Kulturë
Hamza Halabaku: Hop e ndihmësministër
E marte, 04.06.2024, 06:54 PM
HOP E NDIHMËSMINISTËR
Tregim
humoristik nga Hamza Halabaku
Kur
u pavarësua vendi im, ishte shteti më të ri në Evropën e vjetër. Prej atëherë,
ndoshta, është shtuar edhe ndonjë shtet i ri i pavarur. Nuk më kujtohet!
Pak
më vonë, sapo kishte nisur muaji i pestë i atij viti, kur ishte shpallur
pavarësia, kishte ndodhur ngjarja. Ishte e hëna e parë e ati muaji të vitit dy
mijë e tetë të qindvjeçarit që jemi. Ajo
ditë e parë e javës kishte gdhirë me shumë të mira për të lashtat që
kultivoheshin në Anën e Drinit.
Shirat
e qeta e të pa ndërprera, që kishin rënë dy- tri ditë para asaj të hëne, e
kishin njomur mirë tokën bujqësore. Ngrohtësia e natyrshme, nga rrezet e
diellit, që ngjallnin çdo gjë që ishte mbi sipërfaqen e tokës, të atij maji, i
kishin dhënë hovë të mbjellave pranverore!
Xhaviti,
me shati në krah, ishte nisur te ara e quajtur “Te lumi”, sipas porosisë që i
ati ia kishte lënë herët në mëngjes nënës së Xhavitit.
-Kur
të zgjohet Xhaviti, nga gjumi, kishte porositur i ati, të më sjell bukën e
sillës! Mos të harroj të marr edhe shatin me vete, që të më ndihmoj, se misrit
do t’i kalojë koha e mihjes. Ara është mbushur me barë e gjethet e para të
misrit ka filluar t’i mbulojë një ngjyrë
e verdhë!
Ara
”Te lumi” quhej kështu vetëm se ishte në bregun e majtë të lumit të kthjelltë e
të qetë të asaj ane. I ati i Xhavitit ishte shumë i lumtur që e kishte atë arë
se çka do që mbillte ajo i jepte rendimente të kënaqshme. Gjithnjë kur
tregonte, lavdërohej për plleshmërinë e tokës së vet. Thoshte se ara e tij
ishte e lehtë për ta punuar dhe se ishte shumë e bereqetshme. Çka do që ta
mbjellim, jemi të kënaqur me atë që na jep ara jonë! Përherë ishte i kënaqur
sepse ara jepte rendimente të mira çdo vit, çka do që ai mbillte!
Ditën
që i kishte lënë porosinë i ati, Xhaviti, ishte nisur, si zakonisht, pak me
vonesë, edhe pse e ëma e kishte përgatitur me kohë bukën që duhej t´ia dërgonte
babait. Atë ditë duhej ta ndihmonte
babanë për ta prashitur misrin e mbjellë, edhe pse, Xhavitit, fare nuk ia
kishte ëndja të merrej me punët e bujqësisë! Sipas asaj që i ati i kishte thënë
në mbrëmje, misrit jo vetëm që i kishte
ardhur koha, por edhe i kishte kaluar, me që dy tri fletët e para të misrit, vërtetë, kishin filluar të marrin ngjyrën e verdhë!
Xhaviti
me babanë e tij, pasi e kishin ngrënë sillen, kishin filluar punën e herë pas
here po ndërronin ndonjë fjalë mes veti. Po prashisnin dhe po bisedonin. Dorën
në zemër Xhaviti edhe nuk ia kishte shumë haber shatit, sepse rrallë i kishte rënë
rasti që të ishte me babin e tij nëpër
punët e bujqësisë. Ata e kishin të vetmen tokë aty, në bregun e lumit, dhe nuk
ishe arë me sipërfaqe të madhe, prandaj baba më shumë i kryente vet punët
bujqësore, kurse Xhaviti bënte ndonjë punë rreth shtëpisë e në të shumtën i
ndihmonte të ëmës për të blerë gjërat e nevojshme për shtëpinë.
Babai
i Xhavitit shpesh e këshillonte si duhet të mihet misri e si duhet të ruhen
rrënjët e fasules që ishin më të rralla në rreshtat e misrit, me që e vërente
se Xhaviti shpesh herë i lëndonte bimën e misrit e më shumë atë të fasules.
Bile, bile, në fillim kishte menduar se ishin ndonjë barishte që duhej të hiqej
nga rreshtat e misrit dhe e hiqte pa dhembje!
Xhaviti,
bëhej nevrik, kur i ati ia tërhiqte vërejtjen, që të kishte kujdes gjatë mihjes
me shatë, sepse, si i thoshte i ati, as misri e as fasulja e dëmtuar, nuk do të
jepnin frytet e pritura!
Xhaviti i kishte kërkuar falje t´jatit, për dëmtimin
e fasules dhe i kishte premtuar se nuk do ta dëmtonte në vazhdim, se tani e
kishte kuptuar se ajo ishte fasulja e jo ndonjë barë që duhej të hiqej nga
radhët e misrit!
Deri
sa po prashisnin dhe po bisedonin Xhaviti me babanë e tij, zilja e celularit të
Xhavitit kishte rënë disa herë. Xhaviti ishte pajisur me një celularë “Samsung”,
pak të përdorur, pak kohë më parë. Ai, i mbështetur në bishtin e shatit, e
kishte hapur celularin dhe ishte përgjigjur.
-Urdhëroni,
kishte folur, Xhaviti dhe kishte dëgjuar me kujdes folësin andej celularit
“Samsung”!
-Si
thua, si thua - kishte folur Xhaviti, për së dyti, i habitur, e babai i tij si
i trishtuar e kishte pyetur ? - çka ndodhi bre biri im i mirë?
Xhaviti
e kishte gjuajtur shatin e tij dhe kishte kërcyer dy tri herë përpjetë nga
gëzimi për fjalët që kishte dëgjuar nga ana tjetër e telefonit “Samsung”!
-Po
çka u bë o biri im? - e kishte pyetur i ati për së dyti.
-Baba,
nesër po shkoj në Prishtinë se më kanë emëruar ndihmës të ministrit në njërën
ministri të Qeverisë së Republikës së Kosovës!
-Po
çfarë ministrie, o i miri i babës! Po ti nuk po din me prashit misrin e po
bëhesh ndihmës ministri - i kishte thënë i ati, i habitur shumë! Bile e kishte
shikuar të birin gojë hapur e pak si i trishtuar!?
-Çka
po thua bre !!!
-Çelësi
babi, çelësi! Deshi t’i thoshte, se shteti i Kosovës është një shtet shumë
etnik dhe duhet të vendosen ministrat, zëvendësit, ndihmësit e tyre dhe
personat e tjerë me “çelës”. Duhet pa tjetër, në pushtet, të përfaqësohen të
gjitha etnitë, që jetojnë në Kosovë, pa marrë parasysh nivelin e diturisë së
tyre! Ditën apo nuk ditën përfaqësuesit e minoriteteve duhet të jenë në
institucionet e shtetit! Kanë kualifikime të larta akademike apo nuk kanë
vijuar mësimet në shkollat e mesme apo në fakultete, ata duhet të jenë bashkë
me të tjerët!
-Kështu
është e rregulluar me Kushtetutën e këtij shteti shumetnik, babush! - kishte folur i biri. Prandaj, baba i dashur,
edhe mua më ra fati që të jem në njërën ministri të kësaj qeverie të këtij
vendi. Nesër do të vishem me rrobat më të mira, me kollare e këpucë të reja. Në
fund të këtij muaji do të blej rrobe e këpucë edhe më të mira se ato që i kam!
Nuk i dihet, ndoshta në qeverinë e ardhshme, mund të bëhem edhe më i “madh” në
njërën nga ministritë e asaj qeverie!
-Biri
im i dashur, po ti ma sakatove misrin këtu në arën time, e çka do të bësh në
ministri, o i miri babës!? Po aty duhet dituri, e ti nuk ia ke haber punës me
laps! Duhet të kesh një shkollë të mesme të paktën, nëse nuk e ke fakultetin. E
ti këto nuk i ke asnjërën o evlati im i dashur. Mos shko atje me i marrë në
qafë këtë milet! Po të ishe pjesëmarrës në luftën që shkoi, hajde, hajde,
ndoshta do të takonte ndonjë ndihmë materiale, po ti as nuk je pjesëmarrës i
luftës as nuk ke bë shkollë të duhur e
me i ndihmua ministrit në qeverinë e vendit (!), po më duket pak si e pa kapshme
...! Po ti more bir, i merr në qafë
shokët e tu. Ata nuk kanë kohë të punojnë për ty, o biri im!
-E
di baba, e di, po dalëngadalë edhe unë do të mësohem...