E hene, 29.04.2024, 03:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Ukaj: Darka si reminishencë artistike

E diele, 18.01.2009, 05:02 PM


Darka si reminishencë artistike

Nga Ndue Ukaj

Titulli i romanit "Darka e gabuar" i shkrimtarit të përmasave planetare, Ismail Kadaresë, përveçse është esencë, paradigmë e fabulës së romanit, njashtu kuptohet si shenjë letrare, nëpërmjet së cilës Kadare ndërton simbolin letrar të romanit. Në të vërtetë, ky titull i interpretueshem në kontekstin e subjektit të romanit, por edhe të diskurseve të mëparshme letrare, për faktin se nuk ka ligjërim të virgjër (Roland Barthes) ngërthen esencialisht një semantikë ambivalente kuptimore, e cila shenjëzon një raport të ndërvarshëm mes narracionit e mundësisë së leximeve intertekstuale që ofron teksti letrar në fjalë. Në fakt, ky raport karakteristik edhe për gjithë letërsinë e Kadaresë, është në përputhshmëri të plotë me qëllimin e tekstit (Umberto Eco) dhe përpos tjerash ofron mundësi të shumta leximi e interpretimi. Subjekti i këtij teksti letrar, siç shkruhet në shënimin përcjellës, bazohet në një ngjarje të vërtetë, por Kadare tekstin e ridimensionon dhe aty lexuesi gjen sekuenca semantike, si reminishencë e diskursit mitologjik, politik, ideologjik e biblik. Këto korpuse tekstesh dhe shtresime stilistike e ideore, në zhvillimin dhe zbërthimin e fabulës, enden përgjatë gjithë romanit, me funksione të posaçme për të dinamizuar narracionin, sikurse për të përplotësuar synimet estetike e ideore. Romani, në planin semantik ndërtohet mbi ngjarjen që motivohet nga Darka e doktor Gurametos së madh, i cili e shtron për miqtë e studimeve, gjermanët pushtues. Nga ky akt ndodh që për dikë, ky të cilësohet si Judë i qytetit, sinonim i Judës tradhëtar biblik, ndërkaq për disa një filogjerman i dyshimit. Kësisoj kjo darkë bëhet aq enigmatike e aq domethënëse, njëkohësisht, sa që trondit gjithë qytetin, i cili sillet vërdallë kësaj ngjarjeje, ashtu siç jeta shqiptare në atë kohë ishte e dezorientuar nga ndryshimet e shpeshta ideologjike, shpeshherë me përmasa groteske. Andaj ndodh një kontrast shpërthyes mes së pritshmes, se Gjermanët do të hedhin në ajër qytetin, dhe së ndodhurës, kalimit paqësor të tyre. Ndërsa ky kontrast narrativ, në romanin "Darka e gabuar" ndërlidh kohë historike në kundërshti të ashpër, nga periudha që njihet si  "Shqipëri gjermanike"  në luftë me atë komuniste. Në fabulën e romanit, kalimi "miqësor" i gjermanëve nazistë në qytetin e Gjirokastrës ndërlidhet me darkën në fjalë që patën miqtë e vjetër të shkollës, ndërsa pikërisht kjo do të shndërrohet në trajtën e "gabuar", një cilësor ky që është i mbuluar nga një tis dyshimi, ngase në mënyrë fatale sinkronizon jetën e personazhit deri në epilog. Siç mund të kuptojmë, Kadare subjektin e këtij romani e nxjerr nga një kontekst real, nga një darkë reale, ndërkaq atë e zgjeron me një rrjet tekstesh e kontekstesh, duke inkuadruar në procesin e shkrimit modele të jashtme letrare, kulturore a religjioze, ato që në mendimin për letërsinë njihen si rrjet intertekstual i tekstit. Për të sforcuar diskursin fiksional dhe për t'i dhënë përmasë sa më të fuqishme estetike e polisemantike fabulës, autori zhbiron në kohë, ndaj kontekstualizon modelin e darkës biblike, si reminishencë që sforcon semantikën e tekstit dhe, kësisoj në vete krijon relacione me subjektin e romanit, Darkën e gabuar, siç e përshkruan Kadare, Darkën e doktor Gurametos së madh, të shtruar në nder të kolonelit gjerman Fritz von Schwabe, ndërsa ky i fundit rezulton më vonë të jetë i vdekur nga ai që shtron darkën. Një enigmë që ngjall makth, në epiqendër të një romani, i cili në substratin e tij shqipton ide e intenca të fuqishme ideore e estetike. Një roman i përsiatjeve të mëdha filozofike e shqiptimeve të fuqishme nacionale. Është pikërisht kjo darkë, e cila autorit i shërben si një simbolike domethënëse për të përçuar idetë letrare dhe për të zgjeruar rrjetin ligjërimor. Nëse e lexojmë tekstin e Kadaresë në planin intertekstual të shkrimit, siç e përmendëm, romani shëmbëllen në planin interletrar me Darkën e mirënjohur Biblike, respektivisht darkën e Jezu Krishtit me apostujt, nga e cila Kadare derivon kuptimet dhe statusin intencional të shkrimit, ndërfutjen e një intrige në shkrim, e cila trand njerëz të shumtë. Kadare në roman huazon  nga parateksti biblik emra, ngjarjen biblike dhe diskursin, me një derivim imagjinativ. Darka biblike mbetet akti më mistik  i Biblës, prej ku zë fill ndërtimi i religjionit kristian, ndërsa në anën tjetër Darka e Gjirokastrës, është nyja ku ndërlidhet enigma e një ndodhie kurrë të qartësuar, përplasjeve mes mbretërorëve dhe komunistëve, perëndimorëve dhe lindorëve, etj. Në këtë konglomerat përsiatjesh, Kadare ridimensionon shumë përsiatje për tragjeditë që komunizmi i pat shkaktuar Shqipërisë dhe shqiptarëve. Prandaj, lidhjet interletrare janë semantike dhe estetike. Ndërsa kontekstualizimi letrar i diskursit biblik, i mundëson autorit të transmetojë mesazhe ekuivoke: njëri sforcon modelin ligjërimor biblik, si shkollë ndikuese themelore brenda literaturës shqipe, ndërsa tjetri përçon idetë e autorit për shumë dilema të mëdha shqiptare. Në roman kemi një darkë, e cila ka krijuar shumë dilema dhe mëdyshje në Gjirokastër, enigma e së cilës ka trandur me dekada qytetarët, ndërkaq kundruall saj rri Darka biblike, e cila siç del në sekuencën narrative të mëposhtme, jep indiciet e një fronti të hapur dihotomik që përfaqëson personazhi doktor Gurametoja i madh, i cili as nuk është Krisht, as Juda Iskarioti, pra tradhtari i Krishtit: 

"Duke zbritur thellë e më thellë në kohë, disa u kujtuan për darkën e Krishtit, siç tregohej në shkrimet e shenjta, të sigurt se atje do të gjenin, më në fund, enigmën. Ishin të gjithë në darkë: Krishti vetë, pikëllimi i tij hyjnor, apostujt, madje, dhe Juda Iskarioti. Kështu u duk se po e gjenin të vërtetën, por shi atëherë, ajo nisi të fironte. Që s'ishte Krisht doktor Gurametoja e, aq më pak, mysafirët gjermanë, kjo dukej që larg, por edhe Judë t'i quajë, ishte e tepërt". (fq. 45). E, kush është atëherë doktor Gurametoja i madh? është pyetja e dilema sfilitëse që endet në gjithë narracionin e romanit. Duke e vënë kryepersonazhin mes identifikimit me Krishtin dhe Juden, Kadare shpërfaq në mënyrë eksplicite peshën e periudhës në fjalë dhe konsekuencat që ka bartur jeta shqiptare më vonë. Në këtë aspekt, ky roman, krijon marrëdhënie kuptimore poliletrare, ndërsa këto shtresime letrare janë të pranishme në nëntekst dhe kontekst, ndaj janë të identifikueshme e të nënkuptueshme në të gjitha planet strukturore të tekstit në fjalë.

Shkrimtari Kadare, romanin "Darka e gabuar" e konstrukton, nëpërmjet shenjave të motivuara nga një ndodhi reale, e cila zhvillohet në Gjirokastër, pikërisht në vlimet e shumta e me përplot dramaticitet përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fakt, subjekti i romanit duke u zhvilluar brenda një kohe të gjatë, që nga dita kur ushtria italiane kapitulloi, për të vazhduar me periudhën e pushtimit gjerman të qytetit, pastaj "triumfin komunist", në vete pos tjerash ngërthen periudhën deri në vdekjen e Stalinit; kohë kjo kur Shqipëria ishte pre e ndryshimeve të njëpasnjëshme, e shpeshherë me përmasa groteske, të cilat sekuenca jete autori i transfiguron në art. Mirëpo, Kadare s'lejon assesi që romani të simplifikohet vetëm brenda këtij boshti narrativ. Teksti i Kadaresë, duke qenë projektim imagjinativ i një darke reale të zhvilluar në një kohë të caktuar në Gjirokastër, me personazh kryesor doktor Gurameton e madh, bëhet arenë përsiatjesh të fuqishme letrare e përtej letrare. Romani është derivim imagjinativ i enigmës së darkës në fjalë, e cila kishte tronditur qytetin, e në të cilën fusin hundët jo pak edhe shtetet me ndikim të kohës. Këtë enigmë Kadare e konstrukton me mjeshtri, ndërkaq implikimet simbolike, siç e përmendëm, i shtreson në relacion me Darkën biblike, nga e cila motivohet dhe identifikohet teksti.

Personazhi kryesor, doktor Gurameto i madh, tipologjikisht nuk përbën një karakter të fuqishëm për të tronditur qytetin. Mirëpo kjo ndodh, edhe pse për këtë, madje vetë ai ishte i pavetëdijshëm. Ai pati studiuar në Gjermani, ndërkaq shtron një darkë për oficerët gjermanë që erdhën nga Greqia për të marrë nën kontroll Shqipërinë, pas largimit të italianëve. Kjo darkë, krejt paradoksalisht shndërrohet në enigmë sfilitëse, nga e cila pësojnë jo pak njerëz. Njerëzia ngatërron tingujt e muzikës gjermane me të shtënat e mitralozëve. Po këtë ndodhi, doktor Gurametoja i madh, s'do të jetë në gjendje të sqarojë rrethanat dhe enigmën e darkës, ngase, "askush nuk mbërrinte te thelbi i saj"-shkruan autori. Ai kthehet në hero, ndërsa për disa të tjerë në armik. Ky pështjellim shkakton tendosje të mëdha, e, këto Kadare i përcjell me dramaticitet të mirëfilltë letrar, në fabulën e një romani që zhvillohet me makth e në të cilin autori ndërfut copëza jete nga të gjitha kohët shqiptare.

Në esencë, shenjat letrare dhe simbolet eksplicite, të cilat i artikulon Kadare në shkrim, darka e Gjirokastrës, në njërën anë dhe implikimet e Darkës biblike, si evidenca funksionale intertekstuale, në anën tjetër, shfrytëzohen mjeshtërisht, si trampolina për ta sforcuar diskursin letrar dhe për të artikuluar idetë, përsiatjet dhe mesazhet letrare, në formën e një interkomunikimi të fuqishëm e kreativ që bën teksti me modele të shumëfishta shkrimi. Teksti i Kadaresë në mënyrë eksplicite shfrytëzon modelin biblik brendapërbrenda tekstit.

Duke transfiguruar një ndodhi reale, në shkrim imagjinativ, autori krijon gjithashtu një distancë mes ngjarjes dhe rrëfimit, ndërkaq fabulën e pasuron me një rrjet tekstesh të inkorporuara brenda subjektit qendror, shtresime e topose këto të cilat trupëzohen vetëm për një qëllim, për të përplotësuar fabulën e romanit. Duke u motivuar mbi një ngjarje të vërtetë, subjekti i këtij romani tejkalon përmasat e së mundshmes, reales dhe, me diskursin shumëplanësh që inkuadron në fiksion, bëhet roman i përsiatjeve të mëdha e universale, ku Kadare shqipton ide të mëdha për pushtuesit, për kulturën e pastër nacionale, për orientimet kulturore dhe civilizuese të shqiptarëve, për traditën letrare dhe universalitetin e saj, për figura të shumta të ekskomunikuara të jetës shqiptare, për çështjen e Kosovës, Çamërisë, etj. Është pikërisht kjo shkathtësi e thellësi e këtij autori, krejtësisht të veçantë e origjinal, që në një instancë tjetër, përplotëson raportin letrar në trekëndëshin e ndërliqshëm artistik: ngjarja, fiksioni dhe empiria. Në këtë korpus tekstesh dhe shtresimesh tematike, empiria si evokim i botës së madhe të librit, brendapërbrenda strukturës tekstuale të romanit, vjen si produkt i referencialitetit dhe ka destinim: narrativitetit t'i japë karakter të tejkohshëm, e mbi të gjitha universal. Në fakt, komponentja e fundit e sipërshënuar, përveç tjerash vë në spikamë zhdërvjelltësinë e Kadaresë për të ndërfutur brenda tekstit, me efekte të theksuara stilistike e semantike, pjesë të diskurseve të mëparshme (Linda Hacion) letrare e kulturore, si pjesë të empirisë e referencialitetit. Këto inkorporime janë funksionale sikundër në planin e diskursit letrar, njashtu të futjes në lojë të intertekstualitetit, si element brenda tekstit, pastaj futjes në lojë të ideve dhe filozofisë morale biblike, me konotacione të motivuara, që implikojnë Darkën e fundit të Jezu  Krishtit me apostujt e tij, prej së cilës ngjarje Kadare "shfrytëzon" jo pak. Ky aspekt i ndërfutjes së intertekstit në fiksion, shpërfaq potencën e narratorit të pasionuar (Eco), i cili di mjeshtërisht të sintetizojë brenda një shtrati narrativ, dimensionin empirik me atë fiksional, madje në harmoni me kërkesat intencionale të shkrimit imagjinativ.

Në universin letrar kadarean, komponentja fiksionale dhe ajo empirike, janë paradigma të shkrimit artistik, të cilat si të tilla funksionojnë paralelisht duke e përplotësuar njëra tjetrën. Këto elemente kreative, i gjejmë kurdoherë të mishëruara dhe bashkëfunksionale në prozën e tij. Në përputhshmëri me subjektin e romanit, "Darka e gabuar" Kadare na fut në një qerthull të mirënjohur misteresh, ku fiksioni e bota empirike shkrihen në sinkroni të plotë, për të konstruktuar kësisoj qëllimin final të tekstit, zbërthimin e enigmës për darkën e qytetit Gjirokastër. E, kjo Darkë mund të trajtohet, duke pasur për shëmbëllim darkën Biblike. Por, Kadare nuk është një narrator i zakonshëm, ai depërton në thellësi të thellësive, duke zhbiruar nëpër histori, mitologji, bestytni, religjion dhe kështu jep fizionominë e një universi narrativ, ku bashkëjetojnë e kaluara me aktualen, e bukura në kundërshti me të shëmtuarën, tradhtia me bujarinë, mëkati me faljen, besa me pabesinë. Fabula e romanit e vendosur pikërisht në vlimet e mëdha ideologjike dhe luftërat që zotëronin jetën shqiptare, kalimet nga një pushtues tek një tjetër, tejkalon shumëfish diskursin themelor të romanit dhe zbret nëpër labirinte krijuese e ideologjike. Kështu proza e tij modelohet si shëmbëllim më i mirë i universales, edhe kur ajo është nacionale. Aluzionet që krijon autori me Darkën e fundit biblike dhe ndërfutjen e diskursit biblik në planin ligjërimor, stilistik dhe ideor, mbesin shenja të motivuara, të cilat realisht janë palca e romanit. Në këtë aspekt, projektimet dhe artikulimet intencionale të autorit janë në përputhshmëri semantike me reminishencën që krijon asociacioni i Darkës së fundit biblike, me sekuencat e saj, si dhe personazhet themelore, që në fund zbresin tek katharsisi letrar.

Kadare fut në narracion shpirtin dhe talentin fiksional. Romani i tij është një botë e madhe e librit, ku sintetizohet e ndodhura me të mundshmen, e kaluara me të sotmen, e bukura me shëmtitë.  Është, pikërisht kjo fuqia e shpirtit artistik që e bën këtë autor të përmasave universale, shkrimtar të dashur kudo ka kulturë letrare dhe dashamirë të artit të mirëfilltë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora