| E merkure, 17.04.2024, 07:55 PM |
Historitë e shkollave shqipe janë histori frymëzimi për brezat
Duke
e lexuar monografinë e profesor Mujë S. Berishës “SHKOLLA
E VËRBANIT, NJË GUR I ÇMUAR NË THEMELET E ARSIMIT SHQIP NË MORAVËN E
EPËRME”, botuar para pak ditësh nga „Universum International College”
Nga
Hamza HALABAKU
Opusit
të tij letrar e publicistik profesor Mujë Berisha këto ditë ia shtoi edhe
librin e tij të 10-të me radhë me titull “SHKOLLA E VËRBANIT, NJË GUR I ÇMUAR NË THEMELET E
ARSIMIT SHQIP NË MORAVËN E EPËRME”, libër ky që është më shumë se një rrëfim
për Shkollën e Vërbanit të Vitisë, pasi autori sjellë shumë të dhëna për
arsimin e kulturën në të kaluarën tonë, jo vetëm të këtij fshati, por edhe
shumë më gjerë për rajonin e Moravës së Epërme, duke pasqyruar edhe angazhimin
e një plejade njerëzish që kontribuuan për zhvillimin e arsimit tonë kombëtar.
Profesor
Mujë S. Berisha, autori i monografisë,ia ka dalë, që me botimin e këtij libri,
jo vetëm të pasqyrojë angazhimin e njerëzve që ushtruan punën e mësimdhënësve e
të edukatorëve, por edhe t’i bëjë ata
të pa harruar, pra të pa vdekshëm. Janë aty ajo galeri njerëzish që u
përpoqën dhe arritën ta hapin shkollën e Vërbanit, këtë tempull të dijes, pa i
harruar edhe disa nga nxënësit e zellshëm të saj, studentë të dalluar pastaj në
fakultete të ndryshme. Autori ka përmendur edhe drejtorët dhe punëtorët fizik
të kësaj shkolle, nga koha e para tetëdhjetë vjetëve e deri më sot. Thënë
shkurt personazhet e kësaj monografie janë njerëz që lanë gjurmë të dalluara e
të dokumentuara në historinë e arsimit e të kulturës sonë kombëtare, punë me të
cilën krenohet e mburret mbarë kombi shqiptar. Sepse, ata me veprimtarinë tyre
të përditshme krijuan vlera të arsimit tonë kombëtar, e madje edhe vetë u bënë
vlerë e rëndësishme kombëtare.
Redaktori
i kësaj monografie, profesor dr. Nuhi Rexhepi, mes tjerash shkruan:
“Në
këtë monografi autori Mujë S. Berisha, njohës i mirë i arsimit, ia ka dalë të
pasqyroj punën e atyre njerëzve, që ushtruan me zell profesionin më fisnik, atë
të arsimit dhe edukimit. Si kontribuues për themelimin dhe konsolidimin e
Shkollës së Vërbanit, nga fillimi deri më sot, përmes kësaj monografie janë
bërë pjesë e historisë së arsimit kombëtar”.
Autori
i monografisë, Mujë S. Berisha, që kaherë e njoh edhe si poet e shkrimtar të
mrekullueshëm, për të vegjlit e për të rriturit, monografinë e nisë me vargjet
e poezisë së tij, që burojnë nga shpirti , me titull “Vendlindjen e bart në
ëndrra përherë”! Me vargjet e poezisë së përmendur zbulohet dashuria e autorit
për fshatin e tij të lindjes, Vërbanin
piktoresk, që ai e sheh jo vetëm me sy, por edhe me zemër.
