Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Tre poetë - Niko Kacalidha
E enjte, 09.05.2024, 07:54 PM
T R E P O E T Ë
3-
Niko Kacalidha
Nga
Timo Mërkuri
Poezia
"Hënë mitare njëzet vjeçe" e Niko Kacalidhës shfaq një tërësi
emocionesh të heroit lirik në një çast intimiteti, duke i shprehur ndjenjat me
metafora dhe imazhe sa të bukura aq dhe të misterëshme. Qysh te titulli
"Hënë mitare njëzet vjeçe" poeti kombinon elemente artistike dhe realiste
në një mënyrë elegante.
I-Në
aspektin artistik, titulli është shumë misterioz, pse përdorimi i detajeve si
"Hënë mitare"dhe "njëzet vjeçe" sjell një imazh poetik
romantik, duke e bërë lexuesin të ndihet si në një botë ëndrrash apo një
atmosferë magjike. Detaji "Hëna mitare" është një nga elementet
kryesore simbolike, pse me termin “hënë” poeti cilëson vajzën, ndërsa fjala
"mitare" shton një dimension te ri
në imazhin
e hënës, pse "mitare" mund të interpretohet si diçka e ndezur, e
prushtë, plot me energji, pamje që i afrohet shumë bukur qenia e një vazje njëzet
vjeçe, plot zjarr të brendshëm dhe fytyrë që i shkëlqen nga puthja e parë. Për
shkak të kësaj, "hëna mitare", paraqet një tipar të hënës, ndriçimin
e saj të veçantë, si një shkëlqim. Metafora “mitare” i jep hënës cilësi të
jashtëzakonshme, nxit ndjesinë e mahnitjes dhe emocionit, pasi paraqet një hënë
që është e ngrohtë dhe plot energji. Mirëpo me këtë fjalë përfaqësohet vajza e
dashuruar, e porsa puthur, me faqe te skuqura dhe zemrën që i gufon. Pra në këtë
lojë, hëna dhe vajza japin e marrin cilësi mes njera tjetrës. Po ashtu, fraza
"Hëna mitare" përcakton atmosferën pasionante të poezisë, me një
ndjesi misteri dhe intensiteti magjik në lidhjen e personazheve. Kjo shërben si
kryefjalë që përmbledh një gamë të gjerë emocionesh e imazhesh në kontekstin e
poezisë.
Në
dialektin toskë fjala:“mitare” përdoret në formën “miturake” dhe i referohet një vajze
në prag të adoloshencës, kur nisin dhe i formohen linjat, të cilën dhe përdorimi
kompozicional i frazës “Hënë mitare njëzet vjeçe” nuk e përjashton nga interpretimi i mësipërm,
pse, vërtet që mosha njëzet vjeçe për një vajzë quhet moshë e pjekurisë, por në
kontekstin e poezisë mosha njëzet vjeçe është tepër miturake para moshës shumëshekullore
të hënës si planet. Qasja është se vajzat e vogla të njoma, “miturake”, kanë një
fytyrë të bukur plot shkëlqim, që i qaset bukurisë dhe shkëlqimit të hënës, janë
plot energji dhe ngrohtësi trupore. Pavarësisht kësaj qasjeje, fjala
"mitare" duhet të shihet si term i përzgjedhur me finesë për të paraqitur hënën metaforike, e cila krijon një ndjesi të hollë poetike.
Hëna,
si një element natyror i dukshëm në qiell, në kontekstin e poezisë merr një
domethënie të veçantë, si shenjë lumturie, shprese ose romantizmi. Pra, poeti mund të ketë përdorur fjalën
“mitare” për të shprehur një ndjenjë ose moment të veçantë, kur ai mund të jetë
frymëzuar nga hëna e plotë që ka dalë në çastin e përjetimit të idilit romantik.
Ky shfrytëzim i dukurisë natyrore në poezi ka krijuar një atmosferë të bukur e të ndjeshme dhe pikërisht përdorimi
i kësaj fjale, i jep poezisë një dimension emocional dhe artistik të shtuar.
Ndërkohë detaji "njëzet vjeçe" përfaqëson një çast të rëndësisëm në
jetën e personazhit (vajzës), por ajo që duam të theksojmë është fakti se
pikërisht kombinimi i “hënë mitare” dhe “njëzet vjeçe” krijon imazhin poetik që ndihmon në krijimin e një
atmosfere të veçantë. Hëna, si objekt qiellor, ka qenë një simbol shumëplanesh,
përtej asaj që është thjesht një trup qiellor. Ajo shpesh është shfaqur si simbol
i ëndërrimit, romantizmit, dritës dhe ndriçimit të rrugës së njeriut. Në këtë
kontekst, "Hënë mitare" mund të interpretohet si hënë e veçantë, me një
domethënie më të gjerë se sa një hënë e zakonshme. Mund të jetë një hënë që
sjell ndriçim dhe shpresë në një kontekst emocional apo simbolik. Po ashtu, futja
e "njëzet vjeçe" në titull sjell një dimension misteri,pse përtej
aspektit personal kjo moshë është e mbushur me ëndrra, shpresë e kurajë, është
një moment i ndryshimit dhe rritjes personale.
-Në
aspektin realist, titulli përdor elemente të njohura nga jeta e përditshme, si
hëna dhe mosha e vajzës. Ky përdorim i elementeve realiste e bën poezinë të
lidhet me botën tonë dhe të identifikohet më shumë me temën dhe përmbajtjen e
poezisë. Përqafimi i elementeve artistike dhe realiste në titullin "Hënë
mitare njëzet vjeçe" krijon një harmoni dhe tension tërheqës mes ëndrrës
dhe realitetit, duke e bërë atë një titull që të ngacmon të ndihesh i interesuar
për të mësuar më shumë. Pra, Niko Kacalidha ka ndërthurur një lojë paralele
midis universales, dashurisë, vajzës që dashuron dhe hënës, si planet milionavjeçar.
Ka
edhe diçka tjetër që duhet të shihet me vëmëndje në tekstin poetik, i cili është
shkruar në dy kohë: më 1978 në prag-fejese në shtëpinë e së dashurës në Shëndre
dhe më 2003 në qytetin e Sarandës, kur e ripunoi në prag të botimit, (paçka se
data figuron Shëndre për të respektuar çastin e frymëzimit). Kjo duket lehtasi,
pasi imazhet ndërthurren, herë flet për hënën në një ambient rural ndërkohë
përmend guackat e detit dhe ballkonet, por pavarësisht kohës së gjatë të
ndërmjetme, është meritë dhe talenti i poetit që këtë dykohësi e ka bërë të
pandi-kueshme te lexuesi. Duhet të njohësh botën e autorit që të dallosh
kufijtë e dy kohëve me një lexim të kujdesshëm.
II-Poezia
"Hënë mitare njëzet vjeçe" e Niko Kacalidhës shfaq disa elemente të modernitetit dhe postmodernitetit në qasjen e
saj artistike.
Në
aspektin modern, poezia përdor një gjuhë dhe një strukturë të lirë të vargjeve,
që i jep liri për të shprehur ndjenjat dhe përjetimet në një mënyrë subjektive
dhe inovative. Kacalidha përdor imazhe të natyrës dhe metafora të pasura për ndjenjat
dhe përjetimet emocionale, duke e bërë të përshtatshëm me traditat moderne.
-Në
aspektin postmodern, poezia përmban elemente të shfaqjes së një realiteti të
fragmentuar dhe të ndërlikuar. Psh.: "E puqe puthjen time duke rendur tej,
ballkonesh/të vesuara, e imja virgjërore njëzet vjeçe me puthjen/buzëve,
meduzën e kafshimit.", ku paraqet një realiteti të fragmentuar dhe të
ndërlikuar përmes përdorimit të imazheve poetike e metaforave. Puthja e heroit lirik,
si "meduzën e kafshimit", jep një realitet të ndryshuar, ku emocionet
dhe përjetimet janë paraqitur nëpërmjet një imazhi të papritur dhe ndryshues. Po
ashtu, "rendur tej, ballkonesh të vesuara" sugjeron një përjetim të
ndërlikuar, ku realiteti perceptohet në një mënyrë subjektive. Kjo lloj
shprehjeje ilustron qartë elementet e një realiteti të fragmentuar, karakteristikë
e zakonshme e poezisë postmoderne. Kjo paraqitje e imazheve dhe metaforave bën
që të ketë një ndikim të veçantë emocional dhe krijon një hapësirë për shumësi
interpretimesh, karakteristike kjo e poezisë postmoderne. Për shembull: "Herë
kryet m’i kthen supeve netëve kaçurrelse/herë kryet fut nën sqetullat e tua
duke erëmuar/ brigjet", ku hëna përdoret si një metaforë për të shprehur
një mënyrë të veçantë të sjelljes së personazhit në ndjenjat e tij. Duke u
kthyer "supeve netëve kaçurrelse" dhe duke u futur "nën
sqetullat e tua", hëna përfaqëson një tërësi emocionesh dhe refleksionesh
që lindin në mendjen e heroit, të cilat janë të ndjeshme dhe subjektive, tipar
i poezisë postmoderniste.
-Gjithashtu,
autori përdor një ironi fine dhe ndjenjë humori, element i zakonshëm në poezinë
postmoderne. Për shembull, në vargun "Të ndoqa
pas guackave duke u puthur/xhelozisë së limonishtes", mund të perceptohet
një ndjenjë e humorit në paraqitjen e një situate që mund të shkaktojë zili,
por në një mënyrë që është tërësisht tërheqëse dhe befasuese. Përdorimi i
"guackave" dhe "xhelozisë së limonishtes" shfaq një imazh
të qartë të një momenti të këndshëm, duke e bërë atë një pikë interesante, tipike
për poezinë postmoderne, ku përdorin humorin, ironinë ose elementet e papritura
për të sfiduar perceptimet tradiciona-le. Pra, në qasjen e modernitetit dhe postmodernitetit,
"Hënë mitare njëzet vjeçe" kombinon lirizmin dhe subjektivitetin e
poezisë moderne me fragmentimin dhe subjektivitetin e poezisë postmoderne.
III-Poezia
"Hënë mitare njëzet vjeçe" e Niko Kacalidhës është një kombinim i disa elementeve poetike, por me theks
më të madh në llojin metaforik dhe imazhist.
Poezia
përdor metafora për të shprehur ndjenjat dhe përjetimet,siç është hëna si një
simbol i dashurisë dhe misterit. Përdorimi i shprehjeve "E puqe puthjen
time duke rendur tej" dhe "E imja virgjërore njëzet vjeçe me puthjen
buzëve, meduzën e kafshimit" shfaq një lloj metafore pëmes emocioneve dhe
përjetimeve. Poezia është e pasur me imazhe të natyrës dhe ndjenjave, si
"Herë kryet m’i kthen supeve netëve kaçurrelse", "brigjet",
"rënë petale rërës", etj, imazhe këto që ndihmojnë në krijimin e një
atmosfere të ndjeshme. Poeti përdor simbole, ku psh, hëna përfaqëson vajzën e
dashuruar dhe misterin, ndërkohë elemente natyrore si deti dhe limonat shprehin
emocione dhe përjetime intime. Megjithatë, edhe pse poezia ka elemente
simbolike dhe metaforike, ajo paraqet situata dhe ndjenja reale, siç janë çastet
emocionale intime të dashurisë, si pasojë e të cilave mbart dhe një theks realist,
por këto elemente nuk janë as zotëruese dhe as orientuese. Më së shumti ato shërbejnë
si pjesë të truallit dhe sfondit poetik. Pra, kjo poezi përmban një larmi elementesh
dhe llojesh të ndryshme, po në përgjithësi, është orientuar në llojin metaforik
dhe imazhist, si poezi moderne që synon postmode-rnizmin.
IV-
Poezia e Niko Kacalidhes është e pasur me elemente mistike dhe magjike që i
japin një atmosferë të veçantë dhe të mahnitshme, si rrjedhojë romantizmi i saj i përzier me hijet mistike e
trasferon atë nga moderniteti në postmodernizëm. Përgjithësisht Kacalidha
përdor në krijimtarinë e tij një shumësi elementësh poetikë që përmbajnë a të
shpien në shtigje mistike. Analiza na ndihmon të kuptojmë dhe impaktin
emocional duke shërbyer edhe si argument pse synon postmodernizmin.
-Vargu:“e
imja virgjërore njëzet vjeçe me puthjen/buzëve, meduzën e kafshimit” ka diçka që duhet parë hollësisht,pse
përmendet meduza, sepse nuk është fjala për meduzën mitologjike, e cila me
shikimin e saj i ngrinte njerëzit. Poeti flet për një meduzë tjetër, e cila
quhet “meduza e hënës” (latinisht “Aurelia aurita”) dhe ky është një detaj
poetik që Kacalidha e përdor sikur kjo meduzë kafshon buzët, pasi sigurisht në
eros edhe ajo ka anën e saj sensuale. Meduza e hënës është larg meduzës
mitologjike, ka formën e buzëve të femrës dhe kafshon butësisht gjatë puthjes,
por ndërkohë kujtojmë se puthja mes dy të dashuruarve e ka pjesë të vetë dhe
një lloj kafshimi të ëmbël. Puthja e kësaj meduze në poezinë e Kacalidhes shton
një ndjenjë magjie në aktin e puthjes. Meduza e hënës përfaqëson një lidhje të
pazakontë mes natyrës dhe heronjve lirikë, duke na çuar në një interpretim
mistik, ku natyra dhe universi tërheqin njëri-tjetrin në një lidhje të fshehtë,
të padukshme, dhe të përjetshme. Ndërkohë themi se puthja e meduzës së hënës
ngjan dhe si akt ndriçimi, duke rritur ndjenjën e të jashtëzakonëshmes dhe të përjetshmes.
Përmes këtij imazhi, hyjmë në një botë të fshehtë dhe magjike, ku natyra dhe
personazhet janë në një bashkëveprim të veçantë dhe të mahnitshëm.
-Vargu:
“Shtrirë pranë meje/gji më gji si në mëkatin e magjisë” një metaforë dhe një krahasim
për një përvojë të pazakontë, siç mund të jetë një ndjenjë dashurie apo një lidhje
emocionale. Përjetimi i "mëkatit të magjisë" përbën një moment të
shenjtë, ku personazhet janë të lidhur në një mënyrë të veçantë që i tejkalon
kufijtë e zakonëshme të kohës dhe hapësirës. Ky përjetim quhet mëkati i
magjisë, sepse shpalos një dimension të fshehtë të emocioneve e lidhjeve
njerëzore.
-"Me
ëmbëlsinë e brishtësisë në gjuhësinë e zogjve", paraqet një atmosferë të
ëmbël e të pazakontë që rrethon çastin magjik të përjetuar. Përdorimi i detajeve
si "ëmbëlsia" dhe "brishtësia" shprehin një ndjenjë
delikate që ka prezencë magjike. Përdorimi i "gjuhësisë së zogjve"
nënvizon një element të natyrës, atmosferën magjike të momentit, pasi ata
pëshpërrisin si zogjtë fjalë dhe fraza melodike, shpesh të pakuptimta
literalisht.
Vargu:
“E puqe puthjen time duke rendur tej, ballkonesh/të vesuara, e imja virgjërore
njëzet vjeçe me puthjen”, ku termi: "e imja virgjërore njëzet vjeçe"
është përshkrimi e një vajze vergjine, gjendje me përmasa efiçente, ofron
mistiken, pse e paraqet me një magji dhe pasuri të brendshme, gjë që shton
ndjenjën e misterit. Ne mund të flasim edhe për misterin që përmban imazhi i
hënës si personazh që e "mban në gji" heroi lirik dhe "mbush
mbrëmjen" me drithërimë, duke i dhënë jetë, një atmosferë më shumë se
natyrale, për përdorimin e ngjyrave dhe imazheve të përziera në natyrë, të
cilat forcojnë atmosferën mistike dhe romantike, por do të ndalesha te përdorimi
i fjalëve dhe tingujve poetikë që krijojnë atmosferë mistike.
V-Në
poezinë "Hënë mitare njëzet vjeçe" të Niko Kacalidhes, përdorimi i
fjalëve dhe tingujve kontribuojnë në krijimin e një atmosfere mistike poetike:
-Fjalët
dhe shfaqjet e detajuara të natyrës për të krijuar pamje mahnitëse si
"brigjet", "sandale", "petale rërës", dhe
"jasemini bardhësinë", ose pasazhi: "Të ndoqa pas guackave duke
u puthur xhelozisë së limonishtes." ku, fjalët e detajuara shfaqin një
pamje të mrekullueshme, duke forcur imazhin e një natyre mistike e të
pazakontë.
-Përdorimi
i metaforave dhe simboleve është tjetër mjet që krijon atmosferë mistike. Përshembull,
hëna e shfaqur "mitare" i shton poezisë një ndjenjë misteri,
fshehtësie, si dhe imazhet "jasemini bardhësinë".
-Struktura
ritmike dhe zëri poetik ndihmon në krijimin e një atmosfere origjinale, ku përdorimi
i zërit të butë dhe tonalitetit të ulët shton një ndjenjë misteri pasi poezia
lexohet si një fjalë që pëshpëritet me një melodicitet të ulët dhe të ngrohtë,
që më shumë se sa kuptohen fjalët, ndjehet timbri i dashurisë. Përshembull: "E
puqe puthjen time duke rendur tej, ballkonesh të vesuara" ku zëri i butë
dhe i ngrohtë shton ndjenjën e misterit, duke e bërë poezinë të përjetohet si
një përvojë magjie. Kësaj i shtohet fakti që autori përdor gjuhë poetike me larmi
tingujsh e imazhesh, duke shtuar zhdervjelltësinë e muzikalitetit. Kjo gjuhë
poetike krijon një atmosferë që përforcon ndjenjën e misterit. Përshembull,
pasazhi: "Me ëmbëlsinë e brishtësisë në gjuhësinë e zogjve" përdor
një gjuhë dhe strukturë të veçantë të fjalëve që krijon një ndjenjë
muzikaliteti, të ëmbël, të ngrohtë, si të fshehtë nga veshi i lexueesve.
VI-
Imazhet në poezinë "Hënë mitare njëzet vjeçe" të Kacalidhës janë të
pasura e të ndjeshme dhe krijojnë një atmosferë emocionuese, por ne mendojmë që
mos t’i shohim ato thjeshtë si figura artistike por si ndërveprime të
simboleve, metaforave, personifikimeve dhe elementeve natyrorë, në funksion të
shfaqjes së ndjenjave dhe emocioneve të heroit lirik. Ajo që ka shumë rëndësi është
ndërveprimi i elementëve të njësisë në funksion të së tërës. Asgjë nuk është e
vetme si një meteor i rënë s’di se nga. Elementët artistikë ndërveprojnë mes tyre
si pjesët e një peme apo fidani si rrënjët, kërcelli, gjethet, ku në saj të
ndërveprimit të tyre të natyrshëm, te pema shohim lulet që çelin, ndjejmë aromën
e tyre dhe marrim frutat.
-Imazhi
i "Hënës mitare" në poezinë e Niko Kacalidhes është një metaforë e
fuqishme që shpreh një ndjenjë të thellë romantike dhe një lloj magjie. Leximi
i kësaj metafore shfaq një imazh poetik të natyrës që shpreh emocione, ndjenja
dhe përvoja njerëzore në një mënyrë të bukur dhe të ndjeshme. Përdorimi i
"Hënës mitare" si një metaforë për të paraqitur një person, shpesh
konsiderohet romantik dhe mistik. Në këtë rast, ajo simbolizon një vajzë, me
një ndikim shpirtëror të fuqishëm. Mirëpo hëna është simbol dhe në këtë rast,
përfaqëson ndjenjë të thellë romantike dhe magji që mbulon botën. Kur përshkruhet
si "mitare" dhe "njëzet vjeçe", ajo personifikohet, duke i
dhënë një karakteristikë njerëzore me një personalitet të caktuar. Me "mitare"
dhe "njëzet vjeçe" e paraqet si një figurë femërore, e re, e bukur
dhe plot energji, e cila përforcon ndjenjën e magjisë dhe mistikës së saj. Pra
imazhi është një ndërthurje simboli, metafore, mistike dhe personifikimi dhe
jam i bindur se ne gjithmonë shohim hënën dhe nuk mendojmë për elementët që ndërthuren
për imazhin e saj.
-Vargu:"Herë
kryet m’i kthen supeve netëve kaçurrelse/herë kryet fut nën sqetullat e tua
duke erëmuar/brigjet" është i pasur me imazhe. Imazhi "Supeve netëve
kaçurrelse" paraqet një natë të errët, ku yjet janë të shumtë e të
ndritshëm, duke krijuar një pamje magjepsëse. Imazhi "Sqetullat e
tua" shfaq diçka që është i fshehur si në një lojë fëmijësh. Ndërsa
imazhi:"Duke erëmuar brigjet"shpreh një lloj veprimi krijon një
ndjenjë shpirtërore të ngrohtë dhe
intime. Këto imazhe janë krijuar në ndërveprimin e simboleve, metaforave dhe
personifikimeve:
Simbolet
në formimin e imazhit të mësipërm janë: Hëna, që mund të interpretohet si një
simbol i pasqyrimit të ndjenjave dhe emocioneve, të forta romantike. Netët
kaçurrelse, ku netët simbolizon një kohë të errët dhe të pasigurt ku ndodhin
gjëra të pazakonta dhe të fshehta, ndërsa: “Sqetullat e tua”: shfaqin simbolin
e një qëndrimi të fshehtë, intim, që lidhet me ndjenjat e thella.
Metaforat
që ndërveprojnë: "supeve netëve
kaçurrelse" janë personifikuar subjekt që mund të kthejë kryet në drejtim
të errët të natës, duke treguar për një lloj kthimi të një personi ndaj natës
dhe mendimeve të thella. Përdorimi i "sqetullave" si një metaforë për
mendime të thella dhe emocione të fshehta.
Personifikimet
që ndërveprojnë: “Supeve netëve kaçurrelse” ku supet shfaqin si një lloj
vetëdije ose karakteristikat e një personi, ose një mister.“Sqetullat e tua”,shfaqin
ndjenja të fshehta dhe mendime që lidhen drejtpërdrejt me personin në fjalë.
-Në
këtë linjë janë imazhet "gjurmeve
të sandaleve", "petale rërës", që përfaqësojnë praninë dhe
ndikimin e vajzës në jetën e poetit,si dhe fragilitetin dhe bukurisë e saj. Gjurmet
e sandaleve të saj mund të interpretohen si simbol i pranisë së saj dhe ndryshimet që ajo sjell në jetën e
poetit. Janë gjurmet e përnatshme të vazhdimësisë së takimeve të tyre, të lëna
rërës netëve duke e bërë të ndjehet si një prezencë e gjallë dhe e
perceptueshme.
“Rënë
petale (në) rërës” është një imazh i bukur që shfaq një petale që ka rënë në
rërën e plazhit, pavarësisht se kjo petale është gjurma e sandales. Ajo që ka
rëndësi është fakti se dhe ky imazh ka në përbërjen e tij simbolikën e petales
së rënë në rërën e plazhit si simbolikë e një bukurie të brishtë. Petalet e
rëna rërës së plazhit janë metaforë për të shprehur gjëra delikate e të bukura
që shkatërrohen lehtësisht, duke treguar për fragilitetin e asaj që është e
bukur por jetëshkurtër. Njëkohësisht petalet e rëna rërës së plazhit mund të
personifikohen për të paraqitur natyrën si subjekt që ka gjallëri e ndjeshmëri,
ka aftësi për të shprehur emocione dhe për të ndikuar në ndjenjat e njerëzve.
VII-
Poezia "Hënë mitare njëzet vjeçe" e Niko Kacalidhës shfaq një ndjenjë
të thellë romantike dhe intime ndaj vajzës që ai dashuron, pikërisht në çastin
e parë intim dhe për këtë arsye kjo poezi moderne përmban elemente romantike tradicionale
të huazuar nga artet gojore, që i qëndrojnë poezisë moderne jo vetëm si sfond,
por edhe si truall të cilat janë: a)-Romantizmi
është atmosfera zotëruese në poezi krahas atmosferës pasionante të dy të rinjve,
e shprehur kjo nëpërmjet imazheve të natyrës (si hëna) dhe puthjeve që shpalosen.b)-Përdorimi
i elementeve natyrore (nëpërmjet imazheve), aq të përdorur në artet gojore dhe
romantike: hëna, brigjet, petale rëra, dhe jasemini, forcon ndjenjën e romantizmit
dhe bukurisë së natyrës.c)-Hëna përfaqëson një simbol të fuqishëm të dashurisë
dhe puthjeve, ndërsa imazhet si “petale rërës” dhe “jasemini” përshfaqin një
ndjenjë përkujdesjeje për vajzën.ç)-Po ashtu puthjet dhe shprehjet e kontaktit
fizik forcojnë temën e intimitetit dhe lidhjes së thellë emocionale me vajzën e
dashur.d)-Poeti përdor imazhe të forta vizuale dhe sensoriale që lexuesi të
ndjehet i lidhur me emocionet dhe përjetimet intime.
Fjala
"sensorial" nënkupton diçka që lidhet me ndjenjat e shqisave, pra
diçka që paraqet përjetimet që mund të ndjehen me anë të një ose më shumë nga
shqisat tona, si pamja, dëgjimi, ndjeshmëria, shija ose ndjenjat e lëkurës. Në
kontekstin e poezisë, një frazë "sensoriale" shprehë përjetimin e një
ndjenje të tillë. Pëshembull, në poezinë "Hënë mitare njëzet vjeçe",
fjala "sensoriale" mund të përfaqsojë ato pjesë që paraqesin pamje,
tinguj, aromat, ndjesi fizike, emocione të lëvizura nëpërmjet përjetimit
poetik. Vargu "mbushe mbrëmjen time drithërime" mund të interpretohet
si një përfaqësim sensorial i ndjesive të stresit, ankthit, emocioneve të forta
që mbushin heroin lirik në këtë moment të veçantë të poezisë. Ai mund të ndiejë
drithërimin e shpirtit apo tensionin e fshehur që e përjetohet në momente të
trazuara shpirtërore. Pra, kuptimi i "sensoriales" në kontekstin
poetik është për të shprehur përjetimin e ndjenjave dhe emocioneve përmes
imazheve të detajuara. Poezia "Hënë mitare njëzet vjeçe" e Niko Kacalidhës
është e pasur me imazhe vizuale dhe sensoriale që e bëjnë atë të përjetohet në
një mënyrë të ngjashme me një film ose me një pikturë."Hënë mitare, njëzet
vjeçe, që të mbaj në gji" sjell para syve një pamje të “hënës”, realisht të
vajzës që mban në gjirin e tij në çaste intimiteti. Po ashtu:"mbushe
mbrëmjen time drithërime": ndjesinë tensionit emocional dhe të presionit
të pashpjegueshëm që ndien heroi lirik gjatë atij çasti, (ku paraqet mbrëmjen
si çast intimiteti) duke shtuar një dimension të thellë emocional.
Një
detaj i rëndësishëm që tregon se tradicionaliteti s’është vetëm sfondi poetik,
por edhe trualli mbi të cilin është ngritur poezia moderne, janë motivet romantike:
hëna, brigjet, petalet, rëra dhe jasemini, elemente që përfaqësojnë artet
gojore. Po ashtu përmbajtja e poezisë, që përqendrohet te tema e dashurisë,
është një element tradicional i poezisë. Dashuria dhe adhurimi i vajzës janë
motive që janë trajtuar gjer në atë shkallë sa që mund ti quajmë tema “monopol”
të tyre. Po çfarë bën poeti modern dhe si e mend këtë traditë shekullore? Poeti
modern këto elementë i vë në shërbim të modernitetit poetik pikërisht si
elemente strukturale të imazheve dhe jo si elementë qëndrorë të poezisë. Pikërisht
ky “spostim” i rolit të tyre e ka ngritur poezinë në stadin e një moderniteti
poetik që synon postmodernizmin. Ky është shtegu i artë nga është ngjitur
poezia e Niko Kacalidhës.
Sarandë, në fillim
prilli 2024
Niko Kacalidha
HËNË MITARE NJËZET VJEÇE
Hënë
mitare, njëzet vjeçe, që të mbaj në gji
dhe
mbushe mbrëmjen time drithërime.
Herë
kryet m’i kthen supeve netëve kaçurrelse
herë
kryet fut nën sqetullat e tua duke erëmuar
brigjet.
Të ndoqa pas guackave duke u puthur
xhelozisë
së limonishtes. Të numërova gjurmët
e
sandaleve të tua, rënë petale rërës dhe gjirin
fshehtas
ta grisa mos shihte jasemini bardhësinë.
E
puqe puthjen time duke rendur tej, ballkonesh
të
vesuara, e imja virgjërore njëzet vjeçe me puthjen
buzëve,
meduzën e kafshimit. Shtrirë pranë meje
gji
më gji si në mëkatin e magjisë, e sy ndër sy,
duke
vesuar syrin nëpër qiej.
E
imja virgjërore njëzetvjeçe hyn e del dritareve.
Ngopur
me puthje deri vonë, pa na pikasur nata.
Me
ëmbëlsinë e brishtësisë në gjuhësinë e zogjve.
Hënë
njëzetvjeçe që bën të paputhurën dhe hiqesh
kaq
naïve për syrin e botës.
Si
mund të fshihen njëmijë puthje buzëve të tua?
Hënë
mitare njëzetvjeçe, që të mbaj në gji
dhe
mbushe mbrëmjen time drithërimë.
Shëndre, më 5.5.2003
Heraldikët
e bores,
Onufri 2023