Kulturë
Mihal Gjergji: Për Balilin s'ka kush të shkruaj
E shtune, 25.05.2024, 07:56 PM
PËR BALILIN S’KA KUSH TË SHKRUAJ
Nga
Mihal Gjergji
Prej
kohësh kam dashur të shkruaj për një figurë të ndritur të Kurveleshit, për
Balilin e Inxhisë, djalë nga Nivica dhe nip në Bolenë. Jam kthyer në motet e
largëta, rreth dy shekuj më parë, dhe kërkoj të mbledh kallëza në një tokë të
pluguar prej disa brezash, me shpresën se diçka do të gjej, me besimin se kanë
mbetur gjurmë gjaku dhe eshtrash nga luftëtari emërshquar. Edhe gjurmë këngësh,
të cilat s’vdesin, asnjëherë. Mësoj të vërteta të panjohura për fisin Meço ku
lindi dhe u rrit nëna e trimit. Bëhem kurreshtar dhe pyes; përse ka shkuar
Inxhia deri në Janinë, te sarajet e Ali pashë Tepelenës dhe çfarë ka biseduar
me vezirin? Bele Nesha, bija e Demo Eminit, teksa qëndronte mbi kaptellin e
djepit dhe u këndonte ninulla nipërve dhe mbesave, mbillte ndërkohë edhe farën
e zgjedhur të cilën e kërkojmë me kaq ngulm në ditët tona. Janë gojëdhëna të
trashëguara në fisin ku ishte martuar. Dhe kujtimet e Beles janë ruajtur me
fanatizëm deri te mbesa e saj, Gjenovefa. Në moshën e fëmijërisë, në rrethana
ende të pazbardhura, Ali Pashën e përzënë nga Smokthina ku ishte strehuar dhe
kërkon mbrojtje në Bolenë. Dhe u strehua në Leskodukaj, u rrit bashkë me
Inxhinë, të cilën e konsideronte si motër. Shumë vite më vonë, burrat e mënçur
dhe trima të Bolenës dhe Kurveleshit e dërgojnë në Janinë. Inxhia bujti te
sarajet e Aliut, i cili e priti dhe e nderoi siç e meritonte. Dhe i kërkoi
Aliut të hiqte dorë nga lufta kundër Kurveleshit dhe Himarës. -As kapedanët
s’kanë guxuar të më flasin kështu, i tha Aliu, por unë të kam motër, ndaj të
dëgjoj. -Dhe mos harro, i tha Inxhia, Balil Nesha që lufton kundër turqve eshte
djali im. -Edhe unë i luftoj turqit si Balili, vijoi bisedën Aliu…Nuk dimë
ç’kanë biseduar tjetër, sepse jemi në kushtet e burimeve të kursyera dhe më
shumë hamendësojmë për probleme familjare apo fisnore të Inxhisë. Nuk dimë
gjithashtu edhe për fatin e djalit tjetër të saj, Miftarit, po aq trim sa i
vëllai, Balili. Hapa fjalorin e gjuhës shqipe dhe shikoj përqasjen e fjalës
“neshter” asaj thikës së mprehtë që depërton deri në kockë, pastaj pyes; cila
është lidhja me mbiemrin e Balilit? Edhe për nënën e tij me emër drite; Inxhi,
që do të thotë margaritar. Populli s’gabon asnjëherë, sipas shtatit të pret
kostumin. Me siguri që keni dëgjuar për luftën e Peshkëpisë në vitet 30 të
shekullit XIX. Emin Pasha, valiu i Janinës, nisi trupat në drejtim të
Gjirokastres. E ndërkohë, luftëtarët e Labërisë u nisën në drejtim të Janinës.
U përplasën me forcat turke në afërsi të fshatrave Kakavije, Peshkëpi,
Kserovalt dhe Guver. Shumica e kryengritësve u vendos në qafën e Peshkëpisë nën
udhëheqjen e Balil Neshës. “Kuç, Kallarat e Bolenë/ gjithë me Balilë u ngrenë/
në lumë e zunë dyfenë/ mandata derë më derë” Pikërisht te hani i Kserovaltës,
Balili goditet nga një gjyle topi. “Topçinjtë me top ta dhanë/ flaka të mori
fustanë”. Betejat në të cilat ka marrë pjesë Balili janë të shumta, unë
përmenda vetëm njërën prej tyre. Kur ndodh të shkoj në vendlindje, ndaloj dhe
te varri i gjyshes time nga nëna, Trëndafiles. Ishte bijë nga Nivica. I vendos
një lule dhe qendroj disa çaste te pllaka e varrit. Më bëhet se dëgjoj zërin e
saj ngarkuar dhimbje e brengë: -Për Balilin s’ka kush të shkruaj…Vërtet, s’ka
kush të shkruaj. E kishte dajo Balilin e Inxhisë. Ishte e bukur Trëndafilja, si
dielli, por ja shkurtuan jetën, i burgosën djalin. S’e përballoi dot dramën, ju
dorëzua vdekjes në mesin e jetës. Ajo luftë e pakuptimtë vazhdon ende, por në
trajta të tjera. Asnjëherë s’kanë munguar kryezbrazurit e keqarsimuar që kanë
vetëm vithje kali e s’ngurojnë të ngrejnë duart e fëlliqura për të hedhur baltë
mbi këto figura madhore. Punë e madhe. Jam i bindur që edhe te balta e hedhur
prej tyre do të çelin lule. Më vjen keq për mjerimin e tyre kulturor, edhe për
gjuhën tonë të bukur që ata e lëndojnë, sepse s’dinë si shkruhet e si këndohet
muzika e saj. Ata ulen të paftuar në sofrën që s’i përket sërës së tyre. Sikur
të mungonin antishqiptarët, me siguri do kishim mbritur larg, por ja që s’ka
ndodhur kështu, asnjëherë. Ndoshta s’më besoni, por Nivicës së Kurveleshit i mungon
shtatorja në kujtim e nderim të Balil Neshës, ndërsa Hodo Aliut i mungon krahu
i djathtë.
Tiranë, Maj 2024.