Kulturë
Kadri Tarelli: Krijimtaria letrare e Mira Meksit, në penën e kritikut Shpendi Topollaj
E premte, 16.08.2024, 07:59 PM
KRIJIMTARIA LETRARE E MIRA MEKSIT,
Në penën e kritikut Shpendi
Topollaj
Dashuria është dhembje nga të zemrës, që zgjat ndonjëherë
për shumë kohë dhe është një dobi e madhe për pjekurinë e mendimit - Faik Konica
Nga Kadri Tarelli
Pak ditë më parë doli nga botimi, libri i shkrimtarit Shpendi Topollaj: “Venera del nga deti”. Mbi krijimtarinë e shkrimtares Mira Meksi.
Isha ndër të parët që vetë autori ma dhuroi librin, me ballinë kompozuar bukur; Titulli “Venera del nga deti”, një hyjnizim i gjetur dhe i gdhendur artistikisht. Një foto e vetë Mira Meksit, që shpreh në heshtje një botë të madhe shpirtëror. E gjitha me gjuhën e ngjyrave, ujit dhe portretit me pamje fisnike. E përgëzova për këtë botim të fundit, i bindur se ka bërë një punë të paqme dhe me shumë vlera arti e shkrimtarie.
E njoh prej kohësh gati të gjithë krijimtarinë e Shpendit, që me këtë botim mbushen plot 77 libra, me tematikë të larmishme, si romane, novela, tregime, kritikë dhe vlerësim autorësh, poezi, drama, publicistikë, dhe monografi letrare (Kështu po e quaj librin e tij, “Venera del nga deti”. Mbi krijimtarinë e shkrimtares Mira Meksi.
Shpesh,
i shtyrë nga kënaqësia letrare dhe kumti që përcjell veprimtaria e Shpendit,
jam ndalur dhe kam bërë edhe shkrime vlerësimi, që nga romani “Mashtruesi”, që
unë e quaj kryevepra e tij, e deri tek ky i fundit, që po qëndis tani. Disa
prej tyre i kam përfshirë në librin tim “Kur lexoj një libër”, disa janë botuar
edhe në shtypin ton, atë të huaj dhe portalet elektronike.
Besoj
kam të drejtë të shpreh një lloj kërkese dhe nevojë mirënjohje shkrimore,
shoqërore dhe intelektuale, se ka ardhur koha që e gjithë vepra e këtij
shkrimtari kaq prodhues në letrat shqipe, të studiohet tërësisht, si pjesë e
letërsisë kombëtare shqiptare. Le t’i mbetet kohës të gjykojë e të vendosë, -
thonë të diturit, - por dikush duhet t’i bjerë kambanës që të dëgjohet dhe i
mençuri të zgjohet.
Diku
më sipër, librin “Venera del nga deti” e quajta “Monografi
letrare”, ku përfshihen, as më shumë e as më pak, dhjetë shkrime analitike, të
cilët i quaj pa frikë proza poetike për nga forca dhe bukuria e fjalës
artistike:
.
Pse e quaj kështu këtë libër?
.
Fantazia e pabesueshme e Mira Meksit.
.
Mira Meksi, mjeshtre e shndërrimit të historisë në art.
.
Ana njerëzore e intelektualit të madh atdhetar Mid’hat Frashëri.
.
Parisi vret. Një roman tjetërsoj i Mira Meksit.
.
Mira Meksi zbulon harkun e pathyeshmërisë së amazonave.
. Kur
Mira Meksi sheh përtej krimit.
.
Kënga e trishtuar e dashurisë, na ndjek pas.
.
Mira Meksi për çudinë e ndjenjave njerëzore.
.
Ja dhe Mira për mua.......!
Gjithsesi
i mbetet lexuesit të gjykojë e të vlerësojë penën, forcën e mendimit, artin dhe
bukurinë e fjalës së autorit Topollaj. Ndërsa unë tashmë i rrahur në krijimtari
letrare, në veçanti në një lloj kritike apo vlerësim librash, ndaj një
këndvështrim disi të krahasuar apo të diferencuar, ndryshe nga Shpendi dhe ca
më shumë nga Mira Meksi, si në leximin e krijimtarisë, ashtu edhe në gjetjen
dhe përdorimit të mjeteve të saj në shkrimtarinë time.
Me
pak fjalë po shprehem kështu:
Më
pëlqen të lexoj, dëgjoj dhe shijoj mitologjinë, apo krijimtarinë e të mëdhenjve
të botës letrare. Gjej dhe veçoj edhe shprehje apo mendime të vyera, shumë prej
tyre si gjetje filozofike, veshur me art fjale. I shkruaj dhe i përdor si forcë
mendimi, apo si mjet ilustrimi nëpër shkrimet e mia, për të thënë se jeta,
veprimtaria dhe mençuria nuk lindën sot. Ato kanë jetuar e vepruar së bashku me
njeriun, në mijëra e mijëra vjet, duke ndërruar vetëm kohë, vend dhe autor.
Këtu më duhet të shtoj edhe pak fjalë: Nuk e pata të lehtë të përshkruaj të
gjithë udhën e nëndheshme të “Gjarprit”, Hyut të Ilirve, në librin “Mallkimi i
Priftëreshave të Ilirisë”, të Mira Meksit. Mua më pëlqen jeta e gjallë mbi tokë.
Ndërsa
Shpendi ka një meritë tjetër, që dallon nga unë: Njeh mirë mitologjinë, ka
kujtesë të fortë. Heronjtë e tij, sa herë bien ngushtë, si në çaste fitoreje
apo humbje, lumturie e trishtimi, deliri apo dashurie, ulen e bisedojnë shtruar
me Hyjnitë apo të diturit e lashtësisë.
Shpendi ka durim e guxim të ndjekë e të futet edhe në fantazinë e çdo
autori, të jetojë e të përjetojë frymëzimin e tyre, siç këndoj unë edhe këtu nëpër
faqet e këtij libri kushtuar Mira Meksit. Ai nuk përton të përshkojë pa u
ngutur udhët e nëndheshme e të mbidheshme, dhe këtë “pasuri” ta përdorë, diku
edhe me tepri, duke e vendosur të lidhur e përshtatur, në të gjitha shkrimet e
tij. Kështu, çdo krijim merr formë të bukur në pamje, të ngjeshur në mendim,
duke e bërë çdo shkrim të pakohshëm apo të gjithëkohshëm. Nuk i them që të
mburret, por sipas gjykimit tim, shkrimet e Shpendit kanë një tingëllim disi të
veçantë nga të gjithë autorët që kam njohur e lëçitur deri më sot. Aq sa herë
pas here, i them: bëhu më i kursyer...! Po ku pyet Shpendi......!
Kurse
autore Mira ka dhunti të veçanta, qoftë si letrare me shumë fantazi,
veçanërisht në gjetjen e temave, ca më shumë në “gatimin” e brumit të tyre,
ashtu edhe në formë e në përmbajtje, - do të thosha unë. Ajo i bën heronjtë e
librave të saj, qofshin edhe persona të njohur historik, të jetojnë në tri
botë: Në jetën që prekim çdo ditë, në mitologji dhe më së shumti në fantazinë
dhe frymëzimin e vetë autores, e cila mjeshtërisht i qëndis, i qep i shqep, i
vesh i zhvesh, i lag i than, i nxin i zbardh, i lidh dhe i zgjidh, si të dojë
dhe kur të dojë, duke i bërë të pavdekshëm. Aq e vërtetë është kjo sa Shpendi citon:
“Ajo, si rrallëkush u ka hedhur ngjarjeve dhe personazheve të saj, tunikën e
purpurt të mitologjisë. Faqe. 28.
Besoj
se vlen të bëj një krahasim apo përqasje të përshkrimit të jetës dhe
veprimtarisë së heronjve të veprave të saj, veçanërisht kur janë pjesë e historisë.
Në histori shfletohen dokumente arkivore apo arkeologjike, që nuk të lenë
hapësirë të fantazosh, as të flasësh me sikur. Pasi jeta dhe historia nuk bëhen
dhe shkruhen me sikur. Kështu heronjtë, qofshin luftëtarë, komandantë, shkrimtarë,
artist, poetë, shkencëtarë, politikanë, profesorë apo burra shteti, janë të
ngurtë dhe ngjarjet zhvillohen sipas ligjeve, logjikës dhe mjeteve të kohës.
