E hene, 29.04.2024, 09:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Fragmente nga libri ''Ikja e Madhe''

E enjte, 22.01.2009, 07:12 PM


Albert Zholi
 
PORTAT E HALLIT
 
Nga lindja gjer tek vdekja njeriu udhëton nëpër portat e hallit… Sa del nga një portë halli hyn tek porta tjetër. Hyn pa trokitur se ato janë të hapura në dy kanatet e padukëshme...
Dhe nga njëra portë tek tjetra, njeriu shpreson e shpreson për t’i dhënë fund asaj udhe të paudhë, por asnjëherë nuk e sheh dot fundin...
Edhe portën e vdekjes e gjen hapur ... Hyn edhe atje pa trokitur për të vazhduar udhën e pasjetesës ...
Deri në cilën portë ke arritur o njeri ?!
E gjen gëzimin duke ecur nëpër portat e hallit ?!...
Pa kaluar në ato porta nuk e kupton jetën ?!...
Si?...
E gjithë jeta është HALL?!...
Hall që jetohet?!...
Deri në cilën portë të hallit ke arritur o njeri?!...
 
BARBA MIHALI ME GJUHËN E KONICËS
 
Para një viti e kisha pësuar vetë. Punoja në një supermarket (Athine, me tregonte nje shok), por s’e pata të gjatë ...Një shoku im, që unë e pandehja shok, i pësh-pëshi në vesh pronarit: “ Ai është mysliman... merret edhe me politikë...është me atë partinë e opozitës, dhe këta të opozitës ... edhe punë më shumë ne se ai...” Këto e ca të tjera nga ai që unë e quajta shok dhe mua më fluturuan nga puna...Por si ky fat nuk më ka gjetur vetëm mua ...Kur punoja provizorisht , në një dyqan cokollatash, Barba Mihali, përgjegjësi i turnit, më tha:
-Alban, dua të bisedoj pak me ty.
Menjëherë e keqja më erdhi në tru, se pe i këputur jemi ne refugjatët.
-Si të duket ai Ilia?-më pyeti barba Mihali .
-Mirë!- i thashë pa e menduar se ku e kishte hallin përgjegjësi.
-Në Shqipëri c’punë ka bërë?
-Nuk e di – iu përgjigja dhe prisja se ku do të delte tymi...
-Po emrin Ilia e ka pasur dhe atje?
-Në Shqipëri nuk e kam njohur, por sa e njoh këtu, është djalë i mirë dhe më punëtori nga ne ...
-Eh, ju disa herë të keqen e kini nga vetja – foli barba Mihali dhe u largua...
Tre ishim ne që punonim me barba Mihalin, Ilia unë dhe Andoni...
Andoni ? Epo, ja unë, ja Andoni ka folur për Ilian...
Më bënë përshtypje fjalët që më tha barba Mihali, më foli me gjuhën e Konicësë: “ Shqiptarit, nga shqiptari i vjen e liga...”

***

VETMINI
-skice-


Ndalova në autostradën e lagjes Nea Zmirni (Athinë), përballë një dyqani të madh e të bukur, ku në vitrinë të prishnin sytë paisje qelqi e porcelani me artin e bukurisë brenda…
- Zotin Dhimitër dua, pronarin, ju luta një mesoburri që rrinte tek dera në pritje të klientëve.
- Ja tek është, më tregoi ai me dorë një burrë të shëndoshë e mbi 70 vite mbi supe.
- Eca me kujdes se mos rrëshqisja nga shkëlqimi i qelqeve, që ndjeja sikur më shikonin mua dhe iu prezantova pronarit:
- Zoti Dhimitër jam miku i Janit, erdha për atë punën.
- Oh shumë mirë,- dhe më dha dorën pastaj vazhdoi.
- Nga je mor djalë?
- Jam nga Shqipëria – dhe e pashë në sy pronarin, që do më punësonte.
- Shqiptar safi ? – më foli ai me një shqipe disi të deformuar .
- Shqeto, pa sheqer ...-ia kthej unë duke qeshur para fytyrës së tij babaxhane.
Ai u kënaq nga përgjigja ime dhe foli :
- Edhe unë rrënjën andej e kam, dhe nisi të më tregoojë greqisht, për të folur më rrjedhshëm. – Stërgjyshi im ka ardhur këtu para 200 vjetësh. Është histori e gjatë ajo e stërgjyshit tim, por unë do ta them shkurt se do punojmë apo jo ?!...
- Po.
- Stërgjyshi im ishte djalë i ri atëherë - Nuk i kishte bërë të njëzetë vjetët. Donte të ikte në kurbet siç i thonë të ikurit. Priti një javë në skelën e Durrësit sa erdhi një vapor nga përtejdetet. Vapori ishte nga Spanja, por se ku vente nuk dihej … E le të vente ku të donte, stërgjyshi im djalë ishte e donte të vente matanë botës. Priti sa u ngarkua vapori dhe fshehur e fshehur iu ngjit si kërmill . Kur iu mbush mendja se duhej të delte, doli në guvertë ... Shqyen sytë ata të vaporit . Ca donin ta mbanin në vapor, ca ta hidhnin në det ... Por kapiteni nuk bëri as njërën dhe as tjetrën. “Nuk është barbar ky,jo- tha kapiteni – është djalë i bukur , dhe nuk e tregoi atë që kish vendosur në trurin e tij...
Sa erdhi anija në molin e Pireut e zbritën “djalin e bukur”... Anija vazhdoi rrugën e saj ai mbeti i vetëm në Pire ... Punën e donte. Hop këtu e hop atje deri sa erdhi në këtë vend e nguli themelet... Kjo lagje ka qenë ferra, gurë e baltë e kuqe...Erdhën të ikurit nga Turku, që e donin jetën dhe kush e do jetën e bën e bën që të jetohet . Edhe stërgjyshi im ishte i vetëm pa nënë e pa baba, pa motra e pa vëllezër (ndaj vuri atë mbiemërPor halli të bëhet shok … Dhe bëri familje stërgjyshi im, e bëri fëmijë, e ja tek jam unë tani pas kaq brezash. Nga ajo kohë e deri më sot ne mbajmë emrin e fisit VETMINI. Edhe mua Dhimitër Vetmini më thonë. Edhe dyqani VETMINI e ka emrin, e sheh?- më tërhoqi nga krahët deri tek sytë e dyqanit, ku shkruhej me gërma të mëdha VETMINI...hë do punojmë apo jo ?- foli pastaj miqësisht dhe më tregoi se ku do të
punoja ...

***

MË VARROSNI ME SHAMI NË KOKË…

-sikce-

 
Kosta iku nga Leshnica në nëntor të 1944-ës. Shumë u thanë për të e për familjen që la pas, për nënën, vëllezërit e motrat…Të ikurit e linin të keqen prapa e ajo s’u shqitej gjithë jetën. Mbetej aty, tek dera e shtëpisë e si guri I portës peshonte në qafën e të gjithëve…
“ Deri në vitin 1960-të Kosta punoi në Greqi pastaj shkoi në Amerikë. Lidhja e parë me njerëzit e shtëpisë u bë pas 50-vjetësh. Ai dërgoi letër e numrin e telefonit. Por ajo letër ishte shumë vonë për nënën e tij ... Edhe të mbeturit e tjerëe të familjes në kohën e eksodit masiv e lanë Leshnicën e u vendosën në Greqi...
Kur babai e mori në Telefon xhaxhanë në Amerikë isha shumë kurioz t’i dëgjoja zënë tregon nipi i tijë. Asnjëherë nuk e kisha parë në sy, vec e përfytyroja. Edhe pabai kishte “ një jetë pa e parë “, sic thoshte ai kur binte fjala për xhaxha Kostën... “Dua zotin Kosta” foli babai në greqisht. “ Unë jam” u përgjigj zëri tjetër nga larg. Babai e humbi fare. Iu lidh gjuha dhe s’dinte c’të fliste. Vetëm lotë i rridhnin nga sytë ... Edhe unë lotoja pranë tij. Edhe xhaxhai vetëm dy fjalë tha “ Ku je o vëlla Llambi ?!...” dhe përtypte lotët edhe ai ... Pastaj ndërruan ca fjalë, sa mund të flasësh në telefon ... Kur ke aq shumë për të thënë nuk flet dot ... Pa le pastaj që litarët e mallit të zënë fytin...
Dhe nipi i Kostës së ikur më tregoi edhe dicka, që nuk mund ta harroi gjithë jetën :
“...Në vitin 1953, kur xhaxhai ishte akoma në Greqi, kish kaluar kufirin dhe kish ardhur në fshat. Donte të takonte nënën dhe ne të tjerët... Edhe për udhët edhe për pemët e kishte marrë malli, sic na shkruante në letër...” E vura kokën në torbë për të parë edhe një herë nënën ...” na shkruante xhaxhai... ishte tetor kur erdhi. Në të errur, që të mos e shihte njeri e ta spiunonin pastaj. Plot dy orë e gjysëm u mbërthye pas gardhit të shtëpisë e priste. Nuk guxonte të hynte e nuk donte të ikte pa parë nënën … Rrinte e priste.Kur nëna doli rastësisht në oborr, gjokasi iu shqye nga të hedhurat e zemrës … Gati t’I hidhej në qafë e të mos e lëshonte më, por nuk mundi të lëvizte nga vendi, sikur dikush e kish mbërthyer me perona magjie … Donte t’ I fliste, por fryma nuk I bëhej dot zë sikur një rrjetë merimangë kish
rënë mbi cerdhen e fjalëve dhe merimanga shumëkëmbëshe I gëlltiste fjalët e tijë në heshtje, pa përtypje dhëmbësh …
Donte t’I dëgjonte nënës zërin, atë zë të ngrohtë, që delte nga fundi I shpirtit të saj, por ajo dic bënte në oborr e nuk fliste asnjë fjalë, sikur fjalët t’I kishin ikur bashkë me djalin matanë kufirit në ato udhë kurbeti.Dhe fati e kish lënë edhe pa Kostën edhe pa fjalët e saj …
Vetëm katër metra larg nënës ishte ai dhe I dukej vetja më larg se kurrë… Më larg… Më larg se gjithë mendimet që kish tjerrur në vite … Nëna dic mori në kamaren aty jasshtë derëes dhe u fiut brenda për të mos dalë më ..
Ai mbeti edhe ca ashtu, I mbërthyer pas gardhit, pastaj hyri në oborr e vendosi në kamaren pranë derës një pako të vogël ku mes të tjerash ishte një shami e zezë dhe një kuti me kafe të bluar…
Kur I gjeti nëna të nesërmen pa gdhirë, I puthi e qau me lot nëne. I miriste dhe lotonte … Kështu bënte deri sa vdiq.Vdiq e malluar e me shpirt të djegur … I puthte e lotonte fshehur … Vetëm unë e shihja, por nuk I tregova askujt … Kur do vdiste nëna e la me gojën e saj: “… Kur të më varrosni më vini në kokë këtë shami dhe e nxorri nga gjiri ku e mbante prej vitesh … Edhe kafenë e eksodhit e keni në sënduqin tim”…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora