Kulturë
Albert Zholi: Askush si Naimi nuk i ka kënduar dashurisë e mallit për atdhe
E enjte, 09.05.2024, 08:30 PM
Askush si Naimi nuk i ka kënduar dashurisë e mallit për atdhe, krenarisë kombëtare dhe bukurisë së natyrës shqiptare
Pavdekësia
e Poemës “Bagëti e Bujqësia” e cila u botua më 6 maj 1886.
-
Ai synonte të ngjallte tek bashkatdhetarët ndërgjegjen kombëtare, të një atdheu
që priste shumë prej tyre
-138-vjetori-6
maj 1886-2024-
Përgatiti:
Albert Z. ZHOLI
“Bagëti
e Bujqësia” mbetet një nga veprat më të bukura e më të frymëzuara jo vetëm të
Naimit, por edhe të krejt letërsisë së Rilindjes Shqiptare. Askush para Naimit
nuk i kishte kënduar dashurisë e mallit për atdhe, krenarisë kombëtare dhe
bukurisë së natyrës shqiptare me një pasion aq të zjarrtë e me një gjuhë
poetike aq të ëmbël e të bukur. Me këtë poemë Naimi krijoi poezinë e madhe të
Atdheut e të natyrës shqiptare. Kjo vepër jo vetëm u bë e dashur për bashkatdhetarët,
por krijoi një traditë të pasur edhe për poetët që erdhën më pas. Siç e tregon
edhe titulli, poema përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë flitet për punët e
blegtorisë, për jetën dhe punën e bariut, kurse në pjesën e dytë për punët e
bujkut. Megjithatë, kjo s’është aspak një vepër për këto fusha të jetës. Prej
tyre poeti vetëm sa merr pikënisje për të shprehur ndjenjat e flakta
patriotike. Në të vërtetë, vepra është një himn poetik i frymëzuar, kushtuar
Atdheut, natyrës dhe njerëzve të tij. Poema hapet me një apostrofë madhështore,
e cila me një qartësi të habitshme na sjell para syve bukuritë e natyrës
shqiptare, larminë dhe ngjyrat e saj, një peizazh të pafund plot dritë e
gjallëri.
O malet
e Shqipërisë e ju, o lisat e gjatë / fushat e
gjera me lule q’u kam ndër mend dit `natë!ju, bregore bukuroshe, e ju, lumenjt’ e kulluar, /
çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të
gjelbëruar/ Do të këndoj bagëtinë që mbani ju e ushqeni / o vendëthit e bekuar ju mendjen ma dëfreni.
Motivi
i mallit për atdhe zë fill që në këto vargje dhe e përshkron gjithë poemën.
Larg vendlindjes, larg maleve dhe fushave, larg netëve të magjishme dhe
mëngjeseve plot zhurma jetësore, poeti ndien një mall zhuritës për çdo gjë
shqiptare. Në atdhe gjithçka është e bukur, ndaj dhe dëshira për t’u kthyer
është e papërmbajtur. Kjo dëshirë për të fluturuar drejt Shqipërisë është
shprehur me mjete poetike nga më të ndjerat. Poeti dëshiron të ketë “vrapin e
veriut… krahë pëllumbi…, nxitimin e lumit me valë”. Me apostrofa plot drithërim
ai i drejtohet “fluturës krahëshkruar” ose “dallëndyshes bukuroshe” që t’ia
marrin zemrën e përmalluar e t’ia shpien në Shqipëri. Veçanërisht e goditur
është similituda, e ndërtuar mbi bazën e përfytyrimeve popullore të marra nga
jeta e bariut dhe e bujkut shqiptar:
Kur
dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e lë qingji kopenë/ blegërinë dy a tri herë
edhe ikën e merr dhenë.
Edhe
në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,/ e ta trembin ai s’kthehet, po
shkon në mes si shigjetë./ Ashtu dhe zemra ime, më lë këtu, tek jam, mua,/ vjen
me vrap e me dëshirë aty, në viset e tua.
Një
tjetër motiv i fuqishëm, që e bën poemën të dashur e frymëzuese edhe për ne
sot, është krenaria për Shqipërinë, krenaria për emrin shqiptar. Me dashurinë
dhe krenarinë e flaktë atdhetare, Naimi shprehu një nga idetë më të rëndësishme
të lëvizjes kombëtare. Ai synonte të ngjallte tek bashkatdhetarët ndërgjegjen
kombëtare, t’i bënte të vetëdijshëm se ishin bij të një vendi me vlera të
gjithanshme, të një atdheu që priste shumë prej tyre. Zëri i poetit buçet:
‘Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin
shqipëtar,/ zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me
zjarr.’
Ishte
e para herë në letërsinë tonë që një gjë e tillë shprehej kaq bukur, me kaq
zjarr e përkushtim. Në këto dy vargje Naimi mishëron një ide të madhe e të
përjetshme: nderin, dinjitetin njeriut ia jep Atdheu, balta e vendlindjes, e
gatuar me gjak e djersë, me historinë e me traditat, me fisnikërinë, bujarinë e
gjithë vlerat e tjera morale; lumturinë, gëzimin dhe kuptimin e jetës njeriu
mund ta gjejë në atdhè, në vatrën e vet, mes njerëzve të vet. Këto vargje të
pavdekshme patën një ndikim të jashtzakonshëm tek bashkatdhetarët, aq më tepër
që shumë shqiptarë, të mësuar nëpër shkolla të huaja e të verbuar nga
propogandat antishqiptare, e kishin për turp të pohonin kombësinë e tyre të
vërtetë. Vargjet e Naimit i prekën në zemër, ua drejtuan sytë dhe shpirtin nga
Atdheu, u kujtuan detyrën si bij të tij. Poema e Naimit është një vepër tipike
romantike. Bota e pasur e ndjenjave, dëshira për t’u arratisur “nga brengat,
nga thashethemet”, nga rrëmuja e qytetit anadollak, krijon një gjendje
emocionale të veçantë. Por romantizmi i Naimit është aktiv. Poeti nuk tërhiqet
në gjirin e natyrës për të lënguar në vetmi e pikëllim. Përkundrazi duke u
mrekulluar nga natyra e bukur shqiptare, nga jeta e thjeshtë dhe e ndershme në
vendin e tij, nga fisnikëria e njerëzve të punës, ai ka dashur t’i nxisë
shqiptarët ta duan Atdheun, të kthehen në vatrën e tyre dhe lumturinë ta gjejnë
në punë. Motivi i punës mund të themi se shtrihet në gjithë poemën, e cila
është kështu një himn për punën dhe për njerëzit e punës, për bujqit dhe
barinjtë. Poeti tregon në skena të bukura e plot lëvizje veprimtarinë e
përditshme të bariut, të stopanit, që bën bulmet, të bujkut, që vë qetë përpara
menatë; madje, edhe shpendët, kafshët dhe kandrat janë në punë e në lëvizje të
përhershme. Në këtë himnizim të njerëzve të thjeshtë e jo të përfaqësuesve të
klasave të larta parazitare, gjejmë edhe njëherë ndjenjat demokratike të
Naimit. Jetën në atdhe Naimi e ka idealizuar, duke e paraqitur me ngjyrat më të
bukura e me tone idilike. Ai nuk ka dashur t’i paraqesë plagët dhe kundërshtitë
e mëdha të jetës në fshatin shqiptar të asaj kohe dhe kjo bëhet me qëllim, që
t’ua bëjë sa më të dashur vendlindjen shqiptarëve. Megjithatë, aty-këtu
depërton edhe ndonjë hollësi që tërthorazi flet për ato plagë: varri i një
udhëtari të vdekur larg shtëpisë, një plakë e drobitur, një lypës. Mbi të
gjitha plaga e madhe e robërisë, padituria, përçarjet, nuk i shpëtojnë nga
sytë. Ai i prek tërthorazi në vargjet që mbyllin poemën, kur shpreh dëshirën që
Shqipëria të hyjë në rrugën e mbarësisë.
Tregomu dhe shqiptarët udhën e punës së mbarë,
bashkomi,
bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqiptarë./ Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardhë
të lirisë,/ udhën e vëllazërisë, vahn e gjithë mirësisë./ Nxirr të vërtetën në
shesh, paskëtaj të mbretërojë,/ errësira të përndahet, gënjeshtra të pushojë.
Vlerat artistike të poemës janë të gjithanshme, ndaj dhe idetë e saj janë aq të
prekshme. Figuracioni është aq i pasur, i larmishëm e i vetvetishëm sa të
krijon një ngazëllim të papërmbajtur. Apostrofat drejtuar natyrës shqiptare,
enumeracionet e shumta që japin larminë e saj dhe të punëve, krahasimet dhe
semilitudat e goditura, epitetet e thjeshta dhe metaforat e bëjnë atë një nga
veprat më të frymëzuara të letërsisë sonë. Duke u nisur nga jeta baritore, nga
loja e qengjave rreth mëmave të tyre, Naimi krijon dhe simbole shprehëse: fjala
“mëmë” përsëritet aq shpesh, sa bëhet simbol, që përgjithëson përkushtimin e
poetit ndaj tokës mëmë, Shqipërisë. Në këtë vepër Naimi përdor një shqipe të
kulluar dhe, mbi të gjitha, arrin të zbulojë me forcën e talentit poetik vlerat
dhe mundësitë e mëdha shprehëse të gjuhës sonë. Ai e ngriti atë në rrafshin e
gjuhës së poezisë së vërtetë, që mund të shprehte ndjenja nga më të hollat. Në
poemë gjejmë një leksik shumë të pasur baritor e fshatarak, thirrorë e
pasthirrma plot efekt, gjejmë prapashtesat përkëdhelëse zvogluese: -zë, -thë,
-osh (e), që sjellin aq ngrohtësi:
Vashë bukuroshe e bariut, që vjen me llërë
përveshur,/ me zemër të dëfryer e me buzëzë të qeshur…/ në
sythit tënd shoh gaze.. Për t’u dhënë jetë ideve e ndjenjave të zjarrta, Naimi
krijoi një varg të ri në poezinë shqiptare, vargun 16-rrokësh. Vetëm ky varg i
gjerë dhe i qetë mund të jepte atë tabllo madhështore të natyrës shqiptare dhe
ndjenjat e përflakura të poetit, ndaj dhe mban emrin e tij, vargu naimjan.
“Bagëti e Bujqësia” është poemë liriko-epike, boshtin e së cilës e formon
lirizmi, shprehja e mendimeve dhe e ndjenjave që i vlojnë në shpirt poetit.
Bota romantike e Naimit përmblidhet në ekzaltimin nga bukuritë e natyrës
shqiptare e të jetës baritore e fshatarake, në dashurinë dhe krenarinë për
kombin, në optimizmin dhe ngazëllimin për ditën e bardhë të lirisë. Poema
mbetet një nga faqet më të bukura të poezisë së Rilindjes, me ndikim të
fuqishëm edhe në ditët tona.