Kulturë
Anila Dushi: Familja Kamsi, intelektualët e djeshëm e të sotëm
E diele, 25.08.2024, 06:53 PM
Familja Kamsi, intelektualët e djeshëm e të sotëm
Pergatiti Anila DUSHI
Në kohët e hershme anëtarë të familjes Kamsi
dhanë një ndihmesë jo të vogël në pajtimin e shqiptarëve, në regjistrimin e
popullsisë, në përhapjen e gjuhës shqipe, në respektin ndaj njerëzve.
Në ditët më të vona atdhedashuria ishte diçka
që i shqoi mes të tjerëve për shkak të sakrificës së bërë, ndërkohë që sot,
anëtarët e kësaj familjeje vijojnë që të jenë në mes të intelektualëve të kohës
SHKODËR – Kamsi është emri i një prej familjeve më të vjetra e më të njohura në
Shkodër, rrënjët e së cilës shfaqen mjaft herët, në Drisht të komunës Postribë,
një qendër e njohur qytetare kjo e mesjetës. Karlo Kamsi, pinjoll i kësaj
familjeje, rrëfen historinë e njerëzve që kanë dhënë një kontribut të madh në
jetën e vendit, që në kohët e hershme.
Duke folur për prejardhjen, ai thotë se
Drishti ose siç njihet ndryshe Drivastumi ka qenë një ndër qendrat më të
zhvilluara që në shekullin XII dhe se Kamsi është mbiemri i njërës prej dy
degëve të familjes së sundimtarëve të Drishtit, asaj të Ejllorëve ose
Ëngjëllorëve. Kjo familje i ka rrënjët tek Dhimitër Ejlli dhe më pas ajo u nda
në dy degë, në atë Kamsi dhe Radovani.
Me pushtimin e Drishtit dhe fortesës së saj
nga turqit, Ejllorët (Ëngjëllorët) u shpërndanë, ku një pjesë e tyre merr
mbiemrin Kamsi dhe zotëron fshatrat mes Cukalit e Drishtit. Më pas ata u
shpërndanë në zona të ndryshme të Shkodrës.
Në zonën e Drishtit akoma sot ruhen toponime
që lidhen me emrin e kësaj familjeje si Guri i Kamxit (Kamsit) Shpella e
Kamsit, Kullat e Kamcejve, Dheu i Kamcit. Dhe emri që morën pas shpërbërjes së
Ëngjëllorve ka historinë e tij. Denk Kamsi ishte i njohur për të ecurën e tij
të shpejtë dhe nga kjo i mbeti dhe llagapi (pseudonimi) kamci ose këmbëshpejtë.
Njëri prej trashëgimtarëve të sotëm të familjes Kamsi, Karlo Kamsi, duke
rrëfyer për gazetën historinë e familjes së tij, tregon se ecura e shpejtë
është karakteristikë edhe sot e shumë prej pjesëtarëve të kësaj familjeje, duke
u trashëguar si mbiemri që mbajnë.
Dokumentet e rëndësishme
Në familjen e Karlo Kamsit ruhen me shumë kujdes 16 dokumente pergament,
origjinalë, që flasin për vjetërsinë e kësaj familjeje. “Këto dokumente i ka kërkuar dhe Arkivi Qendror i
Shtetit, por nuk i kemi dhënë origjinalët, por vetëm fotot e tyre.
Po kështu i ka kërkuar
dhe Vatikani, të cilit gjithashtu i janë vënë në dispozicion fotokopjet e
dokumenteve dhe jo origjinalët. Madje ata kanë ardhur edhe herë tjetër dhe i
kanë fotografuar me aparate dixhitale. Janë dokumente që flasin për ekonominë e
zhvillimin kulturor të zonës, akte juridike të kohës etj. dhe shumë vite më
parë njëri prej tyre është studiuar nga Injac Zamputi, studiues i njohur, –
tregon Karlo. – Përveç këtyre kemi dhe dokumente që flasin në mënyrë të detajuar
për pemën e familjes, zotërimet e saj të hershme etj.”.
Figura të shquara
Një nga njerëzit e shquar të kësaj familjeje ishte Imzot Pal Kamsi, prift
katolik. Ai ishte një nga figurat më të njohura të kishës katolike, i cili ka
shërbyer si famullitar i Kishës së Zojës së Shkodrës në Tophanë, dhe me 25 maj
1742 është caktuar nga Papa Benedikti XIV si Ipeshkv i Shkodrës.
Pal Kamsi shërbeu dhe në
Tivar dhe shquhet për faktin se arriti të bënte për herë të parë regjistrimin
në librin e kishës, në kohën kur ishte famullitar në Tophanë. Libri i
pagëzimeve, pra regjistri i parë i popullsisë i bërë nga Imzot Pal Kamsi ruhet
në Arqipeshkvinë Shkodër. Ai drejtoi dioqezën e Shkodrës për 29 vjet, ndërsa
vdiq në Kuvendin Françeskan të Kastratit më 14 prill 1771.
Të tjerë figura klerike
të kësaj familjeje janë dhe Gjon Kamsi i cili më 1739-n refuzoi emërimin e bërë
nga Papa Klementi XII për të qenë Ipeshkv i Shkodrës, pasi preferonte të
jetonte dhe shërbente mes njerëzve të thjeshtë, madje, kur vdiq në moshën
90-vjeçare, pasurinë e tij ua la të varfërve. Si kishtar ka shërbyer dhe Kolë
Ndoc Kamsi në vitet 1700.
Tjetër pjesëtar i kësaj
familjeje ishte Pep Kamsi, që ka qenë përkthyes në konsullatën e Venedikut në
Shkodër. Por pati edhe nga ata që u morën me tregti, eksport leshi e lëkure.
Kolë Kamsi dhe kontributi i tij për gjuhën shqipe
Karlo rrëfen edhe për një nga figurat më kryesore të familjes Kamsi e pikërisht
për babanë e tij Kolë Kamsi. Figura e Kolë Kamsit në historinë e kulturës
kombëtare shqiptare njihet si ajo e një personaliteti shkencor dhe letrar,
historian, filolog, gjuhëtar, folklorist, mësues dhe pedagog i gjuhës shqipe,
hartues tekstesh shkollore, përkthyes, prozator e fabulist, publicist e
redaktor.
Karlo thotë se babai i
tij u arsimua jashtë shtetit, ndëkrohë që ka punuar si mësues në qytete të
ndryshme të vendit, si në Vlorë, Korçë, Shkodër e Tiranë, duke dhënë një
kontribut të madh për gjuhën shqipe.
Më 1920-n Kolë Kamsi
ishte në Shkodër në shkollën qytetëse të françeskanëve dhe me hapjen e
gjimnazit të shtetit punoi aty si mësues. Më 1940-n ai punoi në Komisionin
Teknik të teksteve pranë Ministrisë së Arsimit së bashku me Aleksandër Xhuvanin
dhe Eqerem Çabejn.
Pas Luftës së Dytë
Botërore punoi për pak kohë në Institutin e Studimeve në Tiranë me cilësinë e folkloristit
pastaj në qytetin e lindjes, në gjimnazin “29 Nëntori” dhe në shkollën
pedagogjike “Shejnaze Juka”. Me riorganizimin e Institutit të Shkencave Kolë
Kamsi u zgjodh “kandidat i shkencave”, ndërsa më pas punoi si pedagog i
folklorit shqiptar në Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Shkodrës.
Kolë Kamsi është autor i
mjaft teksteve shkollore, si dhe bashkautor me Ndue Palucën dhe Ernest
Koliqin,etj. Kola është autor i disa artikujve për zhvillimin e arsimit
shqiptar, ndërsa është vlerësuar si një shkencëtar i shquar , veprimtaria
kërkimore-shkencore e të cilit shtrihet në një periudhë 53-vjeçare (1907-1960).
Kontributet e tij në studimet albanologjike janë të trefishta: në lëmin e
gjuhësisë, të letërsisë e folkloristikës dhe historisë.
Në fushën e gjuhësisë ai
u dallua me veprën “Manual praktik i gjuhës shqipe”, shkruar italisht-shqip mbi
strukturën gramatikore të gjuhës shqipe.
Me rëndësi është dhe
bashkëpunimi i tij në “Fjalorin italisht-shqip” të Fulvio Kordinjanos. Të
vlefshme janë dy monografitë e tij “Jeta dhe veprat e Frang Bardhit” dhe “Disa
vërejtje gjuhësore mbi veprën e Pashko Babit”. Për institutin e Studimeve, më
1948-n, Kamsi redaktoi veprën “Material leksikor”, të mbledhur në rrethin e
Gjakovës nga Murat Paci, ish-nxënës i Gjimnazit të Shtetit të Shkodrës që u vra
nga fashistët në vitin 1943.
Për historinë e
letërsisë shqiptare, përveç artikujve mbi shkrimtarët arbëreshë, Kolë Kamsi
botoi punime me vlerë edhe për Pashko Vasën, Filip Shirokën, Gjergj Fishtën,
Luigj Gurakuqin, Fan S. Nolin, Justin Rrotën etj.
Me interes janë edhe artikujt mbi Ismail
Qemalin, Miss Edith Durhamin, etj. Në fushën e folkloristikës sonë Kolë Kamsi
mbetet një nga studiuesit më të mirë të proverbave të shqipes me veprën e tij
të çmueshme “Goja e popullit tonë”. Libri përmbledh thënie popullore të
shkurtra, Në fushën e krijimtarisë së tij letrare janë për t’u shënuar disa
vjersha për fëmijë, disa tregime të bukura edukative etj.
Për të gjitha këto, Kolë Kamsi është nderuar
me tituj si “Urdhrin e Flamurit”, “Mësues i Popullit”, “Profesor”, “Mirënjohje
e qytetit të Shkodrës”, ndërsa dhe një titull nderi që jepet në Shkodër për
personalitetet e arsimit mban emrin “Kolë Kamsi”.
Pasardhësit e familjes Kamsi, të njohur në fusha të ndryshme
Familja Kamsi shquhet për intelektualizmin e saj. Vëllai i Kolë Kamsit, Gjon
Kamsi, ka studiuar në Itali për financë dhe më pas ka punuar në Shqipëri si
komisioner dhe ka shkruar edhe artikuj me karakter ekonomik. Ai shquhej për
profesionalizëm, për qëndrim patrioitik dhe ka bërë disa shkrime me pseudonimin
Gjikam, ku bie në sy ai për Luigj Gurakuqin të cilin e ka pasur dhe kumbarë të
martesës.
Djali i Gjon Kamsit, Vili Kamsi, është
studiues autodidakt, i cili ka shërbyer dhe si ambasadori i parë i Shqipërisë
në Vatikan , menjëherë pas vendosjes së pluralizmit.
Ai është përkushtuar mbas botimit të disa
veprave të rëndësishme, siç janë katër vëllime të plota me bibliografi të
revistave “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Albania” e Konicës, “Shejzat” dhe
“Shkëndija”, si edhe i disa materialeve me rëndësi historike, siç janë “Ditari”
historik i Shuk Gurakuqit, “Kujtimet” e Gjon Kamsit, një përmledhje të
studimeve të veta me karakter historik etj. Ai merret dhe me histori, monumente
e arkeologji, me gjuhë shqipe, sidomos me etimologji të toponomastikës
historike e fusha të tjera shkencore.
Karl Kamsi është një ndër specialistët hidroteknikë më të njohur të Shkodrës, i
cili për disa dekada ka punuar në rrjetin hidrik të Shkodrës, duke dhënë një
kontribut të madh në studimet e projektimet e veprave të kësaj fushe.
Edhe pse pensionist, Karl Kamsi është mjaft
aktiv, duke u aktivizuar e dhënë mendimet e tij në drejtim të problemeve
hidroteknike të kësaj zone, madje ai ka përgatitur dhe një studim të pellgut
ujëmbledhës të Shkodrës.
Duke qenë njohës shumë i mirë i këtyre
problemeve, ai nuk qëndron indiferent kur flitet për projekte të veprave
hidroteknike duke bërë dhe oponencë teknike të tyre, siç ishte rasti i
projektit të mëparshëm të ndërtimit të hidrocentralit të Bushatit, urës se re
të Bunës, etj.
Edhe në rastin e përmbytjeve të fundit të
zonës së Shkodrës, Karl Kamsi ishte i pranishëm për asistencë teknike në grupet
e punës të ngritura në Shkodër dhe si shoqërues i specialistëve të huaj që
erdhën për të pare konkretisht situatën e krijuar.
Familja Kamsi vazhdon të trashëgojë
intelektualizëm dhe të japë kontribute në fusha të ndryshme, veçanërisht në atë
të mësimdhënies, të cilën e kanë ushtruar dhe vazhdojnë ta ushtrojnë dy fëmijët
e tjerë të Kolë Kamsit, vajza që jeton në Durrës dhe djali tjetër Paulin, vajza
e Karlos dhe dy fëmijët e Paulinit.
Ndrekë Ejlli pajtoi Skënderbeun dhe Lekë
Dukagjinin
Ndër figurat më të hershme e të përmendura të kësaj familjeje është ajo e
Ndrekë Ejllit, Kont i Drishtit dhe djalit të tij Pal Ejllit (Ëngjëllit), që
ishte Ipeshkv i Drishtit, Arqipeshkv i Durrësit dhe një ndër bashkëpunëtorët e
ngushtë të Skënderbeut.
Të dhënat historike, përfshirë dhe ato që
disponon familja Kamsi, tregojnë se Pal Ëngjëlli ishte ndërmjetësi i shuarjes
së konfliktit mes dy familjeve feudale shqiptare, asaj të Kastriotëve dhe Lekë
Dukagjinit duke sjellë bashkimin e Lekë Dukagjinit me Skënderbeun. Në vitin
1464 ai ishte kandidat për t’u shuguruar kardinal i shqiptarëve nga Papa Piu II
, por kjo nuk u relizua, pasi vdiq Papa. Edhe vëllai i Pal Ëngjëllit, Pjetri,
ishte luftëtar i ushtrisë së Skënderbeut.
Amaneti i Kolë Kamsit dhe letërsia arbëreshe
Fusha ku u dallua më shumë Kolë Kamsi, qe e folmja dhe letërsia e arbëreshëve
të Italisë. Duke filluar nga viti 1907 e deri sa vdiq, punoi pa ndërprerje mbi
fonetikën, morfologjinë dhe veçanërisht mbi leksikun e arbërishtes.
I biri, Karlo rrëfen: “Një ditë para se të
vdiste ai i dorëzoi në shtrat, në shtëpinë e vet në Shkodër, profesor Mahir
Domit veprën e tij jetësore dhe më të mirën e krijimtarisë së tij shkencore:
“Fjalorin e dialektit arbëresh”. Ishte data 23 shkurt 1960. I tha këto fjalë:
“Po vdes i qetë. Zotimin e marrë para Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë
e mbajta”.
Fjalori ka rreth 8000 fjalë dhe fraza të
nxjerra drejtpërsëdrejti nga veprat e shkrimtarëve arbëreshë dhe nga poezia
popullore e arbëreshve të Italisë”, tregon Karlo, teksa shton se fjalori ka
qëndruar për 40 vjet në Institutin e Gjuhësisë, në dorëshkrim. “E kam gjetur në
një magazinë me ndihmën e Bahri Becit, i cili drejtonte atëherë këtë
institucion”.
Në të vërtetë, për njohjen dhe popullarizimin
e letërsisë arbëreshe Kolë Kamsi ka dhënë kontribut shumë të madh. Por vepra që
e bëri të njohur Kamsin si studiues dhe njohës të thellë të arbëreshëve, qe
monografia “Shqiptarët e Italisë”, e cila fatkeqësisht mbeti e papërfunduar,
megjithëse vazhdoi të botohej pothuajse muaj për muaj dhjetë vjet rresht në të
përkohshmen “Leka” në Shkodër (1934-1944). Kjo vepër u botua më 2006-n nga
familja e tij. Në këtë monografi ai jep një përshkrim të hollësishëm të
kolonive shqiptare të Kalabrisë dhe të Siçilisë.
Dekorimi i Kolë Kamsit
me Urdhrin e Flamurit
Karlo Kamsi kujton se
babai i tij i kushtonte orë të tëra studimit dhe ishte mjaft sistematik, serioz
e i thjeshtë. “U dekorua me Urdhrin e Flamurit, dhe familja nuk e dinte, por e
morëm vesh nga gazetat e kohës. U nis për në Tiranë duke thënë se kishte punë,
pasi e thërrisnin vazhdimisht në institucionet shkencore të atjeshme dhe nga
gazetat një ditë më pas e morëm vesh se është dekoruar.
Ishte mjaft metodist dhe
objektiv dhe puna shkencore ishte gjithçka për të. Petro Marko ka qenë një-ish
nxënës i babasë në Vlorë dhe ai e ka përmendur në botimet e tij”, kujton Karlo,
i cili nga babai i tij ka trashëguar modestinë. Karl Kamsi rrëfen për gazetën
se ne projektet e tij të ardhshme është dhe botimi i plotë i veprës së Kolë
Kamsit, përfshirë dhe letrat që ai ka shkëmbyer me figura të mëdha të shkencës
si Eqerem Çabej, Aleksandër Xhuvani etj.
Anila Dushi
________
Shenim
nga Fritz RADOVANI:
Ju falnderoj e Nderueme Anila Dushi per këte material shkencor të plotë, të cilin po e ribotoj pa ndryshue asnjëfjalë. Anila
Dushi ndërroi jetë 54 vjeç në spitalin rajonal të Shkodrës. Ajo kishte
shumë vite që punonte gazetare në shtyp dhe TV lokale e kombëtare. Vdiq e re
nga Virusi. E rikujtoj me respektin ma të madh! ”Dritë pastë”!
Melbourne,
24 Gusht 2024.