Kulturë
Jahja Drançolli: Si sot, në vitin 330, Kostandini I, perandor i origjinës dhe gjakut dardan, përkushtoi Byzantium-in
E shtune, 11.05.2024, 07:53 PM
Jahja
Drançolli:
Si
sot, në vitin 330, Kostandini I (c. 306-337), perandor i origjinës dhe gjakut
dardan, përkushtoi Byzantium-in (Kostandinopojën, Stambollin e sotëm) si
kryeqytetin e ri të Perandorisë Romake Lindore, një akt që ndihmoi në
shndërrimin e tij në një qytet kryesor të botës. Perandoria Bizantine, e
quajtur shpesh Perandoria Romake Lindore ose thjesht Bizanti, ekzistonte nga
viti 330 deri në 1453. Perandoria në fjalë ndryshonte në përmasa gjatë
shekujve, në një kohë ose një tjetër, zotëron territore në Itali, Ballkan,
Levant, Azinë e Vogël dhe Afrikën e Veriut!
Kostandini
tërhoqi vëmendjen për faktin se qyteti i ri, shumë kohë më parë, ishte
kryeqyteti i dardanëve dhe se tani e tutje kjo ndërmarrje kolosale ndërtimore e
tij, dukej se realizoi të gjitha aspiratat e të parëve të tij të largët:
vendlindjen e tij e ngriti në masën më të madhe të mundshme, duke reziduar në
Romën e Re – Kostandinopojën (Stambolli sotëm), i cili u ndërtua në dalje të
Dardaneleve, në zonën e sunduar dikur nga paraardhësi i tij i largët Dardani
(Dardanus)!
Kostandinopoja,
e ndërtuar në kufirin e dy kontinenteve, ajo kishte një pozitë të
jashtëzakonshme strategjike, dhe gjatë gjithë shekujve të ekzistimit të saj
(deri në ditët e sotme), është shquar për njërën ndër qendrat më të mëdha në botë.
Nga shek. VI, numri i banorëve të qytetit është rritur në më shumë se gjysmë
milioni. Perandori bizantin, Justiniani I (527-565), perandor bizantin,
gjithashtu i origjinës dardane, pas zjarrit të madh që kishte kapluar
kryeqytetin më 532, ngriti shumë objekte, ndër të cilat dhe objektin e madh të
kultit, Shën Sofia. Përveç këtij monumenti të famshëm, është ndërtuar dhe
gjykata perandorake, hipodromi si dhe shumë objekte të tjera më të spikatura të
qytetit mesjetar.
Duke
u ngjitur në shekuj të mesjetës, Kostandinopoja (Stambolli sotëm), u bëri ball
sulmeve të shumta sllave, avare, persiane, arabe, bullgare, peçenege selxhuke,
osmane, venedikase e ndonjë populli tjetër.
Pas
një dobësim të gjatë të Perandorisë Bizantine, Kostandinopoja do të bie (më
29/V/1453) nën osmanët, të cilët do ta shpallin për kryeqytet të Perandorisë
Osmane deri në vitin 1923, kur selia e Turqisë Moderne do të bartët në Ankara;
emri Konstantinopol (në gjuhën osmane, Konstantiniye) është përdorur në
përdorim zyrtar deri në vitin 1930!