Kulturë
Mihal Gjergji: Mjerë ne, të mundurit!
E hene, 03.06.2024, 06:59 PM
MJERË
NE, TË MUNDURIT!
Nga
Mihal Gjergji
S’dua
të lëndoj askënd. Të mundurit po sosen dita-ditës në agoninë e thellë, ndërsa
idhujtarët e verbër të perëndive të vdekura s’kanë arsye të revoltohen, as të
ngarkojnë në shpinë mëkatet e të tjerëve. Dëshiroj që gabimeve tona tu japim
një emër, ndryshe, martirët për të cilët po shkruaj do mbeten pa të shkuarën e
tyre, kurse vrasësit e pashpirt do mbeten pa të ardhme. Lexuesit mund të falin
çdo gjë, mund të pranojnë dhe gënjeshtrat, por jo të vërtetat, ato s’duan t'i
dëgjojnë sepse janë të papërballueshme. Ja pra, e shikoni që duhet pak durim
dhe vëmëndje. Dhe mos u nxitoni, sepse çmimet janë të dukshme, jo vlerat e
njerëzve, ato mbeten përherë jashtë peshores që përdor arsyeja e shëndetshme.
Pas viteve ’90 një vajzë niset nga Rusia e largët dhe mbrinë në Tiranë. I
mungonte gjysma e atdheut. Erdhi të vendoste një tufë lule te varri i babait të
saj. Irina i kërkoi takim Fatos Lubonjës për ta ndihmuar, por ky i fundit, veç
dhimbjes dhe përjetimeve të dikurshme, i rrëfeu se çfarë kishte ndodhur në
ferrin e të gjallëve. Ishte vajza e intelektualit atdhetar Vangjel Lezho, i
lindur në Fier në vitin 1932. Studimet e larta për gazetari i filloi në
Universitetin e Leningradit dhe i përfundoi në atë të Moskës. Atje u dashurua
me një vajzë ruse, me Inën, dhe u martuan. Lindën dhe një vajzë të quajtur
Irina (asokohe 5 vjeçe). Pas përfundimit të studimeve, që prej vitit 1959 punoi
si gazetar i sektorit të kulturës në Radio Tirana. U arrestua më 1963 në
Pogradec, bashkë me një grup njerëzish që po përpiqeshin të kalonin kufirin.
Dëshironte të bashkohej me bashkëshorten dhe vajzën. Më 6 dhjetor të po atij
viti u dënua me 25 vjet heqje lirie. Më 29 nëntor 1978 u dënua për së dyti
bashkë me Fadil Kokomanin, për një letër dërguar Komitetit Qendror. Teksa
vuante dënimin në kampin e Spaçit, më 23 shkurt 1979 u arrestua sërish dhe, më
18 maj të po atij viti, u dënua me vdekje, me pushkatim. U ekzekutua më 28 maj
të po atij viti. Janë tronditëse dëshmitë që ka sjellë Bujar Bakalli. Bëjuni
kurreshtarë, vetëm disa caste. "Në 1000 raste gjatë jetës janë vajzat që i
shkaktojnë vuajtje dhe dhimbje baballarëve dhe ndodh një rast në 1000 që është
babai që i shkakton vuajtje dhe dhimbje vajzës së tij, e ky baba jam unë,
thoshte Vangjeli, miku ynë i vrarë nga komunistët me plumb pas koke. Sa dua ta
takoj një ditë vajzën time të vogël e t'i them: "Mos më fal bijë nëse
s'mundesh por më beso se për mua je e do të mbetesh e vetmja dashuri e kësaj
jete të mjerë...". Vangjeli se pa dot kurrë vajzën e tij. Atë e vranë të
lidhur me litar. Dhe s’ishte vetëm. Krah tij ishin dhe Fadil Kokomani me Xhelal
Koprenckën. I vranë sepse ata guxuan të ngrejnë zërin, të thonë fjalën e lirë
dhe të shpallin bujshëm bindjet e tyre. Në errësirë i qëlluan pa ua hequr
litarët. I ekzekutuan ndanë udhe dhe i hodhën diku. Ashtu ikën, në vetmi dhe të
braktisur në fatin e tyre, pa qefin, pa lule dhe fjalë lamtumire. Ende s’është
gjendur vendi ku prehen eshtrat e këtyre martirëve të Burgut të Spaçit. Me
siguri që s’janë tretur. Janë ca plagë që s’shërohen asnjëherë. Vrasësit i kanë
mbyllur kujtimet në kasafortat e krimit dhe jetojnë të qetë e të patrazuar,
sepse mbetën parsëri ata, trashëgimtarë të pushtetit të ri të quajtur
demokratik. Janë ngjethëse ato që mësojmë, ndaj ligështohemi dhe kërkojmë me sy
kryefronin e dashurisë. Atje janë ulur këmbëkryq barbarët, qyshkur. Kjo na bën
të besojmë se shpresa jonë ka mbetur e verbër. Mjerë ne, të mundurit!
Tiranë, Maj 2024.