Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: 'Drita në erësirë'
E marte, 13.08.2024, 06:57 PM
"DRITA NË ERRËSIRRË“
Rezistenca
poetike te “Hëna ime” e Sadik Bejkos
Nga
Timo Mërkuri
Poezinë
"Hëna ime" Sadik Bejko e
shkroi në janar të vitit 1980, por për hir të së vërtetës duhet të themi se
variant i përfshirë te libri “Si vdes gruri” Tiranë 1994 ka ndryshime nga
variant fillestar i cili gjithsesi qëndron lart artistikisht. Mund tju citoj
vetem vargun e pare te saj: “Hëna brënda
meje kishte zogun e fatit” dhe këtë pa lejen e autorit, për të parë nivelin
e saj artistic, por ajo që dua të them është fakti se Sadik Bejko i ripunon
vazhdimisht poezitë, madje dhe poezitë e botuara si kjo, e cila shfaqet në
internet në 3-4 variante të ndryshme nga botimi, madje ju them se dhe ky
variant që po analizoj unë është variant më i fundit dhe sipas autorit, më i afërti
i tij. Ripunimi i vazhdueshëm i saj
tregon se kjo poezi ka një rëndësi të veçantë për poetin ndaj ai do që
te ajo të arrijë përsosmërinë artistike, synim që pasqyron dashurinë e tij të
thellë për atë. Për një poet, ripunimi i një poezie deri në përpikmëri shpesh
tregon se ajo përmban ndjenja dhe mendime shumë personale, të cilat ai dëshiron
t’i shprehë në mënyrën më fine, më artistike dhe të plotë të mundshme. Kështu
dhe kjo poezi, për Bejkon, përfaqëson ndoshta një nga kulminacionet e krijimtarisë
së tij, një simbol të fuqishëm të rezistencës dhe qëndresës ndaj vështirësive
të jetës dhe diktaturës.
Në
poezi hëna simbolizon një burim ndriçimi shpirtëror e emocional që është
gjithmonë prezent, pavarësisht errësirës së jashtme. Kjo hënë nuk është një
objekt fizik që ndriçon nga qielli, por një prani që ndriçon nga thellësitë e
qenies së poetit, veçanërisht në momentet e pikëllimit dhe pasigurisë. Duke qenë
se poeti në ato vite kur realizoi variantin e parë ishte duke punuar në minierën
e qymyrgurit në Memaliaj kjo hënë jo vetëm që ishte e vetmja gjë e bardhë që
kontrastonte me ambientin por ishte dhe simbol i qëndrueshmërisë e mbështetjes ,
që i jipte poetit forcën për të
përballuar errësirën dhe për t’u zgjuar çdo ditë, pavarësisht sfidave që do të
përballej. Kjo shihet qartë kur hëna e troket lehtë në ballë në mëngjes, duke i
çelur sytë dhe duke sjellë një dritë unike ,"dritën që s'ka të dytë".Gjendja shpirtërore e poetit duket e
tensionuar, e ndarë midis ndjesisë të pikëllimit dhe shpresës së qëndrueshmërisë. Ai është në një
gjendje introspektive, ku përjeton një konflikt të brendshëm midis errësirës
dhe dritës, mes gjumit dhe zgjimit, mes shpresës dhe dëshpërimit. Hëna e tij,
që ai nuk e sheh kurrë, është
gjithmonë aty, duke vozitur në "lumin
e pikëllimit" të tij, një metaforë për gjendjen e tij shpirtërore të
trazuar.
I-Poezia
"Hëna ime" e Bejkos mund të interpretohet si një reflektim i forcës
shpirtërore të poetit, ku hëna përfaqëson talentin e tij, dashurinë për artin
poetik, karakterin e tij të fortë në përballjen me diktaturën dhe besimin në të
ardhmen. Kjo hënë është simbol i
ndriçimit shpirtëror që buron nga vetë poeti dhe e udhëheq atë në rrugëtimin më
të errët. Në këtë kontekst, hëna shfaqet si simbol i disa aspekteve:
1.
Hëna shfaqet si simbol i talentin dhe dashurisë për artin poetik duke patur
parasysh se poeti u ndëshkua me riedukim në minierën e qymyrgurit, ku çdo gjë,
që nga ambienti dhe gjer te fytyrat e njerëzve nxinin nga pluhuri I qymyrit, madje
unë do të shtoja se edhe bisedat nxinin nga pluhuri ideologjik. Hëna në këtë
poezi mund të shihet si një metaforë për talentin dhe krijimtarinë e poetit,
një burim ndriçimi që ndihmon atë të përballojë sfidat dhe të shprehë ndjenjat
përmes artit poetik.Te vargjet:"Është
një hënë, hëna ime / Më ndrit në netët e verës, në netët e dimrit." ku
hëna, e shfaqur si një dritë e përhershme e çdo stine dhe situatë, simbolizon
talentin krijues të poetit që vazhdon të ndriçojë, pavarësisht rrethanave të
jashtme, Kjo është arsyeja që poeti e personalizon në “hëna ime”. Po ashtu edhe
vargu:"Në ag më troket butë butë në
ballë / Me gishta të tejdukshëm m'i çel sytë." shihet si inspirimi i
brendshëm dhe fuqia e krijimtarisë që e zgjon atë për të krijuar dhe për të
shprehur artin e tij në ditën e re.
2..Në
kontekstin e vuajtjeve në minierë, hëna mund të interpretohet si simbol i
rezistencës dhe i qëndrueshmërisë shpirtërore të poetit. Ajo përfaqëson forcën
e brendshme që e ndihmon atë të mbijetojë dhe të përballojë sfidat e
represionit politik. Vargu:"Fshin
natën në fytyrën time të gjumit / Sjell dritën, dritën që s'ka të dytë." Ku kjo hënë, përfaqëson fuqinë shpirtërore
të poetit për të mbajtur gjallë shpresën për të kundërshtuar errësirën e
regjimit, duke ruajtur dritën e vetme dhe të veçantë të së vërtetës dhe
ndershmërisë. Te vargu:"Vozit dhe në
lumin tim të pikëllimit." hëna që vozit në lumin e pikëllimit
sugjeron një forcë që e mban poetin në “lundrim” në detin a lumen e dhimbjes,
duke i ofruar një udhëzues të qetë dhe të qëndrueshëm.
3.
Ajo gjithashtu mund të shihet si një shprehje e besimit të poetit në të
ardhmen, një simbol që ndriçon rrugën përpara dhe e mbush atë me shpresë, edhe
kur e tashmja është e errët dhe e pasigurt, përfundim që e shfaqin vargjet:"Dhe sikur dita të nxinte më terr se nata /
Dhe përmbys të gdhihesha në gërmadha." ku hëna (besimi i poetit në të ardhmen dhe në të vërtetën) mbetet një
dritë e përhershme që vazhdon të ndriçojë.
4.
Poezia e Bejkos mund të lidhet ngushtë me vuajtjet e tij gjatë periudhës së
punës në minierën e qymyrgurit të Memaliajt. Përvoja e tij atje, në një mjedis
të ashpër dhe të errët, ku ai ishte i detyruar të punonte për
"riedukim," mund të ketë ushqyer thellësinë emocionale dhe simbolikën
e hënës në këtë poezi. Hëna, përfaqëson pikërisht atë dritë të brendshme që
poeti kërkonte gjatë kohës së tij në minierë, dritë që e ndihmonte të
përballonte errësirën e jashtme. Errësira në vargjet e tij mund të jetë një
reflektim i kushteve të vështira dhe të zymta të punës në minierë,por e derdhdur
në art ka një shkëlqin diamanti të zi kur mbi atë reflektohet drita. Gjendja
shpirtërore e poetit, si një përzierje e pikëllimit dhe një force të brendshme,
mund të jetë një reflektim i gjendjes së tij mendore dhe emocionale gjatë kohës
në minierë. Hëna që "vozit në lumin
e pikëllimit" dhe "ndrit në
terr... nën lëkurë" mund të pasqyrojë përpjekjet e tij për të gjetur
dritë në një situatë që mund të ishte përjetuar si dëshpëruese.
II-E
parë në këtë aspekt poezia "Hëna ime" e Bejkos mund të cilësohet si
simbol i qëndresës dhe rezistencës së artit dhe të poetit ndaj diktaturës, edhe
pse ai ishte i dënuar në minierë. Kjo poezi shpreh fuqinë e brendshme
shpirtërore të poetit, që reflekton një refuzim total nënshtrimit ndaj
represionit të regjimit dhe besim të thellë në fuqinë e artit për të mbijetuar
në kushtet më të errëta.
1.
Hëna është një simbol i rezistencës personale kundër një sistemi që synonte të
kontrollonte mendimet dhe ndjenjat e individëve. Ajo është “…vetëm për mua, hëna ime”, një dritë që i
përket vetëm poetit, dhe që mbetet e paprekshme nga fuqitë e jashtme. Hëna, si
një simbol i fuqisë shpirtërore dhe krijimtarisë, përfaqëson një besim të
palëkundur në të ardhmen dhe në mundësinë e rilindjes, pavarësisht shkatërrimeve
të personalitetit njerëzor që i sjell regjimi. Vargu:"Dhe sikur dita të nxinte më terr se nata / Dhe përmbys të gdhihesha në
gërmadha." tregon se, poeti nuk e humb shpresën, duke rezistuar përmes
besimit se ndriçimi i brendshëm i artit të tij do të triumfojë.
2.Në
këtë poezi hëna përfaqëson forcën shpirtërore të poetit dhe ndriçimin që vjen
nga dashuria për artin, i cili është i përhershëm dhe i pavarur nga rrethanat e
jashtme, simbolizon qëndresën e poetit dhe artit të tij ndaj diktaturës.
Pavarësisht izolimit në minierë, poeti ruan një burim të brendshëm ndriçimi dhe
fuqie, që nuk mund të shuhet nga jashtë. Vargu: "Është hëna, vetëm për mua, hëna ime, / Me të përbrenda i gjej gjithmonë
zgjimet."sugjeron se poeti gjen forcë dhe shpresë brenda vetes, një
hënë personale që e udhëheq atë përmes errësirës dhe vështirësive, duke
përfaqësuar kështu qëndrimin e tij të palëkundur përballë një regjimi represiv.
3.
Hëna mund të shihet si një mbrojtëse e artit të poetit, një dritë e veçantë që
e ruan atë dhe e mbron nga errësira e kohës së diktaturës. Kjo hënë simbolike
mbron dhe ndriçon poezinë e tij, duke e bërë të pamundur që regjimi të shuajë
plotësisht zërin dhe shpirtin e tij krijues. Ky ndriçim shpirtëror në formën e
hënës është një shprehje e qartë e fuqisë së artit për të mbijetuar dhe për të
përballuar çdo lloj errësire.
III-Megjitheatë,
si një poezi moderne që është, kjo poezi nuk është njëkuptimëshe. Kjo poezi
është shumëdimensionale dhe simbolika e hënës mund të interpretohet në mënyra
të ndryshme, përfshirë edhe si një përfaqësim të gruas, nënës, apo të dashurës
së poetit. Ky interpretim mbështetet në disa aspekte të poezisë dhe në
përdorimin e figurave artistike që e bëjnë hënën një simbol të ndërlikuar dhe
të pasur.
1.
Në traditën poetike dhe kulturore, hëna shpesh lidhet me feminitetin, duke u
përfaqësuar si një simbol I bukurisë, i butësisë, kujdesit, dhe dritës që vjen
nga një burim i jashtëm. Në poezinë e Bejkos, hëna merr një rol të ngrohtë dhe
mbrojtëse, që mund të interpretohet si një figurë femërore që i sjell poetit
ndriçim dhe paqe shpirtërore.Psh vargu:"Në ag më troket butë butë në ballë / Me gishta të tejdukshëm m'i çel
sytë."tregon një akt kujdesi dhe butësie që mund të përfaqësojë
dashurinë e një gruaje apo nënë që zgjon poetin me delikatesë dhe dashuri. Te
vargu:"Fshin natën në fytyrën time
të gjumit / Sjell dritën, dritën që s'ka të dytë."akti i "fshirjes së natës" dhe sjelljes së
një "drite që s'ka të dytë"
mund të interpretohet si akt i përkujdesjes dhe mbrojtjes që një grua e afërt
me poetin (nënë, e dashur) ofron për të, duke e çliruar nga errësira dhe
pikëllimi.
2.
Hëna që "vozit në lumin e pikëllimit"
dhe që është gjithmonë e pranishme për poetin mund të përfaqësojë një figurë
femërore që është burim i qëndrueshëm i ngushëllimit dhe mbështetjes në jetën e
tij. Këtë e shohim nëpërmjet vargjeve:"Është
hëna, vetëm për mua, hëna ime, / Me të përbrenda i gjej gjithmonë
zgjimet." ku ajo përshkruhet si një dritë e përhershme dhe intime që
është përherë pranë poetit, duke sugjeruar një lidhje të veçantë dhe të
ngrohtë, si ajo midis një burri dhe një gruaje të dashur apo dhe të nënës.
3.Interpretim
i hënës si simbol i feminitetit i jep poezisë një dimension emocional e
personal që rezonon me përvojat e përbashkëta njerëzore të dashurisë dhe
kujdesit. Realisht kjo perspektivë interpretimi e shton thellësinë emocionale
dhe përforcon ndjenjën e lidhjes së poetit me një burim ndriçimi dhe
ngushëllimi që mund të jetë një grua, nënë, apo e dashur në jetën e tij.
Duhet
të theksojmë se edhe në rastin kur "Hëna" në poezinë e Sadik Bejkos
interpretohet si simbol i feminitetit poezia ende qëndron si simbol i
rezistencës së poetit ndaj diktaturës. Në këtë kontekst, hëna përfaqëson jo
vetëm një burim ndriçimi dhe shprese, por edhe lidhjen e poetit me vlerat e
dashurisë, ndjenjave dhe lidhjeve njerëzore që ai kërkon të mbrojë dhe të ruajë
nga shtypja dhe dehumanizimi i regjimit. Në këtë mënyrë, poezia mbetet një
manifest i fuqisë shpirtërore dhe ndriçimit të brendshëm që triumfon mbi çdo
errësirë.
IV-
Poezia e Sadik Bejkos lidhet me disa rryma moderniste, por më së shumti ajo
duket të ketë qasje ndaj ekzistencializmit dhe simbolizmit.
1.
Ekzistencializmi si një rrymë filozofike dhe letrare përqendrohet në
shqetësimet individuale, në kuptimin e jetës, dhe në përballjen me absurditetin
e ekzistencës. Në "Hëna ime," poeti trajton tema të tilla si izolimi,
ndarja midis dritës dhe errësirës, dhe kërkimi i një kuptimi të brendshëm në
një botë të mbushur me pikëllim dhe pasiguri. Hëna, si një burim personal
ndriçimi, mund të interpretohet si një përpjekje për të gjetur një kuptimdhe
ekuilibër shpirtëror dhe të qëndrueshëm në një botë që duket e pakuptimtë dhe
shtypëse.Te vargu: "Më ndrit në
terr... nën lëkurë / Që nga kufinjtë e pakuptimit.", poeti përjeton
një ndriçim të brendshëm që e ndihmon të përballojë terrin, por ky ndriçim
ndodh "nën lëkurë," duke
sugjeruar një përpjekje intime për të gjetur kuptim në një situatë që është e
"pakuptimit." Ky është një
moment tipik ekzistencialist ku individi
ballafaqohet me absurditetin dhe kërkon një kuptim të brendshëm. Pasazhi:"Një hënë që asnjëherë nuk e shoh / Fikur
diku në kufirin mes gjumit e zgjimit." tregon ndarjen midis gjumit dhe
zgjimit, një metaforë për ndarjen midis vetëdijes dhe pavetëdijes, realitetit
dhe iluzionit, që është temë qendrore në ekzistencializëm. Pra,poezia shqyrton
ekzistencën në një zonë gri, ku kuptimi është i paqartë dhe e vërteta është e
fshehtë.
2.
Simbolizmi si rrymë artistike përdor simbolet për të shprehur ide dhe ndjenja
që nuk mund të shfaqen në mënyrë të
drejtpërdrejtë. Në këtë poezi, hëna është një simbol i fuqishëm që përfaqëson
ndriçimin e brendshëm, qëndrueshmërinë shpirtërore e rezistencën personale
përballë errësirës ,vuajtjeve dhe përndjekjeve të sistemit. Përdorimi i hënës
si një metaforë për një burim drite dhe shprese tregon ndikimin e simbolizmit në këtë poezi. Te
vargu:"Është një hënë, hëna ime / Më
ndrit në netët e verës, në netët e dimrit." hëna është një simbol i
një dritë gjithmonë e pranishme, pavarësisht nga koha apo kushtet e jashtme.
Ajo, si një simbol i shpresës, reflekton një realitet të brendshëm të poetit që
nuk ndikohet nga jashtë. Te vargu: "Fshin natën në fytyrën time të gjumit
/ Sjell dritën, dritën që s'ka të dytë." ajo përfaqëson një dritë të
veçantë, "dritën që s'ka të dytë,"
që është unike dhe personale. Ky simbol është një mjet për të shprehur një
përvojë të brendshme dhe kuptim të thellë që vetëm poeti mund ta përjetojë dhe
ta kuptojë plotësisht. Ky është një përdorim i pastër simbolist, ku një element
i natyrës (hëna) shndërrohet në një shprehje të kompleksitetit emocional dhe
shpirtëror të individit.
3.
Poezia lidhet me modernizmin e vonë, (Neomodernizmin), ei cili përqendrohet në eksperi-mentimin me formën dhe
përmbajtjen, shpesh duke përdorur një gjuhë të sofistikuar dhe abstrakte për të
shprehur shqetësimet ekzistenciale. "Hëna ime" përdor një strukturë
të thjeshtë por me një përmbajtje simbolike, që është karakteristikë e këtij
lloji të modernizmit. Qasja ndaj modernizmit të vonë ose neomodernizmit në
poezinë "Hëna ime" të Bejkos shfaqet përmes eksperimentimit me
formën, thellësisë simbolike, dhe përqendrimit në përjetimet individuale dhe
komplekse të subjektit lirik. Poezia ruan një strukturë të rregullt dhe
elemente tradicionale, por në të njëjtën kohë, eksploron ndjenja të thella dhe
konflikte të brendshme që janë karakteristika të neomodernizmit. Ja si
manifestohet kjo përmes pasazheve specifike:
1.
Modernizmi i vonë shpesh përfshin një eksperimentim me formën dhe përdorimin e
gjuhës për të krijuar një efekt poetik të veçantë që reflekton një ndjesi
moderne të kompleksitetit dhe ambiguitetit. Psh te pasazhi:"Në ag më troket butë butë në ballë / Me
gishta të tejdukshëm m'i çel sytë."Bejko përdor një imazh të detajuar
dhe të sofistikuar që është në kontrast me gjuhën e thjeshtë dhe direkte të soc.realizmit.
Gishtat "e tejdukshëm" të
hënës që "çel sytë"
krijojnë një atmosferë të ëndërrt dhe misterioze, që tregon për një largim nga
e zakonëshmia dhe një përqendrim në përjetimin personal dhe subjektiv. 2. Aspekt tjetër i neomodernizmit është
përzierja e kufijve midis realitetit dhe irrealitetit, mes gjumit dhe zgjimit, që
krijon një ndjenjë tensioni të brendshëm
dhe të ambiguitetit ekzistencial. Psh vargjet: "Një hënë që asnjëherë nuk e shoh / Fikur diku në kufirin mes gjumit e
zgjimit." pasqyrojnë një përzierje të realitetit dhe ëndrrës, ku hëna
ekziston në një hapësirë të ndarë midis dy botëve, duke reflektuar ndjenjën e
fragmentimit të përvojës e të vetëdijes, ndjesi e zakonshme në neomodernizëm.3.
Modernizmi i vonë fokusohet te introspeksioni dhe përjetimi i ndjenjave të
izoluara. Pasazhi:"Vozit dhe në
lumin tim të pikëllimit." shpreh një ndjenjë pikëllimi dhe vetmie të thellë, ndërsa hëna,
lundron në këtë "lum të pikëllimit."
Kjo ndjenjë e izolimit dhe e introspeksionit (introspeksioni është akti i
kthimit të vëmendjes brenda vetes për të reflektuar mbi gjendjen e brendshme
mendore dhe emocionale). është karakteristikë e modernizmit të vonë, ku poeti
merret me pasqyrimin e përvojave të brendshme e emocionale në një mënyrë
komplekse dhe të nuancuar.4. Në modernizmin e vonë, ka shpesh një kritikë të
heshtur ndaj realitetit të jashtëm. Pasazhi:"Dhe sikur dita të nxinte më terr se nata / Dhe përmbys të gdhihesha në
gërmadha." sugjeron një realitet të përmbysur e të shkatërruar. Ky
është një koment mbi kontrastin midis përvojës së brendshme dhe realitetit të
jashtëm, një temë e zakonshme në neomodernizëm, ku bota e brendshme shpesh
është në konflikt me botën e jashtme.
U
ndalëm pak më gjerë te neomodernizmi për të treguar e provuar se muret e soc. realizmit
kishin rrënë qysh në vitet 1980 në Shqipëri, një dekatë e ca para se të rrëzoheshin
muret e ambasadave në Tiranë dhe me këtë rast ua kemi një borxh mirënjohjeje
poetëve dhe artistëve që guxuan në ato vite të “shembnin” ato mure dhe na
treguan hapësirat e kaltëra rreth nesh.
V-
Ajo që bie në sy në poezinë e Bejkos është struktura dhe forma tradicionale që
poeti përdor ndonëse qysh në ukjen e parë shihet se kemi të bëjmë me një poezi
moderniste.. Në këtë poezi, ndërthurja e elementeve tradicionale me ato
moderniste krijon një tension që thekson sfidën dhe inovacionin e poetit. Le të
shohim elementet tradicionale dhe si funksionojnë ato si sfond për modernitetin
poetik:
1.Element
tradicional është forma e rregullt dhe struktura metrike e vargjeve: Poezia ka
një strukturë të rregullt me katër strofa, secila me nga katër vargje me rimë
dyshe. Kjo strukturë tradicionale siguron një ritëm të qëndrueshëm dhe një rend
formal, që është karakteristikë e poezive tradicionale. Psh pasazhi:"Është një hënë, hëna ime / Më ndrit në netët
e verës, në netët e dimrit." Ku ky çift vargjesh përfaqëson një rend
simetrik dhe një përdorim të kujdesshëm të rimës së brendshme, që pasqyron një
lidhje me teknikat poetike tradicionale. Ndërrkohë duhet të themi se këto
vargje i qasen simbolizmit brenda
rrymave moderniste, pse hëna përdoret si simbol me kuptime të shumëfishta,
përfaqëson ndriçimin e brendshëm , shpresën, apo një prani shpirtërore që
mbetet konstante, pavarësisht stinëve dhe kohës (verës dhe dimrit).
2.Hëna
është simbol klasik në poezinë tradicionale, që shpesh përfaqëson dashurinë,
misterin, natyrën dhe ndriçimin. Përdorimi i këtij simboli lidhet me një
traditë të gjatë poetike, që e bën poezinë të lidhet me të kaluarën. Psh te
vargu:"Një hënë që asnjëherë nuk e
shoh / Fikur diku në kufirin mes gjumit e zgjimit." hëna ruan
karakterin e saj simbolik tradicional, por është rikonceptuar në kontekst
modern, ku kuptimi i saj është i ndërlikuar dhe introspektiv, por ndërkohë
duhet të themi se ky varg i qaset surrealizmit, i cili shpesh eksploron
realitetet alternative, gjendjet e ndërmjetme të vetëdijes, dhe përzierjen e
ëndrrave me realitetin. Këtu, hëna është e vendosur në një hapësirë midis
gjumit dhe zgjimit, një gjendje kuptimësisht surrealiste, ku kufijtë midis
realitetit dhe fantazisë janë të mjegulluar. Kjo qasje krijon një atmosferë
misterioze dhe enigmatike, tipike për surrealizmin, duke nënvizuar tensionin
midis të dukshmes dhe të padukshmes, mesdijes dhe pavetëdijes.
3.Ndriçimi
dhe errësira janë tema të përhershme në poezinë tradicionale, që përfaqësojnë
luftën midis dritës dhe errësirës, të mirës dhe të keqes, njohjes dhe
injorancës. Te vargu: "Fshin natën
në fytyrën time të gjumit / Sjell dritën, dritën që s'ka të dytë." kjo
tematike është një tjetër element tradicional që në poezinë e Bejkos ruhet, por
që i qaset ekspresionizmit. Në këtë varg, errësira dhe drita janë përdorur si
simbole të fuqishme që përfaqësojnë luftën e brendshme të poetit, ku drita
triumfon mbi natën, duke sjellë një ndriçim absolut ("dritën që s'ka të
dytë"). Ky tension dhe intensitet emocional, së bashku me përdorimin e një
imazhi të fuqishëm që sfidon realitetin objektiv, janë tipare thelbësore të
ekspresionizmit. Pra elementët tradicionalë shërbejnë sis fond poetik për
modernitetin e poezisë.
VI-
Figurat artistike në poezinë "Hëna ime" janë të ndërlidhura dhe
krijojnë një ndërtim kompleks që pasqyron përvojat e brendshme dhe tensionet e
poetit. Metafora, personifikimi, simbolizmi, antiteza dhe imagjeria
bashkëpunojnë për të krijuar një poezi që është e mbushur me ndjenja dhe ide të
thella, duke i dhënë lexuesit një përvojë poetike të pasur dhe të ndërlikuar.
Këto shërbejnë jo vetëm për të zbukuruar
gjuhën poetike, por edhe për të thelluar kuptimin dhe për të përforcuar
mesazhin e poezisë. Analiza e figurave artistike, ndërtimit dhe funksionit të
tyre në poezi na ndihmon të kuptojmë më mirë si poeti përdor gjuhën për të
krijuar një efekt emocional dhe intelektual të thellë.
1.
Metafora është një nga figurat artistike kryesore në këtë poezi, që përshkon të
gjithë tekstin dhe i jep poezisë një dimension simbolik. Në vargun::"Është një hënë, hëna ime / Më ndrit në netët
e verës, në netët e dimrit."hëna është përdorur si një metaforë për
një ndriçim të brendshëm dhe personal. Ajo nuk është një objekt fizik, por
simbol për një forcë shpirtërore apo ndjesi e brendshme që ndihmon poetin të
përballojë errësirën, qoftë ajo e natës apo e gjendjes shpirtërore. Te
vargu:"Fshin natën në fytyrën time
të gjumit"nata bëhet një metaforë për gjumin, një gjendje e
pavetëdijshme që fshihet kur hëna sjell dritën e saj.
2.
Personifikimi është një tjetër figurë artistike e rëndësishme në poezi, ku hëna
trajtohet si një qenie e gjallë me cilësi njerëzore. Te vargu:"Në ag më troket butë butë në ballë / Me
gishta të tejdukshëm m'i çel sytë."hëna personifikohet si një qenie që
"troket" dhe "çel sytë" e poetit me "gishta të tejdukshëm." Kjo i jep
hënës një karakter human, duke e afruar më shumë me përvojat dhe ndjenjat e
poetit. Personifikimi e bën hënën më
të gjallë dhe më të afërt për lexuesin. Ai krijon një lidhje emocionale midis
hënës dhe poetit, duke e bërë atë një simbol të fuqishëm të ndihmës dhe
përkrahjes që poeti merr në momentet e tij të errëta.
3.Simbolizmi
është figura kryesore në këtë poezi, ku hëna simbolizon diçka më të madhe se
vetvetja. Psh te vargu:"Vozit dhe në
lumin tim të pikëllimit."Hëna, si një simbol i ndriçimit të brendshëm,
lundron në "lumin e pikëllimit"
të poetit. Lumi këtu është një metaforë për emocionet e thella dhe pikëllimin
që poeti përjeton, ndërsa hëna simbolizon një shpresë ose ndihmë që lundron
nëpër këto emocione të vështira. Simbolizmi
e ngrit poezinë në një nivel më të lartë abstrakt dhe shpirtëror. Ai lejon që
një objekt i thjeshtë natyror, si hëna, të marrë një kuptim më të thellë dhe të
ndërlikuar, duke e bërë poezinë një reflektim të fuqishëm mbi përvojat
njerëzore dhe ndjenjat e thella.
4.
Antiteza përdoret për të krijuar kontraste të forta që theksojnë tensionet dhe
dualitetet e pranishme në poezi. Psh te vargu:"Dhe sikur dita të nxinte më terr se nata / Dhe përmbys të gdhihesha në
gërmadha."poeti përdor kontrastin midis ditës dhe natës për të
shprehur një përmbysje të pritshmërive dhe përjetim të mospërputhjes mes
realitetit dhe perceptimit. Antiteza
e bën poezinë më dramatike dhe thekson ndjenjat e poetit për një botë të
përmbysur, ku as dita nuk sjell dritë, dhe zgjimi ndodh në gërmadha. Kjo krijon
një ndjenjë të fuqishme të tensionit dhe konflikteve të brendshme, që janë të
rëndësishme për kuptimin e poezisë.
