E premte, 02.05.2025, 06:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Agron Tufa: Ajo bart një varr në kurmin e brishtë

E enjte, 22.08.2024, 07:42 PM


Agron Tufa

AJO BART NJË VARR NË KURMIN E BRISHTË...

1

Ajo bart një varr në kurmin e brishtë...

një varr shurdhmemec të kallur në angra;

kufoma përbrenda – pa farë ere t’prishtë,

tharë e balsamosë si shtresat me kandrra.

Kur ishte e vogël (e mbaj mend shumë mirë)

e mbaja kaliqafë, e nxirrja shëtitje

(sa ndejta te prindërit e saj mysafir) -

me lojëra, përralla i fala zbavitje.

Kështu gjithë me gjëza dhe vjersha gaztare

e shkrija së qeshuri në gjuhën amtare.

E tash nga kjo gjuhë nuk flet asnjë fjalë...

Harruar e ka. Groposur të gjallë...

2

S’do mend që s’më njeh, më buzëqesh mezi,

më merr dokumentat pa thënë gjysëm fjale,

m’i kthen të vulosura: “Në rregull zotni?” -

(me përkorjen e nëpunëses federale).

“Ndonjë pyetje...?” – rrudh ballin ajo e çuditur

dhe rreh t’ia qëllojë pse s’kam ikë ende.

“Zonjushë, s’po më njihni?!” – e pyes papritur

dhe shtang i hutuar me sytë përdhé.

“Ah, jo”, thotë, “më falni...” –  qerpikët përçik, -

“Ju mbase më njihni? Ma thoni, nëse...”

“Jo, me sa duket... qe déjà-vu dhe pikë”.

“Epo... mirupafshim!”; “Thjesht, mos ma vini re...” -

them nëpër dhëmbë dhe dal fill prej zyre

tek mposht ndërdyshjet, në një farë mënyre...

3

...Ajo bart një varr n’atë kurm të brishtë.

Pse kufom’ e saj mua më ngjeth mishtë?

Do të ketë qenë një funerral i ngadaltë...

Për kufomën, them, janë përpjekë me nge

i madh e i vogël; n’at’ vrasë t’ritualtë -

dikush një lopatë, dikush një grusht dhé

fjalësh të huaja... Dhe varri vuri mish.

U përthanë dhe plagët pa kurrëfarë lëndimi.

Më në fund kënduan përshpirtjen e trishtë:

“I padeshifrueshëm përjetë qoftë kujtimi...!”

4

Ti gjë s’do të dish, nëpunëse federale,

për kufomën e kallur përbrenda dikur.

S’të pyes për hjekën e saj të mbrame,

për frymën e fundit që dha në qivur;

po prapë më mundon djega kurreshtare,

një peng i pamort për at’ krim t’pabesë -

në cilën rrokje fjale jotja gjuhë amtare

t’u lëmek në fyt, para se të vdesë?

Qe vallë përpëlitje me klithmën e egër

të një bishe pylli që i mësyjnë folenë?

Fyti yt - amfiteatër i verbër

me gladiatorë të shqyer ngado në arenë.

2023



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx