Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Vullkani Donika Dabishevci
E diele, 05.05.2024, 07:53 PM
V U L L K A N I D O N I K A D A B I S H E V C I
një
Safo moderne, kurajo e së cilës “tremb” shumë burra!
Nga Timo
Mërkuri
Poezia
"Vullkan" e Donika Dabishevcit shfaq një ndjenjë në dukje thellësisht
personale dhe me intensitet emocional që “imponon” një lexim të vëmendshëm,
pavarësisht buzëqeshjes që të çel qysh
në vargun e parë. Realisht ndjenjat që shpallen në poezi, pavarësisht formës
personale të shprehjes janë ndjenja universale që mund të përjetohen nga gjithë
të rinjtë e dashuruar në mënyra të ngjashme, por të shprehura për herë të parë
në formë, intensitet poetik dhe forcë dialektikore në poezinë “Vullkan” na bën
ta cilësojmë këtë poezi “Vullkani Donika Dabishevci”.
I-Ndjenjat e shprehura në
poezi, si pasioni, intensiteti dhe përkushtimi, janë ndjenja të ngjashme te
shumë të rinj kur përjetojnë fazat fillestare të dashurisë dhe të lidhjeve
romantike. Këto përjetime dhe sidomos kontakti i parë fizik mes të rinjve
shpesh paraqitet me një ngjallje ndjenjash të forta dhe një dëshirë të madhe
për ti shprehur emocionet. Është fakt se të rinjtë në këto çaste përjetojnë
eksperiencë që hamendësohet si e
porsazbuluar prej tyre dhe vetëm më vonë ata kuptojnë se ajo është eksperiencë
universale e njerëzimit.
Poezia
në pamje të parë paraqet një kërkesë për aventurë dhe përjetim (N’fushë betejë
shtratin kam me e kthy), një dëshirë për të shfrytëzuar momentet e reja dhe për
të përjetuar emocione trallisëse. Realisht kjo është ndjenja që shumë të rinj
përjetojnë, duke kërkuar eksperienca të reja për të shprehur veten në mënyra të
ndryshme.
Kjo
është arsyeja pse mgjse ndjenjat janë të shprehura në mënyrë personale në
poezi, shumë të rinj mund të ndjehen të identifikuar me ato dhe të gjejnë
elemente të përbashkëta në përjetimin. Identifikimi me emocionet dhe ndjenjat e
shprehura në poezi mund të ndihmojë të rinjtë të ndjehen të afërt dhe të lidhur
me përjetimet e autores.
Për
këto arsye, ndjenjat dhe emocionet e shprehura në poezinë "Vullkan"
mund të shprehen ne formën e ndjenjave personale nga autorja, por ato
reflektojnë përjetimet dhe ndjenjat e përbashkëta që shumë të rinj përjetojnë
gjatë fazës së rinisë dhe të eksplorimit në dashuri. Poezitë që shprehin në
këtë formë ndjenjat shpesh bëhen të
njohura dhe të dashura nga një publik i gjerë për shkak të lidhjes universale
që ata mund të krijojnë.
II- Thamë se ndjenjat e
shprehura në këtë poezi nga autorja janë në formën e ndjenjave personale, por ndërkohë analiza e
tyre shfaqur nga një femër në një poezi të tillë pasionante mund të
interpretohet në kontekstin e civilizimit shoqëror të poetes. Në disa raste,
një poete mund të shfaqë në poezi dëshirën dhe pasionin nga perspektiva
personale, por kjo nuk e zbeh ndikimin e kontekstit shoqëror dhe kulturor në
krijimin e tyre artistik. Le të shohim disa aspekte të mundshme të kësaj
analize:
Në
shoqërinë tonë, disa norma sociale dhe kulturore mund të kenë ndikim në mënyrën
sesi një femër shpreh dëshirën dhe pasionin në poezi. Edhe në kohërat moderne,
disa shoqëri ende mund të kenë prirje për të cilësuar dëshirën e shprehur nga
femrat si më të pazakontë, duke i detyruar ato të shprehin dëshirat të tyre në
një mënyrë të përgjithëshme, larg formës personale, pavarësisht tiparit
universal të tyre dhe poezisë.
Megjithatë,
ka pasur një revolucion të ndjeshëm në interpretimin e rolit të gjinisë në art
dhe letërsi, duke lejuar dhe inkurajuar femrat të shprehin dëshirat dhe
pasionet në mënyra të lira. Kjo liri e shprehjes ka rezultuar në krijimtari më
autentike dhe e pasur në artin dhe letërsinë e autoreve femra.
Poetet
shpesh shprehin ndjenjat dhe dëshirat e tyre nëpërmjet vargjeve të tyre, duke u
shprehur si individë dhe artiste, që kanë të drejtën për të shprehur veten në
mënyra të ndryshme. Përdorimi i dëshirës në poezi mund të jetë një mënyrë për
ta shfaqur identitetin e tyre artistik dhe individual, duke mos u kufizuar nga
normat shoqërore.
Për
këto arsye edhe nëse një poete shfaq ndjenjat dhe pasionet e saj në poezi, kjo
mund të interpretohet si një shprehje e lirisë së tyre kreative dhe
individuale, në një kontekst ku normat shoqërore dhe kulturore mund të kenë ndikim
në mënyrën sesi ato shprehin veten. Kjo lloj lirie shpesh reflekton një
civilizim shoqëror që vlerëson dhe promovon shprehjen e lirë artistike,
pavarësisht gjinisë së artistit. Donika Dabishevci është një poete që ka
kulturën e lirisë dhe të poezisë në kuota të epërme, por ajo që ka më shumë
rëndësi është se ka kurajën qytetare të të shprehurit lirshëm dhe talentin për
tu shprehur me art. Në poezinë shqipe ajo është një Safo moderne, kuraja e së
cilës “tremb” shumë burra.
III-Dabishevci përdor imazhe
të fuqishme për të paraqitur një gjendje shpirtërore të zjarrtë dhe
konfliktuale, ku në analizë të disa aspekteve ideore të poezisë shprehemi se:
Titulli
dhe imazhi i vullkanit përdoren si metafora për të paraqitur një trazim
shpirtëror dhe emocionalisht të tensionuar (ndezur). Vullkani veçse është një
imazh i shprehur metaforikisht, ai është dhe simbol i fuqisë dhe energjisë së
brendshme, të fshehur, që mund të shpërthejë në çast.
Poezia
paraqet një ndarje të thellë midis së brendshmes (që përfaqësohet nga
"unë") dhe të jashtmes (që përfaqësohet nga "ti" dhe
"qenia jote"), një ndarje e thellë e cila bën që subjekti të ndiejë
vetmi dhe trazimin emocional. Në këtë poezi, ndjenja e vetmisë dhe ndjenja e
izolimit janë të dukshme. Heroina kërkon një lidhje të thellë dhe reciproke
("ti ke me qenë unë"), ndërsa mungesa e pasjes së kësaj lidhjeje
bëjnë që ajo të ndjehet si një "kulçedër zjarr" që ka nevojë për të
shpërthyer.
Në
përfundim të poezisë, heroina shpreh dëshirën për tu ndriçuar brenda vetes (unë
kam me shndritë veç me ty brenda), një shndrrim që ndodh vetëm në praninë e të
dashurit ("veç me ty brenda"). Ky element sugjeron se lidhja e
vërtetë është e nevojshme të shpëtojë nga tronditja dhe izolimi emocional, që
rëndom quhet “konsumi-mi i dashurisë”.
Të
kuptohemi, poezia flet për një dashuri të madhe dhe të zjarrtë nëpërmjet
përdorimit të imazheve të forta dhe metaforave pasionante. Përdorimi i fjalëve
si "shtratin kam me e kthy n’fushëbetejë", "kulçedër zjarr kam
me lshu" dhe "u zhba e kam me t’përbi" përforcojnë ndjenjën e
pasionit dhe intensitetit emocional që karakterizon këtë dashuri.
Po
ashtu, shprehjet e paraqitura në poezi përfaqësojnë një lidhje të thellë, të
sinqertë dhe të ndjeshme midis dy të rinjve, ku ata janë të përfshirë në një
emocion dhe në një ndjenjë të përbashkët. Përmes këtyre imazheve të forta dhe
të zjarrta, poezia transmeton fuqinë dhe intensitetin e ndjenjave të dashurisë.
IV- Nga sa pamë më sipër
poezia "Vullkan" e Donika Dabishevcit mund të cilësohet si poezi
pasionante me elemente të dashurisë. Edhe pse nuk përfshin aspekte të qarta të
erotizmit, ajo shpreh një ndjenjë të thellë pasioni dhe lidhje të fortë
emocionale, heroina shpreh një ndjenjë të zjarrtë dhe një dëshirë të thellë për
lidhje të fuqishme dhe reciproke. Kjo poezi paraqet një gjendje të shkëlqimit
emocional, duke e bërë atë shprehje e
ndjenjave të forta të dashurisë e pasionit.
Vargjet:
"N’fushëbetejë shtratin kam me e kthy" perceptohet si një sfidë apo
paralajmërim prej saj i të dashurit për veprimet e heroinës ndaj tij gjatë
aktit të dashurisë, duke i krahasuar ato me një "perleshje" trup me
trup në një betejë. Le të shikojmë se si ky varg mund të interpretohet në këtë
kontekst:
Përdorimi
i fjalës "fushëbetejë" në këtë kontekst përfaqëson një hapësirë të
gjerë, siç është krevati, ku dy të dashuruarit mund të eksplorojnë lirshëm
ndjenjat dhe emocionet e tyre.
Vargu:"Shtratin
kam me e kthy" mund të perceptohet si një paralajmërim i veprimeve të
lojës së dashurisë që dy të dashuruarit
do bëjnë në krevat, duke u përpjekur të përballen dhe të përjetojnë
njëri-tjetrin në mënyra të ndryshme. Në këtë kontekst, vargu sugjeron një ndjenjë pasionante dhe
plot energji të dy personave, ku ata
janë të përfshirë në një lidhje të fortë fizike dhe emocionale. Kjo mund të
lidhet me një përjetim të ndjenjave të forta dhe intensive gjatë aktit të
dashurisë, ku ata përjetojnë një lloj "beteje" emocionale e fizike
për të përjetuar dhe për të shprehur ndjenjat e tyre.
Te
vargu: "N’llavë ke me u zhba e kam me t’përbi" "llavën"
mund ta interpretojmë si një simbol të energjive që do shkrihen në momentin e
dashurisë. Fjala (ke me) "U zhba" paraqet një trasformim të qënies
dhe ndjenjave të djaloshit, i cili do shndrohet në një llavë të zjarrtë,
krijuar nga zjarri i dashurisë së vajzës dhe të tij.
Krahasimi:
"Si kulçedër zjarr kam me lshu" është një krahasim që nuk të tremb
pasi në këtë kontekst, shprehja e "kulçedrës që lëshon zjarr"
përfaqëson pasionin dhe intensitetin e ndjenjave të heroinës gjatë momentit të
dashurisë dhe "Lshimi" interpretohet si shpërthimi i ndjenjave të
forta dhe të pasionante në momentin e përjetimit të dashurisë.
Për
këtë arsye, nëse analizojmë poezinë në kontekstin e një momenti pasioni dhe intimiteti midis dy personave në
një krevat, atëherë imazhet dhe vargjet e poezisë paraqesin me saktësi veprimet e partnerëve në një akt dashurie,
intensitetin dhe pasionin e ndjenjave që përjetohen gjatë këtij akti, duke
sjellur para lexuesve një imazh të ngrohtë dhe emocionues të një dashurie
pasionante, ku (vargjet) të para në mënyrën
e drejtpërdrejtë nuk lenë vend për fantazi. Mirëpo poezia e Dabishevcit si një
poezi moderne ka më shumë se një mënyrë interpretimi.
V- Le të shohim një
aspekt tjetër interpretimi të kësaj poezie, duke u nisur nga vargjet: "Ti
ke me qenë njeri veç brenda n’mu,/e jasht s’ke me mbetë gja,/as ti as qenia
jote" të cilat shfaqin në aparencë një akt intim dhe një ndjenjë të thellë
të lidhjes emocionale, të shprehur në një mënyrë poetike.
Janë
tronditëse këto vargje, jo vetëm për kurajën e formës së shprehur se sa për
kuptimshmërinë jo të drejtpërdrejtë të tyre, pasi tejë aparencës ato paraqesin
një deklaratë të fuqishme për lidhjen emocionale e shpirtërore midis dy personave, veçanërisht në aspektin e krijimit të një familje dhe në lidhje me
dashurinë për njëri-tjetrin.
Fraza:
"Ti ke me qenë njeri veç brenda n’mu" fokusohet në marrëdhë-nien e
fortë dhe të ngushtë emocionale mes dy personave. "Njeri brenda n’mu"
sugjeron një lidhje shpirtërore, ku dy personat janë shndruar në një (burë e
grua-mish e thua) jo aq fizikisht se sa shpirtërisht. Ky varg interpretohet si
një deklaratë e përkushtimit të plotë të një heroinës ndaj djaloshit, duke
premtuar një lidhje të përjetshme dhe të fuqishme.
Vargu:"E
jasht s’ke me mbetë gja, / as ti as qenia jote" thekson fuqinë e lidhjes
së tyre, duke sugjeruar se përveç kësaj lidhje të brendshme, nuk ka asgjë
tjetër të rëndësishme për ta në botën që i rrethon dhe kjo ndjehet sidomos të
fraza "as ti as qenia jote".
Veç
kontekstit të dashurisë së dy të rinjve, në kontekstin perspektiv të krijimit
të një familjeje, këto vargje janë profetike sepse dëshmon atë që populli e ka shprehur me shumë
fjalë të urta ku thotë se nderi i burrit është te gruaja dhe forca e tij është
te familja. Tutje formës provokuese të
vargut "ti ke me qenë njeri veç brenda n’mu" heroina i shpreh jo
vetëm gatishmërinë e saj për tu bërë e tij, por edhe faktin se ai si burë është
i kompletuar vetëm me gruan në krah e në shtëpi. Në vargun: "Ti ke me qenë
unë,/e unë kam me shndritë veç me ty brenda.", heroina, ndonëse vijon të
flas me formën provokative në vargje i thotë djaloshit se dhe ajo si grua, do
“shndritë” vetëm me burin e saj në krevat, në shtëpi, në qytet e krahinë, në
jetë. Çuditërisht te këto vargje, ajo Dabishevci e vargut të parë të
fushbetejës tashmë është një grua që e di kuptimin e jetës dhe të nderit, dhe
meqenëse e ka gjetë shpirtin binjak te djaloshi që dashuron, ja bën të qartë
vizionin e saj për vazhdimësinë e lidhjes së tyre. Aspekti provokativ i vargut
"Ti ke me qenë njeri veç brenda n’mu"
është se ai mund të perceptohet në një mënyrë që sugjeron një akt
seksual të marrëdhënies, por ai në fakt ai është më shumë një shprehje e thellë
e lidhjes emocionale mes dy personave dhe bashkimit të tyre familjar dhe duhet
kuptuar si: ai do jetë plotësisht njeri vetëm duke qenë brenda shpirtit të
gruas. Mënyra se si ky varg paraqet këtë lidhje është më shumë një shprehje
poetike e ndjenjës së përkushtimit dhe identifikimit me personin e dashur, sesa
një përshkrim i drejtpërdrejtë i një akti seksual, ndonëse kjo mënyrë e të
shprehurit nuk le aq shumë vend për
fantazi se sa ftojnë për veprim. Këto vargje, tejë forcës poetike dhe finesës
artistike të autores janë dhe spiranca që poezia hedh në brigjet e
tradicionalitetit zakonor shqiptar dhe të
identitetit të saj etnik pasi janë qasje me formulat zakonore të jetesës
shqiptare.
VI-Përdorimi i dialektit
gegë në këtë poezi ka ndikuar në forcën dhe intensitetin e saj. Dialekti gegë
është i njohur për tingullin e fortë dhe për forcën e fjalëve, të cilat shpesh bëjnë
që tekstet të dëgjohen më emocionuese. Kjo poezi e përdor këtë dialekt në
mënyrë të përsosur për të paraqitur ndjenjat e forta dhe pasionin e heroinës.
Nëpërmjet
dialektit gegë, vargjet e poezisë fitojnë një thellësi dhe një intensitet të
veçantë. Fjalët dhe shprehjet e përdorura shkarkojnë emocion, duke e bërë
lexuesin të ndjehet më afër dhe më përjetues ndaj ndjenjave të shfaqura në
poezi.
Përveç
kësaj, dialekti gegë sjell një ndjenjë të autenticitetit dhe të ngrohtësisë së
njohurive të përjetshme. Në këtë mënyrë, lexuesi ndihet i lidhur më ngushtë me
përjetimet dhe emocionet e shprehura në poezi.
Ndaj
themi se përdorimi mjeshtëror i dialektit gegë ka ndikuar thellësisht në forcën
dhe ndjesinë e poezisë, duke e bërë atë të përjetohet më intensivisht dhe më
emocionuese për lexuesin.
Sarandë, fillim prilli
2024
VULLKAN
N’fushëbetejë
shtratin kam me e kthy
n’llavë
ke me u zhba e kam me t’përbi
si
kulçedër zjarr kam me lshu
ti
ke me qenë njeri veç brenda n’mu
e
jasht s’ke me mbetë gja
as
ti as qenia jote
ti
ke me qenë unë
e
unë kam me shndritë veç me ty brenda
*Shkëputur nga libri me
poezi i Donika Dabishevcit “Kam me ardhë si deka”