Kulturë
Enver Robelli: Zemërimi i shenjtë i Esad Mekulit
E enjte, 22.01.2009, 04:01 PM
Zemërimi i shenjtë i Esad Mekulit
Esad Mekuli
Nga Enver Robelli
Madhështor dhe i mbuluar me pluhurin e harresës: Esad Mekuli, themeluesi i lirikës në gjuhën shqipe në Kosovë, është viktima më e madhe e fabrikës së ndotur kulturore të Prishtinës
I. Jo vetëm në fillim dhe në fund të vitit është e udhës të mbizotërojnë njëkohësisht zëri pajtimtar dhe zemërimi i shenjtë. Është e udhës të ngrihen në piedestal ata intelektualë që punuan për mirëqenie dhe kulturim, të rikujtohen ata njerëz të punës mendore, që lanë gjurmë në përparimin e një vendi. I tillë ishte Esad Mekuli. Ai ishte poet, që kishte synimin këmbëngulës për të vepruar edhe si qytetar. Një artist që nuk mbyllej në kullën e tij krijuese. Me veprën e tij të guximshme letrare ai shënoi epokën e zhdukjes së ngadalshme të frikës nga dhuna e pushtetit kundër bashkëkombësve të tij në Jugosllavinë njëherë mbretërore, pastaj socialiste. Me poezitë e tij Esad Mekuli i përngjan një njeriu në revoltë, një "l'homme révolté" të Albert Camus, i cili thoshte: "Tashmë 20 shekuj nuk është pakësuar vëllimi i së keqes në botë". Esad Mekuli punonte sipas një kredoje politike, e cila më së miri do të përshkruhej me një citat të shkrimtarit të madh zviceran Max Frisch: "Kush nuk merret me politikë, ai është i njënashëm, edhe pse dëshiron t'i shmanget kësaj: Ai i shërben partisë sunduese".
II. Edhe pse në rrethanat e sotme iracionale shqiptare tingëllon si sakrilegj, veprën e Esad Mekulit e bën madhështore angazhimi i tij social, orientimi i tij majtist, socialdemokrat. Ai është themeluesi i lirikës moderne të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. I sensibilizuar herët me padrejtësitë sociale ndaj bashkëkombësve të tij, ai në një poezi të botuar në vitin 1936 shkruante për punëtorët shqiptarë në Beograd. Fuqia shprehëse e vargjeve, ushtima e zërit revoltues bëhet edhe më kumbuese falë gjuhës që përdorë ai, dialektit gegë. "Po të shoh prapë - me duer t'mërdhime nën sjetull, me sharrën e stërlashtë mbi krah dhe sopatën e mpreftë të rrasun në shokë (...bishti i saj ka dalë mbrapa setrës dhe duket... Vallë, mos për këtë na quejtën‚ njerëz me bishta'?!)." Mbi dy decenie para se Esad Mekuli të shkruante këtë skicë për hamajtë shqiptarë të Beogradit, një kryeministër serb kishte propaganduar nëpër Evropë se shqiptarët janë lëkurëkuqët e fundit të botës, "njerëz më bishta". Po në vitin 1936 Esad Mekuli, i lindur më 1916 në Plavë, hedh në letër vargjet ndoshta më të qeta dhe më kryengritëse në letërsinë shqipe: "Rr'xoju qiell, i randë si tunxhi, mbi supat tanë të shtypun, mbi krenat tona robnije e ûje përulë; hapu, moj tokë e zezë, nën kambët dathë tonat - përpij këto qenie që porezi dhe gurbeti i shkatërroi dhe kërbaçi i xhandarit që me shikim anmiku tmerron dhe cijatja e fëmisë së mjerë që pa bukë ankon...".
III. Pas Luftës së Dytë Botërore dhe kryengritjes partizane, të cilën Mekuli e kishte mbështetur me sinqeritet, ai u shkollua në Beograd, Zagreb dhe në Itali. Në vitin 1959 doktoroi në fushën e veterinarisë në Universitetin e Beogradit.
Më pas iu përkushtua me gjithë qenien mendore emancipimit arsimor, shkencor, edukimit dhe - mbi të gjitha - kulturimit të etnisë shqiptare në ish-Jugosllavi. Ishte kryeredaktori i parë i gazetës "Rilindja". E themeloi dhe e udhëhoqi revistën "Jeta e re", e cila me decenie ishte tribuna e vetme letrare serioze e të gjithë shqiptarëve në Ballkan. I mbështeti shumë autorë të rinj nga Kosova dhe trevat tjera, të cilët sot nuk begenisin ta kujtojnë Esad Mekulin. Mund të duket e pavërtetë, por asnjë shkollë e mesme në Kosovë nuk e bart emrin e tij. Nga ana tjetër ka shkolla që bartin emra të figurave anësore të historisë shqiptare, emra kaubojësh lokalë ose personalitetesh jo edhe aq të pranishme në historinë e Kosovës si Thimi Mitko, siç është rasti me një shkollë në qendër të Gjilanit. E them me siguri të palëkundur se asnjë shkollë në Shqipëri nuk e bart emrin e nderuar të Esad Mekulit. Fama e këtij intelektuali, i cili vdiq në vitin 1993, nuk do të zbehet nëse ai do të injorohet edhe më tutje, por gjithsesi do të vë edhe më shumë dhjam turpi i shoqërisë në Kosovë.
IV. Në Prishtinë, ku Esad Mekuli dha kontributin më të çmuar për kulturën e këtij vendi, emrin e tij e bart një rrugë periferike, e shkurtër, një sokak i parëndësishëm. Dhe kjo nuk është çudi, sepse zemrën e qytetit e dominojnë emrat e komandantëve. Nuk ka asnjë çmim letrar me emrin e Mekulit. Thjeshtë nuk ka asgjë që do të lartësonte kujtimin për babain e letërsisë shqipe në ish-Jugosllavi, Sat Nokshiqin e famshëm, Bertold Brechtin e Kosovës. E vërteta e madhe është se historia nuk fillon dje, por pardje! Një pjesë e historisë fillon, kur Esad Mekuli denonconte shtypjen e xhandarit, kur luftonte me penë kundër dëbimit të shqiptarëve në Turqi, kur ishte kryeredaktori i enciklopedisë së parë shqipe (në kuadër të enciklopedisë së famshme të autorit kroat Mirosllav Kërlezha). Në atë kohë Esad Mekuli zhvillonte një betejë mbi çdo formulim që ndërlidhej me historinë shqiptare. Këtë punë të çmueshme e ka mbuluar pluhuri i harresës. Fakti që para disa ditësh në fasadën e Ministrisë së Kulturës u vendosë një portret i Esad Mekulit vetëm sa tregon nivelin e cektësisë kulturore. Ky personalitet meriton më shumë.