E hene, 29.04.2024, 08:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Mark Palnikaj: Shkolla e Pllanës në Lezhë

E hene, 15.04.2024, 07:55 PM


NJË FAQE NGA LIBRI I RI QE DO TE SHTYPET SË SHPJETI KU FLITET PËR SHKOLLËN E PLLANËS NË LEZHË

Nga Mark Palnikaj

Duke konsideruar Etërit që për shkak të padijes së madhe ndodhnin shumë të këqija e që për mungesë të dritës shumë ecnin në terr, duke qenë se gati (erat sicut Populus sic sacerdos) si populli, ashtu edhe prifti, e duke mos u gjendur askush në këtë dioqezë që të kuptonte latinishten, askush që të dinte të shkruante e ndonjë me shumë vështirësi të lexonte, për këtë arsye e gjykoi Atë Xhaçinto nga Sospello, se dobi më e madhe për shpirtrat do të ishte të predikonte e të bënte ushtrime shpirtërore, ai mendoi që të ngrinte një shkollë, në mënyrë që, kur pranonte njëri të bëhej nxënës, pastaj ua mësonte fëmijëve të tij tetë apo dhjetë vjeç atë që ai vetë kishte mësuar, me abetare dhe alfabet, që i kishte në dorëshkrim.

Kështu, pak kohë kishte kaluar kur u përhap fama e kësaj shkolle nëpër gjithë vendin e u rrit në atë mënyrë, saqë numri i nxënësve shkoi në 25 veta, sepse, jo vetëm që shkonin të mësonin nxënësit e fshatrave afër, por madje deri edhe nga Zadrima dhe vende të tjera të largëta i sollën fëmijët. E në këtë mënyrë jo vetëm fëmijët e vegjël, por edhe ata që ishin 18 e 20 vjeçarë, të cilët, duke qenë ndihmës të priftërinjve që shërbenin në celebrimin e Meshës donin të bëheshin meshtarë, mblidheshin në një prej këtyre fshatrave afër që të mësonin të lexonin e të shkruanin dhe gjërat e tjera të nevojshme. Që të mund të shuguroheshin meshtarë etërit ua mësonin në kohë të ndryshme, jo vetëm Doktrinën e krishterë, devocionin, por edhe të lexonin e të shkruanin, si dhe Gramatikën.

Në harkun e kohës prej tetë apo nëntë viteve, që është mbajtur shkolla, shumë qenë ata që kanë mësuar të shkruajnë e të kuptojnë atë që lexonin, dhe në të gjitha ditët e festave lexonin në këtë orator uficën e Zojës Tejet të Shenjtë. Për këto vepra, shumë u acaruan e u tërbuan turqit kundër etërve, duke u parë qartë se të varfrit e Krishterë po ndriçoheshin e po forcoheshin edhe më shumë në besimin e shenjtë. U ndërpre, pastaj, aktiviteti i kësaj shkolle, sepse shumë veta, duke parë që prelatët i shuguronin meshtarë injorantët, atëherë njerëzit nuk u kujdesën më të mësonin.

Duke qenë se ishte përhapur fjala e të mirave të mëdha, fryteve dhe dobisë që merrnin të krishterët nga shkolla e ngritur në Pllanë si dhe për mësimin që u jepej fëmijëve nga këta misionarë, krerët e fshatit të Blinishtit të Zadrimës, i cili, meqë ishte shumë i madh dhe vetëm me të krishterë, kishte shumë fëmijë që mësonin aty, i bënë kërkesa të shumta Atit prefekt dhe misionarëve të Troshanit, që të përpiqeshin të ngrinin një hospic në këtë fshat për të mësuar djemtë dhe vajzat në Doktrinën e krishterë, të mësonin të shkruanin ata që ishin më të zotët, t’u predikonin në ditët e festave dhe t’u celebronin meshën në ditët e zakonshme, duke celebruar me radhë në këto ditë disa priftërinj që ishin – u mor në shqyrtim me shumë maturi kjo kërkesë nga të gjithë etërit, të cilëve, nga njëra anë, meqë bëhej fjalë për një përfitim që mund të vazhdonte, dhe duke parë edhe këtë nevojë ekstreme të atyre që po bënin kërkesën - u pëlqeu shumë. Nga ana tjetër duke vlerësuar arsyet e përndjekjeve të sipërpërmendura dhe duke parashikuar se fshati ishte rrugë kalimi i turqve, për të mos shkaktuar trazira mes tyre, u pezullua e u ndryshua destinacioni i saj për disa kohë. Ndërkaq, meqë ishte nisur Atë Bonaventura për Kotorr e meqë kishin mbetur etërit zëvendës prefekt, Atë Evangjelista nga Venetia dhe Atë Karlo nga Mirandola, një Atë shumë i zoti ky për të dhënë mësim e për të administruar shkollën, morën kërkesa edhe më shumë nga fshati për zgjidhjen e kësaj çështjeje, prej ku, duke mos mundur më t’u rezistonin lutjeve të tyre, me aprovimin e ipeshkvit të Sapës, dhe të priftërinjve të fshatit, u ngrit kjo shkollë dhe u fillua me një rregull të ri. U panë shumë fryte, saqë deri edhe zotërinjtë turq, për mrekullinë që provonin, shkonin ta shihnin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora