E marte, 30.04.2024, 03:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Hamza Halabaku: Historitë e shkollave shqipe janë histori frymëzimi për brezat

E merkure, 17.04.2024, 07:55 PM


Historitë e shkollave shqipe janë histori frymëzimi për brezat

Duke e lexuar monografinë e profesor Mujë S. Berishës  “SHKOLLA  E VËRBANIT, NJË GUR I ÇMUAR NË THEMELET E ARSIMIT SHQIP NË MORAVËN E EPËRME”, botuar para pak ditësh nga „Universum International College”

Nga Hamza HALABAKU

Opusit të tij letrar e publicistik profesor Mujë Berisha këto ditë ia shtoi edhe librin e tij të 10-të me radhë me titull “SHKOLLA  E VËRBANIT, NJË GUR I ÇMUAR NË THEMELET E ARSIMIT SHQIP NË MORAVËN E EPËRME”, libër ky që është më shumë se një rrëfim për Shkollën e Vërbanit të Vitisë, pasi autori sjellë shumë të dhëna për arsimin e kulturën në të kaluarën tonë, jo vetëm të këtij fshati, por edhe shumë më gjerë për rajonin e Moravës së Epërme, duke pasqyruar edhe angazhimin e një plejade njerëzish që kontribuuan për zhvillimin e arsimit tonë kombëtar.

Profesor Mujë S. Berisha, autori i monografisë,ia ka dalë, që me botimin e këtij libri, jo vetëm të pasqyrojë angazhimin e njerëzve që ushtruan punën e mësimdhënësve e të edukatorëve,  por edhe  t’i bëjë ata  të pa harruar, pra të pa vdekshëm. Janë aty ajo galeri njerëzish që u përpoqën dhe arritën ta hapin shkollën e Vërbanit, këtë tempull të dijes, pa i harruar edhe disa nga nxënësit e zellshëm të saj, studentë të dalluar pastaj në fakultete të ndryshme. Autori ka përmendur edhe drejtorët dhe punëtorët fizik të kësaj shkolle, nga koha e para tetëdhjetë vjetëve e deri më sot. Thënë shkurt personazhet e kësaj monografie janë njerëz që lanë gjurmë të dalluara e të dokumentuara në historinë e arsimit e të kulturës sonë kombëtare, punë me të cilën krenohet e mburret mbarë kombi shqiptar. Sepse, ata me veprimtarinë tyre të përditshme krijuan vlera të arsimit tonë kombëtar, e madje edhe vetë u bënë vlerë e rëndësishme kombëtare.

Redaktori i kësaj monografie, profesor dr. Nuhi Rexhepi, mes tjerash shkruan:

“Në këtë monografi autori Mujë S. Berisha, njohës i mirë i arsimit, ia ka dalë të pasqyroj punën e atyre njerëzve, që ushtruan me zell profesionin më fisnik, atë të arsimit dhe edukimit. Si kontribuues për themelimin dhe konsolidimin e Shkollës së Vërbanit, nga fillimi deri më sot, përmes kësaj monografie janë bërë pjesë e historisë së arsimit kombëtar”.

Autori i monografisë, Mujë S. Berisha, që kaherë e njoh edhe si poet e shkrimtar të mrekullueshëm, për të vegjlit e për të rriturit, monografinë e nisë me vargjet e poezisë së tij, që burojnë nga shpirti , me titull “Vendlindjen e bart në ëndrra përherë”! Me vargjet e poezisë së përmendur zbulohet dashuria e autorit për fshatin e tij të lindjes, Vërbanin  piktoresk, që ai e sheh jo vetëm me sy, por edhe me zemër.

