Kulturë
Jahja Drançolli: Busti i Kastriotit në Bruksel, Kryeqytet i Europës së Bashkuar
E hene, 06.05.2024, 07:54 PM
BUSTI
I GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT NË BRUXELLES, KRYEQYTET I EUROPËS SË BASHKUAR!
Nga
Jahja Drançolli
Sot
festojmë 619-vjetorin e lindjes së Gjergj Kastrioti-Skënderbeut. Do të festojmë
shumë e shumë përvjetorë të tjerë të lumtur që lidhen me vizionin europian të
Heroit tonë. Në këtë kontekst, ngritja e monumenteve dhe shesheve në qendrat më
të njohura të Europës kushtuar Skënderbeut u tregon miqve tanë për qenien tonë
si komb dhe fisnikërinë e vlerave tona. Këto vepra janë një mrekulli që
vërteton ekzistencën e bërthamës sonë etnike dhe përjetëson qenien tonë
europiane, të cilën as seria më dërrmuese e ekstremeve historike nuk mund ta
mposhtnin, pasi ne, si një nga popujt më të lashtë të kontinentit, e ndjejmë në
vetvete shpërthime të gjalla të vitalitetit që befason edhe armiqtë tanë më të
zjarrtë. Në këtë kuadër po japim mesazhin e një studiuesi të madh botëror: “Do
të ishte jo vetëm mëkat, por çështje e pamundshme po të mendonte kush ta
zvogëlonte personalitetin e Skënderbeut [...]. Skënderbeun e ka gjithë Europa,
e ka bota të vetin, e nëpër të, e vetëm nëpër shpirt të tij, ia njeh vlerën e
meritat e hershme edhe të Shqipërisë.” Ky mesazh do të ishte një përgjigje e
mirë për të gjithë ata që mohojnë personalitetin e Gjergj
Kastrioti-Skenderbeut!