Kulturë
Albert Zholi: Flet piktori Gëzim Tirana - Piktura nuk vlerësohet nga politika
E merkure, 29.05.2024, 07:55 PM
Flet piktori Gëzim Tirana: Në tregun aktual ku piktura origjinale njihet pak jeton me vështirësi
-
Piktura nuk vlerësohet nga politika e sotme pasi shumë pak politikanë blejnë
piktura .
-
Kryeministri e ka mundësinë të hap ekspozitë jashtë shtetit, por shumica nga ne
jo!
-
Deri dje piktura konsiderohej luks, sot
shihet si domosdoshmëri për zbukurimet e ambienteve familjare.
-
Problemi më i madh i piktorëve sot është sepse , nuk i përshtaten kërkesave të
tregut.
Intervistoi
Albert Z. ZHOLI
Gëzimi është natyrë e qeshur dhe e dashur. Gjithë ditën e shen në atelien
e tij duke punuar. Madje deri në orët e vona të natës. Ka një jetë mes
telajove, bojrave të vajit dhe fotove të mijëra pikturave që i studion.
Pikturën e ka filluar në moshë shumë të vogël. 5-6 vjeç. Në fillim ka
bërë disa piktura me laps dhe pastaj me ngjyra. Pra që para 4 dekadash
organizoi një koleksion pikturash që edhe vetë se besonte që në atë kohë mund
të hapte një ekspozitë. E veçanta është se para 37 vjetësh ka bërë dhe disa
piktura të veçanta me bojëra vaji që sot i ka të gjitha motra e tij e vogël në
një vilë që është tek pazari i ri. Ajo i ruan si pasuri pikturat e tij. Ato
kanë qenë pikturat e para që i ka bërë me shumë pasion dhe shumë dëshirë.
Tashmë në fondin e tij janë mbi 400 piktura ku mbizotëron peisazhi, natyra e
qetë dhe portreti.
-Sot flitet shumë për pikturën. Flitet se piktorët shqiptarë
kanë bërë emër jashtë, por kanë ngelur të varfër brenda. Si është jeta e
vërtetë e piktorëve shqiptarë këtu në Tiranë?
Së pari dua të them se Tirana ka shumë piktorë të talentuar që kanë
bërë emër. Ata janë shumë dhe unë nuk mund të përmend asnjë pasi ndoshta harroj
dhe miqtë më të mirë dhe fillon debate. Shkolla shqiptare e pikturës ka qenë
dhe mbetet e veçantë pasi piktorët tanë kudo që kanë shkuar kanë bërë emër, por
edhe janë pasuruar. Por në Tiranë nuk mund të flitet për pasuri. Piktorët
shqiptarë në Tiranë mundohen të mbijetojnë. Me raste të veçanta shumica e kanë
të vështirë të jetojnë mes të mirave. Kjo së pari pasi Tirana nuk ka treg, apo marketing
për piktorët. Mungon organizimi dhe mënyra e reklamës. Çdo gjë bëhet në mënyrë
individuale. Këtu nuk veprojnë me menaxher, apo me shoqëri reklamuese për të
nxjerrë në dritë punën tonë. Dhe vendet e ekspozitave janë tepër të kufizuara
dhe bëhen me nisma private. Muzeu Kombëtar, apo ambiente të tjera shtetërore
duan një investim, por edhe që nuk reklamohen nga televizionet. Problem
tjetër mbetet se në Tiranë janë shumë të paktë njerëzit që e njohin pikturën
origjinale dhe rëndësinë e saj. Por janë akoma më të pakët ata që e blejnë
pikturën origjinale e para se nuk është kthyer në kulturë dhe e dyta ata që e
njohin mirë nuk kanë mundësi blerjeje. Por problem kryesor është mbytja e
tregut nga piktura falco, të imituara në mënyrë seriale pa dorën reale të piktorit.
Në çdo dyqan me sende të piktorëve apo në sheshe do shohësh këto piktura të
imituara, falso që dominojnë tregun. Por mbi të gjitha piktura nuk vlerësohet
nga politika e sotme. Kryeminsitri e ka mundësinë të hap ekspozitë jashtë
shtetit, por ne jo. Por megjithatë jemi krenar që nga gjiri ynë ka dalë një
kryeministër.
Por ne flasim vazhdimisht bashkë. Vitet e fundit ka një ndryshim.
A mendon se në Shqipëri është kultivuar dashuria për pikturën këtë dekadë?
Po! Me atë që kam parë unë në 10-vjeçarin e fundit unë kam
konstatuar që njerëzit kanë filluar pikturën ta blejnë. Deri dje ajo
konsiderohej luks, sot shihet si domosdoshmëri për zbukurimet e ambienteve
familjare.
Pra duke e parë në këtë këndvshtrim natyrshëm të lind pyetja…Sot,
a mund të jetojë një piktor vetëm me pikturat?
Kjo pyetje është me spec. Ka shumë ngjyra brenda përgjigja e saj.
Siç e rroka më parë piktorë të veçantë edhe mund jetojnë me pikturë, pasi kanë
emër, kanë menaxher, kanë kontakte me botën e pikturës jashtë etj…Po të
punosh me vullnet dhe të bësh pikturë të mirëfilltë mund të jetosh dhe të përballosh jetesën. Por duhet ta njohësh
tregun. Pikturat të jenë shum dimesionale. Ta njohësh mirë
pikturën si vlerë artistike dhe si vlerë materiale. Duhet një gërshetim i të
dyjave.
-Sigurisht ekspozitat janë ato që i japin emër autorit. Ku dhe kur është hapur ekspozita e parë dhe me sa piktura? Çfarë risie sollinë jetën tuaj profesionale?
Sigurisht, pa ekspozita piktori është në terr. Ekspozita e hapur
në Durrës në vitet 2002 në plazhin e Durrësit tek Apollonia. Atje ishin 12 punë
që i kisha bërë së fundmi me disa pamje nga deti dhe nga Vlora, si dhe Gjiri i
Lalzit. Ishin piktura të bukura, por njerëzit nuk kishin filluar akoma ta
kuptonin pikturën time me veçoritë e detit.
Suksesi më i madh ka qenë kur erdhi një
përfaqësi e një studioje të madhe gjermane. Flitet për studion
numër dy në botë për postera nga Frankfurti. Kjo studio bëri përzgjedhje me
piktorët më në zë në Tiranë duke futur këtu Sali Shijakun, Alush Shimën dhe të
tjerë. Ato kaluan rastësisht në dyqanin tim që kam edhe sot dhe panë që
unë përdorja ngjyrën e verdhë, blu dhe të kuqe të papërzier, të plotë, me
ngjyrën reale. Duke kaluar në rrugën që unë kam studion, menaxheri gjerman
ndalon dhe sheh nga jashtë me interes pikturat. Shoqërues i tij ishte një djalë
shqiptar që e dinte gjermanishten shumë mirë. Ai më merr në telefon (pasi nr e
cel e lë në derë të varur) dhe më thotë se ku ndodhem. Shkoj menjëherë dhe ata
thonë se duam disa postera dhe pikturat duam që të na i bësh ti. Do të japim
tre telajo me 60x80 dhe do të na bësh tre piktura. Një lule e bardhë me një
sfond fishnje, një perëendim dielli në Afrikë dhe disa gra afrikane. Ato i shumfishonin edhe me stamp dhe i shesin
në të gjitha supermarketet në botë. Dihet se sot në botë përdorin vetëm postera
dhe jo piktura origjinale sepse edhe kostoja e pikturave origjinale është shumë
e lartë. Unë i mbarova për dy ditë dhe i thashë që të vinin t’i mirrnin. Ata u çuditën nga koha shumë e
shkurtër e që unë i kisha gati. I morën dhe i pëlqyen. U bë përzgjedhja nga komisioni që drejtonte këtë punë dhe më marrin në telefon
dhe më thonë se je i përzgjedhuri jonë dhe do të sjellim të gjitha
materialet që duhen nga firma për bashkpunim (nga Gjermania).
Erdhën materialet të gjitha dhe për një muaj e gjysmë unë kam bërë
50 piktura të cilat dhe i çuan në Gjermani.
-Po jashtë shtetit a ke hapur
ekspozita?
Kam hapur vetëm një ekspozitë në Milano vjet. Në 25 piktura që
çova, 17 i shita. Ishte një ditë e bukur për mua. Ishte ekspozita e parë. Pashë
një interesim dhe vlerësim. Pra fitova një eksperiencë të re.
-U ndalëm te problemet e përgjithshme…Kush është problemi më
i madh i piktorëve sot?
Problemi më i madh i piktorëve sot është se nuk i përshtaten
kërkesave të tregut. P.sh unë kam kapur ndjenjën e tregtarit, kam kapur sensin
e përditdshmërisë, dëshirën e tjetrit se sa dëshirën time
personale. P.sh dëshirë personale kam portretin. Por tregu nuk kërkon vetëm
portrete. Këtu ka qenë edhe kulmi i rezultatit tim, sepse unë i jam futur të gjithë
zhanerave të pikturës. Unë çdo gjëje i jap kujdesin kulturor, artistik,
komercial.
-Kush është teknika juaj e punës?
Teknika ime është teknika e shpatullës. Me bojëra vaji,
“Sharmil” franceze të cilat kanë shkëlqimin e tyre të veçantë dhe nuk e humbasin
bukurinë. Ato (bojrat franceze), sa më shumë rrinë aq më shumë zbukurohen.
Ndërsa bojërat kineze sa më shumë rrinë aq më shumë veniten dhe boja prishet.
Meqenëse Franca ka pasur disa koloni afrikane e merr aty lëndën e parë të kësaj
boje të veçantë. Është një dru i veçantë nga del kjo lëbë e parë
e përpunuar.
-A je penduar që ke lënë biznesin dhe i je futur pikturës?
Jo. Në këtë moshë që jam sot jo. Fëmijët janë të rritur dhe
kanë zgjedhur profesionet e tyre. Kam dashur të bëhej dikush piktor, por... Jam
i lumtur që merem vetëm me pikturën. Tek piktura gjej veten, gëzimin,
qetësinë shpirtërore, sigurinë e jetës, por edhe kënaqësinë që u fal të
tjerëve.