E hene, 29.04.2024, 04:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Librat e françeskanëve Endrra e At Zef Pllumit, që u bë realitet

E hene, 19.01.2009, 09:02 PM


Ishin lënë në harresë me vetëdije të plotë. Ishin dhunuar, djegur, e grisur. Librat e fretëve françeskanë, si çdo gjë tjetër që i përkiste klerit, ishin të ndaluar në vitet e diktaturës në Shqipëri. Thuajse një gjysmë shekulli askush nuk mund të gjente nëpër librari veprat e At Anton Harapit, të Padër Gjergj Fishtës, të At Bernardin Palajt, të At Shtjefën Gjeçovit… Fatlumët e vetëm ishin ata që kishin trashëguar dhe ruanin në bibliotekat e tyre me fanatizëm e në fshehtësi ndonjë botim të rrallë të viteve '30-'40. Pas rënies së komunizmit, kur u pa e nevojshme të rivlerësohej ajo krijimtari e lënë në harresë, një françeskan që i kishte mbijetuar terrorit komunist, vendosi t'i risjellë këto vepra të rralla në duart e lexuesve. Ai ishte At Zef Pllumi. Ëndrra e tij ishte që këto thesare të kulturës të riktheheshin në vendin që u takonte. Fillimisht mendoi të rinxirrte revistën "Hylli i Dritës", pas një ndërprerjeje 50- vjeçare. E mandej botimin e disa librave të shkrimtarëve françeskanë… E ndërsa "Hylli i Dritës" iu rikthye lexuesve, idetë e tij për botimin e autorëve françeskanë gjetën zbatim shumë vite më vonë. Në vitin 2005, me këmbënguljen e tij nisi një projekt i madh për botimin e rreth 100 veprave si një kolanë e shkrimtarëve françeskanë. Tashmë padër Zefi nuk jeton më, por ëndrra e tij vijon të ecë në të njëjtën hulli. Në bibliotekën e françeskanëve në Shkodër takojmë At Viktor Demajn, i cili na flet më shumë për këtë kolanë madhështore, që tashmë është plotësuar me mbi 30 vepra të botuara të autorëve françeskanë.

Janë disa libra të vyer, që kanë rënë në duart e lexuesve këto 5 vitet e fundit në logon e botimeve françeskane, libra që u kishin munguar bibliotekave tona për më shumë se gjysmë shekulli. Si dolën në dritë këto vepra të rralla?


Provinca Françeskane Shqiptare në këto vitet e fundit filloi një projekt të madh për nxjerrjen në dritë të gjithë veprave të shkrimtarëve françeskanë. Këtë projekt mund ta quajmë edhe si një rilindje të kulturës shqiptare dhe françeskane në Shqipëri. Të gjitha këto vepra që janë në themel të kulturës shqiptare ishin anatemuar për gati një gjysmë shekulli nga regjimi komunist. Duke i botuar për herë të parë ose edhe ribotuar këto vepra lexuesi mund të njihet me zhvillimin e letërsisë, gjuhësisë, historisë, arkeologjisë, etnografisë dhe folklorit shqiptar.
Krijimtaria e klerit përgjatë shekujve asht mjaft e dendur, dhe sidomos ajo e Françeskanëve. Ishte binomi Fe e Atdhe që i shtyni të ndërmerrnin nisma të mëdha për rimëkëmbje shpirtërore dhe kulturore të popullit shqiptar, e kjo jo me pak sakrifica. Burrat me zhgun, konop dhe sandale në misionin e tyne i kishin vu qëllim vetes të shpallnin dashurinë e Zotit si dhe të përhapnin kulturën që asht në themel të progresit dhe të rilindjes kombëtare të një kombi si formimin e inteligjencën e saj. Këto dy parime ishin të shejta për bijt e varfanjakut të Asizit.

Sa tituj librash keni hedhur në libra nën logon e françeskanëve?


Këtë visar të çmueshëm që kanë krijuar gjatë shekujve dhe që ka arritur kulmin në vitet '30 të shekullit XX e deri sot, duam ta bajmë të ditun para opinionin publik shqiptar me botimet aktuale të shtëpisë botuese françeskane në bashkëpunim me bibliotekën Françeskane "At Gjergj Fishta" në Shkodër. Tashmë kemi hedhur nëpër librari më shumë se 30 botime dhe ky projekt do të përfshijë më shumë se 100 tituj: ribotime si dhe dorëshkrime të pabotuara më parë.

Gjatë viteve të diktaturës gjithçka që lidhej me fenë ishte e ndaluar e në këtë "dënim" u përfshinë edhe shumë autorë të rëndësishëm. Çfarë ndodhi me fretnit françeskanë dhe librat e tyre?


Mbas vendosjes së regjimit komunist në Shqipni u ndërpre në mënyrë të dhunshme shkolla françeskane, që pati kulmin e saj në vitet '30-të, të shekullit të kaluar. Ato pak fretën që patën mbetë gjallë prej rrebeshit komunist e vazhduan punën e tyre në heshtje dhe me sakrifica të mëdha në shërbim të kombit. Ndër këta fretën mund të përmendim: At Justin Rrotën, At Benedikt Demën, At Donat Kurtin, At Marjan Prelën,etj. Në mërgim kemi tre kolosë të tjerë: At Jak Marlekaj, At Daniel Gjeçaj, At Paulin Margjokaj. E gjithë kjo trashëgimi kulturore ishte pothuajse e panjohue për shqiptarët. Në mërgim këtë trashëgimi e banë të njohun At Marlekaj, At Danieli e At Paulini me botimet e shkrimet e tyre. Duhet theksuar se në vitin 1958 u botua e plotë për herë të dytë "Lahuta e Malcis" nga At Daniel Gjeçaj. Po ashtu gjatë këtyre viteve u botuan edhe disa vepra të tjera të Françeskanëve.


Ndërkohë në Shqipëri, pas ndërrimit të sistemeve gjithçka u bë më e lehtë, sidomos në fushën e lirisë së botimeve…


Mbasi ra komunizmi u pa e nevojshme që të rivlerësohej ajo krijimtari e lënë në harresë me vetëdije nga diktatura komuniste. Në këto momente delikate për zhvillimin kulturor u gjet një tjetër françeskan që i kishte mbijetuar terrorit komunist. Ky ishte At Zef Pllumi. Dëshira e At Zefit ishte për rishikimin e historisë dhe për ta vënë atë në vendin e duhur. Me shpirtin misionar shumë shekullor të Françeskanëve ai iu fut punës, për të rinxjerrë revistën "Hylli i Dritës", pas një ndërprerje 50 vjeçare, si dhe botimin e disa librave të shkrimtarëve françeskanë. Shumë herë gjatë bisedave më të e përsëriste idenë se duhen botuar të gjitha veprat dhe dorëshkrimet e Françeskanëve për të plotësuar mozaikun e plotë të kulturës shqiptare. Kjo ide e tij nuk mbeti një ëndërr në sirtar, por u bë realitet. Në vitin 2005 së bashku me Provincialin e asaj kohe Át Ndue Gashi filloi botimin e kolanës së shkrimtarëve françeskanë.


Në librat që tashmë kanë parë dritën e botimit vihet re se është ruajtur gjuha origjinale, pra janë botuar në koinenë gege. Ishte ky një qëllim në vetvete?


Gjatë botimit e pamë të arsyeshme që të mos ndërhyhet në tekset origjinale të shkrimtarëve. Kjo, sepse vetëm autori mundet të ndryshojë shkrimet e veta. Pra, botimet e veprave të Fishtës, të Harapit, Kurtit, Palajt, Demës, etj janë botime anastatike ose të rishkruara por duke i qëndruar besnik origjinalit. Fatëkeqsisht në kohën tonë po hasim në një fenomen të shemtuar të botimeve: ndryshimin e veprave të autorit, me pretekstin se nuk kuptohen nga publiku. Kjo logjikë që perdoret sot bën që autori të humbë origjinalitetin e vet te lexuesi. I takon shtetit me ligjet i tij, që ti mbroj këta shkrimtarë nga masakrimet, që po ju bëhen veprave të tyre, si dhe të ruajë të drejtën e autorit, që në rastin e shkrimtarëve Françeskanë i përket Provincës Françeskane Shqiptare.

Si është quajtur kolana dhe cilat janë autorët që përfshihen në të?


Kolanën e kemi pagëzuar: "Biblioteka Françeskane 'ÁT GJERGJ FISHTA' Kolana e shkrimtarëve Françeskan". Në këtë kolanë kemi përfshirë veprën e Fra Palit të Hasit, Fra Francesco Maria da Leçe i vitit 1700, Fra Francesco M. Rossi-it, P. Tom Marcozzi, Át Leonard de Martino-s, Pater Gjergj Fishtës, Át Shtjefen Gjeçovit, Át Pashko Bardhit, Át Pal Dodajt, Át Marin Sirdanit, Át Vinçenc Prendushit, Át Anton Harapit, Át Ambroz Marlaskajt, Át Justin Rrotës, kompozimet muzikore të Át Martin Gjokës, verpën e Át Bernardin Palajt, Át Donat Kurtit, Át Antonin Fishtës, Át Benedikt Demës, Át Gjon Shllakut, Át Jakob Marlekajt, Át Paulin Margjokajt, Át Viktor Volajt, Át Danjel Gjeçajt dhe Át Vinko Malajt.
Duhet theksuar se në botimet françeskane, por jo në projektin e Shkrimtarëve françeskanë kemi botua edhe libra të tjerë si "Të ndodhunat e Shqypnís prej nji Gege që e don vendin e vet", e Thallòczy, Lodwig, botim i vitit 2008 dhe "Albania 1897-1909 Bibliografi Kronologjike" e Willy Kamsit, gjithashtu botim i vitit 2008.

Si do të vijojë ky projekt?


Së shpejti do të nxjerrim botimin kritik të "Fjalorit të Bardhit" të pregaditun nga studiuesi Prof. Dr. Bardhyl Demiraj. Por ky projekt i Provincës Françeskane Shqiptare do të vazhdojë me botimin e disa veprave të tjera, me qëllim që të nxjerrim në dritë kontributin e madh që Françeskanët shqiptar i kanë dhanë atdheut të tyre.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora