Kulturë
Ndue Dedaj: Ulurima
E shtune, 08.06.2024, 06:50 PM
U L U R I M A
Përsiatje
NGA
NDUE DEDAJ
Ende
në veshë, qysh nga fëmijëria, më vjen si një jehonë e largët ulurima e ujkut.
Çfarë kishte më shumë në atë zë, trishtim, hakërrim, tërbim? Thonë se çdo ujk
ka ulurimën e vet të ndryshme nga tjetri, si zëri i njeriut që nuk ngjet me të
askujt. Mbase veç zëri i çjerrë i verrkeqes ishte përherë njësoj!... Tash që
ujkun nuk e shoh, duke kapërcyer leqet, ngaqë ka kohë që jam ulur nga mali në
fushë, sa herë meditoj rreth njeriut, më ngjan se uni është një kafshë
uluritëse brenda tij, shkëlmon vazhdimisht dhe ashtu, i kalamendur siç është,
mund të shkallmojë brinjët e të zot. O, kjo nuk ka të bëjë aspak me bestytninë
e lashtë se çdokushi nga njerëzit ishte i lidhur me frymën e një kafshe a të
një tjetre, si të thuash, dikush merrte frymë nëpër gabzerrin e ujkut, dikush
të dhelprës, dikush të cjapit, dikush të qefullit...
Për
këto mund ta vriste mendjen secili nga ne, po jo Njeriu i jermuar, ai nuk
kishte kohë me mendue për gjëra të tilla të zymta apo bestyte, për më tepër që
kishte qenë një natë e qetë, pa bubullima a stuhi. U zgjua si nga një ëndërr
diellore. A po nuk kishin filluar rrezet e para të diellit të shponin xhamat e
dritares e të binin mbi fytyrën e tij të larëzuar. Doemos që nuk iu shëmbëllye
vetja me Aleksandrin e Madh, por kur erdhi puna te Biri i Kastriotit u lëkund
pak! Mos, i tha vetes, prit, është shumë! Po kërceu fytafyt ajo vetja tjetër,
ç’thua, Gjergji ishte kryekalorës mesjetar, ti je njeriu modern dhe mund të
bësh famë trefishin e tij. Ja ku është Brukseli, një vrap pele. Dy vrapa pele Amerika.
Tre Kina. Fama, or bablok Shtiqni, fama! Ke ardhur në këtë botë të ngazëllesh e
të mos shkosh hupët në atë botën tjetër... A ndiet, pashë Zotin! Jam Uuuuuun’
që po flas, pas meje, poshtë meje, anash meje të gjithë janë miza, bubrreca,
bubuzhela.
Kafka
e tij ishte kalluar flakë, por ai vetëm sa e ftohte ballin me një faculetë të
lagur....
*
Për
ta kuptuar sadopak se ç’është në vetvete, i lumi Njeri, nuk do të gërmoj në
hepet e antropologjisë, se ç’dëftojnë kafkat e gjenive të mrekullive apo
marrëzive, por do të kundroj bash atë vetë, robin e ekzaltuar të kësaj kohe. Si
ndodh që ai e mat vetveten me hijen e mëngjesit dhe e shumëfishon me pasqyrën e
pa anë të detit, çka është tej sureales. Flet me veten oreçast, të vetmes që i
rrëfehet dhe i beson këndelljet, tallazitjet, veset, britmat, klithmat, por*ët.
Shpesh thotë të kundërtën e asaj që mendon dhe rreket ta besojë dhe vetë gjënë
e shpifur.
Kështu
më bëhet se miniera më e madhe nuk është ajo e floririt, por nënvetëdija, aty
ku qenia jonë flladitet lakuriq, pa asnjë gjethe fiku përpara…
Aa,
më duket se po hyj në të thella! Jo or jo. Mos mendoni se për të shkruar këtë
përsiatje do t’iu drejtohem filozofëve, psikologëve, neuropsikiatërve, siç
është bërë sot në modë, për të treguar një çikë kulturë perëndimore, se ç’thonë
ata për qenien, dilemat e saj, ngasjet, turbullirën ku noton. Me gjithë
nderimin e madh për ta, në djall Zigmud Frojdi, Martin Hajdegger, Claude Lévi
Strauss… Më mjafton soditja bregut të Lanës, që nuk është as Danubi, as
Amazona, bile nuk është hiç lumë, por diçka mes përroit dhe përroskës. Ja,
dikush sot mbajti një fjalim në varreza! Dikush tjetër dje mbajti një fjalim në
dasmë. Si është e mundur! Idiotësia, pra. Ah, mos këqyrni anash, duke kërkuar
me sy atë Tjetrin! Shihni thellë vetes tuaj, ku është ajo kafsha që uluret pa
zë. Si ai që mbajti fjalimin në varreza, si ai që moralizoi në dasmë, jemi Ne.
Na ka kapluar mania e lavdeve marroke. Nuk shpëtojmë prej tyre sa të jemi
gjallë. I lypim më pahir. Dy fjalimtarët, ai i varrezave dhe ai i dasmës, dalin
jashtë natyrës së gjërave që të korrin lavdet e njerëzve…
Por
mund të mos kemi faj për këtë gjendje qorollepsjeje ku gjendemi, e gjitha
gurgullon nga përroi i nëndheshëm i pavetëdijes, ku duket se njeriu ka shkrolën
e vet të kotësisë. Nuk ka si shpjegohet ndryshe, që xhentelmeni i sotëm për
çfarë nuk llomotit, si duhet bërë shteti e paraja, filozofia e shoqëria,
shkenca e arti, si gatuhet tava e krapit e si sush-i. I ka të gatshme të gjitha
recetat, do ti njohuri për kibernetikën, për mutacionet gjenetike, për
inteligjencën artificiale?...
Thoni
ju sa të doni, kjo është trallisje, përçartje, shastisje për vdekje, vlim gjaku
në tru, ulurimë ujku, psikopati pa kartelë. Asnjë nga këto nuk pi ujë. Uni i
tij ka shpërthyer brenda dhe jashtë lëkurës si fruthi...
O
sot, o kurrë! Gjallë a vdekë!
*
...Varrat
e jetës sosën shpejt. Ai shkon në varreza dhe çmeritet kur sheh se janë pranë e
pranë varri i një shkencëtari dhe varri i një sharlatani. Vetëm atëbotë nis e
kthjellohet, zhvishet nga ajo pelerina e shndritshme e mitit të vet. Çfarë
mallkimi! Kthen kryet dhe sheh se në krah të tij ka më budallain e qytetit, atë
që i binte daulles pa kënduar ende gjelat…
“Vonë,
i tha vetes, shumë vonë. Erdhe në këtë botën tjetër pa e kuptuar se ç’është ajo
e para!”
Po
dilte nga kllapia e gjatë. Nga jermi. Dhe sytë i shkuan te një fik, që bënte
hije matanë varrit të tij. Zogjtë nuk e bënin aspak më qëllim, por duke i
kokërruar fiqtë në vrap, i lëshonin lëvoret mbi varr si glaska. U ngushëllua
kur mendoi se nuk ishin glaska të vërteta. Por nuk gjeti qetësi. Rrasa e vorrit
brofi përpjetë. Nuk ishte amaneti i nënës së Kostandinit. S’kishte si të ishte.
E gjithë varreza oshëtinte aaaaaauuuuuu dhe bënte me gisht nga ai.
“Ej
ti, Njeri, ke lindur një fëmijë të paligjshëm!”
“Unë?
A jeni në vete, o shpirtëra! Si mund të lindet një fëmijë pa ngjizje, për më
tepër, i paligjshëm?”
“Po!
Ai fëmijë kopil... është vetja juaj e kllonuar me djallin!”
Rrasa
e vorrit ra me tërsëllimë dhe u thye në katërqind copa...
Tej
në pyll dëgjohej ulurima e ujkut dhe kënga e verrkeqes...