Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Moderniteti i një proze të shkurtër
E marte, 27.08.2024, 05:50 PM
MODERNITETI I NJË PROZE TË SHKURTËR
Nga
Timo Mërkuri
Edmond Llaçi, një
shkrimtar i qetë sarandit, erdhi me librin e tij të tretë me skica e tregime
“Tek vijat e bardha” që: njësoj si dy librat e mëparshëm është i vogël për nga
formati dhe numëri i faqeve (140 f) por i fuqishëm për nga forca e shprehjes
artistike, gjer në atë stad sa që mund të themi se është i pakrahasueshëm me
prozën e shumë autorëve të tjerë saranditë, të paraqitur para lexuesit me vepra
me pretendime. Në vitet e fundit, kemi parë një rritje të ndjeshme në numrin e
veprave në prozë të botuara, të cilat pretendojnë të jenë krijime
letrare-artistike të një niveli të epërrm, si dhe autorët e tyre që aspirojnë
të fitojnë statusin e shkrimtarit. Megjithatë, duhet të bëjmë një dallim të
qartë: Letërsia nuk është thjesht një rrëfenjë e shkruar; ajo përfaqëson një
krijimtari artistike të mirëfilltë, me stilt ë ndryshëm për secilin autor. Për
këtë mund të kujtojmë bujën që bëri në vitet ’65 dalja e romanit Tradhëtia, por
që kritika e kohës së sotme çmon se ai libër ishte thjeshtë një rrëfenjë dhe jo
një roman artistik. Ndërsa themi se letërsia është arti i të shkruarit, duhet
të kuptojmë se ky art nuk qëndron vetëm te shtjellimi i subjektit, por së pari
te mendimi artistik që shprehet në vepër, shpesh edhe duke kapërcyer rregullat gramatikore për
t’i dhënë formë një gjuhe që flet përtej fjalëve.
Në këtë kontekst
libri i Edmond Llaçit jo vetëm që vjen si një vepër letraro-artistike, por e
parë nga niveli i saj artistik, themi se ky libër është një ndër arritjet më të
dukëshme të prozës së krijuesve saranditë, dhe duke qenë i treti i një zhanri
të këtij autori e bën atë krijuesin më tipik të prozës së shkurtër shqipe jo vetëm
në rrethin tonë. Dhe unë ju them se të krijosh një prozë të shkurtër është
shumë më e vështirë se sa të lëvrosh prozën e gjatë.
I- Në qoftë se do
flasim për prozën e Llaçit, unë ju them se stili i tij karakterizohet nga disa
tipare dalluese që e veçojnë atë në letërsinë bashkëkohore. Disa nga këto
tipare janë:
1. Llaçi shpesh
përdor një strukturë narrative të fragmentuar, ku ngjarjet nuk
shpa-losen në mënyrë lineare. Kjo e bën rrëfimin të duket më realist dhe
reflekton natyrën komplekse të kujtimeve dhe përvojave njerëzore. Tregimi “Të
rrëzohesh për…” struktura narrative e fragmentuar shfaqet përmes mënyrës se si
ngjarjet dhe përvojat e personazhit nuk paraqiten në një rend linear, por
ndërthuren në mënyrë të tillë që kalimi mes kohëve dhe ndodhive është fluid dhe
jo gjithmonë i qartë. Kjo qasje e fragmentuar ndikon në mënyrën se si lexuesi
percepton tregimin, duke krijuar një ndjenjë të rrjedhës së ngjarjeve që është
e ngatërruar dhe jo lineare, siç është shpesh rasti me përvojat subjektive dhe
reflektimet e brendshme. Duhet të shtojmë se ky tipar është një element i
modernizmit të krijimtarisë së autorit, duke e ngritur krijimtarinë e tij në
një shkallë më lart.
2.Dialogu në
tregimet e Llaçit është minimalist, ku fjalët e shkëmbyera midis
personazheve janë të pakta, por të ngarkuara me nënkuptime. Për shembull, në
tregimin “Drekë morti,” dialogu i shkurtër, i cili është shpesh në heshtje, lë
shumë hapësirë për interpretim dhe reflekton një tension të brendshëm
ndërpersonazhor.
3. Edmond Llaçi përdor
simbole dhe imazhe të forta për të përçuar mesazhe të thella, shpesh pa i
shpjeguar ato drejtpërdrejt. Në tregimin “Në përjetim të atij tingulli,” figura
e femrës simbolizon një botë të brendshme të mistershme dhe të sofistikuar, ku
çdo detaj trupor dhe estetik bart një domethënie më të thellë. Veçse tipar I
tregimit ky është dhe një qasje me rrymën moderniste të simbolizmit dhe te
modernizimit psikologjik. Në aspektin e simbolizmit duhet të theksojmë se: në këtë tregim, figura e femrës nuk është thjesht një përshkrim fizik, por
një simbol i botës së brendshme, një shprehje e ndjenjave të ndërlikuara,
dëshirave apo kujtimeve të protagonistit. Ky përdorim i simbolit për të
përfaqësuar një përvojë ose emocion më të thellë lidhet drejtpërdrejt me qasjen
simboliste.Ndërsa qasja psikologjike është e dukshme në mënyrën se si figura e
femrës reflekton ndjenjat dhe përjetimet intime të subjektit, duke krijuar një
ndjesi të thellë të introspektivës dhe eksplorimit të vetes. Tregimi bazohet më
shumë në ndjenjat dhe perceptimet subjektive sesa në realitetin e jashtëm, duke
thelluar kështu lidhjen me rrymat moderniste që përqendrohen në brendësinë
psikologjike të personazhit. Kështu, ky tregim lidhet ngushtë me këto dy rryma
moderniste, duke përçuar thellësinë e përvojave dhe ndjenjave përmes simboleve
dhe introspektivës së thellë.
4.Një aspekt tjetër i
rëndësishëm i stilit të Llaçit është përqendrimi në psikologjinë dhe
përvojën e personazheve. Tregimi “Ndjenjë” eksploron botën e brendshme të
protagonistit në një mënyrë që thekson kompleksitetin emocional dhe mendimet e
tij. Por ne duhet të specifikojme se: përqendrimi në
psikologjinë dhe përvojën e brendshme të personazheve, ka një qasje të qartë me
modernizmin psikologjik dhe ekzistencializmin. Rryma e modernizmit psikologjik
shpesh përpiqet të kapë kompleksitetin emocional dhe mendimet e individëve në
një mënyrë intime dhe introspektive, duke kaluar përtej ngjarjeve të jashtme
për të shqyrtuar se si përjetohen ato brenda mendjes së personazhit. Në
tregimin "Ndjenjë," theksi i Llaçit në botën e brendshme të
protagonistit, duke eksploruar ndjenjat dhe mendimet e tij të ndërlikuara,
është një shembull i qartë i kësaj qasjeje. Sqarojmë se tregimet që përqendrohen në përvojat e brendshme dhe ndjenjat e
vetmisë, dyshimit, apo kërkimit të kuptimit, shpesh janë të ndikuara nga
ekzistencializmi. Nëse në tregimin "Ndjenjë" protagonistit i
paraqiten dilema ekzistenciale, si pyetja mbi kuptimin e jetës së tij,
marrëdhëniet me të tjerët, ose ndjenja e humbjes dhe izolimit, atëherë ky tregim
gjithashtu lidhet me këtë rrymë. Pra përqendrimi në psikologjinë dhe përvojën e
brendshme të personazheve në tregimin "Ndjenjë" është një dukuri që
qaset me rrymat moderniste të modernizmit psikologjik dhe ekzistencializmit,
duke i dhënë thellësi dhe kompleksitet prozës së Edmond Llaçit.
5. Llaçi është një
njohës thellë i gjuhës shqipe, ku veç
kësaj ai përdor një gjuhë të pasur dhe të hollësishme në përshkrimin e
ambientet dhe ndjenjave të personazheve,
e cila krijon një atmosferë të gjallë dhe të prekshme. Në tregimin “Te
ballkoni i shtëpisë,” përshkrimet e ambientit dhe të detajeve të vogla të
personazhe-ve japin një ndjesi të përjetimit të drejtpërdrejtë të skenës.
6. Në tregimet e tij,
Llaçi shpesh përfshin elemente kulturore dhe historike që pasqyrojnë
sfondin dhe kontekstin e personazheve të tij. Tregimi “Në Athinë” eksploron
realitetet e jetës në emigracion dhe përballjen me një kulturë të re, duke
sjellë në pah përvojat dhe vështirësitë e integrimit.
7. Teskicat e
tregimet e Llaçi hasim atë që mund ta quajmë “Estetika e heshtjes dhe e
moskomunikimit” pasi aty, personazhet komunikojnë më shumë përmes heshtjes
dhe veprimeve se sa përmes fjalëve. Është pikërisht kjo estetikë e heshtjes që
u jep tregimeve të tij një dimension
emocional të thellë dhe shpesh të padukshëm.
Pra, stili i Edmond
Llaçit, me përdorimin e këtyre tipareve, krijon një prozë artistikisht të
ndjeshme dhe introspektive që kërkon një përqendrim e interpretim të kujdesshëm
nga lexuesi për tu përjetuar si krijimtari artistike.
II- Duhet të pranojmë
dhe të themi se gjuha e përdorur nga Llaçi në tregimet e këtij vëllimi është sa
e pasur aq dhe e veçantë dhe dallohet nga disa element kyçe që e dallojnë atë
në letërsinë bashkëkohore shqiptare:
1.Llaçi përdor një
gjuhë të përmbledhur, ku çdo fjalë ka peshën e vet dhe ku nuk ka vend
për tepricë. Ky minimalizëm krijon një densitet të lartë të
kuptimit, ku lexuesi duhet të zhbirojë mes rreshtave për të kuptuar plotësisht
mesazhet dhe ndjenjat e shprehura. Përdorimi i fjalëve të zgjedhura me kujdes
bën që tregimet e tij të jenë të ngarkuara emocionalisht dhe të plotfuqishme.
Në tregimin “Në përjetim të atij tingulli,” Llaçi përshkruan një skenë me pak
fjalë, por të mbushur me ndjenjë dhe tension: “Ai i gotës me verë, për të
vërtetuar se ajo ende ndodhej pranë tij, ngriti kokën dhe në atë përballim
ndjeu atë që përpiqej ajo të shfaqte, ekzistencën e saj femërore.” Me këtë
fjali të shkurtër, Llaçi arrin të përçojë një ndjenjë të fuqishme të tensionit
mes dy personazheve. Fokusi është në ndjesinë dhe përjetimin, duke lënë shumë
për interpretim dhe duke ftuar lexuesin të lexojë mes rreshtave.
2. Edmond Llaçi
shpesh përdor gjuhë që nënkupton më shumë se sa thotë. Dialogu i tij është i
mbushur me nënkuptime dhe heshtje, që detyron lexuesin të interpretojë dhe të
zbulojë domethëniet e fshehura. Ky subtilitet dhe nënkuptim e bën gjuhën
e tij të rafinuar. Në tregimin "Drekë morti", dialogu dhe veprimet e
personazheve janë të ngarkuara me nënkuptime që lexuesi duhet t’i interpretojë
vetë: “Ai uli sytë dhe me ngadalë preku lugën, duke u përpjekur të gjejë
diçka që nuk ishte më atje. Ajo heshti, por heshtja e saj fliste më shumë se
fjalët e dikurshme.” Këtu subtiliteti i Llaçit del në pah përmes heshtjes
që “flet” dhe përmes gjestit të vogël të prekurit të lugës, duke
shprehur një ndjenjë të humbjes dhe mungesës pa e thënë drejtpërdrejt. Sqarojmë
dëgjuesin se subtiliteti nënkupton aftësinë për të shprehur mendime ose ndjenja
në mënyrë të tërthortë, të rafinuar, apo të heshtur, duke lënë shumë për të
interpretuar dhe kuptuar më thellë. Pra, subtiliteti shpesh lidhet me nuancat
dhe nënkuptimet që nuk janë të drejtpërdrejta, por që kërkojnë një përqendrim
dhe vëmendje të veçantë për t'u kuptuar plotësisht.
3.Gjuhës së Llaçit i
mungon përshkrimi i drejtpërdrejtë, duke përdorur në vend të tij simbole dhe
metafora që i japin tregimeve një dimension të thellë. Në tregimin “Në
Athinë,” simbolizmi i vendit dhe ambientit përdoret për të shprehur gjendjen e
personazhit kryesor: “Në hijen e Akropolit, ai ndjeu peshën e historisë mbi
supet e tij, si një barrë e padukshme që e shtypte gjithnjë e më shumë. Aty ku
dikur ishte lavdia, tani kishte vetëm kujtime dhe pluhur.” Akropoli, një
simbol i lavdisë së kaluar, përfaqëson barrën e kujtimeve dhe të kaluarës që
ndikon në jetën e personazhit. Ky simbolizëm krijon një lidhje të thellë midis
historisë dhe përvojës personale. Veç kësaj, kjo mënyrë e të shkruarit, e përqendruar në simbolikën dhe metaforat që
reflektojnë përvojat e brendshme, ka një qasje të qartë
me rrymën moderniste, veçanërisht me simbolizmin dhe modernizmin psikologjik.
duke krijuar një lidhje të ndërlikuar midis botës së jashtme dhe përvojës
personale të personazheve. Pra, dhe tregimi "Në Athinë" tregon qartë
ndikimin e rrymave moderniste në prozën e Edmond Llaçit.
4.Llaçi përdor një realizëm
të gjallë e të saktë për të përshkruar mjedisin dhe personazhet e tij. Ai
shpesh përqendrohet në detaje të vogla që krijojnë një ndjesi të fortë
realizmi dhe autenticiteti.. Në tregimin “Të rrëzohesh për…,” Llaçi përdor
përshkrime të detajuara për të sjellë në jetë një skenë dramatike: “Rrugica
ishte e ngushtë, me mure të larta nga të dy anët, të mbuluara me lagështi dhe
myshk. Dritaret e vogla, të mbuluara me rrjeta merima-ngash, shfaqnin një botë
të harruar brenda.” Këto përshkrime të sakta të mjedisit krijojnë një
ndjesi të fortë realizmi dhe izolimi. Këtu rrugica bëhet një mikrokozmos që
reflekton gjendjen e brendshme të personazhit.
5. Interesant është
se gjuha e Llaçit, më shumë se te disa autorë të diplomuar në letërsi, është e
ndikuar nga kultura dhe historia shqiptare, si dhe nga përvojat e jetës në
emigracion. Ai përdor shpesh referenca kulturore dhe historike për të
pasuruar tekstin dhe për të krijuar një ndërlidhje të ngushtë midis
personazheve dhe kontekstit të tyre. Në tregimin "Te ballkoni i
shtëpisë", Llaçi e lidh fuqishëm personazhin me vendin e tij përmes
referencave kulturore: “Këtu, ku ndodhej dikur tavolina e familjes, ishte e
pamundur të mos ndjeje frymën e të parëve, ata që kishin kaluar netë të gjata
në këtë vend, duke biseduar për të ardhmen që tani ishte e shkuara jonë.”
Pra referencat ndaj historisë dhe traditës shqiptare sjellin një lidhje
të fortë emocionale dhe kulturore, duke e bërë gjuhën e Llaçit një mjet për të
eksploruar identitetin dhe rrënjët. Veç kësaj duhet të shtojmë se përdorimi i
referencave kulturore dhe historike në prozën Llaçit sjell një qasje të veçantë
ndaj rrymave moderniste, sidomos në kontekstin e modernizmit kulturor dhe
modernizmit letrar kombëtar.
6.Gjuha e Llaçit
është e mbushur me emocion, por është një emocion i përmbajtur dhe i
kontrolluar, që shpesh del në sipërfaqe përmes detajeve të vogla dhe momenteve
të qeta. Kjo qasje krijon një tension të brendshëm që i mban lexuesit të
angazhuar dhe të lidhur me personazhet. Në tregimin “Ndjenjë,” ndjenjat
e personazheve janë të përmbajtura, por të fuqishme: “Nuk foli. Vetëm e pa.
Në ato sy kishte më shumë se fjalë, kishte një tërësi ndjenjash që nuk mund të
shprehej me zë.” Pra shohim se edhe pa dialog të gjatë apo përshkrime të
hollësishme të ndjenjave, Llaçi arrin të kapë një moment emocional intensiv
përmes një përshkrimi të shkurtër dhe të përmbajtur. Mirëpo duhet të kemi
parasysh se: Minimalizmi emocional dhe përmbajtja e
ndjenjave, të cilat Llaçi i përdor në tregimin “Ndjenjë,” janë karakteristika
që lidhen fort me modernizmin letrar. Modernistët shpesh synonin të largoheshin
nga përshkrimet e drejtpërdrejta dhe emocionale për të arritur një përvojë më
komplekse për lexuesin. Në vend që të përdorin dialog të gjatë ose përshkrime të
hollësishme të ndjenjave, autorët modernistë shpesh përqendrohen në çastet e
heshtura, në gjendjet e brendshme dhe në ndërveprimet e vogla që nënkuptojnë më
shumë se sa thuhet hapur.
Në këtë kontekst,
tensioni i brendshëm dhe emocioni i përmbajtur që Llaçi e përçon përmes
detajeve të vogla dhe momenteve të qeta, si në shembullin “Nuk foli. Vetëm e
pa...,” është një teknikë që i jep lexuesit një ndjenjë të pasigurisë dhe
intensitetit të përvojës njerëzore, pa pasur nevojën për të shpjeguar gjithçka.
Kjo i jep tregimeve një thellësi që i fton lexuesit të angazhohen më shumë në
interpretimin e kuptimeve të fshehura.
Po ashtu, subtiliteti
në shprehjen e emocioneve dhe përdorimi i aluzioneve dhe nënteksteve janë qasje
që karakterizojnë modernizmin, duke i sjellë tregimeve të Llaçit një lidhje të
fortë me këto rryma letrare. Kështu, mënyra e tij e të shkruarit jo vetëm që
pasqyron estetikën e modernizmit, por edhe krijon një hapësirë për lexuesin që
të bashkëveprojë me tekstin në mënyrë më aktive, duke u bërë pjesë e procesit
të interpretimit të ndjenjave dhe mendimeve të personazheve.
Në përgjithësi mund
të themi se, gjuha e Edmond Llaçit është një gjuhë e rafinuar, me një ndjenjë
të thellë për estetikën dhe simbolizmin, e cila pasqyron kompleksitetin e
përvojave njerëzore dhe krijon një përvojë letrare të thellë dhe të pasur për
lexuesin.
III- Fjalia më
kryesore në nisjen e një vepre letrare është fjalia e parë e librit apo
tregimit, ajo hap dritare për të parë më tejë , ajo hap portën për të zgjeruar
gjeografinë e veprës. Llaç ka një aftësi të veçantë në përdorimin e fjalisë
së parë. psh, fjala e parë e tregimit
"Në Athinë" f.10 hap një diapazon të gjerë kuptimor dhe emocional,
duke vendosur menjëherë tonin për përvojën e subjektit brenda tregimit. Këtë
fjali: "Sa herë ndodhem në kryeqytetin helen kaloj në një dimension
tjetër," mund ta analizojmë në disa nivele:
1.Fjalia nënkupton
një ndryshim të menjëhershëm dhe të thellë që ndodh sa herë që subjekti shkel
në Athinë. "Dimension tjetër" sugjeron një përvojë që shkon përtej
përdit-shmërisë, diçka që e distancon atë nga realiteti i zakonshëm dhe e fut
në një botë të ndryshme, qoftë ajo emocionale, shpirtërore, apo mendore.
2.Athina, si
"kryeqyteti helen," mban një ngarkesë të madhe historike, kulturore
dhe mitologjike. Për subjektin, ky qytet nuk është vetëm një vend fizik, por një
portë drejt një eksperience më të thellë, që mund të përfshijë
ndjesinë e lidhjes me historinë, kulturën, filozofinë, dhe trashëgiminë e
lashtë të Greqisë.
3.Shprehja
"kaloj në një dimension tjetër" tregon një përvojë të thellë
personale dhe intime që ndoshta nuk përjetohet nga të tjerët në të njëjtën
mënyrë. Ky dimension tjetër mund të përfshijë kujtimet, reflektimet, ose
ndjesitë që zgjojnë në subjekt përjetime të veçanta, që mund të jenë të lidhura
me jetën e tij, përvojat personale ose kuptimet e tij për jetën dhe botën.
4.Termi
"dimension tjetër" mund të interpretohet si një përzierje e
realitetit me fantazinë, ku subjektin e përfshin një botë imagjinare ose e
ndikuar nga fantazia e tij personale. Kjo sugjeron se për subjektin, Athina
është më shumë sesa thjesht një qytet; është një hapësirë ku ai arratiset nga
kufijtë e zakonshëm të realitetit.
5.Fjalia mund të
sinjalizojë një udhëtim shpirtëror të personazhit, një eksplorim të
vetes, mendimeve dhe emocioneve të tij kur ndodhet në këtë qytet. Dimensioni
tjetër mund të jetë një shprehje e hulumtimit shpirtërir që ai bën kur ndodhet
në Athinë, ndoshta i nxitur nga atmosfera unike e këtij qyteti të lashtë.
Shprehja hprehja "kaloj në një dimension tjetër" japin qasjen me modernizimin.
Mund të zgjatemi dhe
në shembujt të tjerë, por krijuesit e mëdhenj kanë provuar dhe pohuar se fjalia
më e vështirë dhe vendimtare e një vepre letrare është gjithmon fjalia e parë,
pse ajo hap dritaren drejt një përvoje të pasur e shumëdimensionale, duke
vendosur një skenë që sugjeron një ndërveprim të thellë dhe kompleks midis
subjektit dhe hapësirës, si një vend që transformon perceptimin dhe
ndjeshmërinë e tij. Këtu duhet kërkuar një nga sukseset e Edmond Llaçit, por
duke qenë se ne jëmi në promovimin e librit të tij të ri, duke uruar suksese të mëtejshme autorit ftojmë lexuessit që ta shohin dhe në
këtë prizëm prozën e tij të shkurtër, e cila do ju shfaqet më e bukur dhe me
shumkuptimshmëri.
Sarandë,
më 25 gusht 2024