Kulturë
Albert Zholi: 18 Maj Dita Ndërkombëtare e Muzeut, ndërsa “Muzeu Kombëtar” mbyllet
E marte, 21.05.2024, 07:53 PM
18 Maj Dita Ndërkombëtare e Muzeut, ndërsa “Muzeu Kombëtar” mbyllet
Muzetë shërbejnë për qëllime arsimimi, edukimi, studimi dhe
kënaqësie
Nga Albert Z. ZHOLI
Teksa turet kulturore ziejnë në
kryeqytet dhe pritet që intensiteti i tyre të rritet në këto muaj dyert e
Muzeut Historik Kombëtar do të mbyllen dhe jo për pak, por për plot 4 vite. Në
një njoftim të shkurtër pa dhënë kurrfarë detaji, ky institucion njoftoi palët
e interesit se nuk do të mund ta vizitojnë deri më 15 mars 2028. “Të nderuar
drejtues të agjencive turistike, drejtues të tureve kulturore dhe palë të tjera
të interesuara, ju bëjmë me dije se: Në kuadër të zbatimit të projektit
“Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar,
Tiranë”, Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i mbyllur për vizitorët për
periudhën 15 Mars 2024 deri më datë 15 Mars 2028” thuhet në njoftimin e Muzeut
Historik Kombëtar.
Dita Ndërkombëtare e
Muzeut
Dita Ndërkombëtare e
Muzeut është një ditë që mbahet çdo vit rreth datës 18 maj, e koordinuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeumeve. Dita ndërkombëtare
nxjerr në pah një temë specifike, e cila ndryshon çdo vit për të pasqyruar
bazën e preokupimeve të komunitetit ndërkombëtar të muzeumeve. Kjo ditë siguron
mundësinë që profesionistët e muzeve të takojnë publikun dhe t’i informojnë ata
për sfidat me të cilat përballen muzetë. Në të vërtetë, duke ndjekur
përkufizimin e muzeve të ofruar nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeumeve, një muze
është përkufizuar si një institucion jofitimprurës, i përhershëm në
shërbim të shoqërisë dhe zhvillimit të saj, i hapur për publikun, i cili
përvetëson, konservon, hulumton, komunikon dhe ekspozon trashëgiminë e prekshme
dhe të paprekshme të njerëzimit dhe mjedisit të tij për qëllime arsimimi,
edukimi, studimi dhe kënaqësie. Dita Ndërkombëtare e Muzeut shërben si
platformë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut mbi rolin që luajnë muzetë
në zhvillimin e shoqërisë aktuale, në një nivel ndërkombëtar. Çdo vit, të
gjithë muzetë në botë ftohen të marrin pjesë në organizimet e Ditës
Ndërkombëtare të Muzeut për të promovuar rolin e muzeve në të gjithë botën,
duke krijuar aktivitete unike, të këndshme dhe falas rreth një teme të diskutuar
në komunitetin ndërkombëtar për këtë ditë të veçantë. Godinat e muzeve, të
cilat shpalosin trashëgiminë tonë historike e kulturore janë ndërtesa me
karakter përfaqësues dhe shumë të ve?antë. Ato ekspozojnë dhe
njëkohësisht shërbejnë si një mbështjellje mbrojtëse ndaj kushteve të jashtme
klimatike të objekteve të rëndësishme dhe në disa raste unike të trashëgimisë
tonë. Shpesh ato konsiderohen si objekti më i rëndësishëm i koleksionit, pasi
edhe ato janë objekt i trashëgimisë kulturore dhe mund të jenë po aq të rëndësishme
(ose ndoshta më shumë) sa edhe vetë koleksioni që ato mbajnë. Godinat e muzeve
janë godina komplekse ku ndërthuren funksione të ndryshme dhe shpesh jo
plotësuese me njëra-tjetrën. Përveç vlerave arkitektonike që duhet të
përfaqësojë, godina duhet të plotësojë kërkesat e vizitorëve, të objekteve
historike e kulturore të ekspozuara apo të ruajtura dhe të personelit shkencor
e administrativ të muzeut. Plotësimi i parametrave optimale për të gjitha
grupet e mësipërme përbën sot sfidën kryesore të projektimit të godinave
muzeale. Dhe kjo sfidë ka të bëjë kryesisht me parametrat klimatike të
brendshëm, që realizon ndërtesa e muzeut. Këto parametra janë jetësore për
qëniet njerëzore po aq sa edhe për objektet e trashëgimisë historike e
kulturore, jetëgjatësia, e të cilave varet pikërisht nga këto.
Disa nga muzetë në
Shqipëri:
Muzeu Historik Kombëtar,
Tiranë
· Muzeu
Historik u përurua më 28 tetor 1981. Zë një sipërfaqe të përgjithshme prej
27.000 m2 dhe ka një sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2. Ndërtesa e muzeut
dallohet për një vëllim kompakt mbi një plan kuadratik të kompozuar në mënyrë
qendrore simetrike kundrejt një oborri. Muzeu Historik Kombëtar përcjell një
shije hermetizmi e monumentaliteti tendencioz, që ishte në harmoni me shijen
estetike dhe klimën e përgjithshme të regjimit të Hoxhës. Në mjediset e tij
janë të ekspozuara 6200 objekte muzeore, të cilat i përkasin një periudhe
relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe
deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.
· Muzeu
Arkeologjik, Durrës
· Muzeu
Arkeologjik është përuruar më 13 prill 2002. mbi bazën e materialeve të Muzeut
të parë arkeologjik, i hapur më 13 mars 1951. Ekspozita është organizuar në tre
pavione sipas periudhave historike. Salla e parë fillon me vitrinën e gjetjeve
prehistorike në qytet e rreth. Në rend kronologjik ndiqet pa ndërprerje
historia e qytetit në periudhën arkaike, klasike dhe qytetare ilire deri në
shek. I e.re. Në vazhdim shpaloset
zhvillimi topografik, ekonomik, politik e kulturor i Dyrrachiumit romak.
· Muzeu
i Pavarësisë, Vlorë
· Është
krijuar në vitin 1936 dhe është muzeu i parë shqiptar. Prej krijimit e deri në
ditët tona, është rritur, plotësuar e konsoliduar si një nga objektet më të
rëndësishme muzeale jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me rastin
e 50 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, u shpall Muze Kombëtar.
Vetë godina dhe gjithçka ndodhet e ekspozuar në të, përfaqësojnë një nga
momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Në këtë godinë, janë
hedhur themelet e shtetit shqiptar. Për 6 muaj, aty u vendos dhe funksionoi
Qeveria e Ismail Qemalit, që u krijua pas shpalljes së Pavarësisë. Muzeu i
Pavarësisë Kombëtare, konsiderohet si një objekt muzeal i pëlqyeshëm. Ai
përbëhet nga 2 dhoma dhe 2 korridore.
· Muzeu
“Gjergj Kastrioti”, Krujë
· Përurimi
i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982. Muzeu u ndërtua në Kalanë e Krujës, si
kryeqendra e shtetit të Arbërit dhe personifikimi i disfatës së ushtrive
osmane, për tri herë rresht, në shek. XV. Ky muze ka edhe karakterin e një
memoriali, që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është
shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas
ngjarjeve. Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe
bibliografi origjinale dhe riprodhime autentike, që flasin qartë për historinë
e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë.
· Muzeu
Etnografik, Krujë
· Një
ndër muzetë e veçantë në Shqipëri është pikërisht Muzeu Kombëtar Etnografik në
qytetin e Krujës. Ky muze e ka zanafillën e krijimit të tij që 20 nëntor të
vitit 1989 dhe ndodhet në një objekt të ndërtuar në vitin e largët 1764 që
është ish-shtëpia e Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak”. Ky
objekt është klasifikuar si objekt i Trashëgimisë Kulturore dhe monument
kulture i kategorisë së I. Objektet e ekspozuara në këtë muze pasqyrojnë më së
miri mentalitetin dhe shpirtin luftarak dhe krijues të popullit tonë ndër shekuj
në fushën e artizanatit, bujqësisë, blegtorisë etj.
· Muzeu
Etnografik, Berat
· Në
vazhdim të vizitës, përgjatë rrugës, që zbret nga kalaja, në pjesën e poshtme
të qytetit, mund të ndodhet Muzeu Etnografik i qytetit të Beratit. Banesa e
Llavdës ndodhet në zonën tampon, gjatë rrugës kryesore për në kala. Pas
restaurimit të ndërtesës, në vitin 1979, në ambientet e saj u vendos Muzeu
Etnografik i Beratit.
· Muzeu
Ikonografik “Onufri”, Berat
· Koleksioni
i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe
manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup
objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të
shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga
piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti,
David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemër
Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga
shumë piktorë të tjerë anonimë. Muzeu i Artit Mesjetar, Korçë.
· Muzeu
Kombëtar i Artit Mesjetar hap dyert për vizitorët. Me një fond prej 8000
ikonash dhe objektesh të karakterit religjioz, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar
është vendosur në ndërtesën e re ku dhjetëra vepra janë ekspozuar në sallat e
kësaj qendre muzeore, ndër më të rëndësishmet në Shqipëri. Muzeu Kombëtar i
Artit Mesjetar falë ndërtimit bashkëkohor është një ndër destinacionet më të
rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. I pozicionuar përgjatë Bulevardit
“Fan Noli” në Korçë, ky muze është jo vetëm një ekspozitë vizive vlerash por
edhe një institucion unikal në rajon.
Muzeu Arkeologjik, Korçë
· Muzeu
Arkeologjik i Korçës u krijua në vitin 1985 dhe mori formë më të gjerë e më të
plotë pas organizimit të vitit 1990. Ky muze është vendosur në dy banesa
karakteristike korçare të fillim shekullit XIX (19-të), të cilat për vlerat
arkitektonike të tyre janë shpallur monumente kulture. Muzeu Arkeologjik është
i veçantë në llojin e vetë. Ai është përqendruar në prehistorinë e zonës
juglindore, e fillon nga periudha neolitike dhe deri në fazën e zhvilluar të
epokës së hekurit.
Muzeu i Arsimit, Korçë
· Muzeu
Kombëtar i Arsimit në Korçë ndodhet në ndërtesën e shkollës së parë shqipe, e
hapur më 7 mars 1887. Në ambientet e muzeut janë të ekspozuara historia e
shkrimit shqip dhe botime të shqipes.
·
· Muzeu
Kombëtar i Fotografisë “Marubi”
· Arti
i fotografimit në vendin tonë zë fill në Shkodër në vitet ’50 të shekullit XIX
dhe lidhet me emrin e Pietro Marubit (1834 – 1903), me origjinë nga Piacenca
(Itali), i ardhur si azilant politik në Shkodër, ku u vendos përgjithmonë, duke
themeluar studion fotografike “Marubi”, në qendër të qytetit, e para e këtij
lloji në Shqipëri. Në vitin 1970, fondi i fototekës “Marubi”, fryt i një pune
të pandërprerë njëqind e sa vjeçare, ku shkrihen së bashku arti dhe memoria e
Shkodrës dhe e kombit tonë, e cila përmban rreth 200 000 negativë në pllaka
xhami e në celuloid i kaloi shtetit shqiptar.
· Muzeu
Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”
· Ndërtesa
e njohur si ‘Shtëpia me gjethe’ (e quajtur kështu për shkak të bimës
kacavjerrëse, që mbulonte fasadën e saj, është kthyer tashmë në Muzeun Kombëtar
të Përgjimeve. I hapur më 23 Maj 2017, ai është muzeu më i ri në Shqipëri dhe
një nga më të veçantët, që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga
periudhat më të errëta të historisë së vendit. Pozicionuar në qendër të
Tiranës, përballë Kishës Ortodokse: “Ringjallja e Krishtit” dhe pranë Bankës
Kombëtare, ndërtesa që strehoi për pak kohë Gestapon gjatë pushtimit të vendit
në Luftën e Dytë Botërore, ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit
Sekret nga viti 1944 – 1991.