Kulturë
Mihal Gjergji: Homazh për Vero Maliqin
E marte, 16.04.2024, 07:54 PM
HOMAZH
PËR VERO MALIQIN
(Për ku nxiton, o shtegtar?)
Nga
Mihal Gjergji
Bëni
durim dhe lexoni deri në fund këto rreshta. Një histori mbreslënëse do sjell në
vëmëndjen tuaj. Dhe një model mirësie të krijuar në Rexhinin e Kurveleshit.
Natyrë e ashpër, njerëz të rrëmbyer dhe histori të trishtuara. Ndoshta keni
dëgjuar për familjen e Vero Hadërit, që më së shumti njihej si Vero Maliqi,
duke trashëguar emërin e gjyshit si mbiemër të tij. Pikërisht për këtë do
flasim. Sarajet e dikurshme janë shembur, por jetojnë bëmat e trasmetuara gojë
më gojë. Ngjarja ka ndodhur mote të largëta. Bëhej dasma e Veros, martohej.
Nusen e mori nga i njëjti fshat, nga fisi Xhebraj. Në shtëpinë dykatshe,
njerëzit këndonin dhe hidhnin valle. Befas shembet dyshemeja dhe njerëzit bien
nga njëri kat në tjetrin. Askush nuk u vra. Kjo ngjarje e çuditshme do
përsëritej pas njëzet e ca vitesh. Vero Maliqi po jepte frymën e fundit brenda
sarajeve të tij. Miq, dashamirë dhe bashkëfshatarë të shumtë ishin mbledhur për
të nderuar Veron fjalëëmbël e bujar. Dhe dyshemeja shëmbet përsëri, sikur ta
rrëmbente nga poshtë një dorë e padukshme.. Të jetë një rastësi? S’besoj. Edhe
trarët mund të pikëllohen, po ne s’kemi sy për ti pare. I njëjti fenomenen i
përsëritur në dy momente të rëndësishme të jetës së njeriut, ditën e martesës
dhe atë të vdekjes. Banesat e fshatit janë ndërtuar në lartësinë e bregoreve
dhe ngjasojnë me karakollet e dikurshme ku thyheshin taborret osmane. Aty s’ke
ku ti çlodhësh sytë; s’ka fusha të qëndisura nga blerimi, s’ka dete, as lumenj,
veç krojeve të borës dhe dy-tre liqene që na kujtojnë se burimi i jetës është
uji. Vetëm në gjolet e kaltra mund të lundrojë varka e dashurisë që keni
ëndërruar. Lartësitë e lodhin njeriun. Cdo gjë duket sikur do shembet, dhe ti
si vendali a bujtës shikon me frikë majat e maleve dhe honet e thella me emëra
të çuditshëm. Për ku nxiton, o shtegtar? Mbështetu pas një ledhi a guri dhe
prehja do vijë vetiu. Të gjitha shtigjet të kthejnë atje ku nise udhëtimin. Kataraktet e frikshme të Kurveleshit kanë derdhur në lumin e Vjosës gjakun e të
parëve tanë, atyre që s’e ndanë pushkën nga supi dhe jataganin nga brezi. Edhe
një pjesë e historisë ka përfunduar atje. As emrat s’u kujtohen burrave të
dikurshëm që vendosnin gurët e sinoreve, as eshtrat e tyre s’dihet se ku
prehen. Koha ka fshirë çdo gjurmë. Kështu ndodh me seicilin prej nesh. E
ç’kuptim ka lufta që bëjmë, gjersa mbyllim sytë pa arritur të provojmë se çfarë
është paqja! Por ja që duhet të luftojmë, sepse kjo është deviza jonë
shekullore. Pikërisht te ky truall jetoi Vero Maliqi. Ai vdiq në mesin e jetës,
në moshën 51 vjeçare. Asgjë s’mori me vete. Kopetë e rënda që kullosnin në
Qishbardhë dhe Braçalla i mori kooperativa. Edhe karvanin me 15 mushka të
zgjedhura që trasportonin bulmetin dhe produkte të tjera. Sarajet dykatshe të
beut të Qishbardhës i kishte blerë me flori, por u detyrua t’ia falte
koopetarivës edhe ato, ndryshe do shpallej kulak. Pas viteve '90 ndodhi çudia
tjetër, ose reforma e dytë agrare, nëse mund ta quajmë kështu. Dhjetra e
dhjetra hektarë me kullota ja grabitën pushtetarët e rinj me ligjin famëkeq
7501. Dhe fëmijët e Vero Maliqit do ta mbyllin jetën e tyre shpresëthyer, sepse
para dyerve të gjykatave shqiptare, pritja nënkupton vdekjen, jo drejtësinë.
Njeriut mund ti shkelësh hijen, jo fatin. Verua iku i ri, që të jetonin fëmijët
në mbretërinë e mirësisë që kishte ngritur me aq sakrifica. Prindërit gjithmonë
gabojnë me fëmijët e tyre; s’mjafton vetëm dashuria si mburojë e
padepërtueshme, duhet dhe liria, pa kushte, pa fjalë. Ky moskuptim i pengon në
sjelljen e tyre; s’i lënë fëmijët të bien dhe të provojnë të ngrihen përsëri pa
ndihmën e të tjerëve, i shikojnë tek vriten dhe nxitojnë t’u puthin plagët, e
gjithmonë harrojnë që bari nën hijen e lisit rritet i verdhë. Kjo është arsyeja
që fëmijët e Veros u lartësuan, me portretin e babait në sy dhe dashurinë e tij
në zemër. Mësuan shkronjë pas shkronje e fjalë pas fjale gjersa mbritën aty ku
shpaloset drita e diturisë dhe të gjithë trashëguan mirësinë e prindërve, Veros
dhe Hatikës. Mineja studioi për mjekësi, një zonjë me personalitet të spikatur,
e nderuar gjithë kohën si qytetare dhe profesioniste, Sadetja (studente
ekselente) u shkollua për shkencat politike, Sulua, edhe ky student i
shkëlqyer, vitet e fundit ishte Dekan i Fakultetit Ekonomik, Shaqja studio për
infermieri, edhe Qemali gjithashtu, i suksesshëm në fushën e tij. Sa vlerë
paska zemra e pastër dhe e gëzuar! Kur njeriu skllavërohet nga kjo botë e egër
dhe e pashpirt, zemëra e tij bëhet fole e ankthit, lakmisë dhe ambicjes. E
vetmja pasuri e Veros mbeti familja, gruaja dhe fëmijët. Hatika jetoi edhe
vitet e pajetuara të bashkëshortit të saj, gjersa mbylli sytë e rrethuar nga
dashuria dhe përkujdesja e fëmijëve. E shikoni pra, modelet e bukura i krijon
njeriu dhe ato mbeten gjatë në kujtesën tonë.
Tiranë, Prill 2024.