Kulturë
Kadri Tarelli: Forca e mendimit të çon drejt filozofisë
E shtune, 04.05.2024, 07:57 PM
Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar. Jeta për të gjithë është e shkurtër dhe e papërsëritshme: Të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është e arritja e virtytit. - Poeti filozof, Virgjili.
FORCA E MENDIMIT TË ÇON DREJT FILOZOFISË
Udhëtim në krijimtarinë e autorit Mark Zadeja
Nga Kadri Tarelli
Para pak ditësh, shkrimtari shkodran Mark Zadeja
më dërgoi në Durrës, librin e tij “Forca e Mendimit”. Titull i thjeshtë, që të
bën të mendohesh gjatë. Një vepër me rreth 200 faqe, pa hyrje dhe pa asnjë lloj
komenti e vlerësimi. Thjesht, drejt për drejt në temë: Shprehje mendimesh, apo
siç i quajmë sot me një emërtim modern “aforizma”, që unë i quaj “fjalë e
jashtme”. Janë jo pak, por rreth 3000 mendime që të bëjnë të vrasësh mendjen e
të përjetosh. Të gjitha të
krijuara nga vetë autori.
Sa për njohje, për
markun më duhet të përmend dy-tri hollësi të vogla në dukje: Akademia
Europiane e Arteve e ka vlerësuar z. Mark Zadeja, me titullin “Doctor Honoris
Cauza”, ndërsa për librin “Qyteti i Vuajtjes”, nga kjo Akademi është propozuar
si kandidat për çmimin “Nobel”. Së fundmi, një vlerësim nga Rumania,
motivacioni: “Mark Zadeja. “Nder i kombit”: Për vlerat letrare në
fushën e pikturës, letërsisë, kritik arti, merita njerëzore dhe atdhetare”.
Sipas mendimit
filozofik, “emërtimi” i çdo sendi apo dukurie mendore, shoqërore, shkencore, me
fjalën tonë apo të jashtme, nuk ka lidhje me përmbajtjen. Ndryshe ndodh me
titullin e një libri; ku autori vuan derisa gjen titullin, pasi çdo fjalë apo
grup fjalësh, përmbledh në mënyrë lakonike esencën e përmbajtjes dhe kumtin që
duhet të përcjellë te lexuesi, që në shikim të parë.
Këtu jam në një mendje
me autorin dhe titullin e librit, sepse “Forca e mendimit”, nuk është forcë
fizike, mekanike, shtytëse, tërheqëse, shpërthyese, lëvizëse, etj. Ky titull ka
në brendësi shumë filozofi, sepse ajo është forca që shtyn përpara shoqërinë, që
ndërron sistemet, që formon religjionet dhe ideologjitë, që vë në lëvizje masat
punëtore dhe popullore, më tej grupimet shoqërore, duke venë në peshore përfundimet
dhe pasojat. Dhe, në rastin konkret përmbledh në pak fjalë përgjithësimin teorik
e praktik të dukurive, apo ngjarjeve të ndryshme, që të çojnë drejt majës,
drejt mendimit filozofik.
Kam përshtypjen se nuk
shtova gjë të re në fjalën time rreth librit “Forca e mendimit”, që pasi e
mbarova, po i rikthehem për ta parë dhe shijuar pak më nge dhe qetësisht, duke
bërë një lloj krahasimi me librin “Vuajtja e qytetit”, i të njëjtit autor. Libër
që u përurua në Durrës pak muaj më parë, Tetor 2023, të cilit i kushtova edhe
një shkrim që u publikua në gazeta dhe portale elektronike, me titull: “Vuajtja e Qytetit, si Histori, Psikologji dhe Filozofi”. Gazeta “Veterani”, Facebook, “Zemra Shqiptare”,
Gazeta “Dielli”, Gazeta “Fjala”.
Pikërisht në atë libër, të rrallë për mendimin tim, vura re se autori
Mark Zadeja kishte vendosur shumë shprehje, apo mendime të ngjeshura, ku futeshin
analiza psikologjike e filozofike, lidhur me ndodhitë e hidhura e të përjetuara fuqishëm, që
peshonin shumë në jetën, mendjen dhe shpirtin e qytetit e qytetarëve.
Në fjalën time
rendita disa prej tyre, pa ditur dhe pa menduar se Marku kishte kohë që
shprehje të tilla i kishte bërë pronë të mendimit të tij filozofik, aq sa
kishte botuar edhe një libër të tillë, të veçantë. Pse ta mohoj, është një punë
e madhe krijuese, që e vlen të merret në vëmendje, të diskutohet dhe të
vlerësohet, duke u ndalur kryesisht te përmbajtja dhe bukuria e fjalës, si
mendim dhe forcë artistike. Mendoj dhe jam i bindur, se, nëse bashkohen forca e
mendimit dhe me artin e fjalës, atëherë Marku ka bërë një vepër sa të bukur aq
edhe të arrirë.
Në çdo faqe që lexoj,
shoh se autori ka arritur të futet në natyrën e ndritur të mendimit të hapur,
të dukshëm, të prekshëm, njëkohësisht edhe në skutat më të fshehta e të
heshtura, të jetës dhe marrëdhënieve njerëzore, familjare, shoqërore,
historike, psikologjike dhe filozofike. Ai ka gjetur dhe gdhendur fjalën, për
ta vënë në gur themeli të mendimit filozofik. Një punë sa e vështirë aq edhe e
fisme, për t’u ngjitur në majë të dijes dhe mendimit krijues.
Ajo që më bën të
mendoj dhe të jem në brendësi të librit, është: sa shumë hapësira paska jeta, që
copëzat e saj të pasqyrohen si përmbledhje në pak reshta fjalësh. Aq e vërtetë është
kjo, sa i bëj pyetje vetes dhe autorit: - A ka fushë të jetës njerëzore që nuk
ke trokitur, për të shkrirë mineralin dhe për ta kthyer në metal e gurë të
çmuar, në dobi të vetvetes dhe më shumë të shoqërisë.
Si fillim, më duhet të
them se Marku është besimtar i mirë, adhuron dhe i falet Zotit. Shumë herë në
faqe të ndryshme të librit, në mënyra të ndryshme i drejtohet Zotit dhe
mirësisë së tij. Por nuk mjaftohet me kaq, ai adhuron jetën, dashurinë, rininë,
punën, kohën, lirinë, të vërtetën, thjeshtësinë, besën, ndershmërinë dhe drejtësinë,
muzikën, librin, poetin dhe poezinë, piktorin dhe pikturën, mirënjohjen, pa
harruar të bukurën në natyrë dhe urtësinë në shpirtin njerëzor. Si pjesë e luftës
së të kundërtave, autori përçmon të keqen, lakminë, pabesinë, mburrjen, paudhësinë,
mosmirënjohjen, ngutjen, fjalën e pa mbajtur, përgjigjen e pamenduar, të shëmtuarën,
rendjen pas pasurisë, veseve, dembelizmin, krekosjen, etj. Besoj se gjithçka përmblidhet
në këto dy fjalë magjike me vlera universale: – “Krenarinë
ruaje për atdheun. Kjo të bën fisnik”.
Mendoj të rendis disa
fjalë
dhe shprehje, që
mund dhe duhet t’i shërbejnë
gjithsecilit në
jetën
e përditshme,
ca më
shumë
në pasurimin e mendimit
për t’u drejtuar dhe
mos gabuar nëpër udhët e jetës.
. Besimi te Zoti është shpëtim për shpirtin.
Kënaqësia e shpirtit është bamirësia e tij, ndershmëria-e vërteta e tij,
mirësia-natyra e tij, lavdia-vepra e tij dhe dashuria e vërtetë-çiltërsia e
zemrës.
. Një njeri, qoftë ky mbret apo kumtar, nuk matet
nga pasuria që u le trashëgimtarëve, as nga betejat që fitoi, apo nami i madh
që pati, po sa shumë e zhvilloi popullin e vet, sa të mira bëri, sa dashuri e
nderim tregoi ndaj tij, e sa shpresa ngjalli tek ai, për të ardhmen.
. Asnjë bukuri e kësaj bote, nuk mund të maten me
bukurinë e atdheut.
. Fillim i mbarë gjysma e punës, porse nëse
tërhiqesh, gjysmën tjetër ta marrin të tjerët.
. E vërteta e ka strehën e vet tek i ndershmi,
ndërsa e drejta tek i urti.
Nuk mund të zgjatem pafundësisht, pasi kështu nuk i
shtoj vlera librit, përkundër.......! Por më duhet të them diçka për formën:
- Në këtë libër, të
gjitha mendimet apo thëniet, janë shtrirë si lulet shumë ngjyrëshe në lëndinë,
pa ndarje sinorësh apo gardhesh, ngjyrash e madhësie. Me një fjalë ashtu siç
kanë lindur e rritur në kohë dhe hapësirë. Kjo është forma që ka pëlqyer autori
dhe e vlerësoj, duke pasur në vëmendje mbi të gjitha përmbajtjen, thelbin e
mendimit, dobinë e tij në përditësi të jetës dhe peshën në filozofi.
Jam i bindur dhe i
sigurt, se nuk jam i vetmi i dashuruar ndaj thënieve të bukura dhe të ngjeshura
në mendim. I kam grumbulluar shumë prej tyre në një bllok të madh, duke vënë përbir
edhe autorin, shkrimtar, mendimtar, poet dhe filozof, shqiptar qoftë, apo nga
bota. Shumë të tjerë kanë botuar edhe libra. Në të shumtën e herëve, me këto thënie,
stolis fillimin e çdo shkrimi apo poezie, nëpër librat e mi, duke i përafruar
me përmbajtjen e krijimtarisë. Nuk them se lexuesit janë mrekulluar, por të
paktën nuk më kanë thënë: Pse?
Mirëpo gjatë punës më
lind problemi i gjetjes së tyre sipas tematikës, kështu më duhet të harxhoj
mjaft kohë, ndoshta kështu u ndodh edhe të tjerëve. Diku-diku, jam përpjekur t’i
grupoj, bie fjala: thënie për atdheun, besën, diturinë, nderin, trimërinë,
dashurinë, nënën, gruan, rininë, arsimin, poezinë, muzikën, politikën, artin,
sportin, shkencën, etj, etj. Kjo më ndihmon shumë dhe më kursen kohë,
njëkohësisht më kujton të mos bëj përsëritje.
Për të qenë i saktë
me veten, duke e parë me kujdes të gjithë librin, edhe autori është përpjekur
në vetvete për t’i grupuar, por pa i vënë gardh tematikës, duke e lënë këndonjësin
t’i verë në “kornizë”. Janë
shprehje apo mendime, që duhen futur në kujtesë, për t’u përdorur në fjalime,
në takime, në biseda në odat e burrave, porosi për të rinjtë, por edhe për
ilustrim shkrimesh. Besoj jemi në një mendje: Është bukur kur i dëgjon, më i
fituar kur i zbaton.
Në fund të këtij shkrimi, më duhet të them ato
pak fjalë që i kurseva në fillim: Mark Zadeja i ka dhënë përgjigje pyetjes që
na shkon nëpër mend, secilit nga ne: - Është forca e mendimit e njerëzve të
ditur të çdo kohe, që kanë lënë gjurmë diturie e mençurie, si trashëgim i
paçmuar, për të hapur shtegun e të ardhmes. Janë ata që kanë mundur të bëjë
bashkë, mendimin e vyer me artin e fjalës së bukur, duke përcjellë kohën, përvojën
dhe mësimin, nga brezi ndër breza.
Dihet, se jeta në kohë dhe historia e saj nuk ka
ndarje. Ajo vazhdon rrjedhën pa pyetur dhe pa ndalesë. Të lumtur dhe të fituar
janë ata që i përthithin fjalët e urta dhe mendimet e arta, që i bëjnë pronë të
tyre, duke shtruar udhën e dijes dhe të suksesit, për një jetë më të mirë, më
të begatë, më të paqtë dhe më të sigurt.
Urime z. Mark, për këtë libër me vlera në
njohje, të çmuar në dobi të gjithsecilit nga ne. Libër që nuk duhet të mungojë
në çantë udhëtimi, në çdo bibliotekë vetjake apo familjare.
“Forca e mendimit” është një gur i rëndë në mendimin filozofik shqiptar. Suksese në libra të tjerë!
Kadri Tarelli
Mes prilli, 2024.