Kulturë
Ilir Muharremi: Arti i fuqishëm i Gjelosh Gjokaj
E premte, 17.05.2024, 07:55 PM
Arti i fuqishëm i Gjelosh Gjokaj
Vështrim
për ekspoziten e artistit Gjelosh Gjokaj e hapur dje në hapësirën e Galerisë
Kombëtare të Kosovës
Nga
Ilir Muharremi, kritik i artit
Arti
prekë majat e thjeshtësisë, të pahulumtueshmes, të ndjenjave që pushojnë brenda
vetes, lartësisë, të veçantës, dehjes Dionisiane. Të vendosë përballë pasqyrës
të kuptuarit thellësinë e pa kënduar. Artisti me veten duke e ndarë veten si
objekt e artin si subjekt. Subjektet i ngritë mbi metamorfozën e simbolikës
brenda në rrënjët e artit. “Kënga për Kadinjacen”, një vepër 1.8 metra e gjatë
e artistit Gjelosh Gjokaj, më duket si Guernika e Pikasosë, kjo vepër u përfundua
në vitin 1981. Ka një hapësirë epike të ndërthurur me simbolikë, drejt
shtigjeve filozofike sepse vet filozofia u jep peshë arteve dhe figurave. A
është e koduar vepra? Çdo detaj i saj fshihet pas një kronologjie lufte,
terrori. Aty nuk ka shumë ngjyra mund t’i vëresh tri, katër ose pesë,
madhështia e mjeshtrirsë së artistit Gjokaj është pikërisht te subjekti, forma,
kompozicioni, psikologjia e kokave të rreshtuara në një vertikale, duke filluar
nga pema, pastaj poshtë saj koka me helmeta, janë ushtarë të shpërqëndruar,
gojë të hapur, mimika agresive. Helmeta të shtrira nëpër tokë dhe një korb
shihet teksa është përkulur mbi një helmetë ndoshta për të pirë ujë. Pastaj
portrete njerzish duken si figura të përsëritura, grimasa të heshtura dhe prapa
syve mund të vëresh ca njolla dhembshurie ose një fazë të stërlodhur e të
kaluar në konsumim. Fytyrat e tyre janë më ngjyrë hiri, ngjyrë tymi nga oxhaku,
ca me të kuqe të lehtë, simbol i gjakut, poashtu edhe fletat janë të verdha, të
kuqe, të jeshile dhe hiri. Janë gjethe që nuk i krijon natyra në asnjë situatë
e as raport jetësor real, por kombinim i shpitërores, përtejmes metafizike,
ngjashmëritë me atë se çka nisë në maje të pikturës e deri ku vazhdon ky vargan
portretesh anfaz. Në prapavijë të pikturës është ngjyra blu, si simbol i
lumenjëve aty ndonëse ku piktori edhe ka kaluar një jetë. Herë duken si
portrete monumentale antike, e herë si figura ilire. Mund t’i shkoqitesh nga
telajo e t’i ekspozosh si skulptura në hapësirë. Kjo pikturë rri e vendosur në
një pozicion të prirtë me që krijohet një lojë dhe ndjenjë gjatë vështrimit
optik. Kjo vepër sikur prek fëmijërinë e artistit, skena duket reale, por edhe
ireale. Ata ushtar sipër sikur burojnë nga imazhi dhe neuronet e artistit.
Pikturat
dhe grafikat e artistit Gjokaj nuk kanë kolorit të tepruar, ato sikur
reduktohen nga ky kolorit. Në të gjitha
pikturat dhe grafikat vëren tre deri në katër ngjyra të cilat estetikisht duken
bukur, plot shpirt, të magjepsin, krijojnë atë zbrazëtinë e një shpirti të
tejmbushur. Nga soditja disa minutëshe përballë këtij arti, vet mund të sajosh
ngjyrë, mund të vëresh hije dhe dritë, pastaj figurat lëvizin, të shikojnë
sikur duan të të pëshpëritin diçka, ose kërkojnë të ju bashkohesh gjallërisë,
monotonisë, dhimbjes, vuajtjes, metafizikës, fantastikës, përtej formave çudake
reale, një misteri që absurdi i Albert Camus-it mund ta analizoj.
Vet
kokat e tyre, kontaktet me botën, bimësinë, universin, tregojnë shkencë mendore
artistike. Bluja dhe ajo hiri të dy këto ngjyra dominojnë në veprat etij. Bluja
ngjyrë e lumit, kurse hiri ngjanë me tymin. Sikur artisti i ka përjetuar dhe ka
krijuar një hipotezë kohore për këto. Kjo lumnajë të nxitë të rrëshqasësh pa
dorëza brenda një uni të pastër. “Sofra” e vitit 1978, pjesë e koleksionit të GKK-së.
Disa prej pikturave të ekspozuara janë:
“Djali me qengj” në vitin 1983, “Klithja e Van Gokut” në vitin 1989,
“Toleranca” në vitin 1989, “Kompozim” në vitin 1992, “Koka” dhe “Adami”...
Te
grafikat kemi një ndjenjë të kulluar nuancash dhe suptilitet vijash që renditen
në një kompozcioin estetik dhe sendërtim teknik të veprave. Poashtu portretet
njerëzore zënë pozicione nëpër këto hapësira. Janë të ngarkuara në aspektin
psikologjik duke e prekë në thellësi temën, dhe duke analizuar se çfarë ndodh
brenda saj. Shihet dukshëm pasoja nga përvoja e luftës që ka kaluar artisti.
Pasi
shkon në Itali më 1968, artisti në artin e tij hap shtigje të reja ideoestike
dhe filizofike, pra krijion një pikëpamje më ndryshe për të menduarti dhe
vepruarit për jetën. Pasi veprat e tij u
krijuan në Itali vërehet një ndkim dhe ngjashmëri me realen e Guerreschit,
Cremonit e Mulas si dhe me metafizikën e Carlo Carës dhe Giorgia De Chiricos.
Arti i tij prapë veshet me një petk individual duke krijuar kombinatorikë
specifike të këtyre elementeve dhe materialeve. Arti i tij ndryshon me veçimin
e burimorës si shkak dhe pasojë e të jetuarit në Ballkan, dhe nuk thuhet kot se
artisti varet dhe kufizohet nga vendi se ku jeton. Nëse i analizojmë më në
thellësi portretet në formë maskash, prekën nga surrealizmi-metafizik, dhe ato
janë krijuar me mjeshtri dhe origjinalitet dhe njeriu këtu na duket dukshëm i
robotizuar sikur artisti pozicionohet në vendin e parashikuesit. Misioni i
artit ka këtë qëllim, qëllimin profetik ndaj njeriut, urbanizmit dhe bimësisë.
Potretet duken si mitologjike, por ndërmjet realës, imagjinarës, kokave
metalike e njeriut në hapësira metafizike.
Ekspozita
titullohet ”Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj” me kurator Shkëlzen Maliqin.
Në ekspozitë ngërthejnë 50 vjet veprimtari. E organizuar për nderim të
90-vjetorit të lindjes së mjeshtrit Gjokaj,
e njëjta ekspozitë ishte edhe një e tillë në Tiranë, në prill të vitit
të kaluar.
Gjelosh
Gjokaj u lind më 25 korrik 1933 në fshatin Milesh afër Tuzit, zona e Malësisë
së Madhe në Mal të Zi. Rrjedh nga një familje e njohur shqiptare. Pikturën e
mëson te profesorët Stojan Çeliq, Lubica Sokiq, Zoran Petroviq, Miladen
Srinoviq më 1963. Punon si profesor më 1964/1969 në Shkollën e Lartë
Pedagogjike në Prishtinë. Magjistron në
vitin 1966 në Akademinë e Arteve Pamore (ALU) në Beograd, kursi special për
grafikë.
Ka
vdekur në vitin 2016.