Nuk mund të mos përmendi me këtë rast përkushtimin që kishte profesor Muja për hartimin e kësaj monografie. Sa herë takoheshim, në ndonjë kafiteri në Kodrën e Diellit, në Prishtinë, ma shpaloste brengën se a do të arrinte ta realizonte idenë e tij për përfundimin e kësaj monografie, pasi për hartimin e saj kishte grumbulluar shumë materiale dhe si thuhet projektin ideor e kishte të tërin në mendje.  Dhe ja që, profesor Muja,  ia doli me sukses kësaj pune duke ia ofruar lexuesit një monografi të pasuruar me dokumente arkivore e historike që nga emërtimi i Vërbanit e deri te rezultatet kolosale të kësaj shkolle, nga bankat e së cilës dolën qindra intelektualë që sot jetojnë e veprojnë, në fshatin e tyre të lindjes, në komunën e Vitisë, në Prishtinë e edhe në disa qendra apo metropole evropiane.  Këto pra janë të arriturat e Shkollës së Vërbanit që punën e nisi më 1 qershor të vitit 1943, me përpjekjet e dy njerëzve arsimdashës të asaj kohe, Zeqë Vërbanit dhe Jetish Vishit.

Kam pasur fatin që këtë monografi ta lexoj edhe si dorëshkrim, po edhe tekstin definitiv kur u dorëzua për botim, dhe mund të them lirisht se kjo monografi, siç konstaton edhe recensenti Esat Kamberi:

“Çdo njeri, sa po të fillojë leximin e kësaj monografie, do të mishërohet me te, sepse profesori Mujë S. Berisha vërtet, me një gjuhë të pasur, e të rrjedhshme e bënë lexuesin që të mos i ndahet leximit të kësaj monografie”.

Në tërë tekstin e kësaj monografie, që nga kreu i parë i saj, në faqen 15, me nëntitull “Ekzistenca e Vërbanit ndër shekuj”, profesor Muja, ka ofruar të dhëna të rralla, me burime të  vërtetuara e të dokumentuara që i shpjegon me fusnota (më shumë se njëqind sosh). Bie fjala, ai shkruan: “Vërbani përmendet në Regjistrin kadastral të vitit 1455,  bërë  pas Luftës së Kosovës (1389)” dhe për burim shfrytëzon një publikim  në gjuhën boshnjake  (botimi II) të Institutit Oriental në Sarajevë,  1972, ku në faqen 245 përmendet se “fshati Vërban i takon Moravës”, që do të thotë se Vërbani si vendbanim  përmendet para 569 vitesh. Është interesante të theksohet këtu edhe e dhëna, të cilën profesor Berisha e përmend:

“Në vitin 1455, kur Gjilani si fshat, i kishte vetëm 41 shtëpi e Ferizaj nuk ekzistonte fare, Vërbani i kishte 67 shtëpi”!

Kur lexuesi e lexon këtë monografi do të fitojë përshtypjen se autori Mujë S. Berisha ka punuar me seriozitet të plotë duke shfrytëzuar burime arkivore e duke shfletuar literaturë të gjerë për Vërbanin e tij të dashur e piktoresk. Lexuesi do të ndeshet për herë të parë me shumë fakte, të njohura e të panjohura, për Shkollën e Vërbanit që nga viti 1943, kur edhe u hap për herë të parë kjo shkollë. Sipas shënimeve të 1 qershorit 1993, kur shkolla po shënonte 50 vjetorin e saj, mësohet se nga kjo shkollë kanë dalë 101 intelektualë me shkolla të larta e fakultete të kryera, e prej tyre 24 femra (mjeke, ekonomiste të diplomuara, asistente fakulteti, profesoresha, juriste, e kështu me radhë). Ndërsa, sipas shënimeve të vitit 2023, siç e detajon autori Berisha në këtë monografi, tashmë dalin të jenë më se 270 intelektualë, me shkolla të larta e fakultete të kryera, të cilët kanë kaluar nëpër bankat e kësaj shkolle!

Autori Mujë S. Berisha, përmes monografisë për shkollën e parë shqipe në Vërban u bënë të mundur breznive të ardhshme të njihen jo vetëm me historikun dhe rrjedhat e zhvillimit të arsimit shqip në Vërban që nga hapja e kësaj shkolle, por edhe për shumë çështje të tjera të fshatit piktoresk në këtë nën qiell të komunës së Vitisë, por edhe më gjerë për rajonin e Moravës së Epërme. Dhe nuk thuhet kot se historitë e shkollave shqipe, mësuesve dhe arsimtarëve, janë histori frymëzimi për brezat.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora