Kulturë
Dorian Koçi: Durrësi midis Perëndimit e Lindjes
E diele, 25.08.2024, 05:53 PM
Durrësi midis Perëndimit e Lindjes
Nga
Dorian Koçi
Çdo
qytet ka historinë e vet. Në të, si një mozaik të çmuar pasqyrohen të gjitha
ngjarjet e rëndësishme që shënojnë jo vetëm të shkuarën dhe të ardhmen të
qytetit por në disa raste dhe të vetë vendit. Kështu p.sh themelimi i Durrësit
të vjetër dhe shndrrimi i tij në një qytet port të rëndësishëm të gjithë
Mesdheut ndikoi kaq shumë jo vetëm në cilësitë e të qenit të veçantë si qytet i
krahasuar me qytetet e tjera të Perandorisë Romake, por edhe pse ishte një pikë
takimi shumë e fortë e kontaktit dhe shpërhapjes së kulturës latine në të
gjithë territorin rreth tij. Egzistenca dhe shpërhapja e kësaj kulture latine
bëri të mundur që territoret shqiptare të kishin një afërsi shpirtërore me
Evropën që rilindi përmes kulturës antike në shekullin e artë të Rilindjes
Evropiane.
Kjo
afërsi shpirtërore dhe mbijetesa e një afrimi politik me Evropën bëri të mundur
që 5 shekuj më vonë, Shqipëria ti bashkangjitej klubit të shteteve ballkanike
që kishin shpallur pavarësinë nga Perandoria Otomane. Mirëpo kjo vazhdimësi
latine e qytetit kish qenë e dallueshme dhe rrezatuese deri në 13 gusht të
vitit 1501, pasi pikërisht në këtë vit, ku Durrësi me statutet e famshme të tij
kish krijuar nje fiziomoni të veçantë nga qytetete tjera të Adriatikut lindor
fati historik e solli të bjerë nën zgjedhën osmane ku fillon e ndryshon
kryekëput i gjithë zhvillimi i qytetit.
Siç
dihet, osmanët, pasi pushtuan Durrësin, e mbyllën qytetin në një territor më të
vogël, me muret e një kalaje në formë katërkëndëshi afërsisht, që e ndërtuan me
materialet e monumenteve antike. Qyteti rrudhet e pakësohet.Popullsia e qytetit
u pakësua deri në 1000 banorë. Një relacioni anonim të vitit 1570 që flet edhe
për Durrësin thuhet se : “Tek Bishti i Pallës, ku mbaron gjiri i Drinit, në
jug, gjendet qyteti i vjetër i Durrësit dymbëdhjetë milje larg… e ky qytet
tashti është i vogël në krahasim me madhësinë e parë e të moçme të rrethit të
vet. Anijet (galerat) nuk mund të ndalohen veçse duke qëndruar larg e do të
ishte e nevojshme të nxirreshin njerëzit në tokë me barkë dhe as këto nuk mund
të shkarkojnë aty poshtë tek këmbët e qytetit, por do t’u duhej të ecnin nëpër
ujë më shumë se një të hedhur shigjete”. Në këtë relacion flitet se kështjella
është e rrethuar nga një hendek, se ndihet mungesa e ujit e se jashtë qytetit,
në një të shtënë pushke larg, ka një pus me ujë ku mbush i tërë qyteti e se
rreth e qark ka moçale të kriposura”.
Qyteti
i madh i dikurshëm u shkatërrua dhe e humbi madhështinë e vet.Porti u shkatërrua nga osmanët për të shmangur çdo
rizgjim interesi nga fuqitë evropiane dhe në fillim të shekullit XIX do të ketë
një numër modest banorësh, rreth 8000.
Këtu
duhet përmenduar dhe një farë llogarie e bilanci forcash logjik për Sinjorinë e
Detrave-Venedikun që në paqet e veta me osmanët këmbëngulte që Adriatiku të
mbetej një liqen venedikas duke mos lejuar osmanët nxjerrjen e flotës në det,
por ky balancim forcash logjik për Senjorinë rezultoi fatal për brigjet
shqiptare sepse në to nuk u zhvillua as dhe një port i rëndësishëm dhe në përgjithësi popullsia shqiptare u
privua nga kultura e detit...