga harresa e një punë përkushtuese, në kushte e rrethana të jashtëzakonshme: fillimisht  në mangësi material e infrastrukturore, e kohët e fundit edhe në punën pa farë pagese si dhe nën dhunën e milicisë serbe, e cila përcillte në veçanti këtë shkollë, si dhe rrugëtimet e profesorëve dhe nxënësve.

Po ashtu në libër hasen mjaft tabela me shifra të numrit të nxënësve nëpër vite shkollore, pastaj struktura e tyre gjinore, me që fillimisht ishte  me mangësi të madhe të vajzave e kështu me radhë. Do thënë se gjimnazi nisi vetëm me tri vajza.

Për të qenë më të kapshme faktet dhe të dhënat, autori ka siguruar edhe fotografi të nxënësve me paralelet e tyre, por edhe të kuadrit arsimor, pastaj edhe të ekskursioneve, brenda dhe jashtë shtetit, e kështu me radhë.

Sado që koha e gjatë kishte lë në harresë pa dashur fakte e fotografi që do freskonin kujtesën, edhe kështu kjo monografi ka dëshmuar një arritje të rëndësishme, si dhe autori Sinan Gashi ka spikatur me përkushtimin e tij, për të ringjallur në kujtesën e brezave se ku dhe si ia ka filluar ky rrugëtim, më dashuri e përkushtim të jashtëzakonshëm por me mundësi minimale, dhe ku arritëm deri në ditët e lirisë, kur tashti gjithçka bëhet lirshëm dhe me një komoditet të rrallë në të gjitha aspektet.

Do të ishte e dëshirueshme që të gjitha shkollat ta kenë historikun e tyre, se kjo është forma më e kërkuar për respekt brezash dhe mos harresë historike të arsimit shqip në Kosovë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx