Kulturë
Ndue Dedaj: Shkolla e Shën Jozefit
E diele, 28.04.2024, 07:53 PM
SHKOLLA E SHËN JOZEFIT PUNËTOR
-
në ditën botërore të librit -
NGA
NDUE DEDAJ
Shën
Jozefi, kryekrejet na kujton punën, që aq shumë është zvetënuar në vendin tonë.
Kurse shkolla rajonale në emrin e tij, në Rrëshen, modelin se si punohet në një
institucion edukimi parauniversitar, ku marrja e njohurive shkencore e teknike
gërshetohet bindshëm me praktikën profesionale. Falë dhe bashkëpunimit të
vazhdueshëm me institucione të ngjashme etj. në Itali, Gjermani dhe Kosovë.
Pata
kënaqësinë të isha i ftuar për të folur me nxënësit e kësaj Shkolle në ditën
botërore të librit. Veprimtaria e organizuar nga mësuesit e letërsisë dhe
nxënësit me këtë rast ishte përmbajtësore dhe pa duk. Sepse e tillë është
filozofia e kësaj shkolle, mëso dhe puno. Biblioteka e saj është e shpërndarë
gjithandej, në sallon, në krye të shkallëve, në sallën e madhe të takimeve.
Libri është në sy, ne mjedis të hapur, duke e “ngacmuar” çdo çast vëmendjen e
nxënësve. Aq me tepër kur leximi nuk është si dikur. U fol thjeshtë e qartë, pa
moralizime nga askush për rëndësinë e të lexuarit, u shfaqen përmes ekranit
shpalime për librin, leximin, shkrimtarët, u kryen inskenime pjesësh artistike,
u dëgjuan recitime, iu përgjigjëm pyetjeve të nxënësve, që ishin protagonistët
e veprimtarisë. Bashkëbisedimi ynë me nxënësit u fokusua kryesisht te
problematika sociale "Libri dhe interneti". Gjithçka, me dëshirën që
të rritet numri i kartelave të lexuesve...
Gjimnazi
i Rrëshenit, Shkolla e Mesme industriale i Rubikut etj. janë shkolla të
historisë moderne të arsimit në Mirditë, me një kontribut të jashtëzakonshëm në
rrafshin lokal e rajonal, që kanë mbushur universitetet e vendit, por dhe të
huaja, me studentë ekselentë të të gjitha degëve, etj. Shqipëria ka pasur një
arsim profesional tejet të konsoliduar, pedagogjik, mjekësor, mekanik,
ndërtimi, ekonomik, pyjor, veterinar etj., por që tranzicioni e zhbëri. Shkolla
jopublike “Shën Jozefi Punëtor”, që ka vetëm 15 vite (krijuar mbi bazën e
qendrës së mëparshme profesionale), sot me më shumë se 400 nxënës, duket se
është “thirrur” për të shënuar një etapë të re të arsimit profesional në këtë
rajon (Mirditë, Lezhë, Kurbin), duke dëshmuar prirjen e të rinjve të sotëm nga
zanatet, profesionet, punësimi etj.
Ka
dhe një traditë të “shkollës së kishës”, që është përpajnuar nëpër shekuj. Nëse
kthejmë sytë mbrapa vetëm një çast për të kunduar në histori, bash në këtë
rajon kemi shkollat e para shqipe dioqezane, Kurbin, Velë, Pllanë etj. në shekullin
XVII, që kulmojnë me Noviciatin e Rubikut, në vitin 1898, që ishte në nivelin e
arsimit të mesëm.
23 Prill 2024