Kulturë
Xheladin Mjeku: Shpërfaqje intriguese përmes kujtesës historike
E shtune, 10.08.2024, 03:24 PM
SHPËRFAQJE INTRIGUESE PËRMES KUJTESËS HISTORIKE
Mbresa
leximi nga romani “Lëkura e gurit” të Mehmetali REXHEPIT
Nga Xheladin MJEKU
Përvoja e
dëshmuar narrative e Mehmetali Rexhepit në krijimtarinë e deritashme reflekton
ngritje cilësore të vazhdueshme. Ky reflektim del i pandryshueshëm edhe në këtë
prozë, ku përjetohet po ai vëllim foljor dhe shtjellim tematik cilësor i
ngjarjeve si modele të përvetësuara mirë, që ngërthejnë një tërësi të motiveve
në konstruktimin e fabulave të veprës. Romani “Lëkura e gurit” si përcaktor tematik dhe si simbolikë e
qëndrueshmërisë së vazhdueshme kundruall çdo sprove tronditëse në jetë, me plot rreziqe, por vazhdimisht i
përshkuar nga vrulle jete të krye-protagonistit Moti, defilomi i tij i
kujdesshëm në çdo situatë, me shkathtësitë në përballjen me ngjarje të shumta
që do t’i imponohen; ndërtojnë ngjarjen të konceptuar në një periudhë të gjatë
kohore. Këto veprime të paramenduara apo episodike shpërfaqen si një spektër i
kompozuar ngjarjesh në boshllëkun e zhvillimeve të kohës.
Ndërtimi i kompozicionit nga dhjetë
pamjet-kapituj në roman, si një fushë-arenë e përhershme, ku defilojnë
protagonistë e dytësorë të shumtë, pasqyrojnë një kohë relativisht të gjatë të
shtjellimit të ngjarjeve biografike-historike në rrugëtimin e mundimshëm e
plotë krajata të Motit. Këto dhe shumë përvoja tjera do t’i shërbejnë për
përballjen dhe tejkalimin e intrigave jetësore, që e përshkojnë zhvillimin e
ngjarjeve në vazhdimësi.
“E doja mësuesin Cen.
Ishte nga ata mësues të menjëhershëm të pas Luftës së Dytë Botërore. Trup
shkurtë e thatanik. As i bardhë, as i zeshkët. Jo mjaftueshëm i qeshur. Dukej
se kishte moshë vjetërsie dhe nuk pritej t`i shkëlqente secilën herë fytyra.
Diçka si ndrojtje e pa dëftuar e rrethonte...” Shpalos kujtimet për mësuesin, që i
trason rrugën e jetës, ku shqetësimet i vijnë paralelisht të pandryshuara me
kohën, me zymtësinë, frikën, rreziqet, por edhe me krenarinë që e përvetëson
pikërisht nga mësuesi i tij, si një model shkëmbor i të pamposhturit në situata
të tilla.
Shtjellimi veprues i ngjarjeve vazhdon të jetë në qendër
të ndërtimit të kompozicionit të veprës, prej nga përvijohen situata e
personazhe të shumtë. Në këto relacione Motit do t’i ”përfytyrohej babai, një kosëtar bari, të shumtën i ngrysur,” ku
pasqyrohet ”zymtësia e vijueshme”, si
identifikim me kohën dhe situatat e krijuara. Trajtimi i fenomeneve të ndryshme
që perceptohen, këtu vijnë të shtjelluara me kujdes, meqë autori, që në nismë
do të vejërojë shumë devijime shoqërore.
“-
Nga të gjitha këto kategori frymorësh, e di ti Vijon kush di dhe, kush ankohet
më së shumti e më së prekshmi për dhimbjen? Hë:
-
S`do mend, njeriu. - Ishte më se e qartë për Vijonin. Madje Vijoni sikur ia
përcaktoi kahen e drejtimit të Motit në ligjërimin e tij.” Transformimi i ngjarjeve në
përditshmërinë e zhvillimeve e bëjnë interesante jetën e Motit, i cili me
kujdes ndjek çdo zhvillim, i shtrënguar të përballet me pengesat që do t’ia
parashtrojë koha.
Invencioni organizativ i romanit në fokusin përmbajtësor, sa
vjen e merr formën e tij, ku gërshetim ngjarjesh në transformimin e tërësisë
narrative krijojnë relacionet e mëtutjeshme të veprimeve të Motit, tashmë i
përcaktuar të ndërtojë “një shtëpi prej
vargjesh”,
si
do të shprehet pastaj: “Përjetësisht u
lidha me shkrola, me këto hulli të zeza, me të cilat mëtoja të mbillja diçka
nga dhimbjet e ngazëllimet, nga fati im i pleksur me fatet e të tjerëve. Fatet
nuk ishin të ngjashme, por, meqë ishin të një relievi njerëzor kishin puqjet e
tyre”. Në këtë prizëm ngjarjesh do ta gjejë veten, për ta vazhduar rrugën e
tij prej krijuesi, me përballjet e shumta në jetë, që herë akuzohet për
bashkëveprim me të tjerët për shpërndarje afishesh, herë ndiqej si i dyshimtë
për veprimtari armiqësore ndaj pushtetit, etj... Kështu ai po bënte punën e tij
prej njeriu të vendosur në rrugëtimin e përcaktuar, që në rininë e tij të
hershme, ku liria individuale, liria e popullit dhe e atdheut ishin pikëtakimi
i përbashkët në çdo segment të jetës. Ai tashmë po ndërtonte “Poemën e gjallë”, i ndrojtur, por
vendimtar në rrugëtimin e tij të pandalur, pavarësisht nga sprovat që ia sillte
ajo kohë skëterrë.
Romani, ”Lëkura e
gurit”, prek kujtesën historike dhe ndërlidhjen e tërësisë zhvillimore të
ngjarjeve deri në ditët e sotme, që përkufizojnë jetën e larmishme të Motit,
duke ruajtur frymën moderne të narracionit, që e karakterizon krijimtarinë e
Mehmetali Rexhepit, i dëshmuar denjësisht edhe në veprat e tij të mëparshme.
Prishtinë, gusht
2024