Nuk
mund të mos përmendi me këtë rast përkushtimin që kishte profesor Muja për
hartimin e kësaj monografie. Sa herë takoheshim, në ndonjë kafiteri në Kodrën e
Diellit, në Prishtinë, ma shpaloste brengën se a do të arrinte ta realizonte
idenë e tij për përfundimin e kësaj monografie, pasi për hartimin e saj kishte
grumbulluar shumë materiale dhe si thuhet projektin ideor e kishte të tërin në
mendje. Dhe ja që, profesor Muja, ia doli me sukses kësaj pune duke ia ofruar
lexuesit një monografi të pasuruar me dokumente arkivore e historike që nga
emërtimi i Vërbanit e deri te rezultatet kolosale të kësaj shkolle, nga bankat
e së cilës dolën qindra intelektualë që sot jetojnë e veprojnë, në fshatin e
tyre të lindjes, në komunën e Vitisë, në Prishtinë e edhe në disa qendra apo
metropole evropiane. Këto pra janë të
arriturat e Shkollës së Vërbanit që punën e nisi më 1 qershor të vitit 1943, me
përpjekjet e dy njerëzve arsimdashës të asaj kohe, Zeqë Vërbanit dhe Jetish
Vishit.
Kam
pasur fatin që këtë monografi ta lexoj edhe si dorëshkrim, po edhe tekstin
definitiv kur u dorëzua për botim, dhe mund të them lirisht se kjo monografi,
siç konstaton edhe recensenti Esat Kamberi:
“Çdo
njeri, sa po të fillojë leximin e kësaj monografie, do të mishërohet me te,
sepse profesori Mujë S. Berisha vërtet, me një gjuhë të pasur, e të rrjedhshme
e bënë lexuesin që të mos i ndahet leximit të kësaj monografie”.
Në
tërë tekstin e kësaj monografie, që nga kreu i parë i saj, në faqen 15, me
nëntitull “Ekzistenca e Vërbanit ndër shekuj”, profesor Muja, ka ofruar të
dhëna të rralla, me burime të vërtetuara
e të dokumentuara që i shpjegon me fusnota (më shumë se njëqind sosh). Bie
fjala, ai shkruan: “Vërbani përmendet në Regjistrin kadastral të vitit
1455, bërë pas Luftës së Kosovës (1389)” dhe për burim
shfrytëzon një publikim në gjuhën
boshnjake (botimi II) të Institutit
Oriental në Sarajevë, 1972, ku në faqen
245 përmendet se “fshati Vërban i takon Moravës”, që do të thotë se Vërbani si
vendbanim përmendet para 569 vitesh.
Është interesante të theksohet këtu edhe e dhëna, të cilën profesor Berisha e
përmend:
“Në
vitin 1455, kur Gjilani si fshat, i kishte vetëm 41 shtëpi e Ferizaj nuk
ekzistonte fare, Vërbani i kishte 67 shtëpi”!
Kur
lexuesi e lexon këtë monografi do të fitojë përshtypjen se autori Mujë S.
Berisha ka punuar me seriozitet të plotë duke shfrytëzuar burime arkivore e
duke shfletuar literaturë të gjerë për Vërbanin e tij të dashur e piktoresk.
Lexuesi do të ndeshet për herë të parë me shumë fakte, të njohura e të
panjohura, për Shkollën e Vërbanit që nga viti 1943, kur edhe u hap për herë të
parë kjo shkollë. Sipas shënimeve të 1 qershorit 1993, kur shkolla po shënonte
50 vjetorin e saj, mësohet se nga kjo shkollë kanë dalë 101 intelektualë me
shkolla të larta e fakultete të kryera, e prej tyre 24 femra (mjeke, ekonomiste
të diplomuara, asistente fakulteti, profesoresha, juriste, e kështu me radhë).
Ndërsa, sipas shënimeve të vitit 2023, siç e detajon autori Berisha në këtë
monografi, tashmë dalin të jenë më se 270 intelektualë, me shkolla të larta e
fakultete të kryera, të cilët kanë kaluar nëpër bankat e kësaj shkolle!
Autori
Mujë S. Berisha, përmes monografisë për shkollën e parë shqipe në Vërban u bënë
të mundur breznive të ardhshme të njihen jo vetëm me historikun dhe rrjedhat e
zhvillimit të arsimit shqip në Vërban që nga hapja e kësaj shkolle, por edhe
për shumë çështje të tjera të fshatit piktoresk në këtë nën qiell të komunës së
Vitisë, por edhe më gjerë për rajonin e Moravës së Epërme. Dhe nuk thuhet kot
se historitë e shkollave shqipe, mësuesve dhe arsimtarëve, janë histori
frymëzimi për brezat.