E enjte, 31.10.2024, 10:57 PM (GMT)

Kulturë

Muharrem Blakaj: Gracka

E premte, 23.01.2009, 04:31 PM


Muharrem Blakaj

GRACKA

(Tregim)

Me ndrojtje ju afrova kalit të shaluar. Për disa çaste u përpoqa ta vë këmbën e djathtë në zinxhi. Më erdhi zor. Disi u ndjeva tepër ngushtë nën ato rroba grash! Me ngushtuan aq shumë sa që m’u desh të ta shpërvjel tërlikun deri në gju... derisa m’u dukën qartë këmbëzat e tirqve. U turpërova! Ktheva kokën dhe pashë prapa. Ishte daja. I shpërqendruar po avitej. Më një buzëqeshje të ngrirë, më ndihmoi të hidhem mbi kalë. Pasi u rehatova maje kali, për një çast lëbyra sytë nga kënaqësia dhe besimi i fortë që kisha për dajën! Pashë edhe një herë drejt tij! Ai, në fytyrë e kishte akoma atë buzëqeshjen e zhvendosur që shprehte dyshim dhe frikë bashkë. Në shkëlqimin e rrezeve të diellit pashë vezullimin e tehut të mprehët të sëpatës së vogël që daja vazhdimisht e mbante me vete. Kali u nis pasi i thirri daja; „Hooo!“
Kënaqësia e pakmëparshme m’u davarit lehtë, sikur të ishte një fije e hollë tymi dhe vendin e saj e zuri reja e ankthit që kishte ditë që nuk më shqitej. Trokëllima e patkonjve të kalit m’u duk e thatë dhe e pa trajtë. Tundjet maje tij ishin edhe më torturuese. Një palë djersë të nxehta m’u bë se më përvëluan në mbarë trupin dhe disi filluan të më shtynin drejt dyshimit! Menjëherë, mendja më vajti te mauzeri, që pak çaste më parë e kisha fshehur në mes të shkurreve. Ngrita dorën ngadalë për t’i fshirë djersët. Dora më vajti te shamia! Më mbuloi turpi kur e kujtova së nën atë shami grash e kisha fshehur krenarinë e plisit të bardhë! Për një çast m’u bë se ato tesha grash, u shndërruan në rrjetë duke ma plogështuar shpirtin, duke m’i ngatërruar krahët dhe disi tinëzisht duke më shtyrë drejt një gracke të frikshme!
– Ndale kalin, o dajë! – m’u bë sikur i thirra dajës me zë të butë.
Daja, duke e tërhequr kalin nga kapistalli, vazhdonte të ecte i qetë shtegut malor. Trokëllima e patkonjve vazhdonte si më parë, në të njëjtin ritëm, ndërsa dyshimi nga gracka kishte arrirë kulmin.
Për një çast dyshova se vërtet i kisha thirrur dajës për ta ndalur kalin. Ndoshta këtë, vetëm e kisha menduar me vete apo... mos vallë, e dëgjova nga dikush tjetër?!...
– Ndale kalin, o dajë! Dua të zbres… nuk dua të zhburrërohem! – i thirra kësaj radhe me zë të ngritur, dhe nën ngatërrimin e teshave të grave i dhashë trupit me tërë fuçinë për të zbritur nga kali. Daja vazhdonte rrugën me ritëm të shpejtuar, duke kthyer kokën herë pas here prapa. Krakëllima e patkonjve të kalit vazhdonte më e dendur. Shtegu i ngushtë malor, rruga me gurë, kaçuba e thera murrizi, si dhe ngatërrimi i gjymtyrëve në teshat e grave më bënë që këmba e djathtë të më ngatërrohet keq në zinxhi. Duart i mbaja të ngjitura fort pas shalës së kalit, kurse këmba e majtë filloi të shkonte zvarrë për tokë, duke u penguar herë pas here në guralecët e shtegut malor. Gjatë përpëlitjeve, pashë se daja nuk ishte më para kali. Si në vegime e pashë prapa... e godiste kalin me shkop vitheve! Ç’bën ai kështu?, e pyeta veten duke shikuar me dyshim vezullimin e mprehtë të tehut të sëpatës. Trokëllima vazhdonte edhe më e dendur. Kali hidhej me të katrat. Këmba nuk më shqitej se nuk më shqitej nga zinxhia. Sa vinte e më ngatërrohej edhe më keq. Kur nuk e prisja, duart mu shkëputën nga shala. Tani trupi më shkonte vazhdë për tokë, duke u përplasur gurëve e ferrave, ndërsa daja me sëpatë në dorë, i hakërryer, vraponte pranë meje. Në çastin kur isha duke menduar se çdo gjë kishte mbaruar, apo do të mbaronte së shpejti, ndodhi mrekullia. Këmba që kishte mbetur peng në zinxhi m’u lirua. Trupi m’u plandos pas gurëve e kaçubave. Pas ca rrokullisjeve buzë greminës, u kapa fort pas një degë shkoze. Me mundim u ngrita në këmbë. Hodha shikimin para duke shikuar kalin tani më të liruar nga pesha e trupit tim, që vraponte përpjetë shtegut malor. U ndjeva i qetësuar. Tamam në kohën kur isha duke menduar se ç’qe gjithë ky rrebesh, ende pa u tmerruar nga ndonjë goditje e mundshme pabesie, dhembja mbi shpatullën e djathtë, me bëri të lëshoja të pa kontrolluar një klithmë dhembje e tmerri bashkë, sa që nuk e njoha britmën time! Pastaj shkulmi i gjakut dhe ngatërrimi i gjymtuarve në ngushtimin e teshave të grave mu bë së nuk po shkërmoqsha unë para bjeshke, por po shkërmoqej bjeshka para meje! Si në ëndërr pashë dajën që kishte ngritur lartë sëpatën e gjakosur, për të më goditur prapë! Çka ky me mua?, isha duke e pyetur veten, dhe në mes të dhembjeve të tmerrshme arrita t’ia vë të dyja duart e lodhura tej mase në gjoks, dhe ta shtyj drejt greminës, me gjithë forcën që më kishte ngelur.
Mauzeri tani nuk ishte larg, por plogështia e trupit me bëhej se me largonte prore prej tij. Shkulmi i gjakut vazhdonte, kurse ecja ngadalësohej. Me duar të këputura dhe me më sy të errësuar bëra përpjekjet e fundit për ta ndreq gabimin. Me mundim arrita të lirohem nga ato rroba grash që daja m’i kishte vënë si rrjetë për të më zënë më lehtë në grackë. Sytë m’u errësuan. Plogështia ishte mbizotëruese, kurse mauzeri ishte fare pranë. Pashë kur arrita pranë shkurreve ku ndodhej mauzeri i mbuluar me dushk... e preka me dorë, me trup e me fytyrë! U përpoqa ta marrë në dorë, por duart nuk më bindeshin më. Sytë filluan të më errësoheshin si në mugëtirë... pastaj çdo gjë e mbuloj errësira!
Pasi erdha në vete, pashë se ishin duke më bartur mbi vig. Ndjeva zërin e tulatur e bastard të dajës, që e justifikonte vrasjen time... nga frika u thoshte! I ndjeva edhe zërat e hakërryer të atyre që e kishin paguar, duke e sharë e qortuar... duke e nënvlerësuar! Ata nuk e shanin për tradhtinë, por pse më kishte vrarë aq lehtë, me një goditje sëpate, e nuk më kishte lënë në gojën e tyre të uritur për të më shqyer me dhëmbë... për të ma pirë gjakun si kanibalët, ashtu siç ishin duke ia pirë gjakun mbarë popullit tim!
Kur me lëshuan për tokë, ndjeva brohoritjet e turmës. Pas pak, nën tingujt e muzikës, filluan sharjet dhe goditjet me çfarë ju vinte në dorë! Ndjeja dhembje të tmerrshme! Nuk lëvizja dot! Ritmi i muzikës dhe hedhja e valleve nuk kishin të mbaruar... festonin vdekjen time! Kurse unë, para agonisë së vdekjes ëndërroja ditën e lirisë... dhe m’u bë së e pashë atë ditë të bardhë... e ndjeva kur vendin e ulërimave të tërbuara, dalëngadalë filloi ta zinte kënga e dasmorëve të prirë në valle nga zanat e malit! Dasmorët nuk qenkan të ngrirë! E morën... dhe u nisën për ta sjellë nusen e lirisë... mendova i lumtur, në çastet e fundit, atëherë kur po me dilte shpirti!

P.S. Ky tregim zuri vendin e tretë në konkursin letrar në Universitetin popullor të Gjenevës më 3 maj 2008



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora