Kulturë
Bashkim Saliasi: Me xha Demirin në aksion në hekurudhën Fier-Ballsh
E diele, 21.04.2024, 02:03 PM
ME XHA DEMIRIN NË AKSION NË HEKURUDHËN FIER-BALLSH
(1
SHKURT-10 MARS 1975)
Nga
Bashkim Saliasi
Ishte
muaji shkurt i vitit 1975. Atë muaj fillova punën prodhuese. Për të gjitha
kategoritë e shkollave Ministria e Arsimit vendosi si kriter që të gjithë
nxënësit që mbaronin vitin e katërt të kalonin një vit stazh në prodhim dhe më
pas ata që plotësonin kriteret do të vazhdonin arsimin e lartë. Ky kriter u
vendos edhe për studentët që mbaronin arsimin e lartë. Në një bisedë të lirë me
sekretarin e rinisë të rrethit, shokun Kujtim Lame, mësova se gjatë muajit
shkurt do të nisej një brigadë vullnetare për në hekurudhën Fier- Ballsh.
Pyes
Kujtimin nëse quhej aksioni punë prodhuese. Përgjigjja ishte pozitive. Ditën e
dytë regjistrova emrin në listë. Aty
mësova se në këtë brigadë ishin dhe dy shokët e mi të shkollës pedagogjike
Fier, Pëllumb Bajraktari dhe Qani Ymerali. Në datën 1 shkurt të vitit 1975 u
rreshtuam në sheshin para Komitetit të Partisë së rrethit Skrapar të asaj kohe
dhe pas përshëndetjes nga sekretari i parë i rinisë së rrethit, Kujtim Lame, u
lexua lista e personave pjesëmarrës. Lista e emrave kryesohej nga komandanti që
kryente stazhin e Partisë në prodhim dhe komisarit që do të drejtonin brigadën
e aksionistëve në hekurudhë. I treti në listë u lexua emri i këngëtarit Demir
Zyko. Emri i xha Demirit nuk ishte i panjohur për ne aksionistët që po niseshim
për të kryer detyrën e ngarkuar nga partia e rrethit Skrapar, por prania e xha
Demirit la mbresa në memorjen tonë. Pasi mbaroi ceremonia e rastit dhe morëm
porosi që në fund të aksionit të ktheheshim me flamur (propagandë që zinte
vendin e parë në ato vite), për të nderuar rrethin dhe familjet tona, ne
aksionistët zumë vend në autobus.
Në
mesditën e datës 01.02.1995 brigada e aksionistëve të Skraparit mori rrugën për
në Fier në sektorin e Drenovës. Në vendin e parë u ul xha Demiri. Nuk më
kujtohet emri i komandantit të brigadës, por mbaj mend që ishte nga fshati
Osojë apo Vëseshtë, nuk jam i sigurt dhe kryente stazhin e partisë në prodhim.
Ky me sa mësuam gjatë kohës që qëndruam në sektorin e Drenovës i mbante këngën
xha Demirit. Për xha Demirin kisha dëgjuar shumë në ato vite. Kënga e tij
“Mbeçë, more shokë, mbeçë”, ishte vlerësuar jo vetëm nga komisioni i festivalit
folklorik që ishte realizuar në Kalanë e Gjirokastrës, por ishte vlerësuar dhe
nga vetë Enver Hoxha. Xha Demiri me zërin e tij brilant në vitin 1975, nga
Presidiumi i asaj kohe ishte vlerësuar me titullin “Naim Frashëri i Artë”.
Xha
Demiri, një burrë fisnik e me mustaqe, ishte i rregullt, i pastër si drita dhe tepër modest. Në tiparet e tij
burrërore dallonte jo vetëm nga mosha, por edhe nga paraqitja estetike. Në
mëngjes çohej i pari dhe pasi kryente shërbimet personale afrohej pranë
tribunës dhe ishte ndër të parët që futej në rresht, kur dëgjonte borijen e
rreshtimit për në mensë dhe më pas nisja drejt frontit të punës. Fronti i punës
së brigadës së Skraparit ishte afër qytetit të Ballshit dhe xha Demiri çapitej
në fund të rreshtit si një mal hijerëndë me shkopin e tij karakteristik që s’e
lëshonte asnjëherë nga dora. Në mbrëmje dhe shpesh në mëngjes xha Demiri hipte
në tribunë dhe ia merrte këngës. Të gjithë aksionistët e ndiqnin me shumë
vëmendje dhe me një qetësi absolute, kur kënga me zërin e tij në mikrofon
mbushte gjithë hapësirën e fshatit Drenovë.
Në
mbrëmje priste me ankth se cila brigadë kishte dalë më mirë në realizimin e
normës dhe nderohej me flamur. Gëzonte për flamurin dhe nuk përtonte që t’ia
merrte këngës. Ne qëndruam një muaj e gjysmë në sektorin e Drenovës për arsye
se nuk u arrit të mbaronte faza përfundimtare e punimeve në fund të muajit
shkurt për të arritur treni në qytetin e Ballshit. Kështu, pas inagurimit, që u
bë më 10 mars të vitit 1975, brigada jonë u nderua me flamur për realizimin dhe
tejkalimin e objektivave të ndërmarra nga sektori Drenovë, në Ballsh të Fierit.
Gjatë
rrugës së kthimit xha Demiri nuk reshti së kënduari dhe gëzuari bashkë me ne…
Bashkim Saliasi
Tiranë, 14.04.2024