Kulturë
Albert Zholi: Flet Prof. Gjergj Sinani
E diele, 21.04.2024, 07:55 PM
Flet Prof. Gjergj Sinani: Kombet përparojnë kur zhvillojnë një jetë mendore të gjallë dhe aktive
- Qytetarët presin një veprim që të bazohet
mbi dy parime të rëndësishme, përgjegjesia dhe drejtësia
Intervistoi: Albert ZHOLI
Që në vitin 1932 kur fliste për riorganizimin
e sistemit tonë arsimor, Branko Merxhani do të shkruante: “Misioni ynë është të
pastrojmë nga gurët e nga gjëmbat udhët që shpien në rilindjen mendore të
popullit”[1],
pasi “jemi krejt të çveshur në pikëpamjen shoqërore dhe krejt të varfër në
pikëpamjen mendore”. Natyrisht, kjo kërkonte që të bëhej diagnostikimi i të
keqes, sepse pa këtë diagnistikim nuk mund të gjendeshin ilaçet për ta shëruar
këtë të keqe. Me të drejtë ata theksonin se vërtetimi i të keqes, është më i
dobishëm nga sundimi i lirë dhe i pa fre i së rremes, kjo i lartëson njerëzit
dhe kombet dhe jo vetglorifikimi romantik.
Flitet shumë për Rilindësit. Ata hodhën bazat
e arsimit shqiptar, njëkohësisht hodhën idenë e njerëzve ideal për një Shqipëri
solide. Çfarë donin të krijonin ata me këto ide?
Ata donin të krijonin një djalëri
intelektuale dhe idealiste, pasi në qoftë se njerëzit do të udhëhiqeshin vetëm
nga interesi personal, atëherë organizmi shoqëror do të ndeshej me probleme të mëdha
në të ardhmen. Kjo të kujton këshillën që dha Tokëvili, për rrezikun e
demokracisë, në qoftë se ajo ka si ideal vetëm egoizmin material. Apo Hegeli që
thoshte se nuk mund të ndërtohet një komunitet politik pa krijuar më parë një
komunitet moral. “Vlerat morale kurrë nuk kanë zënë rrenjë në zemrën t’onë,
shkruante Merxhani. Para një alternative interesash materjale, Shqiptari, në
çdo kohë dhe në çdo rast, ka preferuar kurdoherë të parat. Interesi materjal! –
ky ka qenë gjithnjë “Ideal”- i ynë. Por ç’lloj ideali? Një ideal primitiv, i
ngushtë, i ultë, sociologjikisht protoplasmic, ose siç do të thoshte një Levy
Bruhl, “prélogique””. Nuk gjen mendimtar të këtyre viteve që të mos e
kritikojnë ashpër këtë tipar tonin, prirjen e theksuar ndaj interesave materiale
dhe egoizmit individual.
Por, mos kujtoni se kjo karakterizon vetëm ne
dhe jo të tjerët. Problemi është se popujt europianë ditën të ngriheshin mbi
këtë prirje të ngushtë egoiste. Në këtë shqetësim të mendimtarëve shqiptarë
duket sikur dëgjon thirrjen e Fihtes për popullin gjerman. “Egoizmi e arrin
shkallën e fundit të zhvillimit kur, duke pushtuar më së pari, me përjashtime
shumë të rralla, qeveritarët, përfundon në pushtimin e të qeverisurve dhe bëhet
i vetmi impulsion jetësor i tyre”[2].
Ndërsa mbrojtësi i çështjes shqiptare dhe që
e donte sinqerisht Shqipërinë, Zef Valentini, do të na thoshte: “Në vend të
kultit të pares, burim i sa e sa të zezavet, duhet të përpiqemi të largojmë at
zemërgurësi, qi na shtyem të pasurohemi me mjete të palejshme, e përkundra të
rranjosim në zemër të setëcilit, dashtnin e zellin për punë e për fitim të
ndershëm. Ne vend t’egoizmit duhet të ngjallim kujdesin e mishërirën për
t’afërmit e për punëtorin; mos t’a mbajmë t’afërmin tonë si vegël qefi e
fitese; në një fjalë të ngjallim dashtnin vëllazërore, pa të cilën s’kemi pse
presim dit të mira”[3]
Për ta plotësuar këtë kuadër është edhe
egoizmi intelektual. “Njerëzit t’onë të mësuar nuk janë të formuar ende mirë
nga pikëpamja e karakterit intelektual. Nuk kanë një jetë mendore të sinqertë
një herë për veten e vet. Jemi pedantë. Çdo njeri prej nesh zbret në tokën
shqiptare drejtë për së drejti nga qielli… Vetëm ne i dijmë që të gjitha… Nuk
duam të dëgjojmë… Buja është mjeshtria jonë. Shkencën e urrejmë. Për sisteme
s’kemi nevojë!”[4],
shkruante Merxhani. Shkurt, kur egoizmi i ngushtë material bëhet i vetmi motiv
lëvizës i shoqërisë, atëherë ajo rrezikon të mos krijojë institucione të
shëndoshë dhe realisht përfaqësuese dhe liria, si vlerë shoqërore, do të mbetet
përherë e kërcënuar.
Politika shqiptare duket në kolaps. Tek ne a është
marër si kriter i vlerësimit të politikanit efikasiteti?
Për fat të keq deri më sot nuk kemi marrë si kriter
të vlerësimit të politikanit efikasitetin. Njeriu, që ende nuk është bërë
qytetar, e harron këtë kriter dhe ngatërrohet në një arsyetim të tipit absurd.
Dështimet justifikohen me paraardhësin dhe arsyetimi vazhdon me termat e
djallit dhe të ëngjëllit. Ne do të kishim ecur përpara, por na pengon djalli.
Harrohet koncepti bazë i qeverisjes demokratike; ai i përgjegjësisë, e cila
është përgjegjësi personale dhe jo kolektive, siç po veprohet deri tani. Me
konceptin e përgjegjësisë kolektive, pasiguria, padrejtësia dhe korrupsioni do
të shtohen dhe demokracia, si sistem qeverisje do të kompromentohet.
Mendimtarët e viteve ’30 kërkonin më shumë përgjegjësi nga klasa e
politikanëve, sidomos në kushtet e varfërisë që sundonte atëherë në shoqërinë shqiptare.
Pa një punë të përbashkët të mendimit dhe të veprimit politik nuk mund të
krijohet një ndërgjegje shoqërore kombëtare të vërtetë dhe në qoftë se populli
nuk ka një ndërgjegje të tillë, atëherë nuk ka forcë që të ndalë shpërdorimet.
Edukimi i ndërgjegjes mbetet një detyrë parësore si atëherë edhe tani. Si
atëherë edhe tani shqetësimi është për gjeneratat e reja, ose për djalërinë
shqiptare. Përmes një atori romak Zf Valentini do t’i drejtonte këto fjalë
djalërisë shqiptare: “Murtaja e atdheut asht djalëria krenare e përtace qi
tallet ndër kafe, lojna e theatra; qi lexon sa me kalue kohën e jo me u
kthjellue në dituni, ipet pas mode e i ban të vetat mendimet e çdo gazete”[5]. Këto fjalë e ruajnë ende
aktualitetin kur shikon të rinjë që i janë larguar mendimit dhe nuk mendojnë
për kuptimin e jetës.
Etika dhe përgjegjësia janë dy terma që nuk po
kuptohen ende se sa të rëndësishëm janë për të ndërtuar një jetë demokratike.
Janë dy terma, për të cilat kemi më shumë nevojë, por që për to flitet me pak
dhe që nuk shihen aspak. Ka periudha historike, si kjo që po jetojmë kur
normat, vlerat dhe bindjet e mëparshme janë tronditur thellësisht dhe kur
shoqëria ende nuk e gjen dot orientimin etiko – moral, sidomos kur kjo shoqëri
që po ndryshon me ritme të shpejta. Në këto periudha kombet ndodhen përballë
dilemash të shumta. Njerëzit, janë në kërkim të simboleve dhe të institucioneve
të reja për ta identifikuar veten. Pyetja që shtrojnë njerëzit është: Si të
jetoj në mënyrë dinjitoze? Çfarë rruge duhet ndjekur? Kur shteti mund t’i
shkelë angazhimet që merr, atëherë kujt mund t’i zihet besë? Në qoftë se ligjet
kanë një frymë moderne dhe tërheqëse, por që nuk gjejnë zbatim, atëherë kujt
duhet t’i drjtohemi për të patur, në mos sigurinë e plotë, të paktën ndjenjën e
sigurisë dhe të paqes sociale?
Vrasja, plaçkitja, gënjeshtra, mashtrimi janë
shndërruar në merita në kushtet e mungesës së jetës paqësore. Jeta paqësore
zhvillon inisiativën, punën prodhuese, krijimtarinë dhe lirinë individuale.
Jeta paqësore krijon kushtet dhe ndihmon zhvillimin e mendimit në fushën e
shkencës, të arteve dhe të kulturës. Ndërsa klima e ankthit dhe e pasigurisë u
ka zënë frymën virtuteve morale, e shtyp dhe e shkatërron me mijëra mjete
lirinë e mendimit. Konformizmi dhe përfitimi mbeten vlerat sunduese. Pasiguria,
mungesa e perspektivës, inekzistenca e shtetit, manipulimi me termat e
militantizmit dhe të meritokracisë ka krijuar një gjendje irritmi, lodhjeje dhe
indiferentizmi të përgjithshëm. Shteti, i cili ka monopolin e dhunës legjitime
për të zbatuar ligjin, është i tulatur. Askush nuk flet për vlerat morale.
Politika dhe etja për pushtet ka pushtuar diskursin politik. Prandaj ne
ndeshemi me lulëzimin e dhunës, me dobësimin dhe çarjen e së drejtës dhe të moralit,
me spekulimin, me gënjeshtrën, me përvetësimin e të mirave me korrupsionin, me
shpërthimin masiv të forcës brutale, me egërsinë dhe me rritjen e injorancës.
Sfida që shtrohet përpara nesh është se si të
krijojmë kushtet për një jetë paqësore. Të gjitha partitë e premtojnë një gjë
të tillë. Përfaqësuesit e shtetit na e thonë përditë se “duhet…”, thua se ata
janë zgjedhur për të bërë thirrje dhe jo për të vepruar. Qytetarët presin një
veprim që të bazohet mbi dy parime të rëndësishme, përgjegjesia dhe drejtësia.
Tentojmë të jemi pjesë e
BE. Raporti me qytetërimin perëndimor si qëndron?
Sigurisht qytetërimi
europian ishte ideali i rilindësve që e shikonin në radhë të parë si komunitet
intelektual dhe moral. Në të njejtën kohë, ata theksonin se “Qytetërimin
Oksidental duhet ta marrim jo pjesërisht, jo të reckosur, por të tërë dhe të
pacënuar”[6]. “Duhet të lindij ndër neve brënda ndjenja kolektive e Europiasmës”[7]. Duket se edhe atëherë ata kërkonin
që shqiptarët të merrnin vlerat e Europës, se Europa, në radhë të parë, ishte
një komunitet vleror. Po të kishte vazhduar ky process, Shqipëria do t’a kishte
patur më të lehtë integrimin politik me Europën.
Me të drejtë B. Merxhani
shkruante: “Morali i njeriut të Oksidentit është i lidhur, drejtpërdrejt, me
mendimin systematik të tij. Nga kjo lidhje midis Moralit dhe Mendimit lind edhe vlera positive e kohës
dhe punës”[8]. Ata dinin të dallonin Europën vlerore nga ajo politike. Ata kërkonin që
Europa vlerore të bëhej baza e jetës sonë shoqërore dhe politike dhe patën
kurajon të kritikonin Europën e pragmatizmit politik.
Për më tepër ata e
shikonin Europën si thirrje për aktivitet reflektiv mendor dhe jo si faktor të
apatisë mendore. Edhe sot ne diskutojmë për Europën dhe aspiratën europiane dhe
mund të shikojmë disa përngjasime me diskursin e athershëm.
Po të shikojmë shkrimet e intelektualëve të viteve
'30 në Shqipëri, do të vemë re se edhe shqetësimi i tyre përmblidhej në
çështjen e ndërtimit të shtetit, dhe largimin e njerëzve nga psikologjia e
pritjes dhe inaktivitetit. Ja si e përshkruan këtë situatë Mitat Frashëri:
"Një tjatrë mentalitet është se, Shqiptari duke mos qenë i mësuar në jetë
politike, dua të them duke mos pasurë gjer më sot shtet, qeveri dhe
indipendencë, s'ka kuptuarë barrëtë, detyratë dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga
një jetë indipendente. Kështu që, duke rrojturë gjer më sot në sundim të huaj e
ka mësuar popullin tonë të presë dhe të shpresojë prej të huajvet; nuk e ka
lënë individualitetin politik t'i zhvillohetë dhe iniciativa personale nuk ka
gjeturë kohë që të hedhë shtat e të forcohetë" Dhe përfundimi i tij merr
ngjyra mjaft aktuale dhe tragjike kur shkruan: "Edhe kështu, për fatin
tonë të zi shohim sot kafenetë dhe selamllëket plot pluhur, hi dhe baltë,
mbushurë me njerëz përtacë që shkojnë të njëzet e katër orët e ditës me
politikë duke hapur gojën që t’u bjerë një hallvë e gatuarë në kuzinë të
Evropës..."[9] Edhe
atëherë ekzistonte mentaliteti; "Evropa, Evropa, ajo që na bëri, ajo të na
nxjerrë nga balta!". Këto ide datojnë vitin 1924.
Çfarë donin intelektualët e viteve 1930 ?
Ata donin të mësonin nga Europa dhe njerëzit e saj
dhe jo ta shikonin si largim nga përgjegjesitë tona dhe ta shikonin
administratorin e huaj në funksion të përtacisë mendore dhe vepruese. Atyre që
dëshironin administratorin e huaj për qëllime të ngushta egoiste Mitat Frashëri
do t’u thoshte:
"Në qoftë se dikush dëshiron organizatorë të
huaj, që të ketë një mësonjës prej të cilit të marrë mënyrat më të mira për
punë, që të marrë shembullat më të dobishme për një aktivitet të ri dhe me
fryte më të shkëlqyeshme, me një fjalë një mësues prej të cilit të përfitojë
dhe të marrë diturinë që mungon, atëherë dëshira është jo vetëm e meritueshme,
por fort e nevojshme, me qënëse qytetërimi dhe përparimi janë gjëra që shpiken
fort vështirë dhe duhetë të merren hua atje ku gjinden, të kopjohen prej atyre
që e kanë marrë më parë se ne.
Po në qoftë se fjala organizator vjen nga shkaku i
përtimit, i apathisë dhe i anemisë mendore, në qofte se duke lypur organizatorë
të huaj, duan të shpëtojnë nga përgjegjësia dhe kujtojnë se ne vetë nuk do të
kemi nevojë që të punojmë e të përpiqemi, po të shtrihemi në livadh, në qoftë
se drejtuesin e duam të huaj nga shkaku se nuk na pëlqen të shohim një tonin,
një shqiptar në krye të punës (duke kujtuar se ai që është më i naltë se unë,
më ka marrë vendin tim!), në qoftë se e duam organizatorin e huaj që të shkojmë
dhe të takohemi tek ai duke sharë, kritikuar dhe kallzuar bashkatdhetarin tonë,
në qoftë se, me një fjalë, duam organizatorin e huaj të shtyrë prej asaj të
mete që na bën të themi se "s'jemi të zot, që s'bëhemi njerëz, që më mirë
një të huaj se një shqiptar", atëherë kjo dëshirë bëhet një ves dhe një
krim".[10] Nuk
ka nevojë të provohet aktualiteti i këtyre fjalëve.
Edhe sot nuk duhet harruar se vetë demokracia
europiane është ndërtuar mbi bazën e parimeve dhe nocioneve të qarta ku ideja e
kontratës, drejtësisë, barazisë dhe përgjegjesisë janë parësore, ku formula e
Monteskjësë, “pushteti të ndalojë pushtetin” gjeti zbatim në krijimin e një
shteti me pushtete të ndara në mënyrë të qartë.
Mirëpo në diskursin e politikanëvë haset edhe një
mënyrë tjetër për t’i shpëtuar nocionit të përgjegjesisë. “Kështu do Këshilli i
Europës”, “keshtu na tha FMN”, “këtë e do OSBE”, etj përbëjnë fjalorin e
diskursit politik të sotëm. Është një imbrolio e tillë konceptesh saqë po merr
pamjen e komedisë. Metamorfoza e diskutimit politik është e tillë. Kur njera
ose tjetra parti politike është në opozitë përdorin organizmat dhe
institucionet ndërkombëtare për të aspiruar pushtetin. Kur shndërrohet në
mazhorancë dhe nuk është në gjendje të krijojë kushtet për një jetë paqësore,
atëherë fajësohen këto organizma se po u lidhin duart etj.
Çfarë duhet bërë përpara një situate të tillë? Të
tërhiqemi? Prapa kemi një përvojë mjaft të hidhur?
Tashmë askush nuk guxon të premtojë. Në të tilla
momente rreziku më i madh është humbja e shpresës dhe braktisja e lirisë për
shkak të varfërisë ekonomike nën thirrjen fatale: “Na skllavëroni, vetëm na
ushqeni”. Ajo çka kemi më shumë nevojë është që të ushqehemi me artin e lirisë
dhe arti i lirisë dhe demokracisë ështe mjaft i vështirë. Ai duhet mësuar. U
takon të gjitha forcave intelektuale t’ua mësojnë njerëzve këtë art me qëllim
që ta përdorin demokracinë në funksion të dinjitetit të tyre. Përgjegjesia dhe
liria përbëjnë një binom të pandashëm.
E vetmja rrugë për të dalë nga ky impas historik
është që të ecim përpara duke e shpejtuar hapin për të kombinuar në sytë e
njerëzve interesin personal me atë të kombit. Në qotë se shoqëria përfshihet
vetëm nga një vlerë, përfitimi dhe nuk i mbështet institucionet mbi nocionet e
përgjegjësisë dhe të drejtësisë, demokracia mbetet e kërcënuar.
Duket sikur ata donin
t’i flisnin popullit tonë se sa e vështirë ishte liria dhe sidomos liria
shoqërore, ashtu si dikur Rusoi: “Liria është një ushqim me shumë lëng, por me
një tretje të fortë; duhen stomakë shumë të shëndetshëm për ta përballuar… Liri
e shenjtë dhe krenare! Në qoftë se këta njerëz të shkretë do të mund të të
njihnin, në qoftë se ata do e dinin se me çfarë çmimi të fitojnë dhe të ruajnë;
në qoftë se ata do e ndjenin se sa ligjet e tua janë shumë më të forta nga
ç’është dhuna e egër e tiranëve, shpirtërat e tyre të dobët, skllevër të
pasioneve që duhen ndrydhur, do të ta kenë frikën njëqind herë më shumë se
skllavërisë; ata do t’i largohen me tmerr asaj si një barrë gati par ta
flakur”.