5.Imagjeria
përdoret për të krijuar imazhe të gjalla dhe të fuqishme që pasqyrojnë ndjenjat
dhe përvojat e poetit. Psh te vargu:"Fshin
natën në fytyrën time të gjumit / Sjell dritën, dritën që s'ka të dytë."poeti
krijon një imazh të fuqishëm të hënës që fshin natën dhe sjell një dritë të
veçantë dhe të papërsëritshme. Ky imazh i fuqishëm ndihmon në krijimin e një
atmosfere të qetë dhe reflektuese. Në këtë poezi imagjeria ndihmon në përfshirjen e lexuesit në përvojën e poetit,
duke krijuar një lidhje vizuale dhe emocionale me vargjet. Ajo e bën poezinë më
të gjallë dhe më të ndjeshme, duke e ndihmuar lexuesin të përjetojë ndjenjat
dhe tensionet e poetit. Te vargu: "Me
gishta të tejdukshëm m'i çel sytë" krijohet një imazh vizual i hënës
me "gishta të tejdukshëm"
që "çel" sytë e poetit. Ky
imazh është i pasur me ndjenja dhe delikatesë, duke përçuar një moment të qetë
dhe të ëmbël të zgjimit shpirtëror, por duhet të dimë që e ka origjinën nga ndërveprimi
i personifikimit. Te vargu: "Dhe
përmbys të gdhihesha në gërmadha." imazhi i zgjimit në "gërmadha" krijon një atmosferë
dramatike dhe melankolike, duke sjellë para lexuesit një skenë të zymtë dhe të
dëshpëruar.
Pra
siç po shohim figurat artistike në poezinë "Hëna ime" janë të
ndërlidhura mes tyre dhe krijojnë një ndërtim kompleks që pasqyron përvojat e
brendshme dhe tensionet e poetit.Këto figura artistike janë ndërtuar me qëllim
që të krijojnë një poezi të ndërlikuar dhe të thellë, ku ndjenjat personale dhe
përjetimet e poetit përçohen me një ndjesi të fortë estetike dhe shpirtërore.
Përmes këtyre figurave, poezia e Bejkos kapërcen kufijtë e zakonshëm të
përshkrimit dhe kalon në një dimension simbolik dhe introspektiv.
Në
përfundim, mund të themi se poezia "Hëna ime" shpalos një dimension
të veçantë të ndjenjës së thellë njerëzore dhe të lidhjeve më të shenjta me
artin dhe me njerëzit e dashur, duke krijuar një lidhje të pandashme midis
poezisë dhe shpirtit të palëkundur të poetit. Ky angazhim për përsosmëri dhe
ndriçim shpirtëror e vendos Sadik Bejkon në një vend të veçantë në poezinë
shqipe, duke e bërë atë një zë të rëndësishëm në përballjen me sfidat e
kohës.Kjo poezi mund të shihet si një manifest poetik i qëndresës ndaj
diktaturës, ku përmes fuqisë simbolike të hënës, Bejko i jep zë shpirtit të tij
rezistent, duke u përballur me errësirën e kohës me një dritë që nuk shterohet
kurrë. Kjo poezi reflekton një modernizëm të vonë, të ndjeshëm ndaj ndjenjave
personale, por gjithashtu i hapur ndaj temave universale si liria, dashuria dhe
e drejta për të krijuar.
Në këtë mënyrë, kontributi i Sadik Bejkos në poezinë shqipe mbetet i veçantë, duke shërbyer si një shembull i fuqisë së artit për të qëndruar përballë çdo lloj errësire. Përmes kësaj poezie dhe veprës së tij në tërësi, Bejko tregon një angazhim ndaj vlerave njerëzore dhe përkushtim të palëkundur ndaj artit si një mjet qëndrese dhe shprese, duke lënë pas një trashëgimi poetike që frymëzon përtej kohës dhe hapësirës. Ndaj themi se kontributi i tij në poezinë shqipe mbetet i veçantë, dhe shërben si një shembull i fuqisë së artit për të qëndruar përballë çdo lloj errësire.
Sarandë, më gusht 2024
Sadik
Bejko
HËNA IME
Është
një hënë, hëna ime
Më
ndrit në netët e verës, në netët e dimrit.
Më
ndrit në terr... nën lëkurë
Që
nga kufinjtë e pakuptimit.
Në
ag më troket butë butë në ballë
Me
gishta të tejdukshëm m'i çel sytë
Fshin
natën në fytyrën time të gjumit
Sjell
dritën, dritën që s'ka të dytë.
Një
hënë që asnjëherë nuk e shoh
Fikur
diku në kufirin mes gjumit e zgjimit.
Po
s'është në qiell, është tek unë
Vozit
dhe në lumin tim të pikëllimit.
Është
hëna, vetëm për mua, hëna ime,
Me
të përbrenda i gjej gjithmonë zgjimet
Dhe
sikur dita të nxinte më terr se nata_
Dhe
përmbys të gdhihesha në gërmadha.
1980
Te
libri "Si vdes gruri" Tiranë 1994 f.56