Emri dhe portretet e tyre mund t’i shohim nëpër piktura, faqe libri, reviste
apo gazete, në rastin më fatlum edhe në buste e përmendore nëpër sheshe të
qyteteve, si model nderimi e përjetësie. Por të gjithë, sikur nuk ngjajnë me
ne. Ata janë si të maskuar e të veçuar nga jeta e zakonshme, të zhveshur nga andrallat
njerëzore, me ndjenja të ndrydhura apo të fshehura, me dëshira të copëtuara e
të mbuluara, pa vese apo huqe, të lindura apo të fituara gjatë jetës. Thjesht janë
vdekatarë por jo si ne. Mira e përmbys këtë qasje, duke e bërë të plotë me
gjysmën tjetër; që është bota njerëzore.
Askush
nuk habitet, ndërsa në romane apo vepra letrare ndodh çudia. Figurat historike
kanë liri të plotë, janë në dorë të shkrimtarit, t’i degdisë ku të dojë, duke i
futur në të fshehtat dhe udhëkryqet e jetës, në fantazinë dhe frymëzimin
letrar, gjithmonë pa cenuar historinë. Besoj është forma më e gjetur për t’i
bërë heronjtë pjesë e ndërgjegjes shoqërore apo kombëtare, sepse këto libra i
lexon kushdo. Ata bëhen të pavdekshëm, por në një formë dhe frymë tjetër, si
hero jo vetëm i historisë, por edhe i letërsisë. Është një formë e lakmuar për
të gjithë racën njerëzore, pasi jeta, emri dhe vepra e tyre shtyhet, ndrydhet e
shtrydhet nëpër romane e novela, duke u bërë vetvetiu pjesë e ndërgjegjes
kombëtare, herë-herë edhe pjesë e kulturës botërore.
Kështu
ka ndodhur edhe me të madhin dijetar e atdhetar, diplomat e politikan Mit’hat
Frashëri, të cilin studiuesi Uran Butka e quan “Gjeniu i kombit”, për
veprimtarinë atdhetare në dobi të shqiptarizmës. Një libër goxha i madh në
pamje, por i rëndë në dokumente e shkrime, ku përfshihet e gjitha veprimtaria e
tij si diplomat e shtetar. Edhe unë me modesti i kam kushtuar një shkrim,
lidhur me një broshurë të vockël: “Plagët Tona”.
“Çë na mungon? Çë duhet të kemi?”, botuar nga Mit’hat Beu në vitin 1924,
ku shpenguar munda të shkruaj këto pak fjalë: “Të botohet, që të jetë në
çantën e mësuesit dhe shkollarit, në dosjen e pedagogut dhe studentit, në
tavolinën e zyrtarit, në trastën e deputetit, në bllokun e gazetarit dhe në
fletoren e shkrimtarit e poetit, më tej akoma, në magjen dhe sofrën e çdo
gruaje. E thënë shqip: në bibliotekën e çdo shqiptari”.
Ky
shkrim u publikua:
“Fjala e lire” Londër. 13. 07. 2020, Gazeta “Bota sot”, Dardani, 13. 07.
2020, Revista “Dituria”, Suedi. 13. 07. 2020, Gazeta “Dielli”, SHBA. 14. 07. 2020. “Zemra Shqiptare”, Angli. 14. 07. 2020, “VOAL.
Zëri shqiptarëve”, Zvicër. 25. 07. 2020.
Ndërkohë,
shkrimtarja Mira Meksi shkon më tej, i kushton Mit’hat Frashërit, një roman të
tërë, titulluar: “Kutia e Agatha Christie-t”. Një vepër e merituar për këtë figure tepër të lakuar e të lakmuar
nga literatura, koha dhe politika zyrtare, që vazhdon të shpojë, të shërojë e
të lëndojë edhe në ditët që po kalojmë. Mira Meksi këtu tregon shpirtin e saj
të madh. E madhja thërret në kuvend të mëdhenjtë e kombit, duke i ngrohur me një
dhuratë shkrimore, si një shportë me copëza jete, që i mungojnë shkrimeve të
ftohta të historisë.
Është
një punë e madhe studimore, para shkrimore, tepër e ngarkuar dhe e pëlqyer e
autores, njëkohësisht e lavdëruar nga të gjithë ne, aq sa edhe Shpendi Topollaj
i kushton një shkrim analitik: “Ana njerëzore e intelektualit të madh atdhetar
Mit’hat Frashëri”.
Nuk
çuditem aspak, që Shpendi shpërthen këtu në një frymëzim të vrullshëm, pak më lart
se zakonisht. E tërheq së tepërmi tema kombëtare, si nderimi për shpirtin atdhetar
të këtij mendimtari dhe politikani të pashoq në historinë tonë shtet-formuese, që
e shtyn të shprehet: “Pa shpërfillur aspak përpjekjet e Mit’hat Frashërit, për
t’i paradalë problemeve pafund që i qenë hapur Shqipërisë, sidomos nga orekset
dhe dinakëritë e fqinjëve tanë, madje duke i theksuar ato, Mira ka ndërtuar
edhe anën njerëzore të këtij politikani, duke i mëshuar ndjenjave të fuqishme
që përftoheshin nga dashuria për femrën”. Vetë analiza e Shpendit është një
krijimtari letrare dhe poetike e mirëfilltë, që i bën nder dhe ngre lart
krijimtarinë e autores Mira.
Përpiqem
të qetësoj disi ndjeshmërinë time, po ku të lë shteg Shpendi, kur bëhet fjalë
për dashurinë, që si fill i artë i lidh, i mbështjell dhe i zgjidh të gjithë
këto ngjarje e shkrime që përmblidhen në këtë libër.
Po
e shënoj si diçka të veçantë, por të bukur, në krijimtarinë e këtij autori
tashmë me emër në letrat shqipe. Nëse nuk bindeni, lexoni shkrimin: “Mira Meksi
zbulon harkun e pathyeshmërisë së amazonave”, kushtuar romanit “Puthja e
Amazonës”. Përsëri një temë e marrë nga lashtësia, që frymon dhe frymëzon
poetët dhe shkrimtarët e të gjithë kohërave. Është një përzierje kohësh,
të dashurisë së pakohë të dy vajzave që dashurojnë me po aq pasion, pavarësisht
se njërën e takojmë nëpër udhët e mjediset tona dhe tjetra na vjen së largu nga
Mitologjia. “Sepse gruaja nuk ka lindur sot. Ajo ka lindur botën”,
shprehet Shpendi si filozof i lashtësisë.
Faqe 70.
Nuk
i ve faj Shpendit.....! E si të mos frymëzohesh kur ndeshesh me këto fjalë
magjike: “Dashnorët jetojnë një vegim përjetësie, duke qenë të vdekshëm, nuk
ka ligështim trupi dhe shpirti që i mposht. Ata ndihen baras me Zotat e
Olimpit”. Faqe 76. Më tej: “dashuria është zjarr që shkrumbon
gjithçka, është përbindësh që kërkon të ushqehet çdo ditë me gjakun dhe mishin
e dashnorëve që magjeps.... Ajo nuk nginjet kurrë. Kërkon përsosmërinë, ngulmon
të përtërihet sa herë që i mbaron rrëshira e pishtarit, që mban ndezur zjarrin.
Faqe 77.
Besoj
nuk e teproj të sjell në kujtesë edhe një copëz krijimtarie në vijim të romanit,
ku shkrimtarja jonë Mira Meksi, gjen vend për të përfshirë edhe Frosinën e
bukur, të dashurën e djalit të Ali Pashait, që u mbyt në liqenin e Janinës, për
t’u shndërruar në legjendë. Dhe
legjendat jetojnë sa vetë jeta.
Më
pëlqen përfundimi logjik i shpendit: - “Shkrimtarja jonë Mira Meksi është
shkrirë e bërë njësh me heroinat e saj”. Si një ndarje mendimi me Gëten,
kur thotë: “Çdo shkrimtar, në një farë mase paraqet
në veprat e tij vetveten, shpesh edhe kundër vullnetit të tij”. .... “Në
një farë mënyre, me këtë roman sa artistik aq edhe studimor, Mira i ka bërë një
shërbim të vyer historisë”.
Urime
Znj. Mira Meksi, për këtë krijimtari kaq të bukur dhe të veçantë, duke
lartësuar emrin tuaj, bashkë me letërsinë shqipe. Shpendi ju ngriti një
përmendore në letra. E meritoni! Ndaj shkruani me fjalën tuaj magjiplotë: “I
dashur Shpendi! I “përpiva” vargjet e tua!...... Nuk e dija që brenda shpirtit
të kritikut me skalpelin e analizëtekstit në dorë, të fshihej një shpirt aq
vibrues...... Ju uroj të mira!”. Faqe 117.
Urime
Shpendi! Kur përfshihesh nga frymëzimi, nxjerr perla të vërteta arti, që i
vlejnë këndimit, kënaqësisë, letërsisë dhe shoqërisë.
Dëshiroj
që kjo frymë magjie t’u shoqërojë gjatë gjithë jetës.
Kadri
Tarelli
Gusht 2024.