Kulturë
Agim Xh. Dëshnica: Vëllezërit Grim - Tri gjuhët
E diele, 28.04.2024, 07:50 PM
Tri
gjuhët
Nga
Vëllezërit Grim
Përkthim nga Agim Xh. Dëshnica
Jetonte dikur në Zvicër një
kont i moshuar dhe i pasur. Ai kishte vetëm një djalë, por aq
kokëtrashë, sa gjithë përpjekjet
e tij për ta mësuar i shkonin kot. Më në
fund,ai e humbi durimin e i tha:
- Dëgjo, or bir! Mësimet e
mia, me sa po shoh, nga një vesh të
hyjnë e nga tjetri të dalin. Prandaj,
qysh sot do të të dërgoj te disa mësues të mençur. Nga ata do të mësosh gjithçka,
që unë nuk munda të ta fusja në kokë!
E
kështu e mori të birin dhe e çoi në qytetin matanë lumit. Atje djali mësoi
nga një mësues i shquar plot një vit. Pastaj u kthye në shtëpi. I ati e pyeti:
-
Më thuaj, or bir, ç’mësove atje?
-
Baba, - iu përgjigj djali, - mësova se ç’thonë qentë, kur lehin.
-
Zoti na ruajtë! - bërtiti i ati. - Gjuhën e qenve paske mësuar!? Qysh tani ik
prapë! Shko më larg, tek një mësues më i ditur!
Dhe djali vajti
të mësonte përsëri një vit. Sapo u kthye, i ati e pyeti:
-
Hë, pa më thuaj, ç’mësove këtë herë?
I
biri iu përgjig:
-
Baba, kam mësuar se ç‘thonë pëllumbat,
kur gugasin.
Konti
plak thirri fort i zemëruar:
-
I mjeri ti! Ke humbur tërë këto kohë pa mësuar gjë prej gjëje dhe më vjen këtu
e më del përpara pa pikë turpi! Qysh tani të ikësh prapë e të vesh tek një mësues
i vjetër matanë kënetës!
Dhe ta dish se është hera e tretë dhe e
fundit që po të dërgoj! Në qoftë se edhe kësaj
radhe do të kthehesh siç je
kthyer, nuk do të jesh më im bir!
Po
atë ditë djaloshi u nis për te mësuesi i vjetër, pranë të cilit mësoi një vit.
Kur u kthye në shtëpi, i ati e pyeti:
-
Hë, pa më thuaj, ç’mësove atje?
-
I dashur baba, këtë herë mësova gjuhën e bretkocave.
Konti,
në kulmin e zëmërimit, u ngrit në këmbë, thirri shërbëtorët dhe u tha:
-
Ky gdhe nuk është më djali im!
Dhe
i urdhëroi ta nxirrnin jashtë nga shtëpia dhe ta vrisnin në pyll.
Ata
e morën djalin, e çuan në mes të pyllit dhe, në çastin kur do ta vrisnin, u erdhi keq. Ndaj e lanë të lirë të
ikte.
Kontit
plak i sollën dy sy e një gjuhë
kaprolli, që të dëshmonin se gjoja ishin të djalit, që kishin vrarë.
Ndërkohë,
djali mori udhët, pa ditur se në ç’drejtim duhej të ecte. Kur dielli po ulej
nga perëndimi, ai ndaloi përpara portës së një kështjelle. Atje kërkoi të
strehohej për të kaluar natën.
I
zoti i kështjellës i tha:
-
Vend të lirë kam vetëm në kullën e tretë. Por, duhet të keni kujdes, se atje
brenda kanë hyrë disa qen të egër. Jam shumë i shqetësuar dhe nuk di se ç’duhet bërë për t’i hequr qafe që andej.
- Mos u shqetësoni aspak! - tha djali. - Me qentë merrem vesh
vet, veç më lejoni të shkoj tek ata dhe më jepni pak bukë e mish të
pjekur, po mundët!
Kërkesa e djalit u pranua menjëherë nga pronari i
kështjellës. Dy shërbyes e shoqëruan atë për në kullën e tretë të ngarkuar me
shporta plot ushqime të zgjedhura.
Sapo hyri atje, djali u foli qenve në gjuhën e tyre.
Asnjë nga ata nuk iu vërsul e nuk i preku as edhe fijen e flokut. Të gjithë
qentë u sollën rrotull tij miqësisht dhe
hëngrën me kënaqësi tok me djalin ato ushqime aq të shijshme që ai
kishte sjellë.
Të nesërmen në
mëngjes i zoti i kështjellës dhe shumë të tjerë nuk po u besonin syve, kur e
panë djalin, tek dilte shëndoshë e mirë nga kulla.
- Nga bisedat me qentë, - tha ai, - mësova se
shpirti i keq me fuqinë e magjisë i kishte egërsuar dhe u pati dhënë urdhër të
ruanin ditë e natë një thesar të groposur në kullë. Qentë më treguan edhe
vendin ku ndodhet arka me sendet e arta.
Pronari u hodh përpjetë nga gëzimi e ia ktheu:
- Në qoftë se zbulon thesarin, do të të jap vajzën
time për nuse.
Sapo djaloshi e gjeti arkën e fshehur nën tokë, qentë
u zhdukën në çast. Pas asaj ndodhie të rrallë, u bë dasmë e madhe. Dhëndri me
nusen, të lumtur e të pasur, pas disa javësh morën udhën
për në Romë. Ndërsa po kalonin përbri një kënete, konti i ri nga kuak -
kuaku i bretkosave, mësoi se do të
ndodhte diçka e pabesueshme. Ndaj i trishtuar ra në mendime, por gruas nuk i tregoi asgjë.
Më
në fund, ata mbërritën në Romë në ditën, kur mbreti kishte ndërruar jetë.
Obortarët po vrisnin mendjen dhe nuk po
merreshin vesh midis tyre, se si duhej të ishte pasardhësi. Rrahën disa mendime
dhe pranuan vetëm se mbret duhej të zgjidhej ai, që do të paraqitej me shenjën
e mrekullisë së vullnetit hyjnor. Sapo morën këtë vendim, u duk konti i ri tek
po hynte në kishë. Pas tij, dy pëllumba të
bardhë që ishin duke fluturuar, iu ulën kontit të ri mbi supe. Obortarët
panë në atë shfaqje të papritur shenjën hyjnore, ndaj pa humbur kohë e pyetën
zotninë e pashëm nëse dëshironte të bëhej .mbret Djali u
hutua dhe ra në mëdyshje. U mendua se a ishte i denjë për atë detyrë aq të
lartë? Në ato çaste pëllumbat mbi supe i pëshpëritën të pëgjigej me “po”. Ai buzëqeshi dhe pranoi.
Kështu, ajo ditë u klthye në një festë të madhe të paparë për të gjithë